Profeti Muhamed në mendimin e İmam es Sejjid Ali Khameneit

nga Vullnet Merja | Publikuar në Nën. 30, 2017, 11:57 p.m.

Me emrin e Allahut, të Gjithmëshirshmit, Mëshirplotit

Falënderimet i takojnë Allahut të Madhëruar. Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi profetin Muhamed, mbi familjen e tij të pastër dhe mbi shokët e tij të zgjedhur!

 

Es Selamu alejkum ue rahmetullahi ue berakatuhu! 

(Paqja, mëshira dhe begatitë e Allahut qofshin mbi ju!)       

 

Allahu i Madhëruar thotë në Kur’anin e shenjtë: “Në të Dërguarin e Allahut ka një shembull të mrekullueshëm për atë, që shpreson tek Allahu dhe Dita e Fundit dhe e përmend shumë Allahun.” (Sure “Ahzab”, ajeti 21)

Prej çështjeve të rëndësishme të njeriut në rrugëtimin e tij në këtë jetë është që të dijë se cilin ndjek dhe pason. Të njihet me virtytet e atij që ndjek dhe pason. Nëse njeriu nuk e njeh atë ndjek dhe pason, padyshim që do të përballet me pasoja në këtë jetë dhe në Jetën Tjetër.

Ne muslimanët e njohim mirë ndjekësin tonë dhe jemi krenarë që jemi prej bashkësisë së tij. Ndjekësi, mësuesi, udhëzuesi dhe udhërëfyesi ynë është profeti Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!).

Profeti ynë i dashur është profeti i mëshirës, siç na thotë Kur’ani i shenjtë: Dhe Ne nuk të kemi dërguar ty (o Muhamed), veçse si mëshirë për botët.” (Sure “Enbija”, ajeti 107).

Ai është shembulli më i mirë për mbarë njerëzimin dhe jo vetëm për muslimanët. Allahu i Madhëruar thotë: “Në të Dërguarin e Allahut ka një shembull të mrekullueshëm për atë, që shpreson tek Allahu dhe Dita e Fundit dhe e përmend shumë Allahun.” (Sure Ahzab”, ajeti 21.)

Allahu e dërgoi Profetin Muhamed dëshmitarë,  përgëzues dhe paralajmërues. Në Kur’anin e shenjtë thuhet: “O Profet! Ne të kemi dërguar ty si dëshmitar, sjellës të lajmit të mirë dhe paralajmërues.” (Sure “Ahzab”, ajeti 45)

Profeti ynë i dashur ftoi në rrugën e Allahut, të paqes e të mirësisë. Është pishtar ndriçues. Allahu i Madhëruar thotë: “njëkohësisht (të kemi çuar) si thirrës, që i fton njerëzit në rrugën e Allahut me urdhrin e Tij dhe si pishtar ndriçues.” (Sure “Ahzab”, ajeti 46)

Me moralin e tij, me dijen e tij, me urtësinë e tij dhe me sjelljen e tij ai ndriçoi gjithësinë. Drita e tij nuk ndriçonte vetëm kur shkonte në xhami apo kur kryente adhurimet, por drita e tij ndriçonte në çdo vend që ai shkonte dhe në çdo punë që ai bënte. Drita e tij është e pashuar, sepse drita e ti është e lidhur me dritën e Allahut, i Cili është drita e qiejve dhe e Tokës.

Të shumtë janë personalitetet islame dhe joislame që kanë shkruar dhe e kanë vlerësuar figurën e lartë të profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!). Në këto rreshta do të përmendim disa prej thënieve të Ajatullahul Udhma Es Sejjid Ali Khamenei (Allahu ia shtoftë jetgjatësinë!) rreth profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!).

Sejjid Ali Khamenei thotë: Përkujtimi i ditëlindjes së profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) nuk duhet të jetë ceremoni formale. Ajo është një kohë shumë e volitshme për të muslimanët që të jenë të bashkuar. Bota islame sot ka shumë nevojë për ringjalljen e kujtimit të lindjes së profetit më të ndëruar, profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!). Gjithashtu, e gjithë njerëzia ka nevojë për këtë emër të bekuar dhe për këto ceremony të begata dhe për mësimet e tij udhëzuese. Duhet që bota islame në veçanti dhe e mbarë njerëzia në përgjithësi të njihen me këtë xhevahir.

Sejjid Ali Khamenei thotë: I Dërguari i Allahut, Muhamedi (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) është modeli i njeriut të përsosur. Allahu nuk ka krijuar të ngjashëm me të në këtë ekzistencë. Te profeti gjendej dynjaja dhe Ahireti. Në të ishin të bashkuara qëllimet hyjnore me synimete larta  njerëzore. Ai është përgëzues dhe qortues. Ai është dëshmues dhe deri më i madh për njerëzimin dhe historinë. Ai është udhërrëfyesi i njerëzimit drejt Allahut. Ai është pishtari ndriçues që ua ndriçon rrugën e njerëzve për të cilin Kur’ani thotë:  O Profet! Ne të kemi dërguar ty si dëshmitar, sjellës të lajmit të mirë dhe paralajmërues” (Sure Ahzab ajeti 45)

Sejjid Ali Khamenei thotë: Allahu i Madhëruar i ka dhuruar kësaj bote thesarin e shenjtë e më madhështor, që është profeti Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!).

Sejjid Ali Khamenei thotë: Vërtet, burimi i çdo virtyti, qoftë edhe në formë jo të drejtpërdrejtë, është profetësia e bekuar e profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) dhe zbatimi i moraleve të mira nga ana e tij. Këtë gjë e ndien çdo njeri mysliman.

Sejjid Ali Khamenei thotë: Lindja e profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) është shembulli më i lartë i mëshirës së Allahut për njerëzimin.

Sejjid Ali Khamenei thotë: S’ka dyshim se prania e këtij profeti fisnik dhe dërgimi i tij me misionin e proftesisë janë mëshirë e vërtetë nga Allahu i Madhëruar për robtë e Tij.

Sejjid Ali Khamenei thotë: Vërtet, profeti Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) dhe çdo profet tjetër, u dërgua me rregulla për ndërtimin e shoqërisë njerëzore dhe për drejtimin e saj. Këto rregulla quhen Sistemi islam.

Sejjid Ali Khamenei thotë: Sigurisht, profeti Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) është njeri shembullor dhe ka vendin më të lartë në mesin e krijesave.

Sejjid Ali Khamenei thotë: Është e vërtetë se të gjithë myslimanët mblidhen rreth Profetit fisnik (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) dhe zemrat e tyre brohorasin për të me besim, dashuri dhe mallëngjim.

Sejjid Ali Khamenei thotë: Dijetarët muslimanë, intelektualët, shkrimtarët, poetët dhe artistët në të gjitha vendet islame duhet të zbulojnë dhe të përhapin imazhin e vërtetë të profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!).

Sejjid Ali Khamenei thotë: Vërtet, personaliteti i Profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) është qëllimi i shigjetave të mëdyshjes dhe të ofendimeve nga ana e orientalistëve jomuslimanë në Perëndim.

Sejjid Ali Khamenei thotë: Pa dyshim se dita në të cilën lindi Profeti Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) dhe në të cilën u ndriçua bota e shkatërruar dhe e errësuar, është fillimi i historisë njerëzore.

Sejjid Ali Khamenei thotë: Qëllimi i emigrimit të Profetit Muhemed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) në Medine ishte që të luftonte padrejtësinë e realitetit shoqëror, ekonomik dhe politik dhe të këqijat e atij realiteti të përhapura në atë kohë.

Sejjid Ali Khamenei thotë: Vërtet, dërgimi i profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) konsiderohet ngjarje madhështore në historinë e njerëzimit, sepse qëllimi i këtij dërgimi ishte shpëtimi i njeriut, edukimi dhe pastrimi i shpirtit të njerëzve.

Sejjid Ali Khamenei thotë: Vërtet, dita e lindjes së profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) është dita e persiatjes për mirësitë e panumërta e të pafundme të këtij të linduri të begatë.

Sejjid Ali Khamenei thotë: Mirësia më e madhe e kësaj lindjeje madhështore është paraqitja e monoteizmit dhe e drejtësisë si dhurata më e mirë për shoqërinë njerëzore.

Sejjid Ali Khamenei thotë: Dërgimi i Profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) është çështje shumë e rëndësishme dhe e meriton studimin dhe persiatjen. Ky dërgim ka specifika të pashoqe.

Sejjid Ali Khamenei thotë: Sa më shumë që të largohen myslimanët nga parimet e fesë së tyre dhe sa më shumë që të dobësohet interesi i tyre ndaj mesazhit të vulës së profetëve, profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), aq më të ndërlikuara dhe të vështira do t'u bëhen çështjet e jetës përgjatë historisë.

Sejjid Ali Khamenei thotë: Argumenti i vërtetësisë së atij që thotë: “E dua Allahun.” është ndjekja e Profetit dhe e Kur'anit.

Sejjid Ali Khamenei thotë: I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!)  ka qenë mësuesi i të parëve dhe i të fundmëve. Melekët e vadisnin dijen e tyre me dijen e tij dhe zemra e tij ka qenë vendi më i lartë i frymëzimit të Allahut.

Sejjid Ali Khamenei thotë: Personaliteti i Profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) është boshti i unitetit mes myslimanëve, që ne dëshirojmë të realizohet.

Sejjid Ali Khamenei thotë: Profeti Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) bashkëpunonte me thjeshtësi me njerëzit dhe i shihte të gjithë me respekt, larg çdo mendjemadhësie dhe mburrjeje.

Sejjid Ali Khamenei thotë: Të gjitha qytetërimet, të gjitha shkencat e zhvillimet i detyrohen figurës së lartë të profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!).

Sejjid Ali Khamenei thotë: Asnjë njeri nuk është në gjendje që të sqarojë në mënyrë të plotë dimensionet e personalitetit të profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!). Ajo sasi njohjeje për profetin nga ana e myslimanëve është e mjaftueshme që ata të sigurojnë vazhdimësinë e lëvizjes së tyre drejt përsosurisë dhe unitetit islam. I porosis të gjithë myslimanët në mbarë botën që të punojnë sa më shumë në njohjen e dimensioneve të personalitetit të profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), të ecin në gjurmët e jetës së tij, të moralit të tij dhe sipas mësimeve të tij madhështore.

Allahu i Madhëruar thotë në Kur’anin e shenjtë: Thuaju (o Muhamed): “Nëse ju e doni Allahun, atëherë më ndiqni mua, që Allahu do t’ju dojë dhe t’jua falë gjynahet! Allahu është Falës i Madh dhe Mëshirëplotë.” (Sure “Ali Imran”, ajeti 31)

Allahu na bëftë prej të dashurve të Profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) dhe na mbarësoftë që të jemi në rrugën e tij në këtë jetë dhe na bashkoftë me profetin në Jetën Tjetër!

Vullnet Merja

Kryetar i Shoqatës FLLADI