Gjatë një vizite në New York, Ruhani i Iranit refuzoi ftesën për takim të Trumpit

Publikuar në Tet. 31, 2017, 3:36 a.m.

Presidenti i Iranit, Hassan Ruhani gjatë vizitës së tij në New York me rastin e Mbledhjes së 72-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së ka refuzuar të marrë pjesë në një takim të kërkuar prej presidentit të SHBA-së, Donald Trump.

Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme iraniane, Bahram Kasemi e ka dhënë këtë deklaratë gjatë një konference për shtyp ditën e shtunë pasi është pyetur nëse Trump ka kërkuar të takohet me presidentin iranian gjatë qëndrimit të tij në New York.

Kasem u shpreh se “Pala amerikane ka propozuar një takim të këtillë, megjithatë ky takim nuk është pranuar nga presidenti iranian Hasan Ruhani.”

Niveli më i lartë i kontaktit mes këtyre dy vendeve për dhjetra vite ka qënë biseda telefonike në vitin 2013 mes Ruhanit dhe ish-presidentit të SHBA-së, Barak Obama.

Gjatë fjalimit të tij në Asamblen e Përgjithshme të OKB-së në muajin shtator, Ruhani dënoi fjalimin anti-iranian të Trumpit, gjatë të cilit ai akuzoi Teheranin se po ndërmerrte “aktivitete destabilizuese” në rajon.

Për më tepër, Trump pretendoi se “mbështetja që Irani po i jep terrorizmit është tërësisht në vijë të kundërt me përpjekjet e shumë prej fqinjve të tij në luftën kundër terrorizmit dhe ndërprerjes së financimit të tij”.

Ai dënoi gjithashtu edhe marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 mes Iranit dhe vendeve të P5+1, në të cilën merr pjesë edhe SHBA-ja, duke e quajtur atë si një “turp” të cilin Washingtoni ka shancin ta braktisë. Trump u shpreh se marrëveshja me Iranin ka qënë “një ndër transaksionet më të këqija dhe më të njëanshme në të cilën Shtetet e Bashkuara kanë qënë palë ndonjëherë.”

Si përgjigje, Ruhani është shprehur se marrëveshja bërthamore iraniane e njohur si Plani i Përbashkët për Veprim Ndërveprues (JCPOA) është një marrëveshje ndërkombëtare e mbështetur në Rezolutën 2231 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Ruhani ka vazhduar më  tej duke thënë se “JCPOA nuk i përket njërit apo këtyre dy shteteve. JCPOA-ja është një dokument zyrtar i Këshillit të Sigurimit të OKB-së, i cili i përket të gjithë komunitetit ndërkombëtar.” Ruhani i është përgjigjur edhe kërcënimit të SHBA-së për moszbatim të marrëveshjes se Irani do t’i përgjigjet çdo shkeljeje të JCPOA-së.



Burimi : Press TV