Reagon publiku serb, gjermanja mbron Kosovën në Beograd

Publikuar në Tet. 26, 2017, 3:19 a.m.

Serbia i ka bërë zullume vetes dhe serbët duhet të jetojnë me këtë vërtetë. Ata i kanë sjellë vuajtje vetvetes dhe të tjerëve.Kështu ka deklaruar shkrimtarja e famshme gjermane, nobelistja Herta Myller (Herta Müller), e cila është duke e vizituar Beogradin si mysafire e Panairit të Librit.

Ajo e ka shokuar opinionin serb pasi në një bashkëbisedim me lexues ka deklaruar se Serbia është fajtore për vuajtjet e saja dhe të fqinjëve të saj.

Shkrimtares ia kanë rikujtuar kritikat e saja ndaj Serbisë dhe përkrahjen e sulmeve të NATO-s në kohën e bombardimeve më 1999, duke ia cituar fjalinë e saj të atëhershme se “Millosheviqi duhet të ndalet njëherë e përgjithmonë”.

Nobelistja Muller është përgjigjur rrufeshëm:“Edhe sot mendoj njëjtë”.“Një njeri si Millosheviqi, që i zhvillon katër luftëra brenda nëntë vjetëve dhe në mënyrë aq praktike ndërton varreza – nuk mund të ndalet me fjalë”.

“Kosovës dhe Bosnjës u janë shkaktuar shumë dëme dhe të këqija për arsye të nacionalizimit të tmerrshëm”.

“Isha e tmerruar. Nuk prisja që në një vend si Jugosllavia, e cila asokohe për ne ishte një gjysmë-parajse, të shpërthente nacionalizmi. Mirëpo, ky vend i ka bërë keq vetvetes”. “Serbët i kanë bërë keq vetes”. “Edhe Kisha Ortodokse Serbe ka pasur fajësi për tmerret e ndodhura”.

Këto deklarata kanë shkaktuar reagimet të shumta tek publiku serb, por shkrimtarja ka thënë se nuk e ka ndërmend të arsyetohet. “Nuk është e domosdoshme të mendojmë njësoj. Por, kur më pyesni për diçka, unë dua të jem e sinqertë”.