Shtyhet përsëri gjyqi për terroristin kosovarë

Publikuar në Tet. 19, 2017, 1:38 a.m.

 Mungesa e të akuzuarit për vepra penale që lidhen me terrorizmin, Nexhat Ademi, ka bërë që të dështojë seanca e paraparë për të hënën në Gjykatën Themelore të Prishtinës. Gjyqtari shtoi se për seancën e radhës, e cila u caktua për 17 nëntor të këtij viti, do të lëshohet urdhëresë për sjellje me detyrim për të akuzuarin, në mënyrë që të sigurohet prezenca e tij në gjykatë, shkruan Betimi për Drejtësi.

Mbrojtësi i Ademit, i caktuar sipas detyrës zyrtare, avokati Samedin Cenaj, tha para gjyqtarit Ismajli se ai është munduar të kontaktoi me klientin e tij, por nuk ka arritur të bisedojë me të, pasi tha se në telefon është përgjigjur dikush tjetër.

Ndryshe, për po të njëjtën arsye kanë dështuar edhe dy shqyrtime fillestare më 3 dhe 17 korrik 2017, ndërsa në seancën 12 shtatorit, në të cilën ishte sjellë me detyrim nga policia, i akuzuari Ademi nuk e kishte pranuar fajësinë për veprën për të cilën është akuzuar.

Sipas aktakuzës, Nexhat Ademi, më 17 janar 2014, kishte bërë rrugëtimin Prishtinë-Stamboll-Siri me dashje që t’i bashkohet organizatës terroriste “Al Nusra”, e cila është e lidhur me organizatën “Al Kaida” dhe i njëjti qëndroi një javë në Siri, në territorin të cilin e kontrollonte kjo organizatë terroriste.

Prokuroria, pretendon se Ademi ishte kthyer përsëri në Kosovë, mirëpo më 4 mars 2017, i njëjti provoi që edhe një herë të shkoi në Siri, ku me të mbërritur në aeroportin e Stambollit, autoritet turke e kishin ndalur dhe e kishin dëbuar për shkak të lidhjes së tij me zonën e luftës.