OKB thirrje partive politike në Kosovë që ta formojnë Qeverinë e re

Publikuar në Gus. 19, 2017, 12:19 a.m.

Në Raportin e Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Sigurimit, Antonio Guterres, për të cilin do të debatohet në Këshill të Sigurimit të OKB’së, flitet për zhvillimet politike dhe ato të sigurisë në Kosovë, në periudhën 16 prill-15 korrik të vitit 2017. Sekretari i Përgjithshëm, përmes këtij raporti u ka bërë thirrje partive politike në Kosovë që ta formojnë Qeverinë e re, të kenë përgjegjësi dhe të punojnë në mënyrë konstruktive.

Në pikën e Vëzhgimeve të Raportit, Sekretari ka potencuar përpjekjet e institucioneve të Kosovës, vendore dhe ndërkombëtare për sjelljen e suksesshme të zgjedhjeve legjislative në Kosovë që u mbajtën më 11 qershor.

Megjithatë, Guterres përmes Raportit tre-mujor, u ka bërë thirrje atyre që e formojnë Qeverinë e re, të qeverisin dhe të punojnë në mënyrë konstruktive me opozitën e ardhme, për llogaridhënie dhe transparencë.

“Unë u bëj thirrje atyre që do ta formojnë Qeverinë e re të Kosovës, për të qeverisur me përgjegjësi dhe të punojnë në mënyrë konstruktive me opozitën e ardhshme, për të nxitur transparencë dhe llogaridhënie”, thuhet në raportin e publikuar në muajin korrik.