Thaçi në Kroaci, kush nuk ka vend në Kosovë?

Publikuar në Qershor 8, 2017, 6:54 p.m.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë qëndrimit në Kroaci ka dhënë një intervistë për gazetën “Jutarnji List” ku ka diskutuar për tema të ndryshme. 

Thaçi ka folur edhe për çështjen e luftëtarëve të huaj ose për kosovarët që kanë shkuar në frontet e luftës në Siri dhe Irak.

Ai ka theksuar se të gjithë ata që kanë shkuar në Siri tashmë janë identifikuar nga shteti dhe se për ta “nuk ka vend në Kosovë”.

Thaçi po ashtu ka theksuar se transformimi i FSK-së në ushtri të Kosovës nuk përbën kërcënim për asnjë shtet në rajon, por do t’i kontribuojë paqes.

Thaçi ka thënë se Kosova është shtet sovran dhe si çdo shtet i pavarur ka të drejtë ta ketë ushtrinë e vet. Sipas tij, kjo do të ndodh gjatë këtij viti dhe këto forca do të jenë të trajnuara sipas standardëve të NATO-s.

 “Kërcënimi i vetëm janë forcat ushtarake ruse dhe aeroplanët rusë në Serbi”, ka shtuar ai. Thaçi në këtë intervistë për të përditshmen kroate ka folur edhe për procesin e forcimit të subjektivitet ndërkombëtar të Kosovës.

Ai ka thënë se Kosova është anëtare e organizatave të ndryshme ndërkombëtare, politike, ekonomike, sportive, dhe çdo dite kemi ndikim dhe respekt më të madh në bashkësinë ndërkombëtare.

Thaçi ka folur edhe për marrëdhëniet me Rusinë, duke thënë se pret që Rusia do t’i bëj hapat drejt njohjes se Kosovës. Kjo sipas tij, do të ishte në interesin e vet Serbisë.

Ai ka folur edhe për marrëdhëniet e Kosovës me Kroacinë, të cilat sipas tij duhet të thellohen sidomos në fushën e ekonomisë, përmes shkëmbimit tregtar dhe investimeve.