Ternava: Organizatat e huaja kanë sjellë ekstremizmin në Kosovë

Publikuar në Qershor 4, 2017, 2:16 a.m.

Myftiu i Republikës së Kosovës, Naim Tërnava, i ka akuzuar disa organizata të huaja për sjelljen e ekstremizmit fetar në vend.

 

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se shkaku i neglizhencës dhe papërgjegjësisë së disa institucioneve shtetërore disa organizatave të huaja dhe disa individëve u është lejuar të zhvillojnë aktivitete fetare në vend pavarësisht prej kundërshtimit të Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK). Sipas tij, për 13 vjet BIK-u i ka ftuar institucionet vendore të shikojnë se kush po hyn në Kosovë dhe çfarë aktiviteti po zhvillon.

 

Sipas Tërnavës, roli i BIK-ut për zvogëlimin e ekstremizmit ka qenë i madh. Myftiu Tërnava u ka bërë thirrje politikanëve në Kosovë të bëjnë një fushatë të qetë zgjedhore në këtë muaj të Ramazanit dhe të mos fyejnë dhe shajnë njëri-tjetrin. Ndërsa ka edhe një kërkesë për politikën në Shqipëri: “Do t’i ftoja institucionet shqiptare që mos t’i mbajnë zgjedhjet në ditën e festës së Bajramit, por ta shtyjnë këtë datë edhe për një javë”.