“Serbia po e pengon Kosovën në rrugën drejt zhvillimit”-Haradinaj

Publikuar në Maj 27, 2017, 12:56 a.m.

I nominuari i koalicionit PDK-AAK-NISMA për kryeministër, Ramush Haradinaj, ka folur për qasjen që do ta kishte Kosova ndaj Serbisë, në rast se ai bëhet shef i ekzekutivit pas zgjedhjeve të 11 qershorit.

Haradinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka thënë në një intervistë në RTK se Serbia s’mund të konsiderohet assesi si partnere e Kosovës, pasi që ajo, siç ka thënë ai, është armike.

Ai ka theksuar se Serbia po e pengon Kosovën në rrugën drejt zhvillimit.

Haradinaj ka porositur Bashkimin Evropian që të reflektojë dhe të ripërcaktojë qëndrimin karshi Serbisë.

“Nëse e lejojnë Serbinë të avancojë drejt BE’së me pengime, Brukseli po gabon”, ka thënë Haradinaj.

 “Qasja e BE’së ndaj Serbisë është e gabuar”, është shprehur Haradinaj.

Ai ka thënë se duhet të ketë fillimisht dialog mes shqiptarësh para se të rifillojnë bisedimet e Kosovës me Serbinë.

“Serbinë e kemi armike, ka sjellje armiqësore, politika armiqësore”, ka kujtuar Haradinaj.

“Dialogu është për njohje.... Kush s’na njeh, nuk e njohim”, ka thënë kreu i AAK’së.