Papa Françesku: Emigrantët nuk janë të rrezikshëm

Publikuar në Mars 3, 2017, 1:15 a.m.

Gjatë vizitës në Universitetin Roma Tre, Papa Françesku deshi t’u japë përgjigje atyre, që thonë se duan të mbrojnë identitetin e krishterë të Evropës e kanë frikë se njerëz të kulturave të tjera mund ta ndryshojnë këtë identitet.     “Evropa është krijuar nga pushtimet, emigracionet e është bërë në mënyrë artizanale”, theksoi Ati i Shenjtë. “Emigracioni nuk është rrezik, është sfidë për t’u zhvilluar më tej”.

Papa Françesku pranoi se fenomeni i emigracionit është i rëndësishëm. Nga Lindja e Mesme, nga Afrika, njerëzit ikin për shkak të luftrave e konflikteve. “Ka luftë dhe ikin nga lufta; ka uri e ikin nga uria – vërejti Ati i Shenjtë. Por cila do të ishte zgjidhja ideale? Që të mos ketë më uri e luftë. Që të ketë paqe e të bëhen investime në ato vende, që të kenë punë e ta fitojnë jetën”. Por, në përgjithësi, Perëndimi nuk shihet kështu. Shihet si shfrytëzues, denoncoi Françesku.

Edhe përsa i përket terrorizmit, Papa Françesku nuk e pa të lidhur me ndonjë fe të caktuar. Për të, terrorizmi nuk përcaktohet nga feja, sepse në çdo popull e në çdo fe, ka njerëz fundamentalistë e të dhunshëm, që ushqehen me urrejtje e ksenofobi.

Duke iu përgjigjur pyetjes së një refugjateje siriane mbi rrezikun islamik, Ati i Shenjtë Bergoglio kujtoi se të rinjtë, që shkaktuan, më 22 marsin e kaluar, masakrën e aeroportit të Zaventemit, ishin emigrantë të brezit të dytë, lindur në Belgjikë, por të getizuar e jo të integruar.

Pastaj Papa Bergoglio foli edhe për temën e papunësisë në gjirin e rinisë. “Të rinjtë – ngriti zërin Françesku – nuk dinë ç’të bëjnë. Si i ri pa punë, e kam zemrën e trishtuar: e kjo ku më çon?”, pyeti. Nëse nga njëra anë, mund të shërbejë si nxitje për të shikuar më gjerë e për të ecur më me guxim në jetë, duke u përpjekur për ta ndryshuar atë, nga ana tjetër, mungesa e punës, fatkeqësisht, mund ta nxisë ndokënd të vrasë vetën (siç ka ndodhur), ose të hidhet në krahët e terrorizmit, thjesht, për t’i dhënë një farë kuptimi jetës.



Burimi : Radio Vatikan