Malaria përsëri depërton në Ballkan, 6 persona të prekur nga kjo sëmundje

Publikuar në Dhj. 23, 2016, 6:03 a.m.

6 persona në Maqedoni janë prekur me sëmundjen e malaries. Sipas autoriteteve, sëmundja është sjellë nga Republika Jugafrikane nga qytetarë që kanë qenë për punë të përkohshme.

“Jemi të shqetësuar sepse këto raste janë shtuar kohën e fundit. Gjithë këto raste janë persona të rinj prej moshës 28 deri 58 vjeç, të cilët kanë shkuar për punë dhe nuk janë kujdesur apo mbrojtur nga kjo sëmundje”, tha Zharko Karaxhovski, nga Instituti për Shëndet Publik.

Shtetasit e Maqedonisë që janë sëmurë këtë vit nga malaria, kanë punuar në Mali, Angolë dhe Siera Leone. Sipas të dhënave nga anketat epidemiologjike, tre nga ata janë nga Tetova, dy nga Shkupi dhe një nga Gostivari.

Në gjendje të rëndë është një 28-vjeçar nga Tetova, i cili ndodhet në karantinë në Klinikën për sëmundje infektive. Ai u shtrua në spital një javë më parë. Mjekët i kanë diagnostikuar formën më të rëndë të sëmundjes.

Epidemiologët janë të shqetësuar, pasi ky është rasti i gjashtë për 11 muaj, ndryshe nga më parë kur ka pasur një ose dy raste në vit.

Epidemiologët bëjnë apel për të gjithë ata që udhëtojnë jashtë në vendet e rrezikuara të mbrohen kundër sëmundjeve të rrezikshme.