Vetëflijimi, martirizimi dhe atdhedashuria ishte ideja e shenjtë e Naim Frashërin

  • None
nga İkbale Berisha Huduti | Publikuar në Tet. 29, 2015, mesnatë

Poema “ Qerbelaja” e Naim Frashërit ishte një krijim nga vitet e fundit të jetës së shkrimtarit, e botuar në vitin 1898, dy vite para vdekjes së tij. Përkundër sëmundjes së mundimshme, që përjetoi Naimi, ai e shkroi këtë vepër aq të dhimbshme, aq të prekshme, ku në njëfarë mënyre ai e solidarizoi dhimbjen e tij fizike me dhimbjen e trimave të Qerbelasë. Kur e lexojmë këtë poemë të Naimit kuptojmë se ai ishte i lidhur shpirtërisht me personazhet e kësaj poeme, sepse nga qasja e tij shihet se Naimi ishte besimtarë i denjë dhe atdhetar i përkushtuar ndaj kombit të tij edhe pse shumicën e jetës së tij e jetoi dhe vdiq në Turqi.

Poema Qerbelaja është shumë mirë e renditur dhe e shkruar në vargje të njohura të kohës së klasicizmit romantik, e cila njihet si poemë epike, por edhe si një histori e rrallë. Me këtë poemë epike u plotësua zbrastia e madhe që në ato kohë ishte në mesin e besimtarëve dhe dashamirëve shqiptarë të islamizmit dhe sektit Bektashi.

Poema “Qerbelaja” është vepër e njohur artistike, historiko-letrare e cila me një mjeshtri të madhe shpalos plotësisht historinë, jetën dhe luftërat e Imam Husejnit dhe Imam Aliut. Poeti Naim Frashëri, përmes poemës “ Qerbelaja” prezanton projektin e tij të planifikuar kulturor dhe historik. Më këtë poemë shkrimtari i mësoi popullit të tij se si duhet njeriu të mos jetë lojal dhe servil i regjimeve të ndryshme të kohës, por të jetë i bindur, të ketë vetëbesim në atë që ka trashëguar nga të parët e vet. E në këtë rast është një trashëgimi dhe një bindje më specifike, sepse besimi dhe brumi i tij shpirtëror ishte gatuar e kultivuar nga vetë duart e shenjta të gjyshit të tij që ishte i Dërguar i Zotit.

Ai dëshironte që popullin shqiptar ta mësoj për qëndresën, drejtësinë, durimin, ballafaqimin me urtësi, me të ligën dhe të paudhën, si dhe të mësoj një popull të tërë, se Husejni nuk ishte trim vetëm i luftës së Qerbelasë, por ai ishte një shembull i të shtypurve, shembull i urtësisë mirësisë, dashurisë dhe sakrificës më të shenjtë për të cilën nuk duhet kursyer as gjaku as trupi. Naimi i mësoi popullit të tij se shpirti ashtu si nuk vdes, por vetëm kalon nga një botë në një botë tjetër edhe njeriu i mirë mbete shembull i mirë për të mirën e njerëzisë dhe gjeneratave të ardhshme, qofshin ato shqiptare, apo jo shqiptare, myslimane apo të krishtere.

Në këtë përfundim vlen të rikujtojmë se Naimi me veprën e tij “Qerbelaja” dëshiron jo vetëm të afrohet tek lexuesit shqiptarë, por njëkohësisht ta bind atë, ta edukojë dhe ta bëjë sa më të qytetëruar, të civilizuar, me vlera dinjitoze, trimërie, patriotike, fetare e kombëtare, me një fjalë ta bëjë një komb të mirë shqiptarë ashtu siç dëshironte ai ta shihte. E këtillë ishte dëshira dhe vizioni i Naimit si e çdo romantiku evropian të cilin e preokuponte, mundonte, shqetësonte kalueshmëria e kohës.

Atdhedashuria e Naimit në radhë të parë manifestohet në ruajtjen e identitetit, në ruajtjen e zakoneve kombëtare, në ruajtjen e gjuhës simbolit kombëtarë dhe kultivimin e fesë për të cilën është i bindur dhe kryesisht në flijimin heroik për atdhe. Vetëflijimi, martirizimi dhe atdhedashuria ishte ideja e shenjtë e Naim Frashërin.

Interpretimi tekstual i poemës

 

 Naim Frashëri përmes poemës“Qereblaja”, paraqet një ngjarje historike që ka ndodhur brenda 5 dekadave. Mjeshtëria dhe intelekti gjenial e shkrinë gjithë këtë ngjarje voluminoze, në një poemë me shumë kuptim domethënës dhe thelbësore, me paraqitjen e lëvozhgës historike, por me shprehjen e brendshme artistike, letrare dhe shpirtërore,që e shtyn lexuesin edhe studiuesin të thellohet në brendi të saj, se çka ka dashur të thotë i nderuari poet.

Me qasjen e interpretimit tekstual të kësaj poeme “ Qerbelaja” ne do ta kuptojmë botën Naimjane që e projekton me shumë mjeshtri e urtësi. Çdo varg në poemën Qerbelaja ka intencën e tij, vargjet janë plot kuptime nxitëse që lexuesin e bëjnë jo vetëm të ndiejë një rehabilitim shpirtëror përmes estetikës, metrikës dhe rimës së dukshme në vargje, por edhe e bënë më vigjilent që të marrë njohuri për një ndodhi, një rrëfim me plot të vërteta të bazuara në histori Islame.

Naimi qe poet i arsyes e jo i justifikimit për atë që ka thënë, për atë që ka dashur të interpretoj te njerëzia. Prandaj, çdo fjalë e tij interpretohet me nivelin më të lartë të urtësisë, mençurisë dhe vërtetësisë. Frymëzimet e tij ishin të bazuara në të vërtetën dhe dëshirën e të jetuarit të bukur me etikë, me urtësi e dashuri për njerëzinë, drejtësinë, bagëtinë, bujqësinë, heronjtë kombëtarë e fetarë, që kishin një ideal të shenjtë, të duan dhe të rrojnë për drejtësi dhe dinjitet, për mirësi dhe dashuri.

Të gjitha shkrimet e Naimit bazohen në mësimet e shenjta islame bektashiane, sepse ai ishte rritur në atë frymë dhe koha e tij ishte koha kur kultivohej romantizmi që kishte elemente religjioze në përbërjen e një krijimi letrare. Bektashizma e Naimit kishte të bëjë me filozofinë, teologjinë dhe letërsinë e teqeve bektashiane, mbështetur në krijimtarinë, traditën e interpretimet e Pirit ose Hyit Haxhi Bektash Veli-u, Ballëm Sulltani etj.

Periodizimi ndodhive në poemë

 

Poema “Qerbelaja” trajton temën e marrë nga historia fetare arabe, duke filluar nga shekulli IX deri në shekullin XVII. Lufta zhvillohet ndërmjet Profetit Muhamed dhe Sufjanit, Imam Aliut dhe Muaviut, Imam Husejnit dhe Jezidin, si dhe Muhtarit me Mervanin (birin e Jezidit), pra me një fjalë, luftëra të dy fiseve e parë kjo brez pas brezi. Në këto vjersha këndohen luftërat ndërmjet familjeve kundërshtare për trashëgimin e Halifatit, duke e neglizhuar Imamin që ishte zgjedhje nga ana e Zotit dhe Profetit Muhamed. Kur Profeti ndërroi jetë në vendin e quajtur Sakife, u themelua Halifati në mënyrë demokratike nga ana e shokëve të ngushtë të Profetit dhe harruan se në Luginën e Gadirit kishin dhënë fjalën Profetit se pas tij do të vijë Imam Aliu si lider i emëruar Imam i gjithë umetit musliman.

Poeti me shumë precizitet i përshkruan kohët e ndodhive, kështu që pas dyluftimeve të gjeneratës së parë, vjen gjenerata e dytë e Imam Aliut dhe Muaviut, pastaj vjen gjenerata e tretë e Imam Husejnit me Jezidin  në Qerbela si dhe në fund të poemës paraqiten edhe luftimet e gjeneratës së katërt, Muhtarit me Mervani si kryengritje e revoltuar dhe e kurdisur për t’u hakmarrë ndaj Jezidiut  për shkak gjakut të shehidëve të Qerbelasë dhe Familjes së Profetit.

 Poema historike“Qerbelaja” është thurur me disa ngjarje historike kolektive brenda një periudhe 5 dekadash,  duke filluar nga lajmërimi i ardhjes së një feje të re me një misionar profet të quajtur Muhamed deri tek nipi i tij i quajtur Imam Husejni, ku poeti nuk mbaroi poemën Qerbelaja me martirizimin e Imam Husejnit, por vazhdon me hakmarrjen e Muhtarit si dhe mesazhin e dhënë për popullin shqiptarë të krishterë e myslimanë, ku në këngën e XXV poeti e përmbyll këtë poemë të mrekullueshme. Pra,në njëfarë mënyre, poeti poemës së tij i jep një konstrukt shumë ideal, si lloj shablloni adekuat, duke rrëfyer një histori të tërë që ka ndodhur brenda 50 viteve, me një poemë prej 25 këngësh.

Qerbelaja e Naim Frashërit është një ngjarje metahistorike dhe metafizike që nuk njeh as kohë as vend. Pra është një ndodhi që i jep shembull të shtypurve, se si duhet vepruar në çdo vend e në çdo kohë. Qerbelaja si tokë gjendet 100 km larg në veri të Bagdadit, buzë shkretëtirës dhe lumit Eufrat. Në tetor të vitit 680 aty u vra nipi i Profetit, Imam Husejni me 72 meshkuj luftëtarë, ndërsa femrat mbetën gjallë, por shumë të munduara e robëruara nga ushtria e Jezidit. Është interesante të kemi njohuri se në histori ka pasur miliona viktima të dhunës ç’njerëzore, krejt të pafajshme, krejt të pafuqishme, krejt të pambrojtura, mirëpo rrallëherë krijimtaria letrare i ka regjistruar kaq shumë ndodhitë historike sa është regjistruar Ndodhia e Qerbelasë, si në historiografi, si në letërsi, si në tregimet gojore. Për nder të kësaj ndodhie poeti jonë Naim Frashëri ishte ndër të parët që e ndriçoi dhe e la vepër memorandumi poemën e tij Qerbelaja për të gjitha gjeneratat shqipfolëse gjer sa të ekzistojë koha.

Krahas gjitha ndodhive në botë, “Qerbelaja” është vështirë të shpjegohet, se si ka arritur të bëhet një fenomen me kritere historike dhe vazhdon të jetoj e gjallë duke u përkujtuar e solidarizuar me këtë ndodhi nga miliona njerëz në botë.

Kush do Muhamet-Alinë

edhe beson Perëndinë

do Hasan e Fatimenë

dhe qan për Imam Hysenë

nuk bën jezitërinë

djallëzinë e ligësinë

se ata që janë vrarë

e ranë dëshmimëtarë

ranë për një të vërtetë

q’ajo na nderon në jetë.

 ( Pjesë nga poema Qerbelaja e Naim Frashërit )