A e Vranë Shiitët e Irakut Imam Husejnin (Paqja Qoftë Mbi Të)?

nga Vullnet Merja | Publikuar në Gus. 26, 2023, 5:49 a.m.

Kur diskutojmë me Ehli Sunetin çështjen e Kerbelasë dhe të Ashurasë ata na thonë se ata që e vranë Imam Husejnin (Paqja qoftë mbi të) ishin prej banorëve të Irakut në mesin e të cilëve ishin Shimr ibn Dhi El Xheushan dhe Khauli ibn Jezid El Asbahij ehe Senan ibn Enes. Cila është përgjigja për këtë?

Rreth përgjigjes së kësaj pyetjeje themi:

E para: Atyre që pyesin rreth kësaj çështje u themi: Le të jenë vrasësit e imam Husejnit nga Iraku, por ama ata nuk ishin nga shiitët e tij, sepse shiizmi ka dy kuptime: 

Kuptimi i parë: Shiit është ai që beson në vilajetin (udhëheqësinë) e Imam Husejnit (Paqja qoftë mbi të!) dhe beson se ai është imami i tretë që është e detyrueshme bindja ndaj tij me urdhër nga Allahu. Ai që beson në vilajetin e imam Husejnit nuk mund të bashkohet kurrë me armiqtë e imam Husejnit dhe të familjes së pastër të Profetit Muhamedit (Paqja qoftë mbi ata).

Kuptimi i dytë i shiizmit është edhe për ata që e duan imam Husejnin, për ata që pretendojnë dashurinë për imam Husejnin dhe besojnë se ai është bashkëkohës (sahabij) dhe nipi i Profetit Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij)

E dyta: Në kohën e imam Husejnit, jo të gjithë banorët e Kufes ishin shiitë. Përkundrazi, në mesin e tyre kishte shumë nasibi (armiq të Ehli Bejtit), kishte havarixhë, shiitë dhe sunitë. Sunitët përbënin shumicën dërrmuese të popullsisë së Kufes. 

Me Sunitë nënkuptojmë ithtarët e Sakifes, të cilët thonë se Prijësi i besimtarëve, imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) është khalifi i katërt i muslimanëve. Themi se ata ishin prej medhhebit të Sakife, sepse ai medhheb ishte i përhapur në vendet islame në atë kohë.

Shiitët, sipas kuptimit të parë që përmendëm më lart, ishin shumë të paktë në numër dhe rrallë mund të gjeje shiit në Kufe në atë kohë. Kjo për shkak se Muaviu i shtypte shiitët. Zijad ibn Ebijhi i përndiqte shiitët e Aliut (Paqja qoftë mbi të!) dhe i vriste ata.

Ibn Ebi El Hadijd ka thënë: Ebul Hasan, Ali ibn Muhamed ibn Ebi Seif El Madainij ka transmetuar në librin “El Ahdath”: Pas vitit të zisë, Muaviu u shkroi një letër mëkëmbësve të tij duke u thënë se ai që transmeton diçka nga virtytet e Ebu Turabit (imam Aliut) dhe familjes së tij do të ndëshkohet. Predikuesit u ngritën në çdo rreth dhe në çdo minber, duke sharë Aliun, duke e mohuar atë dhe duke shpifur ndaj tij dhe familjes së tij. Njerëzit që u goditën më shumë në atë kohë ishin banorët e Kufes, për shkak të numrit të madh të pasuesve të Aliut (Paqja qoftë mbi të!) kështu që ai (Muaviu) punësoi Zijad ibn Sumejjen kundër tyre dhe ia aneksoi atij edhe Basrën. Ai (Zijadi) i njihte shiitët dhe i përndiqte ata, sepse ishte në mesin e tyre në kohën e Aliut, kështu që kudo që i shihte dhe i gjente shiitët ai i vriste. Gjithashtu, ai i frikësonte ata, ua priste duart dhe këmbët, ua nxirrte sytë, i kryqëzonte në trungjet e palmave dhe i dëbonte nga Iraku, kështu që nuk kishte mbetur asnjë i njohur prej tyre. Muaviu u shkroi mëkëmbësve të tij në të gjitha rajonet që të mos lejojnë askënd nga shiitët e Aliut dhe nga familja e tij të dëshmojë... Ai u shkroi vartësve të tij, një kopje, në të gjitha vendet: Shikoni, për këdo që argumentohet se ai e do Aliun dhe familjen e tij, fshijeni atë nga lista dhe hiqjani atij dhënien dhe furnizimin. Kësaj shkrese i bashkëngjiti edhe këtë thënie: Ata që i akuzoni për dashuri e besnikëri ndaj këtyre njerëzve (Aliut dhe familjes së tij), ndëshkojini për të shërbyer shembull tjerët dhe shembjani shtëpinë. Nuk kishte fatkeqësi më të rëndë e më të madhe se kjo në Irak, e veçanërisht në Kufe. Madje, kur një person nga shiitët e Aliut i shkonte tek ai dikush që i besonte dhe i tregonte sekretin e tij, ai kishte frikë nga shërbëtori dhe skllavi i tij dhe nuk fliste me atë derisa të bënte betimin e rëndë për ta mbajtur të fshehtë atë sekret... Çështja vazhdoi kështu derisa vdiq Hasan i biri i Aliut. Fatkeqësia dhe përndjekja u shtuan. Kështu çdo njeri i frikësohej gjakut të tij apo dëbimit nga vendi.” (Sherh Nehxhul Belaga i Ibn Ebi El Hadijd: vëll. 11, f. 46.)

Dhehebiu ka thënë: Ebu Sha’tha ka thënë: Zijadi ishte më asgjesues se El Haxhaxhi për ata që i kundërshtonin dëshirat e tij. Hasan El Basri ka thënë: Hasani i biri i Aliut u informua se Zijadi po i përndiqte pasuesit e Aliut në Basra dhe po i vriste ata. Ai bërë lutje ndaj tij. (Sejru A’lamu En Nubelai: vëll. 3, f. 496). 

Prandaj, në Kufe kishin mbetur vetëm disa shiitë dhe këta ose dolën për të mbështetur Imam Huseinin (Paqja qoftë mbi të!), ose ishin në burg, si Al Mukhtar dhe Meithem Et Tamar, e të tjerë përveç këtyre të dyve, ose ishin të arratisur dhe të fshehur jashtë Kufes nga frika e autoriteteve, ose u vranë siç ndodhi me Muslim bin Akilin (Allahu qoftë i kënaqur me të!).

Për të qenë më të qartë në këtë pikë po paraqes përbërjen e shoqërisë së Kufes në atë kohë.

PËRBËRJA E QYTETIT TË KUFES NË KOHËN E IMAM HUSEJNIT

Prej çështjeve që meriton shqyrtim dhe hulumtim është përbërja e ushtrisë që luftoi Imam Huseinin (Paqja qoftë mbi të!), komponentët e saj shoqërorë, prirjet e saj intelektuale dhe tekat e saj politike.

Burimet e historisë e kanë errësuar këtë aspekt dhe nuk kanë hedhur dritë të mjaftueshme mbi të dhe janë mjaftuar me deklarimin dhe nënkuptimin se ushtria ishte nga njerëzit e Kufes. Ata që i shkruajtën Husejnit dhe i dhanë besën Muslim ibn Akilit (i  dërguar nga Imam Husejni), ishin prej shiave të Husejnit, e më pas e prenë në besë, e tradhtuan dhe ia dorëzuan sundimit famëkeq.

Për t'u njohur me këtë çështje kërkohet hulumtim i ndodhive, gërmim i lajmeve rreth qytetit të Kufes, fiseve dhe grupeve që banonin në të. Gjithashtu, duhet studim për zhvillimet administrative dhe transformimet shoqërore që ndodhën në të. Së fundmi duhet parë mënyra e  formimit të ushtrisë dhe e pajisjes së luftëtarëve që u dërguan për të luftuar imam Husejnin.

Këto studime, hulumtime e gërmime janë të domosdoshme me qëllim që t'i jepet fund shpifjeve dhe përrallave të përhapura se imam Husejnin e vranë shiitët e tij.

Shoqëria e Kufes nuk ishte shoqëri e sinqertë ndaj imam Aliut (Paqja qoftë mbi të!). Në atë shoqëri ka patur grupacione të ndryshme e të llojllojshme me prirje të ndryshme, por më kryesoret prej tyre janë katër grupacione:
Grupi i parë: Muslimanët që ishin shumica dërrmuese.
Grupi i dytë: Jahudijtë, të cilët kishin lagje të tëra në të cilat banonin
Grupi i tretë: El Meualij (persët) apo "humru e Dejlem", numri i cilëve arriti në Kufe në njëzet mijë njerëz.
El Meulij përbënin një përqindje të lartë në shoqërine e Kufes dhe sipas një mendimi ata kishin peshë dhe ishin më shumë se gjysma e popullsisë së Kufes. Ata monopolizuan zejtarinë, industrinë dhe tregtinë.
Grupi i katërt: Të krishterët. 
Myslimanët në shoqërinë e Kufes, sipas besnikërisë së tyre, ishin të ndarë në disa grupacione:
1- Disa ishin prej ndjekësve (shiave) të imam Aliut, imam Hasanit dhe imam Husejnit (Paqja qoftë mbi ta!).
2- Disa ishin khauarixh 
3- Disa ishin njerëz lakmitarë dhe nxitës të përçarjeve.
4- Disa ishin prej atyre që dyshonin te imam Husejni dhe nuk shihnin dallim mes tij dhe Jezidit. 
5- Disa ishin prej atyre që mendonin se lufta bëhet për post.
6- Disa ishin prej ndjekësve (shiave) të Muaviut dhe të Umer ibn El As dhe Zubejrit. 
7- Disa ishin fanatikë në fiset e tyre. 
8- Disa ishin prej atyre që frikësoheshin për interesat e tyre.
9- Disa prej tyre mendonin se gjindej konflikt historik mes fisit Hashimi dhe fisit Sufjani dhe se ata nuk kanw punë me atw konflikt.
10- Disa ishin ateista.
11- Disa prej tyre ishin umerijun, pra, prej besnikëve të khalifit të dytë
12- Disa ishin dashamirës por kishin besim të dobët. Këta gjenden në çdo grup fetar apo jofetar edhe në ditët e sotme.
13- Disa prej tyre ishin pers. 
E të tjera grupacione e rryma...

Pra,  nëse kjo është shoqëria e Kufes, atëherë ushtria është vetëm pasqyrim i kwsaj shoqërie që ka besnikëri dhe drejtime të shumta e të ndryshme. Prandaj, ata që e prenë në besë imamin Husejnin dhe para tij imam Aliun dhe pas tij imam Hasanin nuk janë shiitët në kuptimin e atyre që besojnë në udhëheqësinë e tyre, por ata ishin ajo përzierje që përmendëm në përbërjen e shoqërisë së Kufes në atë kohë.

Ato që përmendëm i mbështesin edhe ndodhitë e shumta. Ne do të mjaftohemi me tre prej tyre: 

 
1- Kur Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) gjatë kalifatit të tij donte të anullonte namazin e teravive (të cilin Omeri e shpiku),  dikush nga banorët e Kufes thirri: “Ua sunnete Omara!!" Ah për sunetin e Umerit.

 
2- Kur Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) donte të shkarkonte Shurejhun, gjykatësin që ishte caktuar nga khalifi i mëparshëm, banorët e Kufes e refuzuan urdhwrin e imamit dhe as Shurejhu dhe as njerëzit e Kufes nuk iu bindën atij (imam Aliut)!
3- Në kohën e imam Hasanit (Paqja qoftë mbi të!) ushtria e tij dezertoi dhe shkoi te Muaviu dhe madje e sulmuan Imamin.
 Këto tri ndodhi, e të tjera si këto, sqarojnë se ata njerëz që vranë imam Husejnin nuk ishin shiitë të Imam Aliut apo të fëmijëve të tij.

E treta: Kur lexojmë historinë para ndodhisë së masakrës së Kerbelasë, veçanërisht po të lexojmë fjalimet e imam Husejnit (Paqja qoftë mbi të!), do të shohim se Imam Husejni (Paqja qoftë mbi të!) e zbuloi identitetin e vrasësve të tij dhe vetë vrasësit e tij e zbuluan identitetin e tyre. Ai iu drejtua atyre duke thënë: "Mjerë për ju! O shiat e familjes së Ebu Sufjanit, nëse nuk keni fe dhe nuk keni frikë nga Dita e Kijametit, atëherë jini të lirë në botën tuaj dhe kthehuni në prejardhjet tuaja nëse jeni arabë siç pretendoni." (Maktelul Husejn i Khauarizmit: vëll. 2, f. 38.) Imam Husejni nuk u tha atyre: O shiitët tanë pse dolët kundër nesh për të na luftuar?”

Në një ballafaqim tjetër me ushtrinë imam Husejni iu drejtua atyre dhe u tha: "Mjerë ju! Pse po më luftoni?! A për një të drejtë që e lashë, apo për një Sunet që e ndryshova, apo për një Sheriat që e ndërrova?! Ata thanë: Përkundrazi, ne po të luftojmë për shkak të urrejtjes tonë ndaj babait tënd dhe për atë çfarë u bëri të mëdhenjve tanë në ditën e Bedrit dhe Hunejnit. Kur dëgjoi fjalët e tyre, qau." (Meusuatu kelimatul imamil Husejn: f. 593. Jenabkul Meuddeti i Kanduzij.)

Ju pyes për hir të Allahut: A mund të konsiderohet shiit ai që e lufton Husejnin për shkak të urrejtjes që mbart ndaj Prijësit të besimtarëve, imam Aliut?! A keni parë ndonjë shiit që e urren Ali ibn Ebi Talib (Paqja qoftë mbi të!)?!

E katërta: Vrasësit e Imam Huseinit (Paqja qoftë mbi të!) nuk ishin shiitë. Ata vrasës ishin: Jezid ibn Muavije, Ubaidullah ibn Zijad, Umer ibn Saad ibn Ebi Uekkas, Senan ibn Enes, Harmala ibn Kaahil, Shimmar ibn Dhil Xheushan, Shebth ibn Rab'i dhe Haxhxhar ibn Ebxher, El Husijn ibn Numijr Esh Shamij El Humsij e të tjerët. Pra, këta nuk ishin shiitë. Thjesht pjesëmarrja e disa prej tyre në ushtrinë e Imam Aliut nuk tregon shiizmin e tyre, sepse shumica prej tyre besonin se ai ishte khalifi i katërt dhe nuk besonin se ai ishte khalifi i parë pas të Dërguarit të Allahut (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) që të themi se ai është shiit.

E pesta: Pjesëmarrja e banorëve nga Shami në ushtrinë e Ibn Zijadit

El Kulejnij transmeton me zinxhirin e tij të transmetimit nga Abdul Melik i cili ka thënë: E pyeta Ebu Abdullahun (Paqja qoftë mbi të!) për agjërimin e ditës së nëntë (Tasu'a) dhe të ditës së dhjetë (Ashura) në muajin Muharrem. Ai tha: Dita e nëntë (Tasu'a) është dita kur Husejni (Paqja qoftë mbi të!) dhe shokët e tij, (Allahu qoftë i kënaqur me ta!), u rrethuan në Kerbela dhe kuajt e banorëve të Shamit u mblodhën rreth tij dhe i krekoseshin atij (imam Husejnit). Ibn Merxhana dhe Umer ibn Sa’d u gëzuan nga prania e kuajve të shumtë. Ata e konsideruan Husejnin të dobët dhe ishin të sigurt se asnjë përkrahës nuk do të vinte te Husejni (Paqja qoftë mbi të!) dhe populli i Irakut nuk do ta përkrahte atë. (El Kafij i Kulejnit: vëll. 4, f. 147). 

El Saduku transmeton: Husejni (Paqja qoftë mbi të!) shikoi djathtas e majtas dhe nuk pa askënd. Pastaj ngriti kokën drejt qiellit dhe tha: O Allah! Ti e sheh se çfarë po i bëhet djalit të Pejgamberit tënd. Benu Kilab qëndroi midis tij dhe ujit. Ai u qëllua me një shigjetë, e cila e goditi në fyt dhe ra nga kali. Ai e nxorri shigjetën dhe e hodhi. Më pas filloi të priste gjakun me pëllëmbën e tij dhe kur ajo u mbushte, ai lyente kokën dhe mjekrën duke thënë: Të takoj Allahun i privuar dhe i lyer me gjakun tim. Pastaj ai ra mbi faqen e tij të majtë. Te ai u afruan armiqtë e Allahut: Senan ibn Enes dhe Shimr ibn Dhil Xheushen El Amirij (Allahu i mallkoftë!) dhe burra nga populli i Shamit dhe qëndronin te Husejni (Paqja qoftë mbi të!). Ata i thanë njëri-tjetrit: Çfarë prisni? Rehatojeni burrin (imam Husejnin). Sinan ibn Enes El Ajadi (Allahu e mallkoftë!) zbriti dhe e kapi mjekrën e Husejnit (Paqja qoftë mbi të!) dhe filloi t'i godasë në fyt me shpatë duke thënë: Pasha Zotin, do të ta pres kokën duke e ditur se ti je biri i të Dërguarit të Allahut dhe më i miri nga njerëzit si nga babai ashtu edhe nga nëna. (Amalij Saduk, f. 226) E të tjera transmetime që tregojnë pjesëmarrjen e ushtrisë së Shamit në Kerbela. Gjithashtu, ata kishin prani edhe në Kufe në mëngjesin e martirizimit të Muslim ibn Akilit. Madje në ushtrinë e Umer ibn Sa’dit kishte njerëz nga Egjipti dhe Jemeni. (Shih: Bugjetu Talabi: 6/2571. El Isti’abu: 1/394. Dhekhairul Ukba: f 250).

E gjashta: Është përmendur në shumë tekste se shumë nga njerëzit e ushtrisë së Ibn Zijadit e lavdëronin Osman bin Affanin dhe se ai ishte osman, ose në fenë e Osmanit. Et Tabarij transmeton: Hisham ibn Muhamedi ka transmetuar nga Ebu Mukhannaf, i cili ka thënë: Jahja ibn Hani ibn Urveh më tha mua se Nafiu ibn Hilal po luftonte atë ditë dhe ai thoshte: "Unë jam xhemelij (pjesmarrës në luftën e Xhemelit), unë jam në fenë e Aliut. Pastaj një njeri i quajtur Muzahem Ibn Harith doli tek ai dhe i tha: Unë jam në fenë e Osmanit. Ai (Nafiu) i tha: Ti je në fenë e shejtanit. Pastaj e sulmoi dhe e vrau atë.(Tarijkhu Tabarij: 4/331). E shumë tekste të tjera.

Rezultati: Pjesëmarrja e shiitëve në vrasjen e Imam Husejnit (Paqja qoftë mbi të!) nuk është vërtetuar me prova. Ato trumbeta që kërcasin e bori që buçasin se shiitët e vranë imam Husejnin janë veçse zërat e armiqëve të familjes së pastër të Profetit Muhamed. Këta duan ta mbajnë të ndezur fitilin e përçarjen në mesin e muslimanëve. Më e keqja është se këta pretendojnë se do të hyjnë në Xhennet! Vallë, nëse realizohet pretendimi i tyre, gjë që është e largët, a e kanë përgatitur përgjigjen kur të shohin imam Husejnin në Xhennet, i cili është zotëria e të rinjve të banorëve të Xhennetit?

A nuk e dinë këta se hakku nasi është më e rëndë se hakkullahi?

Çfarë qëllimi kanë këta me përhapjen e kësaj shpifje të rëndë? Kujt i shërbejnë këta?

Mendoni thellë o posedues të arsyes e të intelektit!

Vullnet Merja

Kryetar i Shoqatës FLLADI