Aktualitete në Bashkësinë Islame të Kosovës (Pjesa e parë)
Para ca ditësh nga mjetet e informimit dhe portalet u njoftuam për zgjedhjen e anëtarëve të rinjë të Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, të kryetarit të ri të Kuvendit dhe kryetarit të ri të Bashkësisë Islame të Kosovës. Siç pritej për kryetar të ri të Bashkësisë Islame të Kosovës u rizgjodh për mandatin e katërt me radhë, kryetari i gjertanishëm, myftiu i Kosovës Naim ef. Tërnava. I përgëzoj të zgjedhurit, anëtarët të Kryesisë, kryetarin e kuvendit si dhe kryetarin e Bashkësisë Islame të Kosovës duke ju dëshiruar punë të mbarë në udhëheqjen e tyre gjatë mandatit të ardhshëm pesëvjeçar(2018-2023).
Në këtë vështrim tim do të përshkruaj punën e udhëheqjes së gjertanishme gati 20 vjeçare, nga përfundimi i luftës së vitit 1999, të arritjeve të saja si dhe dobësive apo lëshimeve të kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës në përgjithësi, e të kryetarit të saj, myftiut të Kosovës, në veçanti. Me të vërtet, tani është ndezur drita e kuqe në Bashkësinë Islame të Kosovës dhe ky shkrim mëton se është koha e duhur që kryesia e re dhe kryetari i ri të ndërmarrin diç të duhur në drejtim të shuarjes së kësaj drite të kuqe në Bashkësinë Islame të Kosovës me dëshirë që gjatë këtij mandat të mënjanojnë dhe të përmirësojnë dobësitë dhe lëshimet gjatë periudhës së kaluar 20 vjeçare.
Edhe pse ka pas kritika dhe reagime në media dhe portale, lidhur me rikandidimin edhe për mandatin e katërt të myftiut të tanishëm të Kosovës, Naim ef. Tërnava, kjo nuk është diç e re dhe e befasishme , pasi kjo është e shprehur në logjikën e perceptimit të personaliteteve myslimane anekënd botës islame, jo vetëm në udhëheqjen fetare por edhe në udhëheqjen shtetërore, të sundimit apo të qeverisjes së përhershme të personaliteteve të caktuar udhëheqës. Por dua të cek, se zakonisht udhëheqësit shpirtëror apo fetar në përgjithësi të bashkësive fetare zgjidhen dhe udhëheqin bashkësitë fetare me mandat të përhershëm. Sipas perceptimit tim nuk duhet aq shumë të merremi me qasjen e mandatit të përkohshëm apo të përhershëm të udhëheqjes, por duhet qasur më tepër në vlerësimin se sa është një udhëheqje e frytshme, e suksesshme për bashkësinë fetare të një vendi, shteti apo edhe më gjerë.
Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava, zotimin e marrë, shpresoj që deri në fund të mandatit(2023) edhe të përmbush, për renovimin, rindërtimin dhe ndërtimin e xhamive të reja,me qëllim të arritjes së1000 xhamive në Republikën e Kosovës. Pas luftës së vitit 1999, Kosova pësoi përveç rrënimeve dhe shkatërrimeve të papara në histori, edhe me 218 xhami të shkatërruara dhe të rrënuara, që me të vërtet duheshin të rindërtoheshin. Dhe, si pasojë e sundimit të sistemit monist gati 50 vjeçar, në shumë vendbanime, fshatra, e sidomos në qytete , nuk lejoheshim apo me vështirësi të madhe merrej leja aty këtu për ndërtimin e ndonjë xhamie të re, tani këtë mungesë të xhamive medoemos duhej plotësuar me ndërtimin e xhamive të reja. Këto xhami të restauruara, të rindërtuara dhe të ndërtuara kryesisht u bënë në sajë të mjeteve financiare vetanake të xhematëve anekënd Kosovës, por edhe në saje të donacioneve të shumta të vendeve arabe në përgjithësi dhe Republikës së Turqisë në veçanti.
Porse në kohën e fundit kemi një dukuri të ndërtimit të xhamive në vendbanime dhe fshatra ku ekzistojnë xhamitë, a ishte kjo nevojë për shkak të shtimit të xhematit, apo për shkak të rrethanave tjera të sapokrijuara është çështje e cila kërkon një trajtim dhe hulumtim të posaçëm. Si shembull vetëm një rast dua të cek, se kam rastisur që të fal një xhuma në fshatin Pozharan, fshati i dytë më i madh në Kosovë, pas Zhurit të Prizrenit, dhe mezi xhamia u mbush me xhemat për namazin e xhumasë, por tani kemi edhe një xhami të re, të bukur, të ndërtuar rishtas në fshatin Pozharan të Vitisë.
Duke marr parasysh zvogëlimin e natalitetit, migrimin e madh të banorëve nga fshatra në qytete, dhe ikjen e të rinjve në botën e jashtme për shkaqe ekonomike, frekuentimi i xhamive nga xhemati është në zvogëlim të sipër dhe se frikësohem se dita më ditë, këto xhami të reja të ndërtuara do të zbrazen më shumë, dhe do të mbesin vetëm si dekor që tregon se aty në atë vendbanim apo fshat jetojnë apo kanë jetuar besimtar mysliman. Këtë që e ceka, është edhe nga përvoja ime sa isha kuvendar në Kuvendin e Prizrenit, me ç’rast në planet afatmesme dhe afatgjate investoheshin mjetet e shumta financiare për ndërtimin e shkollave të reja në fshatra, edhe aty ku nuk kishte nevojë, pasi ekzistonin shkolla që plotësonin nevojat e nxënësve të fshatrave, por ato rrënoheshim me pretekst se ishin të vogla dhe nuk mjaftonin pasi që do të shtohet numri i nxënësve në të ardhmen. Nuk kishin vizion të qartë dhe nuk mendonin për periudhën e ardhshme kohore, dhe zakonisht si jemi neve shqiptarë, mendojmë dhe vendosim për çdo gjë ad hock, aty për aty, aspak duke mos menduar dhe planifikuar për periudha më të gjata kohore.
Zëri im se nuk duhej investuar në ndërtimin e shkollave të reja në fshatra ekzistuese, duke elaboruar se me kohë numri i nxënësve do të shënoj ulje e jo rritje, për shkak të uljes së natalitetit, migrimit nga fshatra në qytet, dhe ikjes së rinjve në botën e jashtme, ngulfatej nga mendimi pro i kuvendarëve tjerë në komisione. Por, tani shënimet zyrtare që u publikuan para ca kohe për periudhën kohore(2003-2018), rrjedh se kemi zvogëlimin e numrit të nxënësve në Kosovë, dhe atë nga 36.000 nxënës të regjistruar në klasën e parë në vitin shkollor 2003, në 25.000 nxënës të regjistruar në këtë vit shkollor. Tani shumë shkolla të reja të ndërtuara në fshatra po zbrazen, jo vetëm që nuk ka nevojë për ndjekjen e mësimit në dy ndërrime, por as në një ndërrim nuk po mbushen klasat shkollore, dhe shumë të tilla po mbesin të zbrazur, duke ditur se ky trend do të vazhdoj edhe në të ardhme, frikësohem se do të mbesin me vetëm disa dhjetëra nxënës apo një ditë do të boshatisen tërësisht, dhe do të mbeten këto objekte të reja shkollore të ndërtuara si dekor në fshatra. Ky trend i tillë do të vazhdojë edhe me xhamitë nëpër fshatra, sa që dita ditës xhemati po zvogëlohet dhe një ditë Zot runa mund të mbesin edhe pa xhemat. Xhamitë e reja që po ndërtohen, njëra nga tjetra më e bukur, por bukurinë më të madhe të xhamisë e bën mbushja e saj me xhemat, i cila dita më ditë po shënon rrënje dhe me këtë po humbet bukuria e xhamive.
Kur jemi tek ndërtimi i xhamive të reja në komuna dhe qytetet e Kosovës, me të vërtet ka nevojë, për shkak të rritjes së popullatës së qyteteve për shkak të migrimit nga fshatra, dhe për shkak të mospasjes së mjaftueshme të xhamive në përgjithësi, me përjashtim të Prizrenit, Gjakovës dhe Pejës ku ka pas më shumë xhamia nga periudha osmane, për dallim nga Prishtina, Ferizaji, Gjilani e Mitrovica ku kishte më pak që datojnë nga periudha osmane.
Me theks të posaçëm për ndërtimin e xhamive të reja, si nevojë imediate, ka pasur më së shumti, kryeqyteti, Prishtina, e cila nevojë akoma nuk është përmbush. Edhe pse kanë kaluar pesë vite nga vënia e gurit themeltar për xhaminë e re në Prishtinë, akoma nuk ka nis ndërtimi i saj, ajo po zvarritet me vite në relacionin Komunë- Këshilli i Bashkësisë Islame për shkaqe më së miri atyre të njohura. Si po duket do të kalojnë edhe 5 vite tjera gjersa të përfundon ndërtimi i xhamisë së re në Prishtinë, ashtu që në përfundim të vitit 2023 myftiu i rizgjedhur i Kosovës të bën hapjen solemne të xhamisë së re në Prishtinë, me ç’rast ndoshta me këtë xhami do të arrihej numri prej 1000 xhamive në Republikën e Kosovës.
Kur jemi te ndërtimi i xhamisë së re në Prishtinë, edhe pse lokacioni për ndërtimin e xhamisë ishte parapa , në mes Katedrales së ndërtuar dhe Kishës ortodokse të ndërtuar, me ç’rast xhamia e re e ndërtuar, do të përmbyllte trekëndësh in me tri faltore të reja të ndërtuara të bashkësive fetare tradicionale ekzistuese shekullore në Kosovë. Për çfarë arsye kjo nuk u realizua, dhe nga lokacioni paraprak u transferua në lokacionin e tanishëm tek Posta Qendrore në Prishtinë, me siguri këtë më së mirë e dinë organet përkatëse dhe myftiu i Kosovës.