Vështrim rreth librit "100 vitet e ardhshme"
Javën që kaloi përfundova së lexuari librin e autorit amerikan George Friedman me titull ”The next 100 years” përkthyer në shqip nga Ilirjana Angoni në botim të shtëpisë botuese PLEJAD, botuar më 2010.
Autori i librit George Friedman është themelues i kompanisë private të shërbimit të fshehtë dhe të parashikimit të gjeopolitikës botërore CEO dhe STRATFORT. Është analist i shquar gjeopolitik i cili është i njohur edhe si ekspert mediesh dhe i shkrimeve publicistike në fushën e gjeopolitikës, sigurisë kombëtare, teknologjinë informative, zbulimeve të fshehta, etj.
Lexuesve shqiptar në përgjithësi e veçanërisht analistëve të mirëfilltë që merren me studimet e çështjeve gjeopolitike, ushtarake, të sigurisë, do të preferoja këtë libër për lexim, pasi që do të mund të njihen për së afërmi me parashikimet e autorit të librit gjatë 100 viteve të ardhshme.
Në këtë vështrim rreth librit të George Friedmanit do të ndalem në pesë fusha kryesore të cilët autori i parasheh që bota do të përballet gjatë shek. XXI. Këto janë:demografia, energjia, kultura, gjeopolitika, dhe lufta globale.
Gorge Friedman parasheh se gjatë shekullit XXI do të kemi një rrënje të theksuar të popullsisë në Evropë dhe në Amerikën Veriore, ndërsa në fund të shekullit XXI-të do të kemi rrënje graduale të popullsisë edhe në shtetet tjera të Azisë dhe Afrikës, pas së cilës në vitin 2100 do të jetë sipas disa parashikimeve edhe i fundi i shtimit të popullsisë në nivel botëror. Lidhur me çështjen e demografisë në botë Friedmani prezanton me shifra, rritjen e popullsisë në botë gjatë 300 viteve të kaluara. Ai për këtë përveç tjerash shkruan:
”Në vitet 1750-1950 popullsia e botës u rrit nga një miliard njerëz deri në tre miliard. Në vitet 1950-2000 kjo rritje u dyfishua, nga tre miliard në gjashtë miliard. Sipas Kombeve të Bashkuara, në vitet 2000-2050 popullsia do të vazhdojë të rritet, por vetëm me rreth 50 për qind, të rritjes së 50 viteve më parë. Edhe pas vitit 2050 popullsia do të rritej por vetëm 10%, ashtu që disa parashikime kanë treguar se popullsia e përgjithshme do të fillojë të bjerë në vitin 2100”.
Sidomos vendet më të përparuara dhe më të zhvilluara industriale, në Evropë dhe Amerikën Veriore do të pësojnë humbje të konsiderueshme të popullsisë në nivel kombëtar të tyre dhe gjatë mesit të shek. XXI do të përballen me vështirësi të theksuara për krahun e punës që do të duhej të hapin dyert e tyre për imigrimin masiv të fuqisë punëtore nga Afrika dhe Azia.
Fusha e dytë të cilin e trajton autori gjatë shek. XXI janë resurset energjetike. Për derisa gjatë shek. XX burimi kryesor i energjisë për zhvillimin e industrisë dhe teknologjisë ishte nafta, në shek. XXI burim kryesor i zhvillimit të mëtutjeshëm do të jetë energjia elektrike e prodhuar nga orbita, e cila sidomos gjatë gjysmës së dytë të shekullit XXI do të zëvendësojë me të madhe naftën si burim kryesor i energjisë. Duke marrë parasysh se pellgu më i madh i naftës gjendet në gjirin arabo-persik, në të cilin shtetet më të mëdha prodhuese janë, Arabia Saudite, Irani, Iraku, Kuvajti, Emirat, Katari, krahas Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës si prodhues më të mëdhenj të naftës, efekti i tyre do të fillojë të bjerë, pasi që naftën si alternativë do të zëvendësojë energjia elektrike, prodhues më i madh i së cilës padyshim do të jenë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga e cila shtetet tjera të mëdha dhe të fuqishme do të varen prej saj, sikurse Kina, Japonia, Koreja, India, etj., duke importuar me të madhe energjinë elektrike nga SHBA-të. Por energjinë elektrike që do të prodhojnë SHBA-të nuk do të jetë nga burimet e tanishme që prodhohen, sikurse janë thëngjilli, gazi, atomi, solari, por do të prodhojë nga baza hapësinore në orbitë, në formën e energjisë hapësinore diellore. Kjo energji elektrike e re e prodhuar nga orbita do të shënojë një rritje marramendëse në gjysmën e dytë të shek. XXI, ashtu që kjo do të jetë, sipas parashikimeve të Friedmanit në këtë formë:”Një numër i madh i baterive fotovoltaike, të përcaktuara për ta kthyer energjinë diellore në energji elektrike, do të vendosen në orbitën gjeostacionare ose mbi sipërfaqen e hënës. Elektriciteti do të kthehet në mikrovalë, të transmetuara në tokë, të rikonvertuara në elektricitet dhe të shpërndara nëpërmjet rrjeteve elektrike ekzistuese. Ashtu që vetëm një tufë e orbitës gjeosinkrone të Tokës, e gjerë vetëm një kilometër, në të cilin gjatë një viti kalon mjaft fluks diellor, është afërisht e barabartë me sasinë e energjisë që gjendet te të gjithë burimet tradicionale të naftës, të njohura dhe të rikuperueshme që ekzistojnë sot në Tokë”.
Aftësia e SHBA-ve për të siguruar energjinë elektrike të prodhuar nga orbita nëpërmjet nxehtësisë diellore do të ja shtojë primatin e saj si superfuqi botërore, ashtu që nëpërmes hapësirës(orbitës) nga e cila do të prodhojë energjinë elektrike , të cilën do të kontrollojnë kryesisht SHBA-të, do të zëvendësojë gadishullin arabo-persik të tanishëm të posedimit të pellgjeve të mëdha të naftës, ashtu që tani e tutje SHBA-të jo vetëm që do të jenë prodhuese më e madhe e energjisë elektrike në orbitë nga energjia diellore, por do të jenë edhe eksportues më të mëdhenj nga e cila do të varen shumë shtete anekënd botës.
Fusha e tretë të cilin e trajton autori gjatë shek. XXI është kultura amerikane dhe roli i saj ndikues me përmasa botërore në sipërfaqen e tokës. Kultura në kuptimin e ngushtë përcaktohet si art, por në kuptimin e gjerë kultura përcaktohet edhe si mënyrë e jetesës së njeriut. Friedmani lidhur me kulturën amerikane shkruan:” Kultura amerikane është një përzierje e turbulluar e Biblës dhe e kompjuterit, e vlerave tradicionale dhe e risive radikale. Por, krahas demografisë, është kompjuteri ai që po e riformëton kulturën amerikane dhe është themeli i vërtetë i hegjemonisë kulturore amerikane. Kjo do të bëhet jashtëzakonisht e rëndësishme në njëqind vitet e ardhshme”. Kulturës amerikane nuk po mund të rezistojnë as religjionet më të mëdha botërore, sikurse krishterimi, islami, konfuqizmi, budizmi të cilët proklamojnë vlerat e tyre tradicionale dhe përpiqen të frenojnë një përmbytje të shkaktuar nga kultura amerikane. Lidhur me këtë Friedmani cek: “Kultura amerikane aq e re dhe aq barbare që është, do të përcaktojë mënyrën se si bota do të mendojë dhe do të jetojë”.
Shpikja e kompjuterit nga amerikanët në gjysmën e dytë të shekullit XX-të ka shkaktuar efekt të jashtëzakonshëm me përmasa botërore që e ka tejkaluar radion ose televizorin e shpikur më parë. Për rëndësinë e kompjuterit dhe internetit që luan tani në përmasa botërore Friedmani përveç tjerash shkruan: “Mendoni zhvillimin e kompjuterëve të shtëpisë midis vitit 1990, kur shumica e shtëpive dhe e zyrave ende nuk kishin e-mail, dhe ato të vitit 2005, kur vërtetë me miliarda e-mail dërgoheshin çdo ditë anembanë planetit”.
Fusha tjetër të cilën e trajton autori në librin e tij në mënyrë shumë të gjerë është gjeopolitika amerikane. Shtetet e Bashkuara të Amerikës fuqishëm janë paraqitur në skenën politike botërore pas Luftës së dytë botërore, ndërsa pas shthurjes së Bashkimit Sovjetik në vitin 1991 , mbeti e vetme si superfuqi dhe u bë qendra e vetme e sistemit ndërkombëtar, dhe këtë trend sipas Friermanit do të mbajë gjatë tërë shek. XXI dhe do të jetë e vetme, sikurse ka qenë Britania e Madhe gjatë shek. XIX. Autori cek:” Shekulli XXI-të do të jetë shekulli amerikan”.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës sipas Friedmanit kanë lindur nga lufta dhe kanë vazhduar pa ndërprerë të luftojnë deri në ditët e sotme me një rritëm gjithmonë në rritje , ndërsa kulminacionin e arritën në shek. XXI pasi që prej vitit 2001 Shtete e Bashkuara të Amerikës janë vazhdimisht në luftë. Shtetet e Bashkuara karakterizohen si vend luftarak , kjo veçori është ngulitur në fuqinë amerikane dhe është rrënjosur thellë në gjeopolitikën amerikane, e cila nëpërmes kësaj tenton të udhëheq me botën. Këtë hegjemoni luftarake amerikane Friedmani e prezanton në formën :”Shtetet e Bashkuara të Amerikës është një vend barbar. “
Një prej qëllimeve strategjike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës me theks të posaçëm pas shpartallimit të komunizmit si rreziku kryesor amerikan gjatë gjysmës së dytë të shek. XX, në fillim të shek. XXI është goditja kundër botës Islamike . Lidhur me këtë Friedmani shkruan:” Gjëja që Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë bërë në mënyrë të padiskutueshme që nga viti 2001, është krijimi i kaosit në botën islamike, duke ngjallur armiqësi ndaj Amerikës. Për aq kohë sa myslimanët luftojnë njëri me tjetrin, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë fituar luftën”. Më tej vazhdon:”Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të rrezikshme edhe në gjendjen e tyre më dashamirëse, por kur ato përqendrohen në një problem, ato mund të jenë tmerrësisht të pamëshirshme”.
Është interesant parashikimi i autorit se për hegjemonin amerikane gjatë shek. XXI nuk do të paraqesin rrezik, Kina dhe Rusia, të cilën autori madje parasheh pas vitit 2020 shpërbërjen e Rusisë dhe fragmentarizmin e Kinës. Si rrezik potencial për gjeopolitikën amerikane gjatë shekullit XXI do të jenë Japonia, Turqia, Polonia dhe Meksika. Duke kuptuar se Japonia dhe Turqia si dy ish shtete të fuqishme perandorake gjatë historisë, dhe të cilët Japonia por në kohën e fundit edhe Turqia janë duke përparuar me të madhe dhe fuqishëm do të jenë prezent në gjeopolitikën botërore gjatë shek. XXI. Por nuk e kam assesi të qartë atë që autori parasheh për Poloninë dhe Meksikën se gjatë shek. XXI do të paraqesin rrezik për hegjemonin amerikane. Edhe pse të 4 shtetet e lartcekura, për momentin janë aleat të SHBA-ve, por me fuqizimin e tyre, e sidomos gjatë mesit të shek. XXI, Japonia dhe Turqia do të jenë kërcënim serioz për gjeopolitikën amerikane gjatë mesit të shek.XXI, ndërsa Meksika në fund të shek. XXI, dhe se e vetmja Polonia do të mbetet aleatja e saj besnike përgjatë shek. XXI.
Fusha tjetër të cilin e cek autori është Lufta globale , të cilin e parasheh se do të ndodh gjatë mesit të shek. XXI, dhe atë konkretisht gjatë viteve 2050-2052. Para se të prezanton skenarin e Luftës globale, autori parasheh fuqinë amerikane në zhvillimin e luftës hapësinore:”Nga mesi i shekullit, fuqia amerikane do të mbështetet në arritjen globale të avionëve të saj hipersonik të telekomanduar dhe raketave me bazë hapësinore. Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të varen së tepërmi jo vetëm nga satelitët e tyre, por edhe nga platformat e saja drejtuese të Yjeve të Betejës. Yjet e betejës do të jenë sytë, veshët dhe grushtet e SHBA-ve. Elektriciteti do të jetë kyç për luftimin në shek. XXI-, ashtu si ishte nafta në shek. XX.
Skenari i Luftës globale sipas parashikimeve të autorit të librit, Friedmanit, do të fillojë në vitin 2050, me ç’rast Japonia dhe Turqia do të krijojnë një koalicion të përbashkët rreth së cilës do të bashkëngjiten edhe shumë shtete të vogla, e më vonë edhe Gjermania. Ndërsa në aleancën e SHBA-ve, krahas Polonisë, do të jenë edhe Britania e Madhe, Kina, India, e shtetet tjera më të vogla. Në vitin 2050 Lufta globale do të nisë me sulmin e Turqisë kundër Polonisë, dhe Japonisë kundër Kinës. Menjëherë në ndihmë të tyre do të reagojë SHBA-të si udhëheqëse e aleancës, ndërsa Gjermania do të del në krah të Turqisë dhe Japonisë. Lufta globale do të zhvillohet prej vitit 2050 gjer më 2052, me ç’rast do të përfundojë me një marrëveshje paqësore, në të cilin fituese do të dal aleanca e udhëhequr prej SHBA-ve kundër koalicionit të Turqisë, Japonisë dhe Gjermanisë. Sikurse që ka ndodh edhe gjatë Luftës së parë dhe të dytë botërore, humbëse do të jenë Turqia, Japonia dhe Gjermania. Qëllimi i SHBA-ve nuk do të jetë të shkatërrojë në tërësi shtetet e koalicionit, por është të ruajë ekuilibrin e fuqive për të mbajtur forcat rajonale të përqendruara tek njëra tjetra dhe jo tek SHBA-ve. Sipas parashikimeve të Friedmanit në këtë Luftë globale nuk do të përdoren armët atomike, por kryesisht do të zhvillohet lufta në orbitë, me avion dhe anije hipersonike të dirigjuara, platforma të vendosura në Hënë, robotët luftarak kryesisht do të zëvendësojnë ushtarët njerëz. Sikurse pas Luftës së dytë botërore, edhe pas Luftës globale SHBA-të do të dal edhe më e fuqishme pas së cilës autori parasheh një epokë të artë për SHBA-të pas gjysmës së dytë të shek. XXI.
Në përmbyllje të këtij vështrimi të librit të Georg Friedmanit do të konkludojë se po të realizohej vetëm 20% e asaj çka ka parashikuar autori në librin e tij se çfarë do të ndodhë në botë gjatë 100 viteve të ardhshme, mjafton që ky libër të lexohet dhe lexuesi të mësoj se si do të dukej bota gjatë shek. XX.
Vetëm Krijuesi Fuqiplotë është i vetmi që di se çfarë do të ndodh në të vërtetë në botë gjatë periudhës së ardhshme njëqind vjeçare, duke e përfunduar këtë vështrim timin rreth librit "100 vitet e ardhshme" me një thënie të urtë popullore: ”njeriu imagjinon, Zoti përcakton”.