O Zoti im! Falmi mëkatet që tjetërsojnë mirësitë!

  • None
nga Vullnet Merja | Publikuar në Korrik 12, 2016, mesnatë

Me emrin e Allahut, të Gjithmëshirshmit Mëshirplotit

 

Allahu i Madhëruar në Kur’anin e shenjtë thotë:Dhe mos më turpëro në Ditën, kur do të ringjallen njerëzit, në Ditën, kur askujt nuk do t’i bëjë dobi as pasuria, as fëmijët, përveç atij që vjen me zemër të pastër tek Allahu!” (Sure “Shuara”, ajetet 87-89)

Në këtë jetë njeriu kujdeset shumë për trupin dhe për shëndetin e tij. Ai përpiqet të përzgjedhë ushqimet më të mira për t’u ushqyer. Sapo ndjen pak dhimbje apo shqetësim, menjëherë shkon për vizitë tek mjeku. Ai zgjedh mjekun më të mirë për shëndetin e tij dhe për ruajtjen e trupit si dhe përdor ilaçet më të mira e më të shtrenjta.

Disa njerëz të tjerë përdorin ushtrime të ndryshme fizike apo frekuentojnë palestra dhe klube të ndryshme sportive që të jenë sa më të shëndetshëm fizikisht. Në kohën e sotme, në të cilën teknologjia ka përparuar dhe ka arritur majat e larta, fatkeqësisht, shumica e njerëzve e kanë harruar anën shpirtërore të tyre. Ata kanë harruar se edhe shpirti ka nevojë për përkujdesje ashtu si trupi, madje më shumë se ai (trupi).

Shpirti ka nevojë për ushqim të mirë dhe për mbrojtje nga sëmundjet e ndryshe lënduese dhe shkatërruese që mund ta godasin atë. Nëse shpirti goditet me ndonjë sëmundje, atëherë njeriu duhet të fillojë menjëherë shërimin e saj. Hapi i parë i këtij shërimi është largimi nga moralet e këqija dhe kultivimi i moraleve të mira. Ky është edhe kuptimi i pastrimit të shpirtit.

Profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Habitem me atë njeri që ruhet nga ngrënia e disa ushqimeve nga frika e sëmundjes dhe nuk ruahet nga mëkatet prej frikës së zjarrit.” (Men La Jehdheruhul Fakih, vëll. 3, f. 359)

Pastrimi i shpirtit ka qenë qëllimi i të dërguarve të Allahut të Madhëruar. Të gjithë të dërguarit (paqja qoftë mbi ta!) u dërguan për udhëzimin e njerëzve dhe për t’i ndihmuar ata në formimin e personalitetit të tyre, bazuar në mësimet e Allahut të Madhëruar. Këtë mision ata e kryenin duke u mësuar njerëzve moralet e mira, mirësitë që mbartin ato morale dhe mirësitë që u sjellin njerëzve nëse pajisen me morale të mira e të pëlqyera.

Të dërguarit u mësonin njerëzve se si t’i prangosin e t’i ndalojnë cytjet, ngacmimet dhe devijimet e djallit të mallkuar, që janë në kundërshtim me ligjet e Krijuesit dhe me logjikën e shëndoshë. Në një ajet të Kur’anit lexojmë: “Allahu u ka dhënë besimtarëve dhuratë të madhe, kur u solli një të dërguar nga gjiri i tyre, i cili ua lexon shpalljet e Tij, i pastron nga gjynahet dhe u mëson Librin (Kur’anin) e urtësinë (diturinë e thellë fetare), edhe pse më parë, me të vërtetë, ata ishin në rrugë krejt të gabuar.” (Sure “Ali Imran”, ajeti 164)

Prej çështjeve që e afrojnë njeriun te Krijuesi i tij dhe janë shkak I fitmit të kënaqësisë së Tij janë:

 

Zemra e bardhë

Njeriu lind me zemër të pastër, të bardhë dhe të papërlyer me gjynahe e të këqija. Allahu Fuqiplotë dëshiron që njeriu ta mbajë zemrën të pastër e të bardhë gjatë gjithë jetës së tij. Padyshim, kur zemra është e pastër dhe e bardhë, ajo bëhet shtëpia e Allahut.

 

Zemra e besimtarit, është shtëpia e Allahut

Transmetohet se Allahu i Madhëruar e inspiroi profetin e Tij Daud (paqja qoftë mbi të!) dhe i tha: Më zbarz një shtëpi që të qëndroj në të. Daudi (paqja qoftë mbi të!) i tha: O Zot im. Ti je më Madhështori se shtëpia”. Allahu e inspiroi dhe i tha: Më zbraz Mua zemrën tënde. (El Khasaisul Husejnijeh, i Et Testirij, f. 396.)

Në një hadith kudsij Allahu i Madhëruar ka thënë: Mua nuk më nxë as toka Ime e as qielli Im, por më nxë zemra e robit Tim besimtar. (El Khasaisul Husejnijeh, i Et Testirij, f. 396.)

 

Kur njeriu mëkaton, ai e nxin zemrën e tij

Shumica e njerëzve nuk e ruajnë pastërtinë e zemrave të tyre. Ata i bëjnë mëkate Allahut, Krijuesit të tyre duke mos dëgjuar dhe duke moszbatuar porositë dhe detyrat që Ai u ka caktuar atyre. Në këtë mënyrë pikat e zeza të mëkateve fillojnë të përhapen në zemrën e bardhë.

Profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: Kur robi bën mëkat zemra e tij fillon të mbulohet me shtresë të zezë. Kjo është ajo që e lexojmë edhe në Kur'anin e shenjtë në ajetin 14 të sures Mutafifin që thotë: Nuk është ashtu! Por veprat e tyre (të këqija) ua kanë mbuluar zemrat.

 

Ndikimet e mëkateve në zemër

Mëkatet ndikojnë shumë në zemrën e njeriut. Prej atyre ndikimeve negative janë:

 

1- Ngurtësimi i zemrës

Është transmetuar nga prijësi i besimtarëve, imam Aliu (paqja qoftë mbi të!) i cili ka thënë: Lotët thahen nga ngurtësimi i zemrës dhe zemrat ngurtësohen nga mëkatet e shumta. (Biharul Anuar, vëll. 70, f. 55. Botim i Muesetul Uefa, Beirut.)

 

2- Shkatërrimi i zemrës

Është transmetuar nga imam Sadiku (paqja qoftë mbi të!) i cili ka thënë: Babai im thoshte: S'ka gjë më shkatëruese për zemrën sesa mëkati. Vërtet, zemra e lufton mëkatin dhe  vazhdon në këtë gjendje derisa mëkati të triumfojë ndaj saj duke e përmbysur atë ku e poshtmja shkon lart dhe e sipërmja kthehet poshtë. (Biharul Anuar, vëll. 70, f. 54. Botim i Muesetul Uefa, Beirut.)

 

3- Ndalimi i shikimit me syrin e zemrës

Mëkatet e ndalojnë zemrën që të shohë mirësitë dhe begatitë e Allahut. Në një hadith të Profetit Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) thuhet: Sikur djajtë të mos ishin përqark zemrës së bijve të Ademit, ata do të shikonin melekutet (mbretërinë). (Biharul Anuar, vëll. 70, f. 59. Xhamiu Seadat i Nerakit, vëll. 1, f. 43.)

Imam Aliu (paqja qoftë mbi të!) në një prej përgjërimeve të tij thoshte: O Zoti im. Më jep mua shkëputje të plotë për tek Ti. Na i ndriço sytë e zemrave tona me dritën e shikimit të tyre tek Ti derisa sytë e zemrave të çajnë pengesat e dritës. E kështu ato të arrijnë në burimin e madhështisë dhe shpirtërat tanë të jenë të kapur me fuqinë e shenjtërisë Tënde. (Biharul Anuar, vëll. 94, f. 99.)

 

Ndikimet e mëkateve në lutjen e Kumejlit

Në shtesë të ndikimeve të lartpërmendura të mëkateve në zemrën e njeriut, mëkatet kanë ndikime të tjera, të cilat i përmend imam Aliu (paqja qoftë mbi të!) në lutjen e tij të njohur, e cila quhet lutja Kumejl. Ndër ato ndikime përmendim:

 

a- O Zoti im! Falmi mëkatet që asgjësojnë përfundimin e veprimeve të mira!

Ka mëkate të cilat ia largojnë njeriut mburojën që e pengon për të vepruar të ndaluarat (haramet). Cilat janë ato mëkate që largojnë mburojën prej njeriut?

Transmetohet nga imam Sadiku (paqja qoftë mbi të!) se ato mëkate janë: “Pirja e pijeve alkolike, bixhozi, veprat që i bëjnë njerëzit të qeshin e të zbaviten, përmendja e të metave të njerëzve dhe shoqërimi me njerëzit që dyshojnë.” (Mexhmaul Bahrejn i Et Tarijhi, vëll. 6, f. 116. Biharul Anuar, i Mexhlisij, vëll. 73, f. 375.)

 

b- O Zoti im! Falmi mëkatet që sjellin ndëshkimin!

Ka mëkate të cilat janë shkak i ndëshkimit të njeriut. Transmetohet nga imam Sadiku (paqja qoftë mbi të!) i cili thotë se këto mëkate janë: “Thyerja e premtimit, përhapja e të shëmtuarave dhe ndytësive, përhapja e gënjeshtrës, gjykimi me atë që nuk e ka zbritur Allahu, ndalimi i zekatit dhe mangësia në peshë e në masë.”

Pas numërimit të këtyre mëkateve, imam Sadiku përmendi një hadith nga profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) në të cilin thuhet: “Pesë me pesë.” Atij i thanë: “Çfarë janë pesë me pesë o i Dërguari i Allahut?” Ai tha: “Kur njerëzit thyejnë premtimin Allahu u sjell udhëheqës armikun e tyre. Kur duket tek ata e shëmtuara dhe e ndyta, në mesin e tyre përhapet vdekja. Kur përhapet tek ata gënjeshtra dhe gjykimi sipas asaj që nuk e ka zbritur Allahu, në mesin e tyre do të përhapet varfëria. Kur ndalohet dhënia e zekatit atyre u ndalohet rrizku. Kur masin dhe peshojnë mangët, u ndalohet bimësia...” (Edhua ala dua Kumejl i Bahrul Ulum, f. 126.)

 

c- O Zoti im! Falmi mëkatet që tjetërsojnë mirësitë!

Mirësitë e Allahut për robtë e Tij janë të shumta. Është detyrë e njeriut që t’i ruajë dhe t’i shfrytëzojë ato mirësi ashtu siç e pëlqen Dhuruesi i mirësive. Mirëpo, përderisa njeriu është i padrejtë ndaj vetes së tij dhe ndaj të tjerëve, ai bën gjynahe të ndryshme në jetë dhe këto gjynahe shkaktojnë tjetërsimin e mirësive dhe më pas zhdukjen e tyre.

Transmetohet nga prijësi i besimtarëve, imam Aliu (paqja qoftë mbi të!) i cili ka thënë: “Vërtet, mirësitë zhduken dhe jetesa vështirësohet me bërjen e mëkateve të cilat ju i bëni. Vërtet, Allahu nuk është i padrejtë ndaj robëve.” (Mizanul Hikmeh, vëll. 3, f. 465.)

Ato mirësi të cilat u ndalohen mëkatarëve i përmendin hadithet e ardhura nga Profeti dhe familja e tij e pastër. Ndër ato mirësi janë:

 

-          Largimi i dijes

Transmetohet nga profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) i cili ka thënë: “Frikësojuni mëkateve sepse ato zhdukin mirësitë. Vërtet, robi që bën mëkat, atij i harrohet dija të cilën e mësoi atë.” (Biharul Anuar, vëll. 73. f. 377.)

 

- Privimi nga falja e natës

Profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Vërtet, robi që mëkaton e privon veten e tij nga falja e namazit të natës.” (Biharul Anuar, vëll. 73. f. 377.)

 

- Privimi nga furnizimi

Profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Vërtet, robi që mëkaton e privon veten e tij nga furnizimi me të cilin kënaqej.” (Biharul Anuar, vëll. 73. f. 377)

 

Cilat janë ato mëkate që kanë këto ndikime?

Imam Sadiku (paqja qoftë mbi të!) i përcakton këto mëkate në thënien e tij ku thotë: “Mos falenderimi i Dhuruesit të mirësive, shpifja ndaj Allahut dhe të dërguarit, ndërprerja e marrëdhënieve farefisnore, mosfalja e namazit në kohën e tij, humbja e turpi, mospërkrahja e të vobektëve dhe nevojtarëve dhe mosndihmesa e atyre që u bëhet padrejtësi.” (Edhua ala dua Kumejl i Bahrul Ulum, f. 128.)

 

d- O Zoti im! Falmi mëkatet që bllokojnë lutjen!

Është transmetuar nga imam Sadiku (paqja qoftë mbi të!) i ka thënë se: “Mëkatet që bllokojnë lutjen dhe errësojnë kohën janë mosrespektimi i prindërve, qëllimi i keq, e brendshmja e ndytë, hipokrizia me vëllezërit, mosbesimi, vonesa e faljes së namazeve farze dersa të kalojë koha e tyre, lënia e afrimitetit me Allahun me bamirësi dhe sadeka, përdorimi i banalitetit i të shëmtuarave dhe i ndytësive në thënie.” (Biharul Anuar, vëll. 73. f. 376.)

 

e- O Zoti im! Falmi mëkatet që sjellin pësimin!

Është përcjellë nga imam Zejnul Abidin (paqja qoftë mbi të!) se këto mëkate janë: “Mosndihmesa e të varfërve, mospërkrahja e të privuarëve dhe mozbatimi i të urdhëruarit në të mirë dhe i të ndaluarit nga e keqja.” (Edhua ala dua Kumejl i Bahrul Ulum, f. 132.)

Në disa transmetime thuhet se ato janë shtatë mëkate: “Politeizmi (shirku), vrasja e vetes të cilën e ka ndaluar Allahu, shpifja ndaj grave të martuara, ngrënia e pasurisë së jetimit, kurvëria, lënia e fushëbetejës dhe vjedhja.” (Edhua ala dua Kumejl i Bahrul Ulum, f. 132.)

 

f-  O Zot im! Falmi mëkatet që ndërpresin shpresën!

Mëkatet që ndërpresin shpresën në mëshirën e Allahut, të cilat i ka numëruar imam Sadiku (paqja qoftë mbi të!), janë: “Dëshpërimi ndaj mëshirës së Allahut, humbja e shpresës nga mëshira e Allahut, besimi tek të tjerët dhe jo te Allahu, përgënjeshtrimi i premtimit të Allahut të Madhëruar.” (Biharul Anuar, vëll. 73. f. 376.)

Allahu na mundësoftë që të qëndrojmë sa më shum larg mëkateve! Allahu na fltë dhe na mëshiroftë të gjithëve!

Imam Ali ibn Husejn (paqja qoftë mbi të!) në një lutje të tij, e cila quhet “Përgjërimi i të bindurve” thotë: Zoti im, na inspiro ne bindjen ndaj Teje dhe largoje prej nesh që të të kundërshtojmë Ty! Lehtësoje për ne arritjen e asaj që dëshirojmë, fitimin e kënaqësisë Tënde! Lejoje për ne mirëqënien e Xhenneteve të Tua! Hiqe prej syve tanë renë e dyshimit dhe zbuloji zemrat tona prej mbulesës e perdes së dyshimit! Zhduke të gabuarën nga ndërgjegjet tona! Rrënjose të vërtetën në brendi të zemrave tona, sepse dyshimet e hamendjet janë vendet ku mbijnë ngatërresat, ku turbullohen edhe më të pastrat bujari e mirësi!

Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi ju!

Vullnet Merja

Kryetar i Shoqatës FLLADI