Intifada e Dytë (2000 - 2005) - Kryengritja e El Aksa-s

nga Ajni Sinani | Publikuar në Tet. 8, 2013, mesnatë

Mospajtimi i Izraelit rreth çështjes së refugjatëve palestinezë, pastaj insistimi i tyre për moslargimin e kolonive hebraike, qëndrimi ndaj El Kuds-it (Jerusalemit), situata e rëndë dhe refuzimi i fortë i Izraelit për t’i vënë veshin kërkesave të palestinezëve dhe të bashkësisë ndërkombëtare çuan në krijimin e një situate shpërthyese në territoret e pushtuara. Kryeministri i Izraelit mundohej ta pezullonte procesin e paqes, duke e lënë të varur çështjen e dorëzimit të kompetencave që pritej t’i jepeshin autoritetit palestinez. (Muhsin Muhamed Salih, op. cit., f. 97-98.)

Më 28 shtator të vitit 2000, Ariel Sharon, lideri i Partisë Likud, bëri një vizitë provokuese në xhaminë El Aksa. Ai ishte shoqëruar nga 600 ushtarë të armatosur dhe kishte urdhëruar 3 mijë ushtarë të tjerë që të vinin nën kontroll Jerusalemin dhe rrethinat e tij. Kjo gjë çoi në vrasjen e 5 personave dhe në plagosjen e më shumë se 100 të tjerëve. Kjo u pasua nga një valë zemërimi. (Shih: http://en.wikipedia.org/wiki/Second_Intifada (me datë 26. 08. 2008.))

Pati një dyndje të palestinezëve nga të gjitha anët e vendit dhe nga rrymat politike për të marrë pjesë në Intifadë. Kjo bëri që ushtria izraelite ta shtonte terrorin e saj, duke përdorur armë dhe, në shumë raste, vrau fëmijë dhe njerëz të pafajshëm. Në vitin 2005, për shkak të vdekjes së Jaser Arafatit dhe për shkak të angazhimit të palestinezëve në Bregun Perëndimor dhe në Rripin e Gazës në zgjedhjet lokale, vala e Intifadës u ul. Më 22 janar, grupet palestineze bënë thirrje për qetësi. Më 8 shkurt u deklarua ndalimi i përdorimit të zjarrit ndërmjet Autoritetit Palestinez dhe Izraelit. (Muhsin Muhamed Salih, op. cit., f. 98-101.)

Gjatë Intifadës së Dytë (2000 – 2005), numri i të vrarëve ishte 4.412, prej të cilëve 293 ishin fëmijë dhe 270 të tjerë ishin gra dhe vajza. Numri i të plagosurve arriti në 48.322. Gjatë kësaj kohe u rrënuan tërësisht 71.470 shtëpi, u bombarduan 316 shkolla, zyra, biblioteka dhe universitete. (Shih: http://en.wikipedia.org/wiki/Second_Intifada (me datë 18. 08. 2008.))

Intifada palestineze bëri që 22 % e izraelitëve të moshës 18-35 vjet të mendonin që të largoheshin nga Izraeli. Kjo konsiderohet një përqindje e madhe duke pasur parasysh se ata janë shtresa më e rëndësishme e shoqërisë. (Dr. Abdul Vehab El Mesiri, Min El Intifada ... op. cit., f. 88, 89.)



Burimi : MESAZHI.COM