SPECIALE: Murray Bookchin: Një sionist që zbardh kolonializmin dhe krimet e luftës së Izraelit
Murray Bookchin është si diçka e shenjtë për komunitetin anarkist. Idetë e tij, të cilat ai i konceptoi si ekologji sociale, komunizëm libertarian dhe komunalizëm, kanë pasur një ndikim të qëndrueshëm te shumë njerëz të cilët identifikohen si të majtë. Megjithatë, ka diçka për të cilën nuk flitet shumë, dhe ajo është se Bookchin, si shumë anarkistë dhe socialistë libertarianë, ndodhet brenda një turpërimi tolerant përballë imperializmit. "Heroi" anarkist Murray Bookchin ishte një sionist i cili zbardhi kolonializmin dhe krimet e luftës së Izraelit
Murray Bookchin është si diçka e shenjtë për komunitetin anarkist. Idetë e tij, të cilat ai i konceptoi si ekologji sociale, komunizëm libertarian dhe komunalizëm, kanë pasur një ndikim të qëndrueshëm te shumë njerëz të cilët identifikohen si të majtë. Murray Bookchin konsiderohet një figurë e rëndësishme ideologjike, frymëzuese pas Occupy Wall Street dhe lëvizjeve anti-globalizuese.
Pasi Abdullah Öcalan miratoi idetë e tij, Bookchin fitoi ndikim të rëndësishëm në qarqet kurde. Öcalan, udhëheqësi i burgosur i Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit PKK, përdori grupin e koncepteve të Bookchin për të mbështetur pikëpamjen e tij për "konfederalizmin demokratik". Më pas, ndjekësit e Öcalan-it u përpoqën të vënë në praktikë konfederalizmin demokratik në Sirinë verilindore me mbështetjen e ushtrisë amerikane.
Megjithatë, ka diçka për të cilën nuk flitet shumë, dhe ajo është se Bookchin, si shumë anarkistë dhe socialistë libertarianë, ndodhet brenda një turpërimi tolerant përballë imperializmit.
Bookchin, ishte në veçanti një sionist që racionalizoi dhe madje zbardhi publikisht krimet e Izraelit kundër njerëzimit. Ai përsëriti gjithashtu propagandën imperialiste dhe mitet shoviniste për vendet që SHBA synon ndryshimin e regjimit, duke demonizuar shpesh qeveritë e pavarura postkoloniale në Jugun Global.
Në vitin 1986, botoi një artikull ku mbronte pikëpamjet liberale sioniste dhe që i ngjanin diskursit të kolumnistëve të sotëm neokonservatorë të New York Times. Artikulli, i cili mund të gjendet i plotë më poshtë, përsërit tezat Hasbara pa i analizuar dhe ia atribuon dështimin e përpjekjeve për paqe vendeve fqinje arabe dhe irredentistëve arabë, pa përmendur zhvendosjen e palestinezëve vendas.
Në artikullin e tij, Bookchin zbulon një perspektivë paragjykuese kundër arabëve dhe i përshkruan ata si njerëz në thelb autoritarë, gjakatarë dhe me prirje antisemitike. Heroi i së majtës antikomuniste i përshkruan kombet e pavarura arabe si imperialistët e vërtetë në Lindjen e Mesme dhe i krahason ato me juntat ushtarake të krahut të djathtë të Amerikës Latine të mbështetura nga SHBA.
Perspektiva e tij shoviniste mbi Jugun Global mund të shpjegojë se si zgjidhjet e propozuara të Bookchin për të ndaluar dhunën e shkaktuar nga sistemi kapitalist përfundimisht evoluan në lëvizjen e tij në një lagje kryesisht të bardhë në Burlington, Vermont dhe krijimin e këshillave të komunitetit me partnerët e tij anarkistë të klasës së mesme. Ndërkohë, edhe qeveria e Boochin po bombardonte dhe torturonte të varfërit nëpër botë, duke përfshirë shumë socialistë dhe komunistë të Botës së Tretë, të cilët ai i kritikoi si "autoritarë".
Anarkistët e kënaqur që mbështesin imperializmin amerikan
Mbështetja e hapur e Murray Bookchin për kolonializmin izraelit dhe kritika e tij e ashpër ndaj të majtëve anti-sionistë janë fshirë në heshtje nën qilim nga e majta libertariane perëndimore, e cila është e gatshme të portretizojë mbështetësit e imperializmit amerikan si kampionët e vërtetë të progresivizmit.
Fama e Bookchin u rrit në nivele të paprecedentë me shpërthimin e konfliktit ndërkombëtar në Siri në vitin 2011. Milicia e udhëhequr nga kurdët YPG, Trupat e Mbrojtjes së Popullit, e cila është e lidhur me PKK-në dhe e ndikuar shumë nga ideologjia e Bookchin-it, ka marrë mbështetje masive nga perandoria e SHBA-së.
Në vitin 2015, emri i YPG-së u shndërrua në Forcat Demokratike Siriane (FDS) me direktivë të Pentagonit. Si rezultat, FDS ka autorizuar krijimin e më shumë se një duzinë baza ushtarake amerikane në Sirinë verilindore.
Zëdhënësi i FDS-së theksoi në vitin 2017 se trupat amerikane do të vazhdojnë të qëndrojnë në rajon për dekada, duke përmendur interesin strategjik të Uashingtonit për të ruajtur praninë e tij ushtarake.
Interesat e FDS-së ishin me të vërtetë strategjike: Që rajoni i pushtuar nga SHBA-ja të ketë shumicën e rezervave të naftës në Siri dhe në të njëjtën kohë të shërbej si burim të ardhurash për vendin…
Këta nacionalistë kurdë, ndjekës krenarë të ideologjisë anarkiste të Bookchin, të mbështetur nga SHBA, përdorin prodhimin e drithit në Siri për interesat e tyre dhe refuzojnë të tregtojnë grurë me Damaskun. Ata i kanë kthyer interesat e tyre strategjike në rajon në një mjet ekonomiko-politik.
Ky rajon, i cili përbën afërsisht tridhjetë për qind të territorit sirian nën kontrollin e SHBA-së, përshkruhet si një rajon autonom nga nacionalistët kurdë të mbështetur nga SHBA. Ky vend, të cilin ata e quajnë Rojava, me diversitetin e tij etnik dhe fetar, përfshin kurdët, armenët, turkmenët dhe arabët, si dhe popujt hibridë.
Rojava, në mënyrë paradoksale dhe ironike, është tregtuar si një shoqëri e drejtë, një eksperiment social utopik, nga dinamikat monopoliste mediatike që i janë përgjigjur prej kohësh me propagandë dhe luftëra destruktive të racionalizuara edhe përpjekjeve më të vogla të socializmit që guxojnë të sfidojnë sistemin kapitalist imperialist të garantuar nga SHBA.
Ndërsa disa pjesë të së majtës perëndimore fetishizonin grupet kurde në Siri, ata i shndërruan ato në idhull, duke shfaqur një lloj admirimi orientalist. Çuditërisht, Edhe gazetarët e zakonshëm, të cilët shpesh kanë një paragjykim të fortë kundër të majtës socialiste, kanë publikuar vazhdimisht histori të cilat romantizojnë YPG-në dhe krahun e saj të grave, YPJ-në. Këto lajme theksuan guximin e pabesueshëm të YPG-së, iluminizmin, progresivitetin, përkushtimin ndaj demokracisë dhe feminizmit. Është interesante se këto lëvdata përkojnë me periudhën kur këto forca kurde krijuan një aleancë me Shtetet e Bashkuara, duke lejuar trupat amerikane të pushtonin një pjesë të konsiderueshme të territorit sovran të Sirisë. Duhet të theksohet se ka edhe gra që luftojnë në ushtrinë siriane dhe milicitë aleate, dhe se këto gra përshkruhen në mënyrë nënçmuese si femra luftëtare të Bashar al Assad dhe portretizohen si pronë personale e Presidentit sirian.
Sipas shkrimtarit David Mizner, Voice of America (Zëri i Amerikës), i cili vepron si zëdhënësi propagandistik i qeverisë amerikane duke zhvilluar një luftë informacioni kundër të majtës globale dhe është një mjet i gënjeshtrave dhe dezinformatave të CIA-s, i'a përkëdhel shpinën këtij anarkisti nga Vermonti për frymëzimin e tij ndaj aleatëve kurdë të Uashingtonit në Siri.
Fakti që gjigantët anarkistë si Noam Chomsky dhe David Graeber nënshkruan një letër të hapur në New York Review of Books në vitin 2018, duke i bërë thirrje perandorisë amerikane të "vazhdonte mbështetjen ushtarake për FDS-në", mund të shpjegohet me obsesionin e të ashtuquajturve "socialistë libertarianë" me imperializmin si dhe me obsesionin e imperialistëve me "socializmin libertarian".
Përveç Chomsky dhe Graeber, në mesin e atyre që nënshkruan letrën pro ndërhyrjes ushtarake ishin edhe intelektuali i famshëm akademik Marksist David Harvey, mbështetësi i Luftës së Irakut sionisti Michael Walzer dhe madje edhe intelektualja liberale feministe dhe ish agjentia e CIA-s, Gloria Steinem, së bashku me vajzën e Bookchin, Debbie Bookchin, e cila ia kushtoi jetën Rojavës.
Artikulli sionist i Murray Bookchin që dehumanizon arabët
Nuk është situatë e papritur fakti që ky anarkist amerikan i cili tregtoi veten si një "socialist libertar", njihet për antikomunizmin e tij dhe ndikoi në një organizatë, ideologjia e së cilës mbështeti hapur imperializmin amerikan, ka mbështetur më parë sionizmin dhe axhendat imperialiste në Lindjen e Mesme.
Më 4 maj të vitit 1986, Murray Bookchin botoi një artikull në gazetën lokale Burlington Free Press me titull "Sulmet Kundër Izraelit Shpërfillin Historinë e Gjatë të Konfliktit Arab".
Më poshtë mund ta gjeni tekstin e plotë të artikullit.
Artikulli, gjoja i shkruar nga një shenjtor anarkist radikal, përputhet me retorikën e ekspertëve neokonservatorë të mediave kryesore të korporatave.
Ndërsa Bookchin e paraqet Izraelin si një fener të shndritshëm të demokracisë në një rajon të pazhvilluar, ai kritikon vende si Siria, Libia, Irani, Iraku dhe Egjipti dhe i demonizon ato si bastione pa dritë të despotizmit lindor.
Ai dënon "ndjenjat anti-izraelite që shfaqen në shtypin lokal dhe barazimin e sionizmit me racizmin anti-arab si një ekuacion virtual" dhe i portretizon arabët si barbarë të egër.
Bookchin u bën thirrje lexuesve që "të kujtojnë gjithmonë burrat dhe gratë hebreje të vrarë nga ithtarët e nacionalizmit arab". Ai gjithashtu fajëson "irredentistët arabë" për dështimin e bisedimeve të paqes, të cilat kurrë nuk u ndoqën sinqerisht nga Izraeli dhe aleati i tij besnik, perandoria amerikane.
Ai po ashtu dënon edhe "pushtimin e vendit nga ushtritë arabe" pa përmendur Nakba-në, në të cilën milicitë sioniste kryen spastrim etnik duke masakruar shumicën dërrmuese të popullsisë vendase të Palestinës në vitin 1947 dhe 1948 dhe krijuan krizën e refugjatëve që filloi luftën arabe.
Në fakt, ky idhull “socialist liberal” shkon aq larg sa i dënon Egjiptin, Sirinë dhe Jordaninë si “imperialistë” dhe këmbëngul se nëse nuk do të ishte lufta e tyre kundër Izraelit, një shtet i pavarur palestinez do të ishte krijuar shumë kohë më parë.
Artikulli i Bookchin e kthen realitetin me kokë poshtë; Ndërsa Bookchin portretizon kolonistët izraelitë si viktima fatkeqe të brutalitetit "imperialist" të arabëve autoritarë, ai e krahason udhëheqësin nacionalist palestinez Yasser Arafat me Myftiun e Madh të Jeruzalemit i cili [thuhet se] është një bashkëpunëtor i nazistëve dhe krahason Muammar Gaddafi të Libisë dhe Hafez Assad të Sirisë me diktatorët e krahut të djathtë aleat të Uashingtonit në Amerikën Latine.
Bookchin po ashtu përsërit propagandën dhe gënjeshtrat imperialiste, duke pretenduar se Assad "vrau midis 6,000 deri 10,000 njerëz në Hama në shkurt të vitit 1982, sepse ata guxuan të kundërshtonin udhëheqjen e tij në vend".
Ajo që ai nuk e përmend, sigurisht, është se kjo e ashtuquajtur kryengritje në Hama (të cilën Bookchin e shkroi gabim si "Kama") nuk ka të bëjë fare me demokracinë apo lirinë. Kjo kryengritje u udhëhoq nga radikalët e dhunshëm sektarë selefistë, të mbështetur drejtpërdrejt nga demokracia dashamirëse e Turqisë në veri, si dhe të ndihmuar nga shërbimet e inteligjencës amerikane dhe britanike. Mu ashtu si deja vu-ja imperialiste në Siri në vitin 2011.
Me mbështetjen e tij të palëkundur për Sionizmin, Bookchin injoron faktet themelore dhe në vend të kësaj kritikon atë që ai e quan "imperializëm sirian". Duke krahasuar sekularistin e vetëshpallur, Hafez Assad me fashistin izraelit me prirje teokratike, Meir Kahane, ai thotë se të dytë janë përfaqësues të grupeve të tyre fetare përkatëse - alevi dhe hebre.
Në artikullin e tij, Bookchin po ashtu thekson se ai dëshiron që projekti kolonial i Izraelit të jetë një model i vizionit të tij për një shoqëri të decentralizuar dhe shkruan se "Për vite me radhë shpresoja që Izraeli ose Palestina mund të bëheshin një konfederatë hebrenjsh dhe arabësh si Zvicra".
Por, figura anarkiste nuk kishte arritur të fshehë përbuzjen e tij ndaj arabëve. Duke përsëritur klishetë raciste, Bookchin ankohet për faktin se arabët po përdorin luftën palestineze si një perde tymi për "problemet e tyre kulturore".
Më poshtë është artikulli i plotë i Murray Bookchin:
Sulmet Kundër Izraelit Shpërfillin Historinë e Gjatë të Konfliktit Arab (nga Murray Bookchin)
Ka shumë aspekte të politikës izraelite që mund të jenë objekt kritike, veçanërisht gjatë periudhës kur qeveria Likud organizoi pushtimin e Libanit. Megjithatë, rritja masive e qëndrimeve anti-izraelite në mediat lokale dhe lidhja e padrejtë e sionizmit me racizmin anti-arab më detyron të përgjigjem me një vendosmëri të fortë.
Prej kohësh kam pasur dëshirën që Izraeli ose Palestina të bëhen një konfederatë e ngjashme me Zvicrën, në të cilën hebrenjtë dhe arabët mund të bashkëjetojnë në mënyrë paqësore dhe të ushqejnë kulturat e tyre në mënyrë harmonike dhe krijuese.
Fatkeqësisht, fati kishte një plan tjetër. Ndarja e Palestinës në shtete hebreje dhe arabe me rezolutën e Kombeve të Bashkuara të vitit 1947 u prit me një sërë ngjarjesh shkatërruese. Pushtimi i vendit nga ushtritë arabe, kryesisht nga Egjipti, Siria dhe "Legjioni Arab" jordanez i përgatitur mirë, u mbështet drejtpërdrejt ose tërthorazi nga Iraku dhe vendet e tjera arabe.
Në disa raste, këto forca ushtarake, e veçanërisht milicitë arabe që i shoqëronin, nuk morën asnjë rob gjatë sulmeve të tyre ndaj vendbanimeve hebraike. Në mënyrë tipike, ata kishin për qëllim të shkatërronin plotësisht të gjitha komunitetet hebreje përgjatë rrugës së tyre derisa të hasnin në rezistencë të dhunshme dhe të kushtueshme hebreje.
Pushtimi dhe konflikti shkatërrues që shkaktoi, krijuan një cikël ankthi dhe armiqësie që vështirë të fshihet nga vetëdija e hebrenjve izraelitë. Është shumë e rëndësishme të pranohet se një grup ekstremist hebre, që vepron me dëshpërim dhe irracionalitet, u përgjigj në një mënyrë të ngjashme përpara se të ndalohej nga forcat e armatosura izraelite të sapoformuara. Megjithatë, nuk duhet të injorojmë as hebrenjtë që humbën jetën tragjikisht nga duart e mbrojtësve të flaktë të nacionalizmit arab, edhe pasi hoqën dorë nga rezistenca duke ngritur flamurin e bardhë.
Unë kam parë pak përmendje të këtij modeli të frikshëm të "luftës" që ndoti pushtimet arabe në Palestinë dhe ndikoi thellësisht besimin hebre në vlerën e "bisedimeve të armëpushimit" dhe parashikueshmërinë e marrëveshjeve të paqes me irredentistët arabë. Dhe në të vërtetë, linjat e ndarjes të përcaktuara përfundimisht pas pushtimeve të vitit 1948, nuk ishin produkt i "imperialistëve" apo "sionistëve rrëmbyes tokash", siç është në modë shumë këto ditë, por i një lufte të përgjakshme - me plotë kuptimin e fjalës i një lufte dhënie e marrje.
Nuk dëgjoj më as për përpjekjet e sinqerta të Haganah, milicitë qytetarë hebrenj të epokës së ndarjes, për të inkurajuar arabët të qëndrojnë në lagjet dhe qytetet e tyre, për shembull, duke u kërkuar atyre të mos i nënshtrohen panikut të krijuar nga kushtet e luftës dhe ekstremistët në të dyja anët e konfliktit, kur automjetet izraelite me altoparlantë enden rrugëve të Jaffës.
Fakti që një numër i konsiderueshëm arabësh zgjedhin të qëndrojnë në Izrael bie në kundërshtim me idenë se hebrenjtë izraelitë synojnë të dëbojnë popullsinë myslimane nga vendi. Megjithatë, ekziston një fakt që shpesh anashkalohet dhe ai është fakti se nëse ushtritë egjiptiane, siriane dhe jordaneze nuk do të ishin përpjekur të kapnin tokat e ndara nga OKB-ja për interesat e tyre imperialiste, në Palestinë mund të ekzistojë një shtet arab përkrah shtetit hebre. Për më tepër, kur këto përpjekje dështuan, këto vende përdorën refugjatët palestinezë si pazare në negociatat e ardhshme me Izraelin dhe aleatët e tij perëndimorë.
Ekziston edhe një mit tjetër që duhet të zhduket: Se burimi i situatës aktuale të paqëndrueshme në Lindjen e Mesme janë konfliktet izraelito-palestineze; në fakt, se marrëdhëniet në mes hebrenjve dhe arabëve ishin "të shkëlqyera" derisa u helmuan nga "ambiciet sioniste". Pa lënë mënjanë imazhin e thjeshtësuar të problemeve të Lindjes së Mesme që nxit kjo ide, nuk mund të shpjegohet se deri në çfarë mase janë shtrembëruar marrëdhëniet hebraike-arabe në të kaluarën.
A duhet të injorojmë faktin se persekutimi arab ndaj hebrenjve, edhe pse jo aq i ashpër sa në Evropë, ka një histori të gjatë, me përjashtim të Spanjës myslimane dhe Turqisë osmane? Është e rëndësishme të pranohet se gjatë vendbanimit hebre në Palestinë para Luftës së Dytë Botërore, arabët kryen masakra kundër hebrenjve dhe kjo çoi në shkatërrimin e komunitetit të lashtë hebre në Hebron në fund të viteve 1920. Vlen po ashtu të theksohet se Myftiu i Madh i Jeruzalemit në vitet 1930, i cili mund të shihet si paraardhësi i Jasar Arafat dy breza më parë, e admironte hapur Hitlerin dhe bënte thirrje për një "luftë të shenjtë" për të shfarosur hebrenjtë palestinezë gjatë dhe madje edhe para Luftës së Dytë Botërore. Dhe së fundi, shkatërrimi i qëllimshëm i lagjes së vjetër hebraike të Jerusalemit nga "Legjioni Arab" i Jordanisë në vitin 1948 dhe ndotja e Murit Perëndimor të Tempullit të Herodit nga kuajt, përbëjnë një shkelje serioze mbarëbotërore të vendit më të shenjtë të Judaizmit.
A do të harrojmë se gjenerali Hafez al-Assad, i ashtuquajturi "president" i Sirisë (i zgjedhur nga një "shumicë" 99.97 për qind e "votuesve" sirianë) masakroi midis 6,000 dhe 10,000 njerëz në Kama në shkurt 1982, sepse ata patën guxim të kundërshtonin sundimin e tij të vendit?
Është për t'u habitur fakti që nuk pati asnjë reagim pas deklaratës së Amnesty International në 1983 për shkeljet sistematike të të drejtave të njeriut nga forcat siriane të sigurisë, duke përfshirë edhe torturën dhe vrasjet politike. Për më tepër, është shqetësuese mungesa e shqetësimeve për imperializmin sirian, veçanërisht për ambicien e Asadit për të përfshirë Libanin, Palestinën dhe madje edhe Izraelin në një perandori siriane. Çdo ekspert i paanshëm i Lindjes së Mesme e di se Assad pranon versionin arab të vizionit radikal të Rabi Kahane për një "Izrael të madh" koncept ky i cili refuzohet fuqimisht nga grupet e respektuara hebreje dhe sioniste si në Izrael ashtu edhe ndërkombëtarisht.
Nëse, siç vuri në dukje Miriam Ward në artikullin e saj të 27 prillit në Vermont Perspective, çështja qendrore në Lindjen e Mesme është marrja e territorit palestinez nga Izraeli, cili do të ishte rezultati i mundshëm nëse Izraeli dhe banorët e tij hebrenj zhdukeshin papritur nga rajoni? A do të bjerë autoritarizmi në Siri dhe a do të ndihet shumica myslimane sunite më pak e shtypur, e shfrytëzuar dhe e kontrolluar nga gjenerali Assad, i cili në përgjithësi përfaqëson pakicën myslimane alavite të vendit?
A mund të shmangin princat sauditë shpenzimin e një pjese të konsiderueshme të burimeve të vendit të tyre në makina luksoze, rezidenca të ekzagjeruara, gurë të çmuar dhe pasuri të paluajtshme jashtë shtetit? A mund të mendojnë t'u japin qoftë edhe pak liri qytetarëve të tyre? A do të ishin të gatshëm pronarët egjiptianë që jetojnë në luks ndërsa janë të rrethuar nga varfëria ekstreme t'u kthenin një pjesë të tokës së tyre fshatarëve të varfër egjiptianë? A do të ishte i gatshëm Iraku t'i jepte popullatës së tij kurde lirinë për t'u shprehur dhe për të përmbushur kërkesat e grupeve minoritare për autonomi dhe barazi të vërtetë?
A mund të arrihet një zgjidhje për konfliktin Irak-Iran, i cili ka bërë që gjatë viteve të fundit të humbin jetën një milion njerëz? A do të heqë dorë kolonel Gadafi nga qëndrimi i tij agresiv ndaj vendeve fqinje dhe ambiciet e tij tokësore? A do t'u ofrojë Khomeini dhe ideologjia e tij fondamentalizmit mysliman, i cili kundërshton fuqishëm modernitetin dhe kulturën perëndimore, të drejta të barabarta për gratë dhe liri të shprehjes kritikëve të regjimit aktual teokratik të Iranit?
Sulmet e vazhdueshme të Izraelit janë shqetësuese për shkak se ato largojnë vëmendjen nga problemi themelor me të cilin përballet popullata palestineze. Ky grup i margjinalizuar shfrytëzohet nga vendet arabe për të maskuar sfidat themelore ekonomike, sociale dhe kulturore në tokën e tyre dhe në rajonin e gjerë të Lindjes së Mesme. Arritja e një zgjidhjeje të drejtë midis izraelitëve dhe palestinezëve është e domosdoshme për të siguruar bashkëjetesën paqësore të të dy komuniteteve, për të adresuar ankesat historike dhe për të nxitur një marrëdhënie pozitive.
Nuk jam i sigurt se cila do të ishte kjo zgjidhje. Por, është e sigurtë se kjo zgjidhje nuk do të arrihet përmes akteve terroriste të lidhura me Organizatën për Çlirimin e Palestinës kundër kryebashkiakëve arabë me mendje të pavarur, të cilët po përpiqen të negociojnë paqen në mes të dy popujve në njërin skaj të spektrit dhe as me të çmendurit si Rabin Kahane në skajin tjetër, të cilët kërkojnë të dëbojnë palestinezët nga toka dhe komunitetet e tyre.
Sado e rëndësishme të jetë zgjidhja, në mes të konflikteve komplekse dhe tragjike midis izraelitëve dhe palestinezëve, ne nuk duhet të injorojmë problemin themelor në Lindjen e Mesme, të përfaqësuar nga politikanë manipulues, pronarë të pasur tokash, shefa të fuqishëm të naftës, regjime ushtarake autoritare, udhëheqës fetarë ekstremistë dhe fuqi agresive imperialiste.
Duke pasur parasysh këtë kontekst, është e rëndësishme të merret parasysh se të dy grupet ndajnë më shumë interesa të përbashkëta sesa dallime. Do të ishte një shenjë e rëndësishme e autonomisë politike nëse qytetarët që shprehin shqetësime të justifikuara për diktaturat ushtarake në Amerikën Latine do të pranonin ngjashmëritë e habitshme që hasin në Lindjen e Mesme, nga koloneli Gaddafi e deri te gjenerali Assad.
Burimi : Geopoliticaleconomy