Rezistenca Palestineze tashmë ka fituar në Gaza

nga Susan Abulhawa | Publikuar në Nën. 30, 2023, 1:57 a.m.

"Nuk ka asgjë që Izraeli mund të bëjë për të ndaluar humbjet e tij. Ajo që është në rrezik nuk janë vetëm humbjet materiale, shkatërrimi ekonomik ose humbja e madhe e besimit dhe reputacionit në botë. Përkundrazi, izraelitët kanë humbur njerëzimin e tyre."

Cilido qoftë rezultati i pushtimit gjenocidal të Gazës nga Izraeli, rezistentët palestinezë tashmë kanë fituar.

Fitorja ishte e tyre që nga ajo ditë e parë kur nisën një sulm të suksesshëm ushtarak në objektivat izraelite. Ishte një goditje shkatërruese për Izraelin, i cili për ekzistencën e tij i detyrohet kryesisht prestigjit të tij ushtarak dhe aftësisë për të terrorizuar popullsinë vendase palestineze dhe fqinjët e tij arab përreth.

Hamasi shënjestroi në mënyrë specifike kolonitë e fortifikuara që Izraeli ka krijuar dhe zgjeruar në të gjitha qendrat e jetës palestineze për dekada të tëra. Si të gjitha kolonitë sioniste, ato që rrethojnë Gazën u ndërtuan në fshatrat stërgjyshore të palestinezëve që vazhdojnë të jenë refugjatë.

Izraeli importon hebrenj të huaj nga e gjithë bota dhe i nxit ata të jetojnë në vijën e frontit si mburojë njerëzore kundër kërkesave të palestinezëve për liri dhe kthim në shtëpitë e tyre. Për shumë nga luftëtarët që u rezistuan torturuesve të tyre, 7 tetori ishte dita kur ata mundën të thyenin muret e burgut të hapur të Gazës për herë të parë dhe të shihnin tokën stërgjyshore për të cilën më parë kishin dëgjuar  vetëm në historitë që u kishin treguar.

Që nga ajo ditë fatale, Rezistenca i ka treguar popullit të saj dhe botës se ideja e pathyeshmërisë së Izraelit është një mashtrim, një tigër letre klasik.

Siç thotë shprehja popullore arabe, "al-jayshullezi la yukhar" - kjo ushtri e pathyeshme - u dëshmua të ishte një legjendë e barabartë me ato të Biblës. Një forcë e vogël e armatosur guerile me raketa të bëra vetë dhe armë të vogla arriti të neutralizonte kullat e vrojtimit izraelite dhe të anashkalonte aparatin famëkeq të inteligjencës izraelite për orë të tëra. Krahë të ndryshëm të rezistencës palestineze kanë kapur izraelitët për t'i përdorur ata për të negociuar për lirimin e mijëra të burgosurve palestinezë, shumica prej të cilëve janë burgosur për vite pa akuza apo gjyq.

Trillime

Izraeli u përpoq në mënyrë të dëshpëruar të kontrollonte narrativën rreth këtij incidenti dhe u trilluan një sërë mashtrimesh, duke e kthyer aparatin e famshëm propagandistik të Izraelit në qeshjen e shekullit. Gënjeshtrat e bujshme rreth përdhunimeve dhe foshnjave të cilave ju janë prerë kokët, fillimisht u përsëritën në mënyrë jokritike nga mediat kryesore perëndimore, por më vonë u tërhoqën në heshtje.

Numri i dyzet foshnjave të vdekura u reduktua në një. Ndërsa fillimisht u tha se u vranë1400 izraelitë , ky numër më vonë ra në 1200. U shfaqën pamjet e videove që tregonin se shumë njerëz, përfshirë edhe ata që shkonin për argëtim, në fakt u vranë dhe u dogjën nga Apaçët e Izraelit të dërguar nga SHBA, të cilët hapën zjarr mbi turmën dhe robërit, së bashku me luftëtarët e Hamasit që i mbanin.​

Gjithashtu, Izraeli u përpoq të paraqiste "prova" të fshehta se spitali Al-Shifa në Gaza po përdorej nga luftëtarët e Hamasit. Përdoruesit e mediave sociale hapën menjëherë vrima të mëdha në narrativën zyrtare, duke detyruar ushtrinë izraelite të fshinte videot dhe t'i zëvendësonte ato me montazhe edhe më absurde.

​Por, zbulimi më i rëndësishëm të cilin rezistenca palestineze i ka paraqitur botës është falimentimi moral i mahnitshëm i Izraelit dhe hipokrizia e Perëndimit që e duartrokit atë. Jo vetëm institucionet politike dhe ushtarake të Izraelit, por i gjithë populli i tij shfaq mizori, pamëshirë dhe dhunë të paarsyeshme.

Izraelitët e zakonshëm vazhdojnë të postojnë video duke tallur vuajtjet e papërshkrueshme të palestinezëve të vrarë në mënyrat më të tmerrshme. Trupat e këtyre palestinezëve copëtohen, digjen ose varrosen të gjallë në shtëpitë e tyre të bombarduara. Ndërkohë, izraelitët kërcejnë dhe festojnë në rrugë, duke bërë thirrje për gjenocid të plotë të palestinezëve dhe zgjerimin e kolonive sioniste në tokat e vjedhura.


Ata janë aq të dehur me fuqinë e tyre dhe kënaqësinë e tyre për vrasjen e të paktën 20,000 palestinezëve në gjashtë javë, saqë nuk arrijnë të kuptojnë se si gjakftohtësia e tyre trondit ndërgjegjet e tyre.

Guximi

Izraeli filloi të kërcënonte për pushtim tokësor menjëherë pas 7 tetorit. Por ai vazhdoi ta vononte këtë edhe pasi Shtetet e Bashkuara i erdhën në ndihmë duke dërguar dy aeroplanmbajtëse dhe nëndetësen e saj më të avancuar bërthamore në Mesdhe (së bashku me bomba dhe armë të tjera, si dhe miliarda dollarë ndihmë financiare të financuara nga taksat e SHBA-së).

Çdo përpjekje e tyre për të hyrë në Gaza u përball me rezistencë të ashpër nga palestinezët, duke bërë që Izraeli të tërhiqej disa herë. Kur Izraeli më në fund filloi të hynte në Gaza, rezistenca palestineze mposhti ushtarët izraelitë.

Krahu ushtarak i Hamasit, Brigadat Kasam dhe struktura të tjera të rezistencës vazhdojnë të publikojnë çdo ditë video dëshmi të operacioneve të tyre. Ata po i rezistojnë masakrave të papërshkrueshme të fuqive më të mëdha ushtarake në botë të të gjitha kohërave.

Marrëveshja e shkëmbimit të të burgosurve po bëhet në po ato kushte të cilat Hamasi i ka përcaktuar që në fillim. Lëvizja kishte thënë se nuk do të lirohej asnjë i burgosur pa lirimin e të burgosurve politikë palestinezë.

Për momentin, 50 gra dhe fëmijë izraelitë janë duke u shkëmbyer për 150 gra dhe fëmijë palestinezë, të cilët janë duke vuajtur në burgjet izraelite që para 7 tetorit.

Guximi i luftëtarëve të rezistencës palestineze është legjendar. Njerëz të armatosur lehtë me kostume sportive Adidas dhe rrogoza hedhin në erë njëra pas tjetrës tanket izraelite, duke mposhtur organizatorët më të famshëm ushtarakë izraelitë dhe amerikanë dhe duke marrë gjithnjë e më shumë robër.

Nuk është për t'u habitur fakti që gjigantët e mediave sociale, të ndikuar shumë nga axhendat sioniste, i ndaluan përdoruesit të shpërndanin këto video, të cilat dëshmojnë qartë se viktimat ushtarake të Izraelit nuk janë raportuar shumë.

Por kjo nuk ka më shumë rëndësi. Nuk ka asgjë që Izraeli mund të bëjë për të ndaluar humbjet e tij.

Ajo që është në rrezik nuk janë vetëm humbjet materiale, shkatërrimi ekonomik ose humbja e madhe e besimit dhe reputacionit në botë. Përkundrazi, izraelitët kanë humbur njerëzimin e tyre.

Ajo që mbetet para syve të botës është guaska e pashpirt e një makinerie vrasëse, në dukje e aftë për asgjë tjetër veçse të vrasë, shkatërrojë dhe terrorizojë me shumicë.

Izraeli shkatërroi Gazën. Bombardoi rrugë, shtëpi, ndërtesa, furra buke, qendra tregtare, dyqane, hidraulik, universitete dhe spitale; I ka kthyer të gjitha institucionet në varreza mbitokësore trupash, kujtimesh, ëndrrash dhe potencialesh që nuk do t'i njohim kurrë.

Nuk është e mundur të kuptosh barbarinë e vrasjes së më shumë se 20,000 njerëzve dhe gjymtimit të dhjetëra mijëra të tjerëve brenda pak javësh. Është e dhimbshme edhe të imagjinohet terrori dhe trauma që Izraeli ka shkaktuar mbi 2.3 milionë njerëz që nuk kanë ku të ikin, e veçanërisht në një kohë kur kanë ndërprerë edhe aksesin në ujë, ushqim, karburant dhe furnizime mjekësore.

Ekziston frika e besueshme për vdekje nga uria dhe etja, dhe me siguri do të shkaktohet edhe më shumë.

Çmimi që palestinezët janë detyruar të paguajnë është i paimagjinueshëm dhe paguhet me një vendosmëri po aq të pabesueshme, besim të thellë, dinjitet dhe përulësi, gjë që kjo situatë duhet ta bëjë botën të qajë nga turpi.

Falë rezistencës së guximshme të palestinezëve, bota nuk do të jetë më e njëjta. Brigadat Kasam kanë bërë një luftë për çlirimin e atdheut tonë dhe duke e bërë këtë po na zgjojnë dhe çlirojnë të gjithëve.

Sado njerëz të vrasë, sado të vjedhë dhe bombardojë, Izraeli nuk mund ta mohojë humbjen e tij. Izraeli nuk mund të vazhdojë të jetojë me shpatën e tij.

Izraeli ose do të braktisë ideologjinë e tij supremaciste, përjashtuese sioniste dhe do të integrohet në shoqërinë dhe rajonin palestinez si të barabartë dhe jo si zotër, ose do të shkatërrohet nga një rezistencë shumë më e madhe, e vendosur dhe pa kompromis. Ashtu si ai dëshiron të na shkatërrojë neve.

Nuk do të harrojmë kurrë ato që ndodhën.



Burimi : The Electronic Intifada

Susan Abulhawa

Susan Abulhawa (arabisht: سوزان أبو الهوى, lindur më 3 qershor 1970) është një shkrimtare palestinezo-amerikane ...