Diplomacia amerikane ka humbur ndikimin e saj në Lindjen e Mesme, izolimi i Iranit nuk është më i mundur

nga Mk Bhadrakumar | Publikuar në Nën. 3, 2023, 6:21 a.m.

Mjedisi global është mjaft kompleks; procesi i paqes nuk mund të jetë më nën mbikëqyrjen e Shteteve të Bashkuara. Ministri i Jashtëm rus dhe i dërguari i posaçëm, Mikhail Bogdanov zhvilloi takime me ministrin e jashtëm iranian, Ali Bagheri Kani dhe shefin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare të Hamasit, Mousa Marzuk. Në një luftë gjithëpërfshirëse me Iranin, Shtetet e Bashkuara mund të pësojnë humbje të mëdha dhe shteti i Izraelit mund të përballet me shkatërrimin së bashku me të.

Presidenti amerikan, Joe Biden beson se një nga arsyet pse Hamasi nisi sulmin ndaj Izraelit ishte njoftimi për Korridorin Ekonomik Indi-Lindje e Mesme-Evropë në Samitin e G20-ës në Nju Delhi. Megjithatë, ai po ashtu pranoi se ky lexim bazohej tërësisht në instinktet e tij dhe se nuk kishte asnjë provë për këtë.

Motivimi i Biden për ta thënë këtë qëndron në nevojën e dëshpëruar që Shtetet e Bashkuara të rimarrin rolin e tyre të udhëheqjes në Lindjen e Mesme muslimane.

Dy realitetet më bindëse që refuzojnë udhëheqjen amerikane janë: së pari, një solidaritet i fortë rajonal i unifikuar që kapërcen ndarjet sektare për të gjetur një zgjidhje në Palestinë si kurrë më parë, dhe së dyti, një afrim saudio-iranian.

Zhvillimet e fundit ku janë të përfshira Hamasi dhe Izraeli kanë minuar përpjekjet e SHBA-së për të bindur Arabinë Saudite të njohë Izraelin. Nuk ka dyshim se qëndrimi i sauditëve ndaj çështjes palestineze është ngurtësuar. Biden kontaktoi të martën me princin e kurorës Muhamed bin Salman me qëllim për të krijuar sa më shumë afrim që të jetë e mundur në mes të Uashingtonit dhe Riadit.

Por leximi i Shtëpisë së Bardhë tregon se një masë kritike mbetet e paqartë: edhe pse të dy udhëheqësit ranë dakord për gjeneralitetet, ata nuk arritën të bien dakord për diçka aq thelbësore siq është një armëpushim i menjëhershëm në mes të Izraelit dhe Hamasit.

Kjo mosmarrëveshje e thellë reflektohet edhe në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ku Emiratet e Bashkuara Arabe mbështesin rezolutën ruse që bën thirrje për "një armëpushim humanitar të menjëhershëm, të përhershëm dhe plotësisht të respektuar ", por kundërshton rezolutën e SHBA-së, e cila është evazive në lidhje me përfundimin e luftës dhe në vend të kësaj thekson të drejtën e Izraelit për vetëmbrojtje.

Një deklaratë e përbashkët e nënshkruar të enjten nga ministrat e jashtëm të Egjiptit, Jordanisë, Bahreinit, Emirateve të Bashkuara Arabe, Arabisë Saudite, Omanit, Katarit, Kuvajtit dhe Marokut bëri thirrje për një armëpushim të menjëhershëm në Rripin e Gazës. Në deklaratë, në paralajmërimin për SHBA-në dhe Izraelin thuhej: “E drejta e vetëmbrojtjes sipas Kartës së Kombeve të Bashkuara nuk justifikon shkelje të hapura të së drejtës humanitare dhe të drejtës ndërkombëtare”.

Kur shikojmë përpara, pyetja e vërtetë ka të bëjë me qëllimet e Amerikës. A është përkulje e muskujve apo një komplot i fshehtë për të krijuar fakte që mund të vlerësohen si një shkak lufte për të nisur një sulm kundër Iranit, një projekt i kahershëm i neokonservatorëve që dominojnë diskursin e politikës së jashtme të SHBA-së?

Në një konferencë shtypi të zhvilluar në Shtëpinë e Bardhë të mërkurën, Biden njoftoi se ka paralajmëruar udhëheqësin fetar të Iranit, Ajetullah Ali Hamenei se Uashingtoni do të përgjigjet nëse Teherani vazhdon të "veprojë kundër" forcave amerikane në rajon.

Nëse duhet cituar Biden-in, ai u shpreh se: "Paralajmërimi im për Ajetullahun është se nëse ata vazhdojnë të veprojnë kundër këtyre trupave, ne do të përgjigjemi. Dhe ai duhet të jetë i përgatitur. Nuk ka të bëjë fare me Izraelin." (Biden po i referohej sulmeve të shtuara ndaj bazave amerikane në Irak dhe Siri.)

Zëvendësi politik i zyrës presidenciale iraniane, Mohammed Jamshidi, kundërshtoi fjalët e Biden duke thënë se: "Mesazhet e SHBA-së as nuk i drejtoheshin liderit revolucionar dhe as nuk ishin ndonjë gjë tjetër veç kërkesave dhe dëshirave të tyre nga Irani. Nëse Biden mendon se e ka paralajmëruar Iranin, ai duhet t'i kërkojë ekipit të tij të i'a tregojë tekstin e mesazheve." 

Disa orë më vonë, kur u pyet për sqarime, zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, John Kirby u shpreh se: "U përcoll një mesazh i drejtpërdrejtë. Por kjo është e gjitha që mund të them."

Mund të mendohet se sulmet e fundit të grupeve militante në Siri dhe Irak po i shkaktojnë Bajdenit një dhimbje koke në politikën e brendshme. Thuhet se deri më tani janë plagosur rreth dy duzina ushtarë amerikanë dhe është vrarë një kontraktor ushtarak. Në Irak ka rreth 2500 ushtarë amerikanë, ndërsa në Siri rreth 900.

Ndoshta Biden po luante me turmën. Kjo nuk është e pazakontë në mosmarrëveshjet SHBA-Iran. Por më shumë gjasa, Shtetet e Bashkuara shpresojnë të shtyjnë Iranin për të parandaluar grupet e milicisë që veprojnë lirshëm në Siri dhe Irak për të mos përkeqësuar situatën edhe më tej.

Irani i bashkohet Kinës, Rusisë dhe Shteteve Arabe në thirrjen për një armëpushim të menjëhershëm për të krijuar kushte të favorshme për diplomacinë për të adresuar në mënyrë kuptimplote çështjen palestineze. Ata janë pro zgjidhjes me dy shtete (Irani nuk e mbështet zgjidhjen me dy shtete, nuk e njeh Izraelin si shtet - Intizar). Në mënyrë ironike, edhe SHBA pretendon se mbështet zgjidhjen me dy shtete.

Duke lexuar nga një tekst i përgatitur, në një konferencë shtypi në Shtëpinë e Bardhë dje, Biden tha: "Izraeli ka të drejtën dhe përgjegjësinë për t'iu përgjigjur masakrës së popullit të tij. Dhe ne do të sigurojmë që Izraeli të ketë gjithçka që i nevojitet për të mbrojtur veten kundër këtyre terroristëve. Kjo është një garanci...

"Por, kjo situatë nuk e zvogëlon nevojën e Izraelit për të vepruar në përputhje me ligjet e luftës - Ai duhet të bëjë gjithçka që mundet për të mbrojtur civilët e pafajshëm - Izraeli duhet të bëjë gjithçka që mundet për të mbrojtur civilët e pafajshëm...

"Po ashtu, unë dua të ndaj pak kohë për të parë të ardhmen që kërkojmë. Izraelitët dhe palestinezët në mënyrë të barabartë meritojnë të jetojnë krah për krah në siguri, dinjitet dhe paqe. Dhe nuk ka kthim në status quo-në e 6 tetorit...

"Në të njëjtën kohë, kjo do të thotë se pasi të përfundojë kjo krizë, duhet të ketë një vizion se çfarë do të ndodhë më pas. Dhe sipas nesh, duhet të ketë një zgjidhje me dy shtete. Kjo nënkupton një përpjekje të bashkërenduar nga të gjitha palët – izraelitët, palestinezët, partnerët rajonalë, liderët globalë – për të na vënë në rrugën drejt paqes."

A japin këto fjalë përshtypjen se Biden po përgatitet për një luftë me Iranin? Ndoshta për herë të parë, ka një fije shprese se Shtetet e Bashkuara nuk do të qarkullojnë më rreth çështjes palestineze. Siç tregojnë edhe negociatat në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, në fund të fundit është se të gjitha fuqitë përgjegjëse e kuptojnë se Lindja e Mesme mbetet qendra e gravitetit në politikën botërore dhe se një zjarr në rajon mund të kthehet lehtësisht në një luftë botërore. Dhe asnjë nga fuqitë e mëdha nuk dëshiron një rezultat të tillë apokaliptik.

Megjithatë, megjithëse Shtetet e Bashkuara ende zotërojnë fuqi të pakrahasueshme në Lindjen e Mesme, ndikimi i saj është zvogëluar ndërsa shfaqen realitete të reja:

- Izraeli është bërë më i fuqishëm ushtarakisht dhe ekonomikisht përballë palestinezëve, por nuk ka më dominim rajonal.

- Dy fuqitë dominuese në Lindjen e Mesme, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe po parashtrojnë gjithnjë e më shumë interesat e tyre.

- Edhe pse Kina është një lojtar relativisht i ri, nuk e kufizon më vetën me diplomacinë ekonomike.

- Shtetet e Bashkuara kanë humbur aftësinë për të përfituar nga tregu botëror i naftës pasi që Rusia punon ngushtë me Arabinë Saudite në kuadër të OPEC+ për të kalibruar nivelet dhe çmimet e prodhimit të naftës.

- Si rezultat, petrodollari po dobësohet.

- Marrëveshjet e Abrahamit u neglizhuan.

- Vitet e fundit, konflikti arabo-izraelit ka marrë dimensione të reja falë rritjes së boshtit të rezistencës dhe kjo kërkon që Shtetet e Bashkuara të marrin qëndrime të reja dhe të mendojnë në mënyrë operacionale.

- Politika izraelite ka lëvizur ndjeshëm drejt ekstremit të djathtë.

- Mjedisi global është mjaft kompleks; procesi i paqes nuk mund të jetë më nën mbikëqyrjen e Shteteve të Bashkuara. Të enjten, Rusia zhvilloi një takim trepalësh në Moskë me zëvendësministrin e jashtëm të Iranit dhe një delegacion të Hamasit. Më vonë, zëvendësministri i Jashtëm rus Mikhail Bogdanov, i cili është gjithashtu Përfaqësuesi Special për Lindjen e Mesme dhe Afrikë, njoftoi se udhëheqësi palestinez Mahmud Abbas "së shpejti do të bëjë një vizitë zyrtare" në Moskë për t'u takuar me presidentin rus Vladimir Putin.

Në një luftë gjithëpërfshirëse me Iranin, Shtetet e Bashkuara mund të pësojnë humbje të mëdha dhe shteti i Izraelit mund të përballet me shkatërrimin së bashku me të. Në fakt, Irani mund të preferojë aftësinë e parandalimit bërthamor. Është pothuajse e sigurt se lufta SHBA-Iran do të kthehet në një luftë botërore. Sinqerisht, lufta nuk është një opsion.

Prandaj, ekziston rrezik i lartë në operacionin tokësor të Izraelit në Gaza. Nëse Izraeli zhytet në Gaza, gjë që nuk përjashtohet, ka shumë gjasa që Hezbollahu të hapë një front të dytë. Dhe kjo mund të shkaktojë një reaksion zinxhir që mund të dalë jashtë kontrollit. Këtu qëndron rreziku në qoftë se nuk arrihet një armëpushim i menjëhershëm në konflikt.



Burimi : Indian Punchline