Monografia “101 Personalitete...” kryevepra e krijimtarisë letrare të shkrimtarit Mexhid Yvejsi
Para ca ditësh përfundova së lexuari librin me titull: ”101 Personalitete-Fetare-Atdhetare-Kulturore-Letrare” nga 15 librat e botuara të poetit, shkrimtarit, studiuesit dhe hulumtuesit Mexhid Yvejsi nga Gjakova, i cili ndërroi jetë para ca kohësh, saktësisht me datë 12.02.2021.
Monografia”101 Personalitete...” është kryevepra e krijimtarisë letrare të shkrimtarit Mexhid Yvejsi. Do të mjaftonte vetëm ky libër, që shkrimtari Mexhid Yvejsi të mbetet përherë i shënuar në analet e krijimtarisë letrare shqiptare, duke mos llogaritur edhe libra tjera të shkruara dhe të botuara, si dhe mbi 1500 shkrime e punime tjera të shkruara dhe të botuara nëpër gazetat dhe revistat e ndryshme, si dhe në portalet dhe rrjetet sociale.
Këtë libër, poeti dhe shkrimtari Mexhid Yvejsi i ka “dedikuar të gjithë atyre që kontribuan për dijen dhe fenë në trojet shqiptare”. Në këtë monografi Mexhid Yvejsi i ka prezantuar gjithsejtë 101 personalitete shqiptare nga të gjitha trojet shqiptare, duke filluar nga Nezim Frakulla(1680-1760) e përfunduar me Sheh Zenel Dana(1939-1999).
Në parathënien e librit shkrimtari Mexhid Yvejsi cek përveç tjerash edhe lidhshmërinë në mes kulturës dhe politikës, në të cilin thekson: ”Çdo shoqëri njerëzore shfaq dy farë vullnetesh shoqërore. E para është Kultura, e dyta është Politika. Kultura përmbledh të gjitha përpjekjet teorike dhe përshtypjet shpirtërore ose materialiste të një shoqërie. Kurse Politika përmban dhe përmbledh të gjitha mundimet praktike që bën një grup shoqëror brenda rrokullimeve të historisë së vet. Politika ecën drejt për drejtë për në Fuqi dhe për në Pushtet. Kultura është një mënyrë, me të cilin njerëzit lidhen, njihen, afrohen, kuptohen, falë komunikimit ndërmjet tyre. Qëllimi i kulturës është, gjithashtu, t’i japë një kuptim jetës... ”.
E veçanta e kësaj monografie qëndron në atë se nga 101 personalitete të prezantuara, shumica prej tyre përveç kontributit fetar, atdhetar, kulturor, kanë lënë gjurmë në krijimtarinë letrare me poezi, tregime, libra dhe vepra të shkruara nga fusha të ndryshme të cilët do të mbesin thesare të çmuara për historinë, kulturën dhe letërsinë shqiptare.
Gjithashtu, shkrimtari Mexhid Yvejsi me një numër të konsiderueshëm të këtyre personaliteteve të përshkruara në monografi, ka pas rast drejtpërsëdrejti të bashkëjetojë, bashkëbisedojë, gjatë jetës së tij në Gjakovë, Prishtinë, Shkup, Tiranë, por edhe gjatë kohës sa ka qëndruar në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Disa nga këto personalitete të rëndësishme fetare, atdhetare, kulturore, pas ngadhënjimit të sistemit komunist pas luftës së dytë botërore janë detyruar të largohen nga trojet e tyre shqiptare, nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, dhe janë strehuar në emigracion, kryesisht në Evropë dhe Amerikë, ku edhe kanë përfunduar jetën e tyre larg vendlindjes së tyre të dashur.
Në këtë vështrim të shkurtër rreth këtij libri do të cek disa nga personalitetet të përshkruara në këtë monografi të shkrimtarit Mexhid Yvejsi, e cila ia vlen të lexohet nga lexuesit e fjalës së shkruar.
Hafiz Yvejs Efendija- ishte me prejardhje nga Shkodra, familja e së cilës është vendosur në Gjakovë para vitit 1700. Nga trungu i kësaj familje vjen edhe shkrimtari Mexhid Yvejsi, emrin e të cilit e mban si mbiemër tani familja Yvejsi nga Gjakova. Hafiz Yvejsi është themelues i Medresesë së Madhe të Gjakovës, ka qenë myderriz(profesor) i parë i kësaj Medreseje. Murad begu i cili ka financuar ndërtimin e Medresesë së Madhe të Gjakovës në shenjë respekti dhe nderimi ndaj Hafiz Yvejs efendisë ia ka dhuruar me myhyr(vulë) një libër dorëshkrim ”Mexhmua-Përmbledhje” që daton nga viti 1347 që është dokumenti më i vjetër që ruhet në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës. Ndërsa Hafiz Yvejs efendia ka qenë i pari i cili ka shkruar poezinë e parë në gjuhën shqipe në Kosovë me alfabet arab në vitin 1699.
Tahir efendi Gjakova(1770-1850) - njihet përveç tjerash edhe në letërsinë shqiptare të bejtexhinjve, ka shërbyer s misionar, poet, shkrimtar, pedagog, myderriz, imam, sufi, ka qenë myderriz i parë i Medresesë së vogël të Gjakovës. E veçanta e Tahir efendi Gjakovës qëndron në atë se ka shkruar në gjuhën shqipe veprën “Vehbije” që është libri i parë shqip me alfabet arab, në Kosovë të cilin e shkroi në vitin 1835. Ky libër është ribotuar pas 72 vite në Sofje, në vitin 1907, me alfabet latin nga Shoqëria “Bashkimi” në shtypshkronjën shqiptare “Mbrethësia” të atdhetarit të shquar Kristo Luarasi, i cili libër bëri jehonë të madhe në atë kohë.
Hoxhë Hasan Tahsini(1812-1881) – ka qenë hoxhë, kadi, myfti, dijetar i shquar me përmasa botërore. Përveç mësimeve fetare ka kryer edhe Fakultetin e Shkencave Natyrore në Universitetin e Sorbonës në Paris, ka qenë rektori i parë i Universitetit të porsahapur të Stambollit. Hoxhë Hasan Tahsini nuk ishte vetëm fetar, atdhetar, por ishte edhe dijetar, mendimtar, përkthyes, poet, shkrimtar, letrar, një enciklopedi e gjallë, në kuptim të plotë të fjalës. Sipas burimeve turke, Hoxha Hasan Tahsini ishte njeriu më i ditur i kohës në Stamboll, jo vetëm në shkencat natyrore, por edhe asaj letrare, teologjike, filologjike, filozofike. Turkologu i njohur rus Smirnov në veprën e tij “Përshkrimi i historisë së letërsisë turke” e cilëson Hoxhë Hasan Tahsinin si “Lomonosovin e Turqisë”. Ndërsa historiani Rodrig Davidson në veprën e tij” Reformat në Perandorinë Osmane(1856-1876)”, cek se: “Hoxha Hasan Tahsini është dijetari më i mirë i asaj kohe në Perandorinë Osmane”. Hoxhë Hasan Tahsini ka shkruar dhe botuar më se 20 libra të fushave të ndryshme,të asaj natyrore, astronomike, psikologjike, pedagogjike, fetare, etj.
Shejh Ahmet Shkodra(1881-1927) – ishte një figurë e shquar fetare e kombëtare, ishte një personalitet impozant dhe interesant. Rrjedh nga një familje me traditë fetare. Në Shkodër kreu mësimet fillestare dhe të mesme, ndërsa ndoqi studimet e larta në atë kohë, në Persi, ku mësoi shtatë vite. Shërbeu si mësues besimi në shkollat fillore të Shkodrës,shërbeu si hoxhë, imam në xhaminë e lagjes dhe së fundi si shejh i tarikatit Rifai në Shkodër, Por, ajo që e bëri Shejh Ahmed Shkodrën të paharruar janë veprat e t’ia të shkruara. Ka lënë pas vetes 22 vepra të shkruara.
Hafiz Abdullah Zemblaku(1891-1960) – ishte një shkrimtar i dalluar, por mjerisht për këtë krijues letrar fare pak është shkruar. Rrjedh prej një familje intelektuale, familje që ka dhënë arsimtar, hafëzë, hoxhallarë e shehlerë. Mësimet e para i mori nga babai i vet, të mesmet i kreu në Prilep, ndërsa mësimet e larta në Stamboll. Pas përfundimit, ka punuar si imam, mësues, inspektor arsimi, etj. Krijimtaria e tij letrare është e gjithanshme, ka botuar Abetaren e gjuhës shqipe, gjeografinë në gjuhën shqipe, përveç kësaj ka botuar edhe libra në fushën e historisë drejtësisë, letërsisë, fesë, janë 30 veprat e t’ia të shkruara dhe të botuara.
Myderriz Salih efendi Myftia(1891-1978) – ishte shembull i një besimtari, atdhetari dhe dijetari, ishte myfti i Shkodrës dhe prefekturës së Kosovës, themelues i Qendrës Islame shqiptare për shtetet New York dhe New Jersey në SHBA, njëherit ishte udhëheqës shpirtëror i shqiptarëve mysliman në SHBA-të. Pas luftës së dytë botërore me ngadhënjimin e sistemit komunist në Shqipëri, u largua nga atdheu dhe u vendos në New York te djali i itij Dr. Fuad Myftiu i cili ka doktoruar drejtësinë në Itali. Salih efendi Myftiu shërbeu gjatë gjithë jetës së tij në Amerikë, në Qendrën Islamike Shqiptare në New York, gjer në vitin 1978 kur ndërroi jetë në moshën 87 vjeçare.
Imam Beqir Maloki(1892-1985) - ishte nga Gjakova, mësimet e para i mori në mejtepin e xhamisë së Haxhi Ymerit, për të vazhduar Ruzhdijen dhe shkollën e lartë Dar-ul Mualim në Shkup. Në kohën e Princ Widit në Durrës kishte shërbyer në Gardën Shqiptare Ushtarake të tij. Ka qenë themelues i Bibliotekës në Gjakovë. Pas ngadhënjimit të komunizmit u largua nga Shqipëria, një kohë jetoi në Austri, Gjermani, Egjipt, Liban, Siri dhe Turqi, për t’u vendosur definitivisht në Romë të Italisë në vitin 1958. Në Romë ka shërbyer si imam, me shqiptarët në Itali ka themeluar shoqatën”Unione Islamico in Oksidente”. Përveç veprimtarisë fetare dhe atdhetare Beqir Maloki është marrë edhe me krijimtari letrare. Ka botuar librin me kujtime me titull:”Kujtim brezit të ri” botuar në Romë në vitin 1978 dhe librin “Disa ajete të Kur’anit me shpjegime” në vitin 1982.
Baba Rexheb Beqiri(1901-1995) - Baba Rexhebi u lind në Gjirokastër. Mësimet e para i mori në Gjirokastër, më tutje kreu Liceun e Gjirokastër. Mësoi gjuhët orientale arabishten, persishten dhe turqishte, krahas kësaj ka mësuar edhe gjuhët aksidentale, anglishten, frëngjishten dhe italishten. Në Teqenë Bektashiane në Gjirokastër pran Baba Selim Elbasani u pranua në tarikatin Bektashi. Pas Luftës së Dytë Botërore nuk u pajtua me sistemin komunist që ngadhënjeu në Shqipëri dhe emigroi në Itali, pastaj kaloi në Egjipt dhe përfundimisht në vitin 1952 u shpërngul në SHBA-të , u vendos në qytetin e Detroitit, në shtetin Michigan, në të cilin themeloi Teqenë Bektashiane Shqiptaro-Amerikane. Krahas aktiviteteve fetare Baba Rexheb Beqiri në vitin 1970 botoi librin me titull: ”Misticizma islame dhe Bektashizma” në New York. Në vitin 1997 u botua edhe përkthimi i librit “Hadikaja ose Kopshti i të përsosurve” të Fuzuliut përkthyer nga Baba Rexhebi.
Burimi : Bota Sot