Krijimtaria letrare, fetare e atdhetare e Mexhid Yvejsit
Poeti, shkrimtari, publicisti dhe studiuesi Mexhid Yvejsi nga Gjakova, la pas vetit një krijimtari të pasur letrare, fetare e atdhetare. Përveç se ka lexuar mbi 15.000 libra, ka lënë një mori shkrimesh dhe punimesh të ndryshme(mbi 1000 sosh), poezi e prozë, publicistikë, përkthime, ese, punime shkencore, studime, hulumtime në fushën e letërsisë, kulturës, fesë, historisë, etj. Shkrimet dhe punimet e t’ia pothuajse janë botuar në gazeta dhe revista të ndryshme në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni dhe diasporë, e së fundit me zbulimin e internetit edhe në ueb portale dhe rrjete sociale. Disa prej shkrimeve të t’ia janë përkthyer edhe në gjuhën angleze, boshnjake, turke, arabe e perse. Ka marr pjesë me kumtesa në tryeza, seminare, simpoziume me karakter lokal, kombëtar dhe ndërkombëtar.
Përveç shkrimeve dhe punime të shumta, ka shkruar dhe përkthyer 25 libra, prej të cilëve 15 librat e tij kanë pa dritën e botimit. Në këtë shkrim do të prezantojë të të 15 librat e botuara nga poeti, shkrimtari, publicisti dhe studiuesi Mexhid Yvejsi nga Gjakova.
Libri i parë i botuar i Mexhid Yvejsit është libri i përkthyer nga gjuha angleze me titull: ”Prej errësirës në dritë” të cilin e ka botuar Shtëpia botuese Logos-A nga Shkupi, në vitin 1997. Në këtë libër Mexhid Yvejsi i ka përkthyer “rrëfimet e shkencëtarëve, filozofëve, priftërinjve, diplomatëve dhe intelektualëve të ndryshëm të të gjitha moshave , nga të gjitha kontinentet, të cilët kanë dëshmuar përse e kanë pranuar fenë islame dhe janë bërë mysliman”. Ky libër i përkthyer nga Mexhid Yvejsit ka përjetuar edhe dy ribotime tjera.
Libri i dytë i botuar i Mexhid Yvejsit është me titull: “Në shërbim të Zotit, në shërbim të popullit”, kushtuar Sheh Shefqetit dhe Teqës së Madhe, Sa’adi në Gjakovë, botuar nga Sheh Muhamed Shehu në Gjakovë në vitin 1998. Në këtë libër të përgatitur Mexhid Yvejsi jep një përshkrim të sufizmit(tesavufit) apo mistikës islame, tarikateve në Kosovë, me theks të posaçëm të Teqesë së madhe të Gjakovës, të tarikatit Sa’di, si dhe për figurën dhe veprimtarinë e Sheh Shefqetit dhe personaliteteve tjera të familjes Shehu të Teqesë së madhe të Gjakovës.
Libri i tretë i botuar i Mexhid Yvejsit është përmbledhja e disa poezive me titull:”Lavdi Zotit Kosova do të jetojë”. Në këtë përmbledhje janë gjithsejtë 20 poezi me tematikë fetare, atdhetare dhe kulturore, të cilët autori pas përfundimit të luftës së Kosovës në vitin 1999, i ka kushtuar shpirtit të ndritur të shehid Haxhi Hasan Vuçitërnës, dëshmorit nga Rahoveci, “për fe e atdhe, me dashurinë e një biri të të bindur në përvjetorin e parë të flijimit të tij”. Prej kësaj përmbledhje të poezive të Mexhid Yvejsit do të veçoja poezitë: ”Kosova do të jetojë”, “Kur mendoj për Kosovën”, Pranvera në Kosovë”, “Lutje natën e Kurban Bajramit”, “Lum Shqipëria për këtë burrë” dhe “Kosova do të jetë varri i tyre”.
Libri i katërt i botuar i Mexhid Yvejsit është libri me titull:”Ilaçi i lumturisë” i autorit Muhamed Gazaliut të cilin e ka përkthyer nga gjuha angleze me titull:”The alchemy of happines”. Ky libër është botuar nga Shoqata Kulturore “Urtësia”në vitin 2000 në Gjakovë. Libri “Ilaçi i lumturisë” është “shkruar para 10 shekujve nga penda e mirënjohur, Imam Gazaliut në gjuhën perse. Shkrimtari i njohur anglez Claud Field e ka përkthyer nga gjuha hinduse dhe e botoi në Pakistan bë vitin 1964, i cili u ribotua edhe në vitin 1971, 1973.
Libri i pestë i botuar i Mexhid Yvejsit është libri me titull:”Pse nuk duhet të kremtohet dy mijë vjetori i Krishterimit” botuar nga botuesi”Shpresa e Kosovës” në vitin 2000 në Prishtinë. Në këtë libër shkruan për” ditëlindjen e Krishtit me 25 dhjetor sipas kalendarit gregorian, si dhe për atë se si Krishtlindjet në botë tani janë shndërruar në një proces të dukshëm tregtie”.”Për botën tregtare, e cila nuk le mjet pa përdorur vetëm që t’i shtojë fitimet. Krishtlindjet dhe Viti i Ri është sezoni i vitit që siguron më shumti para, fitime. Tregtarët e presin me padurim Krishtlindjet e Vitin e Ri, jo nga ndjenjat fetare, jo nga dashuria për Krishtin, por nga dashuria për fitim”.
Libri i gjashtë i botuar i Mexhid Yvejsit është libri me titull:”Për fe e atdhe” botuar nga Shoqata “Urtësia” në vitin 2001 në Gjakovë. Ky libër është një përmbledhje prej 30 punimeve me tematikë fetare e atdhetare. Nga këto 30 punimeve të përmbledhura në libër do t’i veçoja shkrimet:”Jam shqiptar dhe besimtar”, “Fe apo atdhe”, “Cila është feja e shqiptarit”, “Islamizmi nuk është muhamedanizëm”, “Krishterimi ndër shqiptarët”, “E ardhmja religjioze e Kosovës”, “Sami Frashëri në shërbim të çështjes Islame”,”Naimi si besimtar dhe prijës shpirtëror” dhe “Dita e Flamurit, Dita e pavarësisë, Dita e përgjegjësisë”.
Libri i shtatë i botuar i Mexhid Yvejsit është libri me titull: ”Kështjellat e gjakut tonë”, botuar nga Shoqata Kulturore”Urtësia” në vitin 2002 në Gjakovë. Ky libër përbëhet prej dy poezive të cilat i kushtohen xhamisë së Hadumit dhe Medresesë së madhe të Gjakovës, “dy objekte më të rëndësishme jo vetëm të Gjakovës, por edhe të mbarë Kosovës, më të rëndësishme jo vetëm për rëndësinë fetare , por edhe atë kombëtare., të cilët u dogjën nga pushtuesi serb gjatë luftës s në Kosovë në vitin 1999.
Libri i tetë i botuar i Mexhid Yvejsit është libri me titull:”Ylematë e Gjakovës, mburojë e Kosovës”, botuar nga Shoqata Kulturore”Urtësia “ në vitin 2003 në Gjakovë. Ky libër është botuar me rastin e 50 vjetorit të “Marrëveshjes Xhentëlmene” të vitit 1953 për ” shfarosjen dhe dëbimin e shqiptarëve nga Jugosllavia në Turqi. Ishte një program në vazhdimësi nga planet kombëtare serbe për shpërnguljen e popullit shqiptar nga ish Jugosllavia. Ylemaja shqiptare ishte një nga faktorët vendimtar në pengimin e shpërnguljes së shqiptarëve në Turqi”.
Libri i nëntë i botuar i Mexhid Yvejsit është libri me titull:” 99 emrat e bukur të Allahut” botuar në Gjakovë në vitin 2010. Autori për çdo njërin nga 99 emrat e Allahut i ka përshkruar me nga një strofë me vargje për domethënien e çdo emri të Krijuesit Fuqiplotë. Autori nëpërmes vargjeve të strofave e përshkruan në mënyrë të mrekullueshëm domethëniet e 99 emrave të Zotit Fuqiplotë.
Libri i dhjetë i botuar i Mexhid Yvejsit është libri me titull:”Prejardhja e festave” botuar në Gjakovë në vitin 2011. Ky libër merret “jo vetëm me festat, por krejt ndryshe, ai merret me çështje të mprehta në kufirin ndërmjet besimit dhe mashtrimit”. Në këtë libër Mexhid Yvejsi i ka përmbledhur gjithsejtë 11 prejardhje të festave, duke nisur nga: Prejardhja e Kalendarit, e muajve të vitit, të Vitit të Ri, Ditës së Shën Valentinit, Ditës së Nevruzit, Ditës së Shën Gjergjit, Natës së Shtrigave, Darkës së Lamës, Ditës së Falënderimeve, Baba dimrit, dhe përfundon me prejardhjen e festës së Bredhit.
Libri i njëmbëdhjetë i botuar i Mexhid Yvejsit është libri me titull:”Në dritë të njohjes”, botuar në Gjakovë në vitin 2012. Ky libër është një përmbledhje e kumtesave të lexuara nga Mexhid Yvejsi në tryeza, takime, simpoziume të ndryshme shkencore të nivelit lokal, kombëtar dhe ndërkombëtar. Janë gjithsejtë 12 kumtesa shkencore të prezantuara në Gjakovë, Prishtinë, Kavajë, Prizren, Tiranë, Gjilan, Mashad.
Libri i dymbëdhjetë i botuar i Mexhid Yvejsit është libri me titull:” Hafizët e Gjakovës-krenaria e Kosovës”, botuar në Gjakovë në vitin 2013.”Hafiz do të thotë Ruajtës, Gardian apo Mbrojtës i Kur’anit, që ka kuptimin ai që e mëson përmendësh Kur’anin, që e ruan në kujtesë, memorie”. Ky libër është përmbledhje e hafizëve të Gjakovës, në libër janë gjithsejtë 26 hafizë të prezantuar që nga hafiz Yvejs efendiu i vitit 1700 gjer te hafiz Selim efendiu i vitit 2001, babait të autorit Mexhid Yvejsit.
Libri i trembëdhjetë i botuar i Mexhid Yvejsit është libri me titull: ”101 personalitete fetare-atdhetare-kulturore-letrare” botuar nga Instituti për shkencat humane ”Ibn Sina” në Prishtinë në vitin 2013. Këtë libër autori i librit i ka “dedikuar të gjithë atyre që kontribuan për dijen dhe fenë në trojet shqiptare”. Ky libër, kjo monografi sipas meje është kryevepra e krijimtarisë letrare, fetare dhe atdhetare e poetit, shkrimtarit, publicistit dhe studiuesit Mexhid Yvejsi nga Gjakova. Në këtë monografi janë prezantuar gjithsejtë 101 personalitete, duke filluar nga Nezim Frakulla(1680-1760) e përfunduar me Sheh Zenel Dana(1939-1999). Po të mos kishte shkruar kurrgjë tjetër, Mexhid Yvejsi, kjo monografi e shkruar nga ai do të mbetet përherë në krijimtarinë letrare shqiptare që e bën shkrimtarin Mexhid Yvejsin përherë të shënuar dhe të paharruar në letërsi.
Libri i katërmbëdhjetë i botuar i Mexhid Yvejsit është libri me titull: ”Rrënjët tona-një familje me pesë mbiemra Efendija, Murtezai, Iljazi, Thaqi e Yvejsi”, botuar në Gjakovë në vitin 2014. Në këtë libër Mexhid Yvejsi shkruan: “për një familje gjakovare e cila ndër shekuj ka zhvilluar veprimtari arsimore, edukative, kulturore, fetare, shkencore, atdhetare, që ka lënë gjurmë në çdo brezni, jo vetëm në Gjakovë, Kosovë, por edhe ku flitet shqip , ku i thënë Shqipni,...”.
Libri i pesëmbëdhjetë i botuar, i fundit i Mexhid Yvejsit , është libri me titull: ” 55 Ilahi-Poezi, fetare-atdhetare”, botuar në Gjakovë në vitin 2015. Ky libër është një përmbledhje prej 55 poezive , kryesisht me tematikë fetare e atdhetare, të cilat poeti Mexhid Yvejsi i ka shkruar gjatë viteve. “Poezia e parë në këtë libër poezish është me titull”Muajt e vitit flasin” të cilin, poeti Mexhid Yvejsi e ka shkruar në vitin 1960, në bankat shkollore kur ka qenë në moshën 10 vjeçare, ndërsa poezia e fundit në këtë libër është: “Çfarë tha poeti-Din Mehmeti”, të cilin autori ia ka kushtuar poetit Din Mehmetit nga Gjakova.
Pas vitit 2015 poeti,shkrimtari, publicisti dhe studiuesi Mexhid Yvejsi nuk ka botuar më libra gjer në vdekjen e tij, më 12 shkurt 2021,që ka pas në dorëshkrim, për të mos lodhur më shumë donatorët të cilët i kanë ndihmuar kryesisht gjatë botimeve të librave të tij, në mungesë të shtëpive botuese, që për fat të keq e kanë anashkaluar apo injoruar botimet e librave të tij.
Në fund të këtij prezantimi të krijimtarisë letrare, fetare e atdhetare të poetit, shkrimtarit, publicistit dhe studiuesit do të ishte e udhës q ë tani pas vdekjes së tij (post mortum) cila do shtëpi botuese, çoftë nga Kosova, Shqipëria apo Maqedonia të botojë në disa vëllime komplet krijimtarinë e tij letrare, fetare e atdhetare.