1000 vjetori i qytetit të Prizrenit
Në këtë vit të ri, 2019, që sapo hymë, shënohet 1000 vjetori apo mileniumi nga të përmendurit për herë të parë të qytetit të Prizrenit në një dokument të shkruar. Nuk është se Prizreni nuk ka ekzistuar si qytet edhe më herët, por nga shek. VI gjer në fund të shek. X-të nuk kemi dokumente apo burime të shkruara për të. Tek në fillim të shek. XI-të, saktësisht në vitin 1019 Prizreni përmendet për herë të parë si qytet në një dokument të shkruar me karakter fetar. Ky dokument ku qyteti i Prizrenit përmendet për herë të parë është akt dhurata e perandorit bizantin Vasili II-të të vitit 1019 ku si pjesë përbërëse e Arqipeshkvisë bizantine të Ohrit bën pjesë edhe Ipeshkvia bizantine e Prizrenit në të cilin shkruan:”Dhe peshkopin e Prizrenit në vet Prizdriana(Prizren),Hoznë, Leskumcë, e Vrat me gjithsejtë 15 klerikë dhe patrikë”. Më tutje si dokument i dytë i shkruar në të cilin përmendet qyteti i Prizrenit gjatë shekullit XI-të është i vitit 1072, në të cilin kronisti bizantin Joannes Skylitzes Continuatus cek se:” Prizdriana(Prizreni) në vitin 1072 u bë qendër e kryengritjes së Gjergj Vojtehut, që ishte drejtuar kundër pushtetit të perandorit bizantin Mihajl Duka-VII-të(1071-1078)”.
Prizreni si qytet ka ekzistuar edhe më herët, por nuk e dimë saktë dhe nuk kemi burim të shkruar gjer tani se kur është themeluar. Por mund të supozojë se Prizreni mund të jetë themeluar në mes shek. VI-të dhe VIII-të, pasi supozohet se Kalaja e Prizrenit është ndërtuar nga perandori bizantin Justiniani gjatë shek. VI-të, ndërsa bazilika bizantine supozohet se është ndërtuar gjatë shek. VIII-të, pran së cilës gjendej edhe selia e ipeshkvisë bizantine të Prizrenit e përmendur për herë të parë në dokumentin e shkruar të vitit 1019.
Emërtimi i qytetit të Prizrenit ka ndryshuar gjatë periudhave të ndryshme kohore sipas dokumenteve të shkruara. Në dokumentet latine Prizreni përmendej si ”Prisrien, Prisrenum, Presarin, Prisarano, Presreno, Prisori, Pristren, Prisarini, Jorsaim”, në dokumentet bizantine përmendej si “Petrizen, Prizorian, Prizdriana”, në dokumentet serbe ”Prizren, Prezren, Prizrin, Prizdren, Prezdrin”, ndërsa në dokumentet osmane përmendet si “Tarzerin, Perserin, Zerin, Prizerin”.
Në Prizren për gjatë historisë, nga themelimi i tij kanë sunduar dhe qeverisur perandori dhe mbretëri të kohës, sikurse ishin bizantinët, bullgarët, serbët, osmanët, në periudha më të gjata kohore, ndërsa gjatë shekullit XX-të e gjer më sot, pas tërheqjes së Perandorisë Osmane në vitin 1912 nga Ballkani, në periudha më të shkurtra kohore kanë sunduar dhe qeverisur serbët, bullgarët, serbët-kroatët-sllovenët, italianët, gjermanët, jugosllavët, dhe së fundi shqiptarët.
Të gjithë këta sundues të ndryshëm gjatë shekujve kanë lënë gjurmë të caktuara gjatë qeverisjes së tyre, ashtu që me të vërtet Prizreni është i veçantë dhe si i tillë përveç që është qytet historik lirisht mund të quhet edhe qytet muze pasi është përplot me monumente të ruajtura të trashëgimisë kulturore fetare të periudhave të ndryshme kohore. Një pjesë e kësaj trashëgimie të pasur kulturore-fetare është zhdukur, shkatërruar, rrënuar nga pushtues të ndryshëm, një pjesë e saj me kalimin e kohës për shkak të braktisjes dhe mosfunksionimit të tyre, ndërsa një pjesë e konsideruar edhe nga moskujdesi i duhur nga vet qytetarët e Prizrenit. Përkundër të gjithë të lart cekurave prapëseprapë mund të themi se Prizreni ka ruajtur një varg objektesh të trashëgimisë kulturore fetare të periudhave kohore përgjatë shekujve të kaluar.
Si objekt i parë dhe më i vjetër i trashëgimisë kulturore pa mëdyshje është Kalaja e Prizrenit, e cila supozohet se është ndërtuar gjatë shek. VI-të. Pas Kalasë pason bazilika bizantine e cila supozohet se është ndërtuar gjatë shek. VIII-të, dhe është rindërtuar nga mbreti serb Millutin në vitin 1307 duke u shndërruar në kishën ortodokses serbe shën Ljevishka (Premtja), për të vazhduar me një varg objektesh tjera kulturore fetare të periudhës bizantine dhe serbe. Gjer në rënien e Prizrenit në duart e osmanëve në vitin 1451 (1455), në Prizren ekzistonin një varg kishash krishtere. Dua të theksojë se pas ndarjes së kishës krishtere në dy ritet e saja në vitin 1054, në atë ortodokse me qendër në Konstantinopojë dhe në atë katolike me qendër në Romë , shumica e kishave krishtere në Ballkan kryesisht u transformuan në kishat ortodokse dhe vetëm pakica në kisha katolike. Përveç manastirit të shën Arkangjelit(shek.XIV-të) që ishte ndërtuar 3 km në dalje të Prizrenit në drejtim të Zhupës, kishat ortodokse serbe ekzistuese në atë kohë në Prizren ishin: kisha e shën Spasit (1330), kisha e shën Dimitrit(shek.XIV-të), kisha e shën Nikollës(Tutiqit, shek. XIV-të), kisha e shën Nikollës (Rajkës, shek.XIV-të), kisha e shën Dielës(shek.XIV-të), kisha e shën Gjorgjes (Raunoviqit, shek.XV-të), kisha e shën Pantelejmonit, kisha e shën Jelenës dhe kisha e shën Anës. Kisha e tanishme qendrore ortodokse serbe e shën Gjorgjes në qendër të qytetit në Shadërvan ka përfunduar së ndërtuari në vitin 1887, ndërsa shkolla fetare ortodokse serbe e shën Kirilit dhe Metodisë, Bogosllovia në vitin 1871. Në Prizren kanë ekzistuar edhe dy kisha katolike, kisha e shën Marisë(sancte Marie de Prisren), dhe kisha e shën Petrit(sancti Petri supra Prisren), ndërsa kisha e tanishme ekzistuese katolike Zonja Ndihmëtare është ndërtuar në vitin 1870 së bashku me Semenishten ( shkollë fetare katolike),si dhe ndërtesën e priftërinjve dhe ndërtesën e motrave të nderit përreth saj.
Gjatë periudhës osmane (1451-1912) janë ndërtuar gjithsejtë 28 xhamia, prej të cilëve 20 kanë mbijetuar dhe janë ekzistuese në ditët e sotshme. Në mesin e këtyre xhamive do të cek disa sosh: xhamia e Namazgjahut(1455), xhamia e Ahmet beut(1505), xhamia e Haxhi Kasëmit (1520), xhamia e Suzi Qelebiut(1513) së bashku me mejtepin(shkollën fetare) dhe bibliotekën (e cila konsiderohet biblioteka e parë në Kosovë), xhamia e Mehmet Kukli beut(1534), xhamia e Gazi Mehmet Pashës(Bajraklisë)(1574), së bashku me mejtepin, medresenë, bibliotekën dhe hamamin, xhamia e Sinan Pashës (1615), xhamia e Maksut Pashës(shek. XVII-të), xhamia e Emin pashës(1831), etj. Krahas xhamive, kanë ekzistuar mbi 20 mejtepe(shkolla), 4 medrese (shkollë e mesme fetare), 1 ruzhdije (gjimnazi i ultë), çezme(kroje) të shumta nëpër mahalla e xhamia, nëntë ura, prej cilëve më e njohura ura e gurit 500 vjeçare e cila daton nga shek. XVI-të, hane, imarete, çarshi me plot dyqane zejtare e tregtare, sahat kulla, karvansaraje, etj.
Prizrenin gjatë periudhave të ndryshme kohore e kanë vizituar burrështetas të shumtë, duke u nisur nga perandor e sulltan, mbretër e presidentë, pashallarë e gjeneral, myfti e myderrizë, patrikë e ipeshkë, sadriazema e kryeministra, vezira e ministra, konsuj e ambasador, etj. Nga këta do të cek vetëm disa prej tyre : car Dushani, sulltan Fatih Mehmeti i II-të, mbreti Petri I-rë, mbreti Aleksandri, Mehmet Pasha, Sinan Pasha, Maksut Pasha, Emin Pasha, Mahmut Pasha, myderriz haxhi Ymer Prizreni, mareshal Tita, presidenti Sylejman Demirel, Rexhep Tajip Erdogan, Sali Berisha, Bamir Topi, Ilir Meta, kryeministra, Abdullah Gyli, Pandeli Majko, Edi Rama, Ivica Daqiq, e shumë të tjerë.
Prizrenit ia ka fal Zoti një natyrë të bukur, është i rrethuar me male të larta, me fusha të gjera përreth, me lumin Lumbardh me plot ura mbi të, me ujin e kthjelltë, me faltore të shumta nga të cilët pa ndërprerë dëgjohet zëri i ezanit të myezinëve nga minaret e shumta dhe jehona e kambanave të kishave, me dyqane të shumta, me plot shtëpi dhe banesa, me Marashin pitoresk me rrapin 500 vjeçar dhe Pasha Çeshmen mbi Kala, me vizitor dhe turistë të shumtë nga mbarë bota, të gjitha këto e plot tjera të pa shkruara, përbëjnë bukurinë që Prizreni e ka.
Për qytetin e Prizrenit kanë shkruar shumë poet, shkrimtar, historian e klerik, prej të cilëve do të ceki vetëm disa sosh të cilët e kanë përshkruar qytetin tonë të lashtë. Do të theksojë disa prej tyre, shkrimtarin serb Branisllav Nushiqit, myftiun prizrenas Mehmet Tahir efendiun, shkrimtarin prizrenas Lazër Radin dhe historianin anglez Noel Malkolmin. Branisllav Nushiqi për Prizrenin përveç tjerash ka shkruar: “Le të krenohet Stambolli me përqafimin e vet madhështor me Bosforin, le të krenohet Edreneja me numrin e shumtë të minareve, Selaniku me gjallërinë e shpellës së vet dhe fqinjësisë me Olimpin, Shkupi me të kaluarën heroike, Ohri me liqenin e gjerë dhe të bukur me peshq, Shkodra me koloritin e pazarit dhe çarshisë, por Prizreni do të mbetet ai me të cilin do të ngritet dhe krenohet mbi të gjithë”. Mehmet Tahir efendiu ka thënë :”Kush ka synuar tiraninë e ka jetuar në Prizren, nga Zoti ynë e ka gjetur fundin e shëmtuar”. Lazër Radi për Prizrenin ka shkruar këtë: “Shpesh jam përpjekë me ia gjet një binjak qytetit tim, duke sjell ndërmend plot qytete të tjerë, që t’i afrohen atij, qytetet që kanë edhe malin, edhe lumin, edhe kështjellën (Kalanë), edhe objektet e kultit, edhe platenë edhe sfondin ku luhet e përditshmja e jetës. Dhe e kam shtrydhë mendjen fort me gjet krahasimin ma të saktë:Jo, jo, Prizreni është i pangjashëm dhe i pakrahasueshëm me askënd!” Noel Malkolmi ka shkruar këtë thënie për Prizrenin:”Qyteti i Prizrenit më është dukur si një ndër vendet më fascinuese osmane në botë”.
Në fund do të përmbyll këtë vështrim për qytetin tonë të bukur të Prizrenit, mileniumin e kaluar të të përmendurit për herë të parë në një dokument të shkruar fetar me rëndësi historike, me shpresë së Prizreni do të mbetet ashtu sikurse ka qenë gjatë shekujve, qytet në të cilin kanë jetuar popujt e ndryshëm, shqiptar, turq, serbë, boshnjak, goran, romë, ku janë folur gjuhë të ndryshme, gjuha shqipe, turke, serbe, boshnjake, rome, ku janë falur dhe lutur Zotit fuqiplotë, besimtarët mysliman, ortodoks e katolik, ku ka dominuar një kulturë qytetare, e krejt këto të gjithë së bashku përbëjnë një kolorit shumëngjyrësh, të popujve të ndryshëm, të gjuhëve të ndryshme, të besimeve të ndryshme dhe të kulturës së veçantë qytetare”per exellent” prizrenase.