Vakëfet osmane në Prizren gjatë shek. XVI-të

nga Faik Miftari | Publikuar në Dhj. 7, 2018, 11:39 p.m.

Hyrje

Në këtë  punim shkencor do të trajtojë temën e vakëfeve osmane me theks të posaçëm të atyre të qytetit të Prizrenit gjatë shekullit XVI-të. Nga hulumtimet e gjer tanishme të njohura më herët, gjatë shekullit XVI-të, kanë qenë tre vakëflënës të mëdhenj që kanë lënë vakëfe të shumta jo vetëm në Prizren, por edhe në trojet tjera  shqiptare gjatë periudhës osmane. Në këtë punimin do të trajtojë kryesisht vetëm vakëfet e tyre në Prizren. Vakëflënësit më të mëdhenj të Prizrenit gjatë shekullit XVI-të ishin, Mevlana Suzi Çelebiu,  Mehmet Kukli beu dhe Gazi Mehmet pasha. Krahas këtyre ishin edhe një varg qytetarësh  prizrenas që kanë lënë vakëfe për shpirt të tyre, e që i kam prezantuar sipas viteve të defterave(regjistrave)  në Prizren gjatë shek. XVI-të, me ç’rast janë mbajtë katër regjistrime, dhe atë në vitin 1530, 1548, 1571 dhe 1591, në të cilin përveç tatimpaguesve të atëhershëm prizrenas që ishin të obliguar të paguanin taksa të ndryshme administratës vendore dhe qendrore osmane, janë shënuar edhe regjistri i taksave të vjelura nga aktivitetet fitimprurëse të  vakëfeve sipas viteve të cekura më lartë.

Me rastin e vendosjes së administratës osmane në viset apo trevat e Ballkanit, krahas vendosjes së institucioneve të shumta, që nga ditët e para të vendosjes së pushtetit osman kemi edhe themelimin e vakëfeve të shumta, apo më mirë të njohur si institucion i Vakëfit(fondacionit) osman.

Krahas objekteve fetare, arsimore, kulturore, gjithashtu edhe objektet tjera të ndërtuara sikurse që ishin ato tregtare, hoteliere, ekonomike, në ndërtimin e tyre dhe  mirëmbajtjen e tyre rolin kryesore  kanë pas vakëf lënësit të shumtë që vinin jo vetëm nga shtresa e lartë sunduese, por ka pas  edhe nga shtresat tjera, bile gjer te ato më të ulëta, që në raste të caktuara  kanë kontribuar me dhënien e pasurive të tyre,  sikurse të luajtshme ashtu edhe të paluajtshme.

Vakëf lënësit kanë ndërtuar objekte të shumta të cilët pastaj i kanë lënë si vakëf në dobi të gjithëmbarshme shoqërore. Përfaqësuesit e shtresës së lartë osmane, sulltani, sadriazemët, vezirët, pashallarët, bejlerët, agallarët, etj., kanë ndërtuar objekte të ndryshme duke filluar  nga xhamitë, mesxhidet, medresetë, mejtepet, kytubhanet, teqet, tyrbet, hamame, hane, karvansaraje, imarete, bezistane, ura, spitale, rrugë kalldërmeje, kulla, ujësjellësit, kanalizimet, e një varg objektesh tjera.

Pas ndërtimit të këtyre objekteve, për mirëmbajtjen e këtyre, përveç përfaqësuesve  të shtresave të larta, kanë kontribuar edhe përfaqësuesit e shtresave të mesme dhe të ulëta duke lënë vakëfe shtëpitë, dyqanet, mulli, ara pjellore, male me dru,etj., me të cilin kanë mundësuar që me sukses të kryejnë aktivitetet e tyre fetare, arsimore, kulturore, humanitare, zejtare, tregtare, hoteliere, etj., objektet e ndërtuara më parë dhe të  dhuruara  si vakëfe.

Për numrin e madh të vakëfeve gjatë periudhës së administrimit  të Perandorisë Osmane në Ballkan gjer në vitin 1912, kanë ndikuar një varg faktorësh të ndryshëm sikurse që ishin, motivimi fetar islam, ndjenjat humanitare, qëllimet që pasuria qoftë e luajtshme apo e paluajtshme nëpërmjet vakëfeve të ruhet gjatë periudhave të vështira kohore, si dhe të sigurohen për një kohë të gjatë funksionimi i vazhdueshëm i këtyre.

Punimin në fjalë përmban këto nënkapitujt, pas hyrjes, pasojnë nënkapituj me radhë: nocioni dhe historia e Vakëfit, vakëfet dhe Vakëfnameja e  Mevlana Suzi Çelebiut, vakëfet dhe Vakëfnameja e Mehmet Kuklibeut, Vakëfet e Gazi Mehmet pashës, vakëfet e Prizrenit sipas defterit(regjistrit) osman të vitit 1530, vakëfet e Prizrenit sipas regjistrit osman të vitit 1548, vakëfet e Prizrenit sipas regjistrit osman të vitit 1571, vakëfet e Prizrenit sipas regjistrit osman të vitit 1591, përfundimi dhe  bibliografia.

 

Nocioni dhe historia e Vakëfit

 

Në fillim të këtij nënkapitulli do të jap disa definicione lidhur me nocionin apo emërtimin e fjalës Vakëf,  çfarë do të thotë apo çfarë domethënie ka në gjuhën shqipe.

Fjala”vakf” rrjedh nga gjuha arabe që në gjuhën shqipe do të thotë: “ndaloj, ndal, kushtoj”, me të cilin pasuria e një vakëfi që lihet vakëf, është e veçuar nga prodhimtaria e rregullt dhe është dedikuar për qëllime të caktuara të përshkruara më parë. Vakëfi sipas jurisprudencës islame përkufizohet si pasuri e veçantë e ndarë me vullnetin dhe dëshirën e plotë të një qytetari i cili i ka dedikuar për një qëllim të caktuar dhe të përshkruar. Qëllimet për të cilin dedikohet vakëfi mund të jenë të ndryshme, si në rrafshin fetar, arsimor, kulturor, humanitar, bamirës, zejtar, tregtar, hotelerier, etj. Funksioni ekonomik i vakëfit qëndron në atë se frytet e tij shfrytëzohen ndërsa, objekti apo esenca e vakëfit ruhet, me ç’rast sigurohet një përfitim i përhershëm i vakëtit për qëllimin e destinuar, të përshkruar më parë nga vakëf lënësi.[i]

Termi”vakëf” rrjedh nga gjuha arabe”vakf” i cili në aspektin etimologjik ka domethënien, e ndalimit, ndaljes, ndërsa vakëfim është përkushtim i një prone për një qëllim të përcaktuar. Vakëfi ndalohet të tjetërsohet, por të ardhurat nga vakëfi shfrytëzohen për qëllime fetare, humanitare, bamirëse, arsimore, kulturore, shëndetësore,etj. Vakëfet paraqesin përkushtime fetare të cilët sjell të mira materiale që vakëf lënësi në bazë të vullnetit të tij të lirë një pjesë të pasurisë e ka ndarë dhe ia jep në pronë të përhershme”Zotit”, ndërsa të ardhurat nga vakëfi i dedikohen shoqërisë njerëzore për qëllime të përcaktuara më parë.[ii]

Me emërtimin vakëf, nënkuptojmë veçimin e një pasurie, qoftë e luajtshme apo e paluajtshme, për qëllime bamirësie apo humanitare, dedikuar më parë në fusha të ndryshme në dobi të përgjithshme shoqërore, që në aktualitetin e tanishëm kohor janë të njohura si fondacione të përshpirtshme të cilët dedikohen për financimin e projekteve të ndryshme. Në terminologjinë osmane me termin vakëf është nënkuptuar ndarja e pasurisë të tundshme apo të patundshme për shpirt të vakëf dhënësit me qëllim që me këtë të jetë afër Zotit.[iii]

Historia e Vakëfit daton që nga koha e profetit Ibrahim me ç’rast në ballafaqim me engjëllin Xhebrailin, bie në dalldi dhe ia ka dhuruar të gjitha tufat e bagëtive, pasi që Xhebarili i refuzon, pasi është engjëll dhe nuk ka nevojë për të,  vakëfin e dedikuar për të nga profeti Ibrahim, atëherë Ibrahimi e shet kopenë e bagëtive dhe me parat e fituara bleu një tokë të madhe që ia ka dedikuar besimtarëve të tij. Kjo traditë e Vakëfit e nisur me profetin Ibrahim do të vazhdojë edhe me profetin tonë të dashur Muhamed, i cili pati lënë Vakëf për hir të Allahut, shtatë kopshte hurmash në qytetin e Medinës, dhe një pjesë të kopshteve me hurma në Fedek dhe Hajber.[iv]

Vakëfi i nisur që nga profeti Ibrahim e i vazhduar edhe nga profeti Muhamed, gjatë gjithë kohës së ekzistimit të Perandorisë Osmane, do të kultivohet dhe zhvillohet me të madhe, ashtu që kemi pas me mijëra apo dhjeta mijëra vakëfe të dhuruara për qëllime të ndryshme shoqërore. Në kuadër të kësaj edhe në trojet tona shqiptare që ishin në kuadër të Perandorisë Osmane, përveç vakëfeve qendrore, ka pas edhe vakëfe të shumta të themeluara në nivel të vilajeteve, sanxhaqeve, nahijeve dhe kazave, si në qytete ashtu edhe në fshatra, kryesisht nga bashkëkombasit tonë shqiptar që ishin pjesë e pandashme e administrimit osman dhe kanë dhënë kontributit të çmuar  me shekuj Perandorisë Osmane.

Institucioni i vakëfit në asnjë religjion tjetër dhe në asnjë shoqëri tjetër nuk ka luajtur rol aq të rëndësishëm sikurse në fenë Islame dhe në shoqërinë myslimane. Inistituciini i vakëfit ka pas ndikim të madh dhe ka lënë gjurmë të pashlyeshme gati në të gjitha fushat e jetës, sikurse asaj fetare, morale, politike, humanitare, sociale, zejtare, tregtare,  në mesin e popujve dhe shteteve myslimane.[v]

Mbi bazën e besimit islam ishte ngritur, kultivuar dhe mirëmbajtur institucioni i vakëfit. Por me termin vakëf nuk përkufizohej vetëm vakëfet(fondacionet) e shumta përshpirtshme myslimane, por edhe atyre krishtere në kuadër të Perandorisë Osmane. Kjo ishte në përputhje të plotë me ligjet ekzistuese të Perandorisë Osmane, në të cilin edhe të krishterët kishin të drejtën e lënies së vakëfeve të tyre dedikuara kryesisht për mirëmbajtjen e kishave, manastireve, shkollave dhe bibliotekave të tyre. Në bazë të kësaj gjer në përfundim të ekzistimit të Perandorisë Osmane kemi një numër të caktuar të vakëfeve të krishterëve, çifutëve, ortodoksëve , të cilët menaxhonin lirshëm me vakëfet  për nevojat e tyre.[vi]

Gjatë periudhës osmane institucioni i vakëfit mund të themelohej nga çfarëdo prone private të cilit do qytetar osman, qëllimi i të cilit ishte që me vakëf të mbështes dhe përkrah zhvillimin dhe aktivitetin e objekteve të ndryshme fetare, arsimore, kulturore, humanitare etj. Për secilin vakëf të lënë, vakëflënësi me vakëfname përcaktonte më parë se çfarë shumë e të ardhurave të vakëfit do të përdorej për dedikim të qëllimeve të caktuara më parë.[vii]

Institucioni i vakëfit ishte shumë i përhapur në Perandorinë Osmane, ashtu  janë të ruajtura 26300 vakëfe të regjistruara në Defterhanen e Stambollit e cila sot ndodhet në Ankara pranë Arkivit të Drejtorisë së Vakëfeve në të cilin tani ndodhen  26300 akt-dhurime.[viii]

Diku në literaturë është e shënuar se në tërë Perandorinë Osmane  në dekadën e dytë të shek. XX-të tokat(fushat pjellore) vakëfe përbënin 2/3 e tërë sipërfaqes së tokës pjellore të atëhershme të Perandorisë Osmane.[ix]

Edhe pse në fenë krishtere mëshira konsiderohet si shenjë dalluese e fesë, në  kohën e  ekzistimit të Perandorisë Osmane si institucioni i vakëfit, apo fondacion i dhembshurisë dhe mëshirës në botën perëndimore nuk ishte aq i përhapur. Në ndikim të vakëfeve ekzistuese në Perandorinë Osmane, nga të cilët diplomatët  e huaj që ishin në shërbim të Perandorisë Osmane, pas kthimit të tyre në vendet prej nga vinin, nën ndikimin e tyre kanë nisur të themelohen fondacione edhe në vendet perëndimore. Shembull konkret i këtij veprimi ishin edhe kujtimet e ambasadorit francez Busberg i cili ishte i mahnitur me ekzistimin dhe aktivitetin që zhvillonin vakëfet e shumta gjatë gjithë Perandorisë Osmane.[x]

Në Perandorin Osmane, vakëfet e shumta kryesisht ishin të ndara në tri grupe kryesore lidhur me mënyrën e udhëheqjes apo menaxhimit të tyre. Grupin e parë e përbënim vakëfet  të cilët i menaxhonte Ministria e Vakëfit e shtetit osman. Në këtë grup vakëfesh përfshiheshin vakëfet e sulltanit dhe anëtarëve të familjes së tij, të cilët mytevelitë(administratorët e emëruar) me vakëfname udhëhiqnin vakëfet, të cilët për punën e tyre paguheshin nga ministria e Vakëfit. Grupin e dytë të vakëfeve e përbënin vakëfet e ashtuquajtura ”vakëfet e varura”të cilët me anë të vakëfnameve janë caktuar mytevelitë të cilët udhëhiqnin vakëfet e tyre, por nën mbikëqyrjen të drejtpërdrejtë të ministrisë së Vakëfit. Grupin e  tretë të vakëfeve e përbënin vakëfet të quajtura”vakëfet e ndara”, në të cilët përfshiheshin të gjitha vakëfet tjera me të cilin në mënyrë të pavarur menaxhohej jashtë ministrisë së Vakëfit. Këtu hynin të gjitha vakëfet e themeluara nga shtresa e bejlerëve, ylemave dhe qytetarëve mysliman dhe jomysliman, ortodoksët, katolikët dhe çifutët.[xi]

Qytetari osman gjatë kohës së Perandorisë Osmane në rast se dëshironte të themelonte një vakëf gjatë jetës së tij, apo pas vdekjes së tij me vasijetname(testament) lente 1/3 e pasurisë së tij të gjithëmbarshme për vakëf, i cili paraprakisht duhet të plotësonte disa kushte që kërkoheshin për të qenë vakëfi valid. Ai duhej të ishte i moshës madhore, i aftë nga gjendja psiqike e tij, të kishte zotësi veprimi dhe të ishte pronar i vetëm i pasurisë që lente në vakëf. Më pastaj e përpilonte Vakëfnamenë të cilin ia dorëzonte mytevelisë(administruesit)  dhe më pas aplikonte për regjistrim te kadiu(gjyqtari). Kadiu ia kthente përgjigjen nëse i ka plotësuar vakëf lënësi kushtet që duhet plotësuar. Pas kësaj me ftesë të kadiut, vakëf lënësi së bashku me mytevelinë dëshmonin përmbajtjen e vakëfnames së përpiluar, ndërsa në ndërkohë kadiu merrte dhe mendimin e myftisë, pas së cilës kadiu vakëfnamen e regjistronte në sixhilin(regjistrin gjyqësor) e vakëfeve tek kadiu dhe të cilin kadiu më pas e vuloste me vulën e tij. [xii]

Dokumenti me të cilin përpilohej legalizimi i vakëfit quhej vakëfname. Nocioni vakëfname rrjedh nga fjala arabe”vakf” që në gjuhën shqipe do të thotë ”ndaloj, me ndal, me iu përkushtua” dhe nga fjala perse ”name” që në gjuhën shqipe do të thotë ”shkresë, libër, dokument”, prej nga rrjedh se vakëfname do të thotë “libër ose dokument mbi vakëfin”. Vakëfnamet janë akte përshpirtërore, akte dhurimi të një sendi të luajtshëm apo të paluajtshme me karakter valid gjyqësor, pasi që përmban formën e përshpirtnimit të cilin praktika gjyqësore e ka fuqizuar, ligjëruar për shkak të sigurisë juridike të saj.[xiii]

Në vazhdën e këtij numri të shumtë të vakëfeve të lënë gjithandej Perandorisë Osmane, ishte edhe një numër jashtëzakonisht i madh i vakëfeve të lëna nga shtetas të atëhershëm osman me përkatësi shqiptare nga të gjitha trojet shqiptare të atëhershme që ishin në gjirin e Perandorisë Osmane, si në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Çamëri, Luginën e Preshevës dhe të Ulqinit.

Janë të njohur shumë sadriazema, vezirë, pashallarë, bejlerë, ylema, kadi, shqiptar, të cilët vakëfet e tyre të shumta i kanë legalizuar me vakëfnamet e tyre, e prej të cilëve në këtë punim do të ndalem dhe do të elaborojë disa nga vakëf lënësit të mëdhenj, por edhe qytetar tjerë që kanë lënë vakëfe, në qytetin e Prizrenit gjatë shek. XVI-të, që është edhe boshti i këtij punimi hulumtues për vakëfet osmane në qytetin e Prizrenit gjatë shekullit XVI-të.                                                                                     

                                                                 (vazhdon)                    

 

        


[i] Sadik Mehmeti, Roli i Vakëfit në përhapjen e kulturës dhe arsimimit islam në vendin tonë, Takvim 1430-1431-Kalendar 2009, Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, Prishtinë, 2009, fq.132-133.

[ii] Dr. Ahmet Sherif, Vakëfet si institucione fetare, kulturore-arsimore dhe humanitare, Edukata Islame, nr.75,  Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, Prishtinë, 2004, fq.138-139.

[iii] Agron Islami, Roli i Vakëfeve osmane në jetën ekonomike dhe sociale-shembulli i vakëfnames së Mustafa Pashës, Trashëgimia orientale-islame në Ballkan, Instituti për shkencat humane”Ibni Sina”, Prishtinë, 2015, fq. 242.

[iv] Osman Nuri Topbash, Vakëfi, dhurimi dhe shërbimi, Progresi botime, Shkodër, fq.20

[v] Dr. Hasan Kaleshi, Dokumentet më të vjetra të vakëfeve në gjuhën arabe në Jugosllavi, Shtëpia botuese”Dituria Islame”, Prishtinë, 2012, fq.17

 

[vi] Agron Islami, Roli i Vakëfeve osmane në jetën ekonomike dhe sociale-shembulli i vakëfnames së Mustafa Pashës, Trashëgimia orientale-islame në Ballkan, Instituti për shkencat humane”Ibni Sina”, Prishtinë, 2015, fq. 243.

 

[vii] Dr. Ahmet Sherif, Vakëfet si institucione fetare, kulturore-arsimore dhe humanitare, Edukata Islame, nr.75,  Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, Prishtinë, 2004, fq.139-140.

 

[viii] Osman Nuri Topbash, Vakëfi, dhurimi dhe shërbimi, Progresi botime, Shkodër, fq.30

 

[ix] Përmbledhje punimesh, Zbornik radova 2, Islamski teološki fakultet, Sarajevo, 1987, fq.106

[x] Osman Nuri Topbash, Vakëfi, dhurimi dhe shërbimi, Progresi botime, Shkodër, fq.27-28.

 

 

[xi] Përmbledhje punimesh, Zbornik radova 2, Islamski teološki fakultet, Sarajevo, 1987, fq.107

 

[xii] Agron Islami, Roli i Vakëfeve osmane në jetën ekonomike dhe sociale-shembulli i vakëfnames së Mustafa Pashës, Trashëgimia orientale-islame në Ballkan, Instituti për shkencat humane”Ibni Sina”, Prishtinë, 2015, fq. 244-245.

 

[xiii] Sadik Mehmeti, Roli i Vakëfit në përhapjen e kulturës dhe arsimimit islam në vendin tonë, Takvim 1430-1431-Kalendar 2009, Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, Prishtinë, 2009, fq.133.