Kur'ani te Shiitët

nga Vullnet Merja | Publikuar në Tet. 16, 2018, 10:49 p.m.

Me emrin e Allahut të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

Falënderimet i takojnë Allahut të Madhëruar. Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi Profetin Muhamed, mbi familjen e tij të pastër dhe mbi shokët e tij të zgjedhur!

Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi ju!

Allahu i Madhëruar thotë: Thuaj: ‘Sikur të tuboheshin të gjithë njerëzit dhe xhindet për të hartuar një Kur’an të tillë, ata nuk do të mund të hartonin një të ngjashëm me të, madje, edhe sikur ta ndihmonin njëri - tjetrin.’(Sure “Isra”, ajeti 88). Ky ajet dëshmon qartë se askush nuk mund të sjellë Kur'an tjetër. Gjithashtu, në Kur'an lexojmë se ka ajete të cilat i bëjnë thirrje jobesimtarëve mekas që të sjellin një ajet, apo një sure, apo dhjetë sure si ato të Kur'anit, qofshin edhe të trilluara. Por askush nuk arriti ta bënte, sepse Kur'ani i Shenjtë është Fjala e Allahut që thotë: “...S’ka ndryshim në fjalët e Allahut...” (Sure “Junus”, ajeti 64).

Edhe pse lexohet shumë ajeti 88 i sures “Isra”, dëgjojmë shpifjen që i adresohet shiave se ata kanë Kur’an tjetër. Është fatkeqësi e madhe se zërat rreth kësaj shpifjeje jehojnë kudo, ndërkohë që deri tani nuk e kemi parë atë Kur’anin tjetër që kanë shiitët.

Kushdo që shkon në vendet ku jetojnë shiat - të cilët gjenden në mbarë botën, në Azi, në Afrikë, në Amerikë, në Europë, në Australi - do të shohë se nëpër xhamitë e shiave dëgjohen leximet e Kur’anit me zërin e lexuesve të njohur nga të gjithë myslimanët, si: Abdul Basit Abdu Samed, Muhamed Siddijk El Minshavij, Muhamed Lejth, Galvash, Ahmed En Nuajna e të tjerë. Qëllimi ynë me këtë shkrim është vetëm e vetëm sqarimi i së vërtetës dhe asgjë tjetër, që të shkrihen akujt mes myslimanëve dhe mes tyre të mbizotërojë ngrohtësia e dashurisë, e vëllazërisë dhe e bashkimit. Është për të ardhur keq se ka njerëz që i kanë ndaluar akrepat e orës së kohës së tyre që të ecin përpara dhe i kanë kurdisur që të ecin prapa. Ndërkohë që jetojmë në kohën e teknologjisë marramendëse dhe sekularizmi ka pushtuar mendjet dhe zemrat e njerëzve, deri edhe të myslimanëve, ne akoma i harxhojmë energjitë tona duke gërmuar në bodrumet e errëta për të gjetur ndonjë thënie apo mendim dashakeqës. Në vend që t’i harxhojmë energjitë për ta studiuar Kur’anin dhe për të nxjerrë në pah të vërtetat që ai përmban dhe për të përhapur dritën e tij, ne akuzojmë njëri-tjetrin me fjalë boshe.  

Kur’ani te shiitët

Shiat besojnë prerazi dhe pa më të voglën mëdyshje se Kur’ani që gjendet sot në duart e të gjithë myslimanëve, syni e shia, është i njëjti Kur’an që iu shpall vulës së profetëve, Profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tj!) për njëzet e tre vjet me radhë, trembëdhjetë vjet në Mekë dhe dhjetë vjet në Medine. Kushdo që dyshon në këtë të vërtetë, ai është intrigant, dashakeqës dhe përçarës.

Shiat besojnë se Kur’ani është mrekullia e përjetshme për mbarë njerëzimin dhe askush nuk mund të shkruajë e të përpilojë libër të njëjtë me Kur’anin, sepse ai dallohet nga stili, elokuenca, retorika dhe përmbajtja e tij. Kur’ani përban të vërteta të padiskutueshme, sepse e ka zbritur e Vërteta Absolute, Krijuesi i gjithësisë, Allahu i Madhëruar. Kur’ani përmban njohuri të shumta, sepse është Fjala e të Gjithëditurit, të Mirinformuarit. Kur’ani kurrë nuk mund ndryshohet e as të falsifikohet.

Shiat besojnë se në Kur’an nuk ka asnjë shtesë e asnjë mangësi, asnjë ndryshim e asnjë fabrikim, sepse Allahu Fuqiplotë e ka garantuar ruajtjen e Librin të Tij, siç thotë në Kur’anin e Shenjtë: Sigurisht, Ne e kemi shpallur dhikrin (Kur’anin) dhe, sigurisht, Ne do ta ruajmë atë.”(Sure “Hixhr”, ajeti 9).

Dhe: “…Ai është vërtet një Libër i madhërueshëm. Atij nuk mund t’i afrohet gënjeshtra nga asnjëra anë. Kjo është Shpallje prej një të Urti që meriton të gjitha lavdet. (Sure “Fusilet”, ajetet 41-42).

Dhe: “A nuk përsiatin ata për Kur’anin?! Sikur ai të mos ishte prej Allahut, do të gjenin në të shumë kundërthënie.” (Sure “Nisa”, ajeti 82).

Sipas shiave, ajo që përmendet në këto ajete është dëshmi e qartë se Kur’ani nuk është i ndryshuar dhe nuk ka Kur’an tjetër përveç atij që iu shpall Profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!). Këtë mendim kanë të gjithë myslimnët, të çdo medh’hebi qofshin.

Shiat besojnë bindshëm se Kur’ani që lexojmë sot është i njëjti Kur’an që iu shpall Profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!). Ai përmban 114 sure. Fillon me suren “Fatiha” dhe mbaron me suren “Nas”. Nëse dikush e ka Kur’anin e shiitëve, siç pretendojnë, le të na e sjellë një kopje, përndryshe të mos flasë gjëra për të cilat nuk ka dituri. Mos të bazohet në hamendësime, në dyshime e në paragjykime, sepse Allahu i Madhëruar na thotë: “O ju që keni besuar! Mënjanoni shumë dyshime, se, vërtet, disa dyshime janë gjynah…” (Sure “Huxhurat”, ajeti 12). Nëse shiat kanë Kur’an tjetër, kush është shkruesi i tij? Kur është shkruar? Ku është botuar? Sa sure ka? Ku ndodhet sot? Allahu thotë: “Nëse jeni të vërtetë në atë që thoni, atëherë sillni provën tuaj. (Sure “Bekare”, ajeti 111).

Shiat besojnë se një prej argumenteve të mrekullisë së Kur’anit të Shenjtë është se Kur’ani në çdo kohë e ruan origjinalitetin e tij. Kur’ani nuk është në kundërshtim me shkencën – përkundrazi, zbulimet shkencore nxjerrin në pah madhështinë dhe vërtetësinë e Kur’anit të Shenjtë.

Shiat besojnë se Kur’ani duhet të respektohet e të madhërohet me fjalë dhe me vepra, pra duke e zbatuar atë në jetën e përditshme. Fjalët e tij në gjuhën arabe nuk duhet t’i prekë ai që është i papastër për shkak të të përmuajshmeve, lehonisë, xhunubit, pa abdesit, rregulla këto, të cilat, i sqarojnë më së miri librat e jurisprudencës islame shiite. Përkthimet nuk janë Kur’ani origjinal. Nëse ka ndryshime në përkthimet e Kur’anit, kjo nuk ka kuptimin se aksh medh’heb ka Kur’an tjetër. Këtë ndryshim të përkhimit të Kur’anit e shohim edhe në përkthimet e Kur’anit në gjuhën shqipe. Nëse kemi pesë përkthime të Kur’anit në gjuhën shqipe, a mund të thuhet se janë pesë Kur’anë? Sigurisht që jo. Sepse Kur’ani i vërtetë është ai i zbritur në gjuhën arabe, siç thotë Allahu i Madhëruar: Ne e zbritëm këtë Kur’an në gjuhën arabe, për ta kuptuar ju.” (Sure “Jusuf”, ajeti 2).

Sipas shiave, Kur’ani nuk mund të digjet, as të shkelet, as të nënvlerësohet, as të përdhoset e as të poshtërohet me anë të hedhjes së tij, ndotjes së tij, goditjes së tij me këmbë, apo vendosja e tij në ndonjë vend të ulët e të padenjë për të, sepse Kur’ani është Fjala e Allahut, e cila është mbi gjithçka. Kushdo që vepron kështu, injoron Islamin dhe shenjtërinë fetare dhe konsiderohet mohues (kafir) i Zotit të botëve.

Shiat besojnë se Kur'ani është burimi i dijeve, i moralit, i etikës njerëzore; burimi i paqes, i respektit, i vëllazërisë dhe i bashkimit mes myslimanëve. Kur'ani është çelësi i lumturisë dhe i shpëtimit si në këtë jetë, ashtu edhe në Jetën Tjetër.

Të shumtë janë dijetarët shiitë që kanë shkruar dhe shkruajnë për Kur’anin. Ata kanë literatura të shumta rreth komentimit të Kur’anit, rreth njohurive të Kur’anit dhe rreth shkencave të Kur’anit. Shiitët kanë me mijëra qendra kur’anore. Kanë me mijëra lexues dhe këndues Kur’ani. Kanë me mijëra e mijëra hafizë të grupmoshave të ndryshme. Të gjitha këto nuk janë të fshehura. Kushdo që hulumton, gjen.

Për fat të keq, disa shkrimtarë e autorë, që kanë për qëllim përçarjen e myslimanëve, kanë shpifur dhe kanë thënë: “Mus’hafi i Fatimesë, tek ndjekësit e shkollës së Ehli Bejtit është Kur’an tjetër.” Sigurisht, kjo nuk është e vërtetë. As pasuesit (shiat) e Ehli Bejtit (Paqja qoftë mbi ta!) nuk e pranojnë këtë. Ata besojnë se Mus’hafi i Fatimesë nuk është Kur’an. Ai është libër që përmban lajme të ngjarjeve që do të ndodhin në të ardhmen. Imamët e Ehli Bejtit kanë thënë me tekst se ai nuk është Kur’an dhe se në të nuk ka asgjë prej Kur’anit. Mus’hafi është një emër që përdoret për çdo libër me kapak të trashë, qoftë ai Kur’an apo ndonjë libër tjetër.

Tek libri “Basairud Derexhat”, faqe 156 ka ardhur me më shumë se një zinxhir transmetimi nga Imam Sadiku (Paqja qoftë mbi të!), i cili ka thënë: “Ka pasur fise e popuj që vinin dhe e pyesnin atë se çfarë i la Profeti (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) Aliut (Paqja qoftë mbi të!) dhe çfarë i la Aliu Hasanit (Paqja qoftë mbi ta!). ‘I Dërguari i Allahut na ka lënë neve çdo gjë të nevojshme, deri edhe lyerjen e flokëve apo manikyrin e thonjve. Fatimesë i ka lënë një Mus’haf, që nuk është Kur’an…’”.

Historia islame na tregon se shumë prej sahabëve kanë pasur mesahif, ku çdonjëri prej tyre ka shkruar në Mus’hafin e tij, Kur’anin dhe atë që ka dëgjuar nga i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), në lidhje me komentimin e disa prej ajeteve të Kur’anit. Pra, në këtë rast, kuptimi i mesahifeve të sahabëve, në kohën e tyre, ka qenë Kur’ani i shkruar, së bashku me hadithet e Profetit dhe me komentimin e disa ajeteve të tij, ashtu siç është rasti i librave të komentimit, si për shembull: “Ed Durrul Menthur Fi Tefsijril Kur’an”, i autorit Es Sujutij, i shkollës së kalifave; libri “El Burhan Fi Tefsijril Kur’an”, te ndjekësit e shkollës së Ehli Bejtit (Paqja qoftë mbi ta!). Prej mus’hafeve që përmenden në historinë islame janë:  Mus’hafi i nënës së besimtarëve, Aishes dhe Mus’hafi i nënës së besimtarëve, Hafsasë.

Nëse dikush mendon se mus’hafi i Fatime Zahrasë (Paqja qoftë mbi të!) është Kur’ani i shiitëve, ai është krejtësisht mendim i gabuar.

Pra, tek shiat nuk ka Kur’an tjetër përveç atij që ndodhet tek të gjithë myslimanët. Nuk është e vështirë të kërkosh e të hulumtosh për këtë çështje, sidomos në kohën e sotme, në të cilën teknologjia ka afruar të largëtën dhe na njeh me të panjohurat e shumta. Gjithashtu, Kur’ani gjendet në çdo shtëpi shiite dhe në çdo xhami të shiitëve. Po ashtu, shiitët kanë muzeume dhe biblioteka në të cilat ruhen dorëshkrimet e vjetra të Kur’anit përgjatë shekujve. Të gjitha këto kopje të dorëshkrimeve janë të njëjta me njëra-tjetrën, por edhe Kur’anin që gjendet sot në duart e myslimanëve. Kështu që kjo shpifje është shumë e qartë. Ne duhet të zbatojmë thënien e Allahut të Madhëruar që thotë: Pra, jepu lajme të gëzueshme robve të Mi, të cilët, pasi i dëgjojnë fjalët (që u thuhen), ndjekin atë që është më e mira prej tyre! Këta janë ata që Allahu i ka udhëzuar në rrugë të drejtë; këta janë mendarët.” (Sure “Zumer”, ajetet 17-18). Nuk duhet t’i dëgjojmë shpifjet dhe më pas t’i ndjekim ato.

Shiat besojnë se ka duar dashakeqëse që përpiqen t'i shmangin myslimanët nga zbatimi i Kur’anit. Në kohën e emevitëve dhe të abasitëve, ato duar dashakeqëse arritën që t’i përçajnë myslimanët rreth çështjes se a është i krijuar Kur’ani apo jo? Për këtë, myslimanët u ndanë në dy grupe. Njëri grup mbështeste thënien se Kur'ani është i krijuar dhe një grup tjetrë mbështeste thënien se nuk është i krijuar, por ai është i hershëm. Ky mospajtim çoi në përndjekje, persekutime, burgosje dhe në gjakderdhje - ndërkohë që çështja është shumë e thjeshtë. Nëse qëllimi me Kur’anin janë germat e tij dhe letra e tij, ai është i krijuar. Nëse qëllimi është dija e Allahut, ai është i hershëm dhe pa fillim, njësoj si vetë Ekzistenca e Allahut të Madhëruar. Po ta lexojmë historinë e asaj kohe, do të vërejmë se edhe udhëheqësit e devijuar e të padrejtë i bënë myslimanët që për një kohë të gjatë të merren me këtë çështje. Qëllimi i atyre udhëheqësve të padrejtë ishte që njerëzit të mos mendonin për padrejtësitë e tyre.

Shiat besojnë se komentimi sipas mendimit personal është prej çështjeve më të rrezikshme që ka lidhje me Kur’anin e Shenjtë. Hadithet e ardhura nga Profeti dhe Ehli Bejti (Paqja qoftë mbi të gjithë ata!) e konsiderojnë prej gjynheve të mëdha këtë çështje. Në një hadith kudsij thuhet: “Nuk ka besuar tek Unë ai që e komenton fjalën Time sipas mendimit të tij.” (Biharul Anuar, vëllimi 92, faqe 107).

Profeti Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Kush e komenton Kur’anin sipas mendimit të tij apo thotë ato që nuk i di, le ta përgatisë vendin e tij në Zjarr.”(Tirmidhij, Nisaij, Ebu Daud).

Kuptimi i komentimit sipas mendimit personal është që ta komentojë atë sipas dëshirës së tij pa patur asnjë argument apo dëshmi. Në të vërtetë, ky njeri nuk ndjek Kur’anin, por ai dëshiron që Kur’ani ta ndjekë atë! Ai nuk do ta bënte këtë nëse në zemrën e tij do të gjendej besimi i pastër dhe i fortë në Kur’anin e Shenjtë. Pa dyshim që Kur’anit do t’i humbisnin vlerat nëse do të komentohej sipas mendimeve dhe dëshirave indiduale. Shiat besojnë se komentuesi i Kur’anit duhet të ketë njohuri të shumta, të gjera dhe të thella në gjuhë, në letërsi, në jurisprudencë, në parimet e jurisprudencës, në histori, logjistikë, filozofi e të tjera.

Shiat besojnë se ajetet e Kur’anit e sqarojnë njëra-tjetrën. Gjithashtu, edhe thëniet e Profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) janë sqaruese të ajeteve të Kur’anit, sepse Profeti Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) është komentuesi dhe sqaruesi i parë i Kur’anit. Thëniet e Profetit Muhamed sqarojnë çështjen e abrogimit dhe të të abroguarit, atë të së përgjithshmes dhe të së posaçmes që përmbajnë ajetet e Kur’anit, ajetet me kuptim të drejtpërdrejtë (muhkem) dhe ato me kuptim të tërthortë (muteshabih). Vetë ajetet e Kur’anit e konsiderojnë synetin e Profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) argument për myslimanët. Po ashtu, Kur’ani e konsideron synetin e Profetit prej burimeve themelore të kuptimit të fesë islame dhe të nxjerrjes së dispozitave. Në Kur’an lexojmë: “…Çfarëdo që t’ju japë i Dërguari, merreni atë, e çfarëdo që t’ju ndalojë, hiqni dorë prej saj!(Sure “Hashr”, ajeti 7).

Dhe: “Nuk i takon asnjë besimtari apo besimtareje të vërtetë që, kur Allahu dhe i Dërguari i Tij të vendosin për një çështje, ata të kenë të drejtë të zgjedhin në atë çështje të tyren. Kush e kundërshton Allahun dhe të Dërguarin e Tij, ai me siguri ka humbur.” (Sure “Ahzab”, ajeti 36).

Sipas shiave, ai që nuk interesohet për sunetin e Profetit ai ka kundërshtuar Kur’anin. Me synet të Profetit kuptohet fjala, vepra dhe miratimi i Profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!). Thëniet e Profetit duhet të jenë të sakta dhe jo të atribuara atij. Nga kjo kuptojmë se hadithet kanë nevojë për hulumtim, studim dhe verifikim. Kurse ajetet e Kur’anit janë argument i qartë, i padiskutueshëm dhe nuk kanë nevojë për studime dhe hulumtime rreth vërtetësisë dhe saktësisë së tyre, sepse ato janë Fjala e Allahut të Madhëruar. Krahas synetit të Profetit, duhet të ndiqet edhe syneti i imamëve të pastër të Ehli Bejtit (Paqja qoftë mbi ta!), sepse ata janë trashëgimtarët e dijes së Profetit Muhamed. Profeti i ka përmendur ata së bashku me Kur’anin në hadithin Thakalejn.

Thëniet e Imamëve të Ehli Bejtit për Kur’anin

 Të shumta janë thëniet e imamëve të Ehli Bejtit (Paqja qoftë mbi ta!) që dëshmojnë se Kur’ani kurrë nuk ka ndryshuar. Ai është Libri i Allahut që ia shpalli Profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!). Duhet që ata që hedhin akuza mbi shiat dhe shiizmin se gjoja kanë Kur’an tjetër, të lexojnë se çfarë thonë imamët e tyre rreth Kur’anit.

Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: "Kur’ani nxit dhe pengon, hesht dhe flet. Ai është prova e Zotit për krijimin e Tij, me të Ai i kërkon krijimit t’i zotohet se do veprojë sipas tij. Përmes tij Ai ka përsosur rrezatimin e tij e ka lartësuar fenë e Tij. Ai e ftoi Profetin e Shenjtë të largohej nga kjo botë, pasi ai u përcolli njerëzve porositë e Tij udhërrëfyese përmes Kur’anit..." (Nehxhul Belaga, Ligjërata 183)

Në një transmetim të ardhur nga Imam Rizai (Paqja qoftë mbi të!), që e ka përcjellë Rejan ibn Salt, thuhet: “Unë i thashë Rizait (Paqja qoftë mbi të!): “O biri i të Dërguarit të Allahut! Çfarë mund të na thuash për Kur’anin? Ai tha: Është Fjala e Allahut. Mos shkoni para tij dhe mos kërkoni udhëzim te diçka tjetër, përveçse tek ai (Kur’ani)! Nëse nuk kërkoni udhëzim te Kur’ani, do të humbisni.” (Ujun Akhbaru Rida, i Shejkh Sadukut: vëllimi 2, faqe 57).

Në një letër që Imam Rizai (Paqja qoftë mbi të!) i shkroi Me’munit rreth Islamit dhe ligjeve të fesë, thuhet: “Feja që solli Muhamedi, i biri i Abdullahut, është e vërtetë dhe e qartë. Ajo është e vërtetë, dëshmuese dhe vërtetuese për ato që kanë ardhur para të Dërguarit të Allahut, prej të Dërguarve dhe argumenteve. Ajo dëshmon Librin e vërtetë e fisnik, të cilit: Atij nuk mund t’i afrohet gënjeshtra nga asnjëra anë. Kjo është Shpallje prej një të Urti që i meriton të gjitha lavdet.” (Sure “Fusilet”, ajeti 42). Ai qëndron mbi të gjithë librat. Ai është i vërtetë nga fillimi e deri në fund të tij. Ne besojmë në ajetet e qarta të tij dhe në ato me kuptim të tërthortë; besojmë në të përgjithshmen e tij dhe në të posaçmen e tij; besojmë në premtimin e tij dhe në qortimin e tij; në abrogimin e tij dhe në abroguesin e tij; besojmë në tregimet e tij dhe në lajmet e tij. Asnjë nga krijesat nuk mund të sjellë një të njëjtë me të (Kur’anin).”  (Ujun Akhbaru Rida, i Shejkh Sadukut: vëllimi 2, faqe 130).

Transmeton Ali ibn Salim nga babai i tij, i cili ka thënë: “E pyeta Xha’ferr ibn Muhamed Es Sadik (Paqja qoftë mbi të!): “O biri i të Dërguarit të Allahut! Çfarë na thua për Kur’anin? I tha: Fjala e Allahut, Thënia e Allahut, Libri i Allahut, Shpallja e Allahut. Ai është Libër madhështor: Atij nuk mund t’i afrohet gënjeshtra nga asnjëra anë. Kjo është Shpallje prej një të Urti që i meriton të gjitha lavdet.” (Sure “Fusilet”, ajeti 42). (El Emalij, i Ajashiut, faqe 545, në fillim të komentimit të tij).

 Thëniet e dijetarëve shiitë

Ebu Xha’ferr ibn Muhamed ibn Ali ibn Hysejn Es Saduk, që ka vdekur në vitin 318 të Hixhrit, ka thënë: “Besimi ynë është se ai Kur’an që ia shpalli Allahu të Dërguarit të Tij, Muhamedit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) është po ai që ndodhet në duart e njerëzve, dhe nuk është më shumë se ai. Numri i sureve të tij është 114 sure. Kush thotë për ne se themi që Kur’ani është më shumë se aq, ai është gënjeshtar.” (I’tikadatul imamijeh, faqe 93-94).

Muhamed ibn Muhamed ibn Nu’man El Mufijd që ka vdekur në vitn 413 të Hixhrit ka thënë: “Prej tij nuk është pakësuar asnjë fjalë, asnjë ajet dhe asnjë sure. Janë hequr interpretimet e tij në Mus’hafin e prijësit të besimtarëve dhe komentimi i kuptimeve të tij. Përsa i përket shtesës në të (në Kur’an), dihet që kjo thënie është e pasaktë. Nëse me shtesë nënkuptohet shtesa në sure, kjo bie ndesh me sfidën e Kur’anit. Nëse nënkuptohet shtesa e një fjale apo dy fjalëve apo një a dy germave, unë anoj kah mosprania e shtesës dhe se Kur’ani është i largët prej shtesës.” (Uailul Mekalat, faqe 4-56).

Të nderuar lexues!

Ne myslimanët jemi krenarë që kemi Kur'anin. Jemi krenar që kemi Profetin Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!). E falënderojmë Allahun që na ka bërë prej ndjekësve të Islamit. Përderisa jemi të tillë, duhet t’i kushtojmë më shumë vëmendje Kur'anit të Shenjtë dhe t'i zhdukim paragjykimet, gënjeshtrat dhe shpifjet ndaj njëri-tjetrit. Le t’i zhdukim mospajtimet dhe zënkat, sepse ato veçse na dobësojnë, siç na thotë Kur'ani i Shenjtë: Bindjuni All'llahut dhe të Dërguarit të Tij dhe mos u grindni ndërmjet jush, sepse do të humbni guximin e do t’ju lërë fuqia! Bëhuni të durueshëm, se All'llahu, me të vërtetë, është me të durueshmit!”. (Sure “Enfal”, ajeti 46).

O Zoti ynë! Na i ndriço zemrat me dritën e Kur'anit!



Burimi : Media e Lire

Vullnet Merja

Kryetar i Shoqatës FLLADI