30 mijë muslimanë të bllokuar, mungesë ushqimi, uji e pajisje mjekësore
Mbi 30 mijë muslimanë të Arakanit (Rohingya) të cilët kanë ikur nga sulmet e ushtrisë së Mianmarit dhe budistëve radikalë në shtetin e Arakanit (Rakhine) gjenden të bllokuar në zonat malore në kufirin e Mianmarit me Bangladeshit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas një lajmi në CNN, aktivistë që mbrojnë të drejtat e muslimanëve të Arakanit kanë theksuar se mbi 30 mijë muslimanë të Arakanit të ardhur nga qytetet Maungdaw dhe Rathidaung në veri të Arakanit nuk kanë arritur ta kalojnë Lumin Naf në kufirin me Bangladeshin.
Aktivistët janë shprehur se këta persona janë bllokuar në zona malore prej disa ditësh dhe kanë mungesë të ushqimit, ujit dhe pajisjeve mjekësore.
Kyaw Win, një nga drejtuesit e Rrjetit të të Drejtave të Njeriut për Birmaninë (BHRN) me qendër në Londër, ka theksuar se “Jeta e këtyre njerëzve më të pambrojtur duhet shpëtuar sa më parë”.
Nga ana tjetër, kryetari i Këshillit Evropian për Muslimanët Rohingya (ERC), Hla Kyaw, për AA tha se “tani ushtria në vend të vrasjes së muslimanëve të Arakanit, ka filluar t’i largojë ata nga fshatrat e tyre”.
Sipas tij, ushtria e di se muslimanët e Arakanit gjithsesi ballafaqohen me vdekjen duke u përpjekur ta kalojnë kufirin me Bangladeshit apo duke pritur në male. “Ata tani më nuk do t’i harxhojnë plumbat”, ka shtuar ai.
Po ashtu, qeveria e Mianmarit nuk është duke lejuar shpërndarjen e ndihmave humanitare për muslimanët e Arakanit që kanë marrë rrugën e migrimit ose kanë mbetur pa shtëpi.