Sulmi terrorist në Spanjë, pretekst për tu përballur ashpër me emigrantët dhe azilantët
Organizata ndërkombëtare e emigracionit në një raport të saj njoftoi shtimin e numrit të emigrantëve që janë futur në Spanjë.
Xhoel Milman, zëdhënës i OKB më 18 gusht në Gjenevë ka thënë se që nga fillimi i këtij viti, duke marrë parasysh futjen e 600 emigrantëve në ujërat territoriale të Spanjës, numri total i emigrantëve në këtë vend ka arritur në 9 mijë persona. Ky numër në krahasim me një vit më parë tregon rritje të dukshëm. Roja Bregdetare spanjolle tha se shpëtoi 600 emigrantë që vinin nga Maroku brenda 24 orësh, diçka që shënon një rritje serioze të numrit të emigrantëve që mbërrijnë në vend. Autoritetet spanjolle thanë se emigrantët ishin të ndarë në 15 mjete të ndryshme lundrimi, mes të cilave edhe një varkë lodër me rrema. Mes tyre ishin 35 fëmijë dhe një foshnje.
Sipas OKB-së, më shumë se 9 000 njerëz kanë mbërritur në Spanjë këtë vit, tre herë më shumë se vitin e shkuar. Këto shifra as që krahasohen me ato të Italisë, por sidoqoftë tregojnë mjaft qartë trendin në rritje. Madje, sipas ekspertëve, këtë vit Spanja do të ketë më shumë mbërritje emigrantësh sesa Greqia. Shumica e emigrantëve që duan të shkojnë në Spanjë shfrytëzojnë Ngushticën e Gjibraltarit, një lundrim prej vetëm 12km, mjaft më i favorshëm krahasuar me lundrimin përmes Mesdheut drejt Italisë.
Mirëpo sulmet e fundit në Spanjë, janë bërë shkak për marrjen e masave akoma më të ashpra për parandalimin e emigrantëve që futen në Spanjë dhe në vendet e tjera evropiane. Pas sulmit në Barcelonë, me 13 viktima dhe mbi 100 të lënduar, i takoi Finlandës dhe Rusisë të përballeshin me terrorin, me dy sulme me viktima e të plagosur, të cilat autoritetet i trajtuan si akte terroriste.