Agjerimi është pastrim shpirti

  • Xhamia e al-Sayed Hashem në Gazë 6 qershor 2016, dita e parë e muajt të Ramazanit –
Publikuar në Qershor 29, 2016, mesnatë

Myslimanët e mbarë botës nisën sot muajin e shenjtë të Ramazanit, i nënti në kalendarin islamik, në të cilin respektohet thellësisht agjërimi i përditshëm. Por, ç’kuptim ka ky muaj kaq i veçantë? Intervistuam Shahrazad Houshmand, teologe iraniane, pedagoge e Studimeve Islamike pranë Universitetit Gregorian:

Përgjigje: - Është muaj përpjekjesh të mëdha për një miliard e gjysëm myslimanë, në të katër anët e botës. Në këtë muaj korpi e shpirti janë në lidhje tejet të ngushtë njëri me tjetrin, në mënyrë shumë domethënëse, sepse agjërohet. Hiqet dorë – prej sabahu, në aksham – nga e ngrëna, e pira e edhe nga marrëdhëniet seksuale. Muaji i shenjtë përfshin gra e burra  të rritur, ndërsa pleqtë e gratë shtatzëna mund të mbajnë në një çast tjetër. Muaj me rëndësi të madhe, ky, sepse shumë fjalë na duken më të qarta: kontrolli e vetëkontrolli, ndarja e përbashkët, lutja, nata pa gjumë në meditim. Kontrolli, natyrisht, me që bëhet fjalë për një përpjekje të madhe, për të kontrolluar instinktet e para natyrore të qenies njerëzore, që janë pikërisht e ngrëna dhe e pira. E ky kontroll, është edhe vetëkontroll, sepse askush nuk e kontrollon tjetrin, për të parë nëse ha ndonjë gjë fshehurazi. E prej këndej, synohet të arrihet tek vetëdija për të kontrolluar edhe  vetë instinktet më natyrale. Vjen, pastaj, edhe ndarja e përbashkët, sepse në fund të kësaj përpjekjeje të përditshme, këshillohet ta ndash ushqimin me vëllezër e motra të tjera. Është edhe muaj i faljes, sepse - sipas traditës - portat e qiellit janë të hapura dy kanatash nga mëshira  dhe  ndjesa hyjnore. Prej këndej, besimtarët përpiqen të kujtojnë gabimet e tyre, mëkatet e tyre, të lypin falje për të kaluarën e të shpresojnë në një ardhmëri më të ndritshme. Veç kësaj, duke parë se Zoti është kaq i gatshëm për të falur, këshillohet edhe falja reciproke. E me që është muaji në të cilin Fjala e shenjtë e Kuranit u duk mes njerëzve, është edhe muaj i lutjes, prandaj lutjeve kanonike u shtohen edhe lutje të tjera. Prej këndej, edhe falja mbrëmësore: domethënë, të rrish zgjuar edhe në orët  e natës, kur nuk ka diell, e të presësh zgjuar pikërisht çastin kur shkrep rrezja e parë. Edhe kjo ka kuptimin e vet; al Ghazali, teolog i madh mysliman, njëmijë vjet më parë, në librin “Ilaçi i lumturisë”, përshkruan agjërimin e vërtetë, që nuk është thjesht mungesë ushqimi e uji, por heqje dorë nga gjithçka e cënon pastërtinë e njeriut. Kështu ti heq dorë nga ushqimi e  uji, por më pas duhet të arrish në nivelin e dytë, të heqësh dorë nga urrejtja, nga zilia, nga arroganca, nga mburrja e nga të gjitha  format, që plagosin origjinalitetin dhe pastërtinë e shpirtit: për të arritur, më pas -  kush mundet - në nivelin e tretë - domethënë të heqësh dorë nga gjithçka, që të huton e të largon nga Zoti.

Pyetje: -  Është, pra, e rëndësishme edhe për ata që nuk janë myslimanë, njohja e traditave lidhur me këtë festë, për ta kuptuar më mirë, duke shmangur, kështu, paragjykimet, moskuptimet, intolerancën ose thjesht, mosnjohjen…

Përgjigje: - Po, absolutisht! Mosnjohja krijon bazën e çdo tipi të intolerancës e edhe - për fat të keq - të çdo agresioni e dhune. Njohja është udha më e mirë për një jetë të jetuar së bashku, në mënyrë paqësore, qytetare. E është e nevojshme ta dish se tjetri po mundohet për të arritur një cak të mirë. E arrin apo jo, kjo është punë tjetër. Kush agjëron bën një përpjekje shpirtërore, që përfshin edhe trupin: nuk ndalohet, pra, vetëm tek shpirti,  por duhet të mësojë të sillet drejt, gjithnjë.