'Faza e tretë' e planit të Izraelit? Apo 'faza e parë' e fitores së Rezistencës?
Durimi dhe qëndrueshmëria e popullit të Gazës, heroizmi i rezistencës së Gazës dhe 'strategjia e luftës së shkatërrimit' nga Boshti i Rezistencës sollën disfatën për regjimin izraelit dhe fazën e parë të fitores për rezistencën.
Rreth dy javë pas Përmbytjes së Al-Aksa, regjimi izraelit njoftoi një plan lufte me tre faza. Para këtij plani, i cili u shpall në mes të muajit tetori, Izraeli tashmë po hidhte në Gaza bomba nga ajri.
Ministri izraelit i Mbrojtjes Yoav Gallant shpjegoi fazat e planit si më poshtë:
Në fazën e parë Hamasi do të mposhtet. Fillimisht do të kryhet një operacion ushtarak me zjarr dhe më pas me një manovër të papritur, me qëllim për të shkatërruar aktivistët dhe infrastrukturën e rezistencës.
Në fazën e dytë, do të fokusohet në reduktimin e konflikteve të ardhshme dhe eliminimin e elementeve të rezistencës që do të mbeten në Rripin e Gazës.[1]
Në fazën e tretë, do të formohet një sistem i ri sigurie në Rripin e Gazës dhe do të krijohet një realitet i ri sigurie për izraelitët që jetojnë rreth Rripit të Gazës.[2]
Nga 20 tetori, kur shpalli këtë plan, e deri më 4 janar, kur njoftoi se kishte hyrë në fazën e tretë, Izraeli bombardoi çdo pjesë të Gazës nga ajri dhe deti, pa përjashtuar as spitalet, dhe më pas filloi një operacion tokësor.
Prandaj, duke marrë parasysh planin me tre faza të shpallur nga Gallant dhe operacionin ushtarak në terren, fazat e planit deri më 4 janar dukeshin kështu:
Në fazën e parë, bombardimet ajrore u kryen pa marrë parasysh asnjë vijë të kuqe morale, përfshirë edhe spitalet dhe si qëllim ishte dëbimi i njerëzve nga Gaza.
Në fazën e dytë, njerëzit në veri u dëbuan në jug, në mënyrë që grupet e rezistencës do të izolohen dhe infrastruktura ushtarake e rezistencës do të shkatërrohet lehtësisht me një sulm tokësor.
Ndërsa në fazën e tretë, në Gaza do të vendoset një rend i ri që nuk do të kërcënojë Izraelin dhe i cili do të pastrohet nga rezistenca.
Plani i shpallur deri më 4 janar dhe kalendari afërsisht 3-mujor krijuan përshtypjen se i gjithë kontrolli i luftës ishte në duart e Izraelit.
Në aspektin ushtarak, Izraeli posedonte një epërsi disproporcionale në armë dhe ushtarë.
Pavarësisht nga sulmet e tij pa dallim në spitale dhe vende të shenjta, ai nuk ishte nën asnjë presion nga Perëndimi apo bota arabe dhe islame.
Komponentët e Boshtit të Rezistencës, të cilët ishin e vetmja palë në botë që mbështeste rezistencën në Gaza, u kërcënuan nga Amerika dhe Anglia me aeroplanmbajtëset e tyre dhe nëndetëset bërthamore.
Krahas mbështetjes së drejtpërdrejtë të botës perëndimore, vendet arabe dhe islamike po e mbështesnin gjithashtu në mënyrë indirekte Izraelin duke mos tërhequr as ambasadorët e tyre dhe duke vazhduar tregtinë me Izraelin.
Prandaj, ekzistonin të gjitha kushtet që Izraeli të zbatonte planin e luftës me 3 faza të cilin e shpalli në tetor.
Por, faza e tretë e shpallur nga ushtria izraelite më 4 janar nuk ishte faza e tretë e planit të luftës së Yoav Gallant, pra faza e fitores.
Sepse, ndërsa ushtria izraelite njoftoi se kishte hyrë në fazën e tretë më 4 janar, ajo nuk deklaroi se kishte krijuar një sistem të ri sigurie në Gaza; duket qartë se po arratisej nga Gaza për shkak të humbjeve të rënda që pësoi.
Amos Harel, analist ushtarak i gazetës Haaretz, shpjegoi detajet e fazës së tretë që ushtria do të kalojë në luftën e Gazës si më poshtë:
1- Forcat e ushtrisë do të tërhiqen gradualisht nga Gaza, në vend të tyre do të vendosen forcat rezervë dhe do të ulet intensiteti i sulmeve.
2- Në periudhën e ardhshme konfliktet do të jenë më të kufizuara se në fillim të luftës; por, do të ketë ende një numër të madh forcash të vendosura në kufirin e Gazës dhe përgjatë kufirit libanez.
3- Përveç kësaj, do të ndërtohet një 'korridor i ri sigurie' në të cilin palestinezët do të ndalohen të hyjnë.[3]
Një ditë pas kësaj deklarate, televizioni izraelit raportoi se ushtria izraelite hyri në fazën e tretë në Gaza dhe se forcat e regjimit filluan të tërhiqen.
Sipas deklaratës zyrtare, në fazën e tretë, e cila filloi më 4 janar, “ka pasur një kalim nga bombardimet intensive në bombardime të kufizuara” dhe në këtë fazë lufta do të vazhdonte me grupe më të vogla brenda Gazës.[4]
Faza e tretë në planin e Yoav Gallan ishte një fazë fitoreje. Sepse kalimi në këtë fazë, që parashikonte krijimin e një sistemi të ri sigurie në Gaza, do të thoshte që infrastruktura ushtarake e rezistencës në Gaza u shkatërrua plotësisht.
Megjithatë, pavarësisht gjithë mbështetjes ndërkombëtare, Izraeli nuk ka arritur të shkatërrojë infrastrukturën ushtarake të rezistencës, të vrasë qoftë edhe një komandant të vetëm, apo të shpëtojë një të burgosur të vetëm në tre muajt e fundit.
Vrasja e afro 30 mijë civilëve të Gazës nuk ishte një fitore ushtarake për Izraelin, por një gjyq për gjenocid në Hagë me iniciativën e Afrikës së Jugut.
Prandaj, kjo fazë e re që ka kaluar ushtria izraelite me tërheqjen e saj nga Gaza që më 4 janar, nuk nënkupton 'fazën e tretë' të planit të luftës së regjimit izraelit, por 'fazën e parë' të fitores së rezistencës palestineze.
Kufijtë e iluzionit izraelit
Kushtet të cilat detyrojnë regjimin izraelit të largohet nga Gaza nën emrin e fazës së tretë janë shumë të qarta.
Regjimi izraelit, me gjithë mekanizmat e censurës, nuk mund të fshehë përmasat e humbjeve të tij në fushën ushtarake.
Ai nuk mund të tregojë asnjë histori fitoreje kundër infrastrukturës ushtarake të rezistencës që do të kënaqte publikun e tij.
Shohim se dy fazat e para të planit të luftës 3-fazore që ai njoftoi, kanë shkaktuar që regjimi izraelit të akuzohet për gjenocid në Hagë. Por, ky regjim është ushqyer me 'industrinë e gjenocidit' që nga Lufta e Dytë Botërore.
Humbjet ekonomike dhe tregtare që ka pësuar dhe problemet sociale që rrjedhin nga fakti që qindra mijëra njerëz në kufirin e Gazës dhe Libanit janë bërë refugjatë janë objekt i një dosjeje krejtësisht të veçantë.
Në fushën politike, qeveria po përjeton një krizë të rëndë për shkak të presionit intensiv të njerëzve që kanë hequr dorë nga shpresa se të burgosurit në Gaza mund të shpëtohen përmes luftës dhe ekspertëve që pranojnë se janë mundur në luftë [5]. Madje raportohet se për shkak të grindjeve të brendshme, mund të shembet kabineti i luftës.[6]
Ndërsa në fushën diplomatike, Amerika, mbështetësi më i madh i Izraelit, po humbet durimin me regjimin dhe Uashingtoni është i detyruar të krijojë planin e tij alternativ.[7]
Strategjia e luftës e Boshtit të Rezistencës
Megjithëse Hamasi, arkitekti i Përmbytjes Al-Aksa, ishte një komponent i Boshtit të Rezistencës, Përmbytja Al-Aksa nuk ishte një vendim i përbashkët i Boshtit të Rezistencës.
Megjithatë, përbërësit e tjerë të Boshtit të Rezistencës nuk e morrën parasysh që Përmbytja e Al-Aksa nuk ishte e koordinuar me ta dhe mbështetën udhëheqjen e Hamasit dhe operacionin në Gaza.
Pra, si dhe brenda çfarë kuadri mund të mbështesë Boshti i Rezistencës aleatët e tij në Gaza?
A mund t'i shpallej një luftë Izraelit, i cili fitoi imazhin e një shteti të shtypur që pësoi "përdhunim dhe masakër nga islamistët radikalë" më 7 tetor? Më e rëndësishmja, a do të mbetej lufta me Izraelin vetëm një luftë me Izraelin?
Menjëherë pas 7 tetorit, mbështetja e jashtëzakonshme ushtarake dhe politike e Amerikës, Anglisë, Francës, Gjermanisë dhe Kanadasë tregoi se lufta kundër Izraelit nuk do të kufizohej vetëm në Izrael.
Përmbytja e Al-Aksa dëshmoi se lufta kundër Izraelit do të thoshte të luftoje të gjithë sistemin global perëndimor. Prandaj, ishte e pamundur që ata të cilët luftonin sistemin global perëndimor të merrnin mbështetje nga bota arabe dhe islame.
Në fakt, fakti që vendet anëtare të Ligës Arabe dhe Organizatës së Bashkëpunimit Islamik u mjaftuan me thirrjet për "dënim dhe maturi" dhe vazhduan marrëdhëniet e tyre diplomatike dhe tregtare me Izraelin, dëshmoi se Boshti i Rezistencës do të mbette i vetëm në rajon në qoftë se do t'i shpallte një luftë të gjithanshme Izraelit.
Duke marrë parasysh këto kushte ndërkombëtare dhe rajonale, Boshti i Rezistencës, në vend që të fillonte një luftë të hapur kundër Izraelit, ndoqi një strategji të 'luftës së shkatërrimit' që u përhap me kalimin e kohës.
Strategjia e Boshtit të Rezistencës për luftën e shkatërrimit krijoi këto kushte, duke e detyruar Izraelin të kalonte në fazën e tretë më 4 janar, pra t'i nënshtrohej fazës së parë të fitores së rezistencës.
Lufta e shkatërrimit e rezistencës në Palestinë, Irak, Liban dhe Jemen
Operacionet e iniciuara nga rezistenca palestineze, libaneze, irakiane dhe jemenase e ekspozuan Izraelin dhe aleatët e tij ndaj efekteve të luftës pa u dhënë atyre një justifikim për luftë.
Ndryshe nga periudhat e mëparshme, rezistenca palestineze nuk i shikoi në televizion sulmet në Gaza, por u bë pjesë e luftës. Pavarësisht nga aftësitë e tij të dobëta ushtarake, veprimet e Bregut Perëndimor mbajtën të zënë trupat izraelite që mund të dërgoheshin në Gaza.
Rezistenca e Gazës i shkaktoi Izraelit humbjet më të rënda në historinë e saj me planifikimin, përgatitjen dhe rezistencën e saj të jashtëzakonshme. Ushtria izraelite, e cila bëri një sulm tokësor në Rripin e Gazës, i cili është afërsisht sa distrikti Beykoz i Stambollit, nuk mundi të parandalonte raketat e rezistencës që të godasin vendbanimet përreth dhe Tel Aviv-in.
Më e rëndësishmja, ai nuk arriti të mbillte përçarje midis popullit të Gazës dhe rezistencës me bombardime dhe bllokada të rënda. Asnjë person i vetëm në Gaza nuk fajësoi Hamasin apo rezistencën për gjenocidin që pësuan.
Gjenocidi i Izraelit dhe bllokada e Egjiptit nuk mund të thyenin unitetin e popullit të Gazës dhe rezistencës.
Operacionet e Rezistencës Islamike të Irakut kundër bazave amerikane në Irak dhe Siri i dhanë një goditje të rëndë kontrabandës së naftës të regjimit amerikan në Siri.
Operacionet e saj kundër Golanit dhe Haifës e detyruan regjimin izraelit të jetë i zënë në veri jo vetëm me Hezbollahun, por edhe me një front tjetër.
Rezistenca irakiane imponoi një ekuacion 'mbështetje kundër objektivit' në Amerikë për shkak të mbështetjes së saj për Izraelin.
Operacionet e Hezbollahut përgjatë kufirit libanez i dhanë goditje të pariparueshme regjimit izraelit, si në aspektin ushtarak ashtu edhe në atë shoqëror. Ai e futi Izraelin në situatë të vështirë në dy mënyra.
Operacionet e Hezbollahut i dhanë Izraelit goditjet e mëposhtme ushtarake:
1- Hapja e një fronti në veri nga Hezbollahu që nga 8 tetori e detyroi Izraelin të mbante ushtrinë, armët dhe pajisjet që do të dërgonte në Gaza në kufirin libanez. Kjo lehtësoi barrën e rezistencës së Gazës.
2- Për shkak të operacioneve të Hezbollahut, Izraeli humbi infrastrukturën e spiunazhit elektronik përgjatë kufirit libanez dhe bazën ajrore Meron, një nga dy bazat e tij të kontrollit ajror.[8]
3- Humbjet e përditshme të ushtarëve ishin mjaft të mëdha ashtu që të përshkallëzojnë zemërimin e shoqërisë izraelite, me gjithë mekanizmat e censurës.
Ndikimi i operacioneve ushtarake të Hezbollahut në strukturën shoqërore të Izraelit ishte shumë më i rëndë dhe tronditës. Sepse për shkak të operacioneve të Hezbollahut, vendbanimet 5 kilometra larg vijës kufitare libaneze u evakuuan. Kështu, dhjetëra mijëra (afërsisht 280 mijë) izraelitë u bënë refugjatë.
Për shkak të luftës së shkatërrimit të nisur nga Hezbollahu, shoqëria izraelite ka përjetuar vuajtjet që palestinezët kanë përjetuar që nga viti 1948. Kjo situatë bëri që ata të vënë në pikëpyetje arsyetimin e ekzistencës së Izraelit.
Sepse Izraeli, i cili përcaktohej si vendi më i sigurt për të gjithë hebrenjtë në botë, ishte bërë vendi më i pasigurt dhe regjimi izraelit, i cili pretendonte se kishte "ushtrinë e katërt më të fortë në botë", nuk mundi t'i mbronte ata.
Dhjetëra mijëra izraelitë thonë se nuk do të kthehen në vendbanimet e tyre të mëparshme derisa forcat e Hezbollahut të largohen në veri të lumit Litani, pra 30 kilometra nga kufiri.
Megjithatë, regjimi izraelit e di se është e pamundur të përzë Hezbollahun në veri të lumit Litani me anë të luftës. Në vend të një lufte gjithëpërfshirëse rajonale, aleatët e Izraelit, veçanërisht Amerika, preferojnë të pranojnë luftën Hezbollahut për shkatërrim.
Dhjetëra mijëra izraelitë të evakuuar nga kufiri libanez, jo vetëm që u shkëputën nga prodhimi dhe jeta ekonomike, por gjithashtu u bënë një barrë e rëndë ekonomike për regjimin që i priti në hotele.
Hezbollahu krijoi një ekuacion të 'dëbim kundër dëbimit' në përgjigje të luftës së shkatërrimit dhe politikës së dëbimit të Izraelit kundër palestinezëve.
Operacionet e ushtrisë jemenase të lidhur me Qeverinë e Shpëtimit Kombëtar me qendër në Sanaa në Detin e Kuq dhe Gjirin e Adenit i dhanë goditje të pariparueshme të rënda ekonomike jo vetëm regjimit izraelit, por edhe aleatëve të tij.
Kompanitë ndërkombëtare të transportit ndryshuan rrugën sepse ushtria jemenase nuk lejoi që anijet tregtare që transportonin mallra në Izrael të kalonin nga Deti i Kuq. Porti Eylat u mbyll për shkak se asnjë anije nuk mund të shkonte në Izrael nga Deti i Kuq.
Meqenëse anijet duhej të kalonin rreth Kepit të Shpresës së Mirë, tregtia me Izraelin u shndërrua në një aktivitet shumë të shtrenjtë dhe që kërkon shumë kohë.
Kështu, ushtria jemenase vendosi një ekuacion 'bllokadë kundër bllokadës' në përgjigje të bllokadës së vendosur në Gaza.
Ishte kjo strategji luftarake e cila bëri që regjimi izraelit ta kthente fazën e tretë të planit të tij të luftës trefazore në fazën e parë të fitores së rezistencës.
Përpjekja për të nxjerrë fitoren politike nga disfata ushtarake
Nëse strategjia e luftës së shkatërrimit të Boshtit të Rezistencës ishte e suksesshme dhe kalimi i ushtrisë izraelite në 'fazën e tretë' më 4 janar ishte një disfatë e qartë, atëherë pse Izraeli vazhdon luftën dhe pse udhëheqësit e regjimit thonë se lufta do të vazhdojë deri në vitin 2025?[ 9]
Vazhdimi i luftës nuk është një vendim i përbashkët shtetëror në Izrael; por vendim i krerëve të qeverisë të cilët kishin humbur mbështetjen e publikut[10] dhe pritej të vendoseshin në bankën e të akuzuarve kur të përfundonte lufta.
63 për qind e izraelitëve duan zgjedhje të parakohshme për një "fillim të ri".[11] Të afërmit e të burgosurve izraelitë në Gaza kanë hequr dorë nga shpresa për luftën dhe kanë pyetur qeverinë: "Për cilën fitore po flisni?".[12]
Përveç mbështetësve të qeverisë, edhe mediat, gjeneralët në pension dhe politikanët që pasqyrojnë opinionin e publikut izraelit janë gjithashtu të vetëdijshëm për humbjen.
Ish kryetari i Mossad-it, Efraim Halevi, thekson se ka një dallim të madh në mes të asaj që është arritur në Rripin e Gazës dhe eliminimit të Hamasit dhe bën thirrje për shtyrjen e përballjes me Hamasin dhe përfundimin e luftës për kthimin e të burgosurve. [13]
Ish kreu i agjencisë vendase të inteligjencës Shin Bet, Ami Ayalon thekson se ushtria nuk mund të arrijë asnjë rezultat dhe propozon që të bëhen negociata me udhëheqësin e al Fatah, Marwan Barghouti, të cilin regjimi e dënoi me burgim të përjetshëm.[14]
Gjenerali në pension Itzhak Brik pranoi humbjen; ai thekson se duhet kaluar në një fazë të re dhe thotë: “Sidomos nëse e dini se nuk do të arrini fitoren që prisni, kaloni në hapin tjetër”.[15]
Gazeta Yediot Ahronot, një nga organet kryesore mediatike të Izraelit, e përshkruan këmbënguljen e qeverisë për luftë duke pyetur: "Si do të dalim nga gropa ku ramë?".[16]
Edhe qëndrimi i aleatit kryesor të Izraelit, Amerikës, nuk është dallon nga qëndrimi që dominon publikun izraelit.
Faqja izraelite e lajmeve Axios, e transmetuar nga Amerika, raportoi në lajmet e saj bazuar në zyrtarë të administratës së Bidenit se Presidentit të SHBA-së "po i mbaron durimi" me Benjamin Netanyahun, i cili nuk po gjen një zgjidhje.[17]
Karriera politike e liderëve në qeverinë izraelite, dhe ndoshta edhe shmangia e tyre nga burgu, varet nga zgjatja e luftës. Nga lajmet e gazetës Washington Post, bazuar në zyrtarë të lartë amerikanë, kuptohet se këtë gjë e dinë edhe liderët amerikanë.
Sipas lajmit, regjimi amerikan është i shqetësuar se kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu do t'i shpallë luftë Libanit për mbijetesën e tij politike.[18]
Përfundimi
Durimi dhe qëndrueshmëria e popullit të Gazës, heroizmi i rezistencës së Gazës dhe 'strategjia e luftës së shkatërrimit' nga Boshti i Rezistencës sollën disfatën për regjimin izraelit dhe fazën e parë të fitores për rezistencën.
Faza e parë e fitores së rezistencës nënkupton që regjimi izraelit fillon të braktisë gradualisht fushën ushtarake duke përgatitur opinionin e vet publik.
Pra, kjo fazë është hapi i parë drejt fitores; por, ka një proces shumë më kompleks përpara fitores përfundimtare të rezistencës.
Normalizimi i marrëdhënieve me Izraelin nga regjimet arabe në këmbim të një 'zgjidhjeje me dy shtete' është pengesa më e rëndësishme për rezistencën.
Sepse nëse regjimi izraelit shpëton nga qeveria aktuale, ai mund t'i ofrojë palës palestineze këtë plan të përgatitur nga Amerika në këmbim të ndalimit të sulmeve ushtarake.
Duke marrë parasysh gjendjen aktuale të Administratës Autonome Palestineze dhe natyrën e hapur të zyrës politike të Hamasit në Katar ndaj ndikimit arab, në këmbim të përfundimit të luftës, mund të vihet në axhendë një zgjidhje me dy shtete, si formulë për të izoluar rezistencën dhe për të garantuar sigurinë e Izraelit.
Duket se zgjidhja me dy shtete, e cila duket e mirë në letër, por nuk ka vlefshmëri në praktikë, është litari i vetëm që do ta shpëtojë regjimin izraelit nga gropa në të cilën ka rënë.
[1] Şarkul avsaat, 21 Tetor 2023, https://turkish.aawsat.com/arap-d%C3%BCnyasi/4619296-i%CC%87srailin-%E2%80%98hamas-sonras%C4%B1%E2%80%99-i%C3%A7in-%C3%BC%C3%A7-a%C5%9Famal%C4%B1-plan%C4%B1
[2] Artı Gerçek, 20 Tetor 2023, https://artigercek.com/dunya/israil-savunma-bakani-gallant-savas-uc-asamali-olacak-gazzede-yeni-bir-rejim-269709h
[3] AA, 3 Janar 2024, https://www.aa.com.tr/tr/dunya/israilli-uzmana-gore-israil-ordusu-gazzede-savasin-ucuncu-asamasina-gececek/3099207
[4] NTV, 4 Janar 2024, https://www.ntv.com.tr/dunya/israil-ordusu-gazzede-3-asamaya-gecti-askerler-cekiliyor,fS2bE7PaGUaWfBxoW7nkwA
[5] YDH, 17 Janar 2024, https://ydh.com.tr/d/18001/israilli-uzmanlar-yenilgiyi-kabul-ediyor
[6] YDH, 17 Janar 2024, https://ydh.com.tr/d/17995/israil-savas-kabinesi-cokusun-esiginde
[7] YDH, 17 Janar 2024, https://ydh.com.tr/d/17997/amerika-savas-sonrasi-gazze-planini-acikladi
[8] Times of Israel, 7 Janar 2024, https://www.timesofisrael.com/idf-admits-mount-meron-air-traffic-control-base-damaged-in-hezbollah-attack/
[9] YDH, 17 Janar 2024, https://ydh.com.tr/d/17991/netanyahu-gazze-deki-savas-2025-e-kadar-surecek
[10] AA, 2 Janar 2024, https://www.aa.com.tr/tr/dunya/israilde-yapilan-bir-ankete-gore-halkin-sadece-yuzde-15i-netanyahuyu-istiyor/3098411
[11] YDH, 15 Janar 2024, https://ydh.com.tr/d/17960/israil-de-erken-secimlere-yogun-talep
[12] YDH, 15 Janar 2024, https://ydh.com.tr/d/17956/rehine-yakinlarindan-hukumete-hangi-zaferden-bahsediyorsunuz
[13] YDH, 10 Janar 2024, https://ydh.com.tr/d/17917/eski-mossad-sefi-israil-in-kayiplari-aci-verici
[14] YDH, 15 Janar 2024, https://ydh.com.tr/d/17962/eski-sin-bet-sefi-israil-hapisteki-intifada-lideriyle-gorusmeli
[15] YDH, 3 Janar 2024, https://ydh.com.tr/d/17836/israilli-general-yillar-boyu-surecek-bir-savasin-icindeyiz
[16] YDH, 10 Janar 2024, https://ydh.com.tr/d/17915/yedioth-ahronot-dustugumuz-cukurdan-nasil-cikacagiz
[17] YDH, 15 Janar 2024, https://ydh.com.tr/d/17958/biden-in-netanyahu-ya-karsi-sabri-tukeniyor
[18] YDH, 9 Janar 2024, https://ydh.com.tr/d/17895/washington-post-abd-netanyahu-nun-iktidarini-korumak-icin-hizbullah-ile-savasa-girmesinden-endiseli
Burimi : Yakın Doğu Haber