A do të marrin pjesë Rezistenca e Jemenit dhe e Irakut në Operacionin e Përmbytjes së Al-Aksës?

Publikuar në Tet. 24, 2023, 12:22 a.m.

Burimet irakiane zbulojnë se luftëtarët e disa grupeve të armatosura po lëvizin drejt zonave afër Palestinës së pushtuar dhe janë në pritje të udhëzimeve për të luftuar kundër ushtrisë okupatore sioniste. Kontakti i The Cradle me disa drejtues të organizatave konfirmon se këto grupe janë gati t'i bashkohen kësaj lufte të madhe përkrah rezistencës palestineze.

Vetëm disa orë pas fillimit të Operacionit Përmbytja e Al Aksës, i cili është sulmi më vdekjeprurës i Rezistencës që nga themelimi i regjimit izraelit, mbështetësit e Rezistencës në shumë vende me shumicë arabe dhe muslimane dolën në rrugë. Jemeni, një vend gjeografikisht shumë larg Palestinës së pushtuar, ishte në mesin e tyre.

Jo ndryshe nga demonstratat masive të mëparshme të mbajtura me qëllim solidariteti me Palestinën, qindra mijëra jemenas dolën në rrugë në qytete të ndryshme dhe deklaruan se ishin "të gatshëm të merrnin pjesë së bashku me rezistencën palestineze kundër armikut të popullit".

Në një fjalim emocionues më 10 tetor, Sayyed Abdul - Malik al-Houthi, udhëheqësi i lëvizjes Ansarullah, theksoi se jemenasit janë të gatshëm të "përmbushin detyrën e tyre të shenjtë për të qëndruar pranë popullin palestinez".

Sayyed Houthi u shpreh se: "Populli ynë është i gatshëm të mobilizohet në qindra mijëra dhe të bashkohet me radhët e popullit palestinez për të dal kundër armikut dhe ne nuk do të ngurrojmë të bëjmë gjithçka që mundemi në këtë drejtim. Ne jemi duke u koordinuar me Boshtin e Rezistencës dhe madje jemi gati të marrim pjesë në bombardimet me raketa nëse amerikanët ndërhyjnë drejtpërdrejt ushtarakisht." Vlen të theksohet se edhe Houthi, si anëtarët e tjerë të boshtit, i paralajmëroi armiqtë e tij që të mos kalonin disa "vija të kuqe".

Vijat e kuqe të Jemenit

 Eksperti ushtarak jemenas, Aziz Rashid shprehet se Shtetet e Bashkuara "nuk mund të përfshihen në një konflikt të drejtpërdrejtë me Boshtin e Rezistencës, sepse kjo do të kishte pasoja serioze për interesat amerikane dhe sioniste".

Duke folur për The Cradle, Rashid thotë se "vijat e kuqe" që legjitimojnë ndërhyrjen e Jemenit në konflikt nuk kufizohen vetëm në përfshirjen direkte të SHBA-së në konflikt. Shtypja e vazhdueshme e Izraelit ndaj palestinezëve; Ai tregon për faktorët e tjerë që shkaktuan kalimin e këtyre vijave, duke përfshirë sulmet në Bregun Perëndimor, Jerusalem, Jenin dhe Nablus, kërkesat nga rezistenca për ndërhyrje në Gaza dhe përpjekjet serioze për të eliminuar Rezistencën. Dhe më e rëndësishmja, ai vë në dukje se këto shkelje do të shkaktojnë një reagim të koordinuar të të gjithë Boshtit, “nëpërmjet dhomave të operacioneve të përbashkëta”.

Për popullin jemenas, çështja palestineze ka përfaqësuar prej kohësh një angazhim parimor, fetar, moral dhe kombëtar. Sipas analistit politik Talib al-Hassani, “Një nga arsyet e agresionit amerikano-saudit që ka vazhduar që nga marsi i vitit 2015 është pozicioni i Jemenit brenda Boshtit të Rezistencës dhe rreziku i madh që paraqet për interesat e SHBA-së në rajon”.

Por, mbetet pyetja nëse një komb i cili është rraskapitur nga tetë vjet konflikte të pamëshirshme dhe kushte rrethimi, mund të marrë pjesë apo jo në operacionin ushtarak kundër Izraelit.

Hassani u shpreh për The Cradle se: "Disa mund ta shohin këtë pozicion si një shfaqje, por në realitet Jemeni ka aftësi të rëndësishme ushtarake që do ta lejojnë atë të shenjëstroj Izraelin." Hassani tërheq vëmendjen për ndryshimin që kaloi Jemeni pas Revolucionit të 21 Shtatorit në vitin 2014. Qëllimet e këtij ndryshimi përfshinin heqjen e dominimit të huaj dhe pjesëmarrjen në çështjet kombëtare dhe islame, duke përfshirë çështjen palestineze.

Arsenali i Ansarullahut

Tel Avivi i merr seriozisht këto kërcënime. Mediat izraelite u alarmuan pas operacionit "Cikloni i Jemenit" më 17 janar 2022, në të cilin forcat jemenase të lidhura me Ansarullahun goditën objektet e naftës të Emirateve të Bashkuara Arabe në Abu Dhabi dhe Dubai me raketa balistike dhe mjete ajrore pa pilot, ku ky sulm u krye nga një distancë prej afërsisht 1600 kilometrash, e cila është e barabartë me distancën midis Jemenit dhe Izraelit. Nuk ka më asnjë debat për faktin që jemenasit mund të shënjëstrojnë potencialisht portet izraelite, Eilat, Tel Aviv dhe Haifa.

Rashid thekson se ndërhyrja e Jemenit në luftë ka të ngjarë të kryhet në formën e sulmeve me dron dhe raketa kundër objektivave specifike, në përputhje me Unitetin e Fronteve, planin strategjik të Boshtit të Rezistencës.

Hassani po ashtu u shpreh se këto sulme "mund të shtrihen përtej territorit të pushtuar palestinez, në rrugët detare dhe në bazat amerikane dhe izraelite në anën afrikane të Detit të Kuq dhe Detit të Kuq". Ai vë në dukje theksimin e Houthi-t në fjalimin e tij të fundit se "ne duhet të kemi ndikim te armiku izraelit", që do të thotë se sulmet do të jenë "të mëdha, të fokusuara, të sakta dhe të dhimbshme".

Në mesin e arsenalit të frikshëm të Ansarullahut, disa prej të cilëve u ekspozuan në paradën ushtarake të përvjetorit të Revolucionit të muajit të kaluar në Sanaa, përfshihen dronët sulmues Samad 3 të pajisur me koka luftarake shpërthyese me një rreze veprimi prej 1,800 kilometrash dhe me peshë prej midis 20 dhe 50 kilogram.

Ky arsenal përfshin gjithashtu edhe mjete ajrore pa pilot Eyd 2, të cilat posedojnë kokë luftarake shpërthyese prej 40 kilogramësh dhe mund të arrijnë objektiva deri në 2000 kilometra larg. Ushtria jemenase posedon gjithashtu raketa balistike tokë-tokë me rreze të gjatë, si Quds 4, Aqil dhe Tufan. Në veçanti, raketat detare mund të synojnë bazat amerikane në Gjirin Persik, si dhe bazat izraelite dhe amerikane në Detin e Kuq.

Mbajtja e Shteteve të Bashkuara të zënë në Irak

Rezistenca në Irak tashmë ka filluar të japë shenja paralajmëruese për të ardhmen. Të mërkurën, Kataib Hezbollah mori përgjegjësinë për sulmet me dronë në bazat Ain al-Assad dhe Al-Harir që plagosën disa ushtarë amerikanë. Të nesërmen, zëdhënësi i grupit, Jafar al-Husseini shpjegoi qartë arsyet e sulmit:

"Amerikanët janë partnerë të rëndësishëm në masakrën e banorëve të Rripit të Gazës dhe për këtë arsye ata duhet të mbajnë pasojat... Shtetet e Bashkuara kanë qenë të vetëdijshëm për potencialin e rezistencës irakiane, e cila është zhvilluar prej kohësh, dhe sot ne jemi të aftë për të goditur të gjitha bazat amerikane në Irak."

Iraku, një vend ku Boshti i Rezistencës luajti një rol kyç në humbjen rajonale të ISIS, nuk është më pak i etur për të mbështetur rezistencën palestineze, veçanërisht përballë bombardimeve të pamëshirshme izraelite dhe ndërhyrjes së drejtpërdrejtë të Shteteve të Bashkuara.

Përveç dënimit zyrtar të kryeministrit irakian Mohammed Shia Al Sudani për fushatën gjenocidale të ushtrisë pushtuese, grupet e lidhura me Boshtin po përgatiten që kur të bëhet thirrja, të marrin pjesë në luftën e shumë fronteve. Këto grupe kanë për qëllim të përsërisin rolin që luajtën në Siri kundër organizatave terroriste të mbështetura nga jashtë.

Një burim nga një prej grupeve të rezistencës irakiane tha për The Cradle se tashmë është arritur koordinimi me Hamasin. Ditëve të fundit, janë mbajtur takime në mes të grupeve të rezistencës irakiane për të përcaktuar strategjitë për t'iu përgjigjur sulmeve izraelite në Gaza, duke u fokusuar në zgjerimin e fushës së luftës për të penguar forcat okupuese izraelite. Rruga e parë e veprimit do të jetë të sigurohet që Tel Avivi të luftojë i vetëm:

"Grupet irakiane po monitorojnë rrjedhën e ngjarjeve në Palestinë, veçanërisht ndërhyrjen e Amerikës dhe Evropës në operacionet ushtarake në anën e Izraelit. Ne kemi marrë masat paraprake në terren dhe jemi plotësisht të përgatitur, është përcaktuar banka e objektivave që duhet goditur në rast të ndërhyrjes së drejtpërdrejtë të Amerikës në luftë."

Në deklaratën e tij, Sekretari i Përgjithshëm i Brigadave të Hezbollahut të Irakut, Abu Hussein Al Hamidevi kërcënoi se do të shënjestrojë bazat amerikane në Irak nëse SHBA-ja ndërhyn në luftën e Gazës. Hamavi u shpreh se : "Raketat tona, mjetet ajrore pa pilot dhe forcat speciale janë gati të shënjestrojnë armikun amerikan në bazat e tij, nëse ai përfshihet në këtë luftë dhe ne gjithashtu do të godasim pikat e regjimit sionist që kemi përcaktuar."

Përveç kësaj, një burim i afërt me rezistencën irakiane tha për The Cradle se ka edhe mjete të tjera në dispozicion për të mbështetur rezistencën e Gazës nga Iraku, duke bërë presion mbi SHBA-në dhe Izraelin dhe për të ndryshuar ekuacionin, gjë që do të dëshmohet në orët ose ditët në vijim.

Edhe Palestina ka aleatë

Më 10 tetor, udhëheqësi i Asaib Ahl al-Haq, Sheikh Kais al-Khazali pati një bisedë telefonike me shefin e Byrosë Politike të Hamasit, Ismail Haniyeh dhe diskutoi në lidhje me zhvillimet në Gaza. Khazali, i cili më vonë bëri një deklaratë, theksoi se "Iraku është i vendosur të mbështesë çështjen palestineze dhe se grupet irakiane të rezistencës janë plotësisht të gatshme për çdo veprim që kërkohet prej tyre për të çliruar Jeruzalemin e Shenjtë dhe për të mbështetur popullin palestinez".

Ndërkohë, udhëheqësi i Lëvizjes Badir, Hadi al-Amiri kërcënoi se do t'u "shkaktojë humbje të mëdha" forcave pushtuese amerikane nëse Uashingtoni vendos të ndërhyjë drejtpërdrejt në luftë. Në një konferencë të fundit për shtyp, Amiri "i mbajti Shtetet e Bashkuara përgjegjëse për mbështetjen e pakufizuar ndaj sionistëve për ato që po ndodhin në Rripin e Gazës" dhe u shpreh se "ShBA do të pësojë një humbje të madhe nëse vendos të shkojë në luftë në krah të entitetit sionist kundër popullit palestinez”.

Eksperti ushtarak Nawaf al-Badrani thotë se, ndryshe nga forcat e rezistencës në Jemen, grupet irakiane kanë disa pengesa gjeografike:

Grupet irakiane nuk posedojnë raketa balistike që mund të arrijnë në territorin e pushtuar. Ata mund t'i bashkohen luftës duke synuar forcat amerikane të stacionuara në 10 baza të mëdha ushtarake në Irak, ose duke koordinuar me Sirinë dhe duke dërguar luftëtarët e tyre në kufijtë e pushtuar të Golanit.

Burimet irakiane zbulojnë se luftëtarët e disa grupeve të armatosura po lëvizin drejt zonave afër Palestinës së pushtuar dhe janë në pritje të udhëzimeve për të luftuar kundër ushtrisë okupatore sioniste.

Kontakti i The Cradle me disa drejtues të organizatave konfirmon se këto grupe janë gati t'i bashkohen kësaj "lufteje të madhe" përkrah rezistencës palestineze.