FITËR BAJRAMI ËSHTË FESTA E FALENDERIMIT
قُلْ بِفَضْلِ ٱللَّهِ وَبِرَحْمَتِهِۦ فَبِذَٰلِكَ فَلْيَفْرَحُواْ هُوَ خَيْرٌ مِّمَّا يَجْمَعُونَ
Thuaj: “Me mirësinë e Allahut dhe mëshirën e Tij - vetëm me këto le të gëzohen! Kjo është më e mirë se ajo që grumbullojnë.” (Sure Junus, ajeti 58)
Bajrami është thirrja e Allahut që njerëzit të jenë të lumtur, të shplodhin vetat e tyre nga pikëllimet e shumta e të ndryshme me të cilat përballen në jetë.
Bajrami na vjen me ato ditët e pakta të tij për të na rrënjosur gëzimin e gjatë në zemrat tona, duke e mbushur zemrën me dashuri dhe lumturi për ata që na rrethojnë.
Bajrami është festë e atyre të cilëve u janë falur mëkatet. Imam Aliu (paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Kjo është festë vetëm e atyre që u falen gjynahet. Ndërsa atyre që nuk u falen mëkatet dhe nuk u pranohen veprat, atëherë ata duhet të shpallin pikëllimin e tyre në ditën e Bajramit! Ata ndjejnë tmerrin e madh dhe duhet ta korrigjojnë situatën para se të jetë tepër vonë."
Bajrami, në konceptin islam, është ditë adhurimi dhe fillimi me vepra të mira, është ditë gëzimi për ata të cilëve Allahu ua pranon agjërimin dhe ditë pikëllimi për ata që nuk u pranohen veprat.
Dita e Bajramit nuk është si ditët e tjera. Ajo është një ditë e dalluar nga të gjitha anët dhe dimensionet. Është një ditë që Allahu i Madhëruar e bëri festë për muslimanët, prandaj kjo ditë duhet të përjetohet sipas rregullave të Islamit.
Dita e Bajramit është ditë adhurimi dhe afrimi te Allahu i Madhëruar.
FITËR BAJRAMI
Fitër Bajramin, Islami e ka bërë fryt të një udhëtimi shpirtëror në të cilin besimtari udhëton për një muaj të tërë në bindje ndaj Allahut të Madhëruar në krahët e engjëjve zbritës dhe ngjitës, të cilët hapin krahët e tyre për ta hijezuar atë me fisnikërinë dhe bekimin. Në këtë muaj të udhëtimit shpirtëror qiejt janë të hapur, djajtë janë të prangosur, dyert e mëshirës dhe faljes janë të hapura. Në këtë muaj besimtari mund t'i triumfojë ndaj tekave, egos dhe dëshirave të tij.
Festa e falënderimit të Allahut
Në të vërtetë Fitër Bajrami është festa e falënderimit. Është falënderim për Allahun që na mbarësoi të kalojmë një muaj në mikpritjen e Tij fisnike. Është falënderim për adhurimin, përkujtimin, nderimin dhe monologjet me të Plotfuqishmin.
Për cilët njerëz kjo ditë është Festë?
Është transmetuar nga Prijësi i besimtarëve (Paqja qoftë mbi të!) se ka thënë: “Vërtet, kjo ditë është festë për atë që Allahu ia ka pranuar agjërimin dhe ia ka falënderuar bërjen e adhurimeve dhe veprave të mira. Dhe çdo ditë në të cilën nuk i bëhet mëkat Allahut, ajo është festë.”
Është festë për atë që nga shkolla e agjërimit mësoi si të fitoi devotshmërinë, si t’i ruajë përftimet e agjërimit në muajin Ramazanit edhe pas këtij muaji të begatë dhe të mos bëhet si ai që mbjellë shumë i ujit shumë dhe kur të mbjellat e tij rriten ai i djeg ato me dorën e tij.
Për këtë gjendet një hadith i ardhur nga i Dërguari i Allahut (paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe familjen e tij!) kur u tha shokëve të tij: “Kushdo që thotë: I Lartësuar është Allahu (Subhanallahi), Allahu do t'i mbjellë atij një pemë në Xhenet.” Njëri prej tyre tha: Pemët tona në Xhenet janë të shumta. Atëherë Profeti (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) u përgjigj: “Po, por kini kujdes që të mos i dërgoni atyre zjarr dhe t’i digjni ato.”
Është transmetuar nga Prijësi i besimtarëve (Paqja qoftë mbi të!) se në hytben në ditën e Fitër Bajramit ka thënë: “Dhe dijeni, robtë e Allahut, se më e pakta për agjëruesit dhe agjërueset është që një engjëll i thërret ata në ditën e fundit të muajit të Ramazanit dhe u thotë: Gëzohuni, o robtë e Allahut, sepse mëkatet tuaja të mëparshme janë falur, prandaj shikoni se si jeni në atë që do të rifilloni.”
Festa e ummetit të përbashkët
Një nga karakteristikat më të rëndësishme të Fitër Bajramit, siç duket edhe nga hadithet e transmetuara nga të mëdhenjtë e fesë, është se ai është festa e një ummeti të përbashkët. Në duanë e kunutit që bëhet në namazin e Bajramit thuhet: “që e ke bërë festë për muslimanët”, pra Fitër Bajrami është festë për të gjithë muslimanët. Dhurata më e nderuar që ummeti islam duhet t'i paraqesë të Dërguarit të Allahut (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) në Fitër Bajram është kujdesi për të pajtuar zemrat, për të ruajtur unitetin e tyre dhe për të ruajtur krenarinë dhe dinjitetin e Profetit.
Festa e bashkimit dhe e harmonisë së ummetit
Sigurisht, Fitër Bajrami është rikthim i njeriut në natyrën e pastër të krijuar nga Allahu. Natyra e pastër njerëzore është e etur për Allahun e Plotfuqishëm, për përkujtimin dhe monoteizmin e Tij.
Bota islame duhet ta bëjë Fitër Bajramin një ditë uniteti dhe kohezioni dhe ta shfrytëzojë atë për t'u rikthyer te vetja, për të mbikqyrur veten dhe ta llogarisë atë. Ummeti islam sot ka shumë nevojë për këtë.
Namazi i Bajramit është mishërim i unitetit të muslimanëve
Namazi i Fitër Bajramit, nga ana tjetër, është një mishërim i këtij uniteti në çdo rajon të botës islame. Kjo thënie është e vërtetë si në rrafshin kombëtar, po ashtu është e vërtetë edhe në nivelet dhe dimensionet e gjera të Ummetit Islam.
Fitër Bajrami është dita e marrjes së shpërblimit të Allahut
Në realitet Fitër Bajrami është një festë e vërtetë për njerëzit e lumtur dhe besimtarë.
Ajo është dita e marrjes së shpërblimit nga Allahu i Madhëruar, për muajin e durimit të urisë dhe etjes. Është dita e marrjes së shpërblimit për muajin e kontrollit të dëshirave gjatë gjithë ditës në muajin e begatë të Ramazanit. Ndoshta një nga shenjat më të spikatura të vërtetësisë së dhënies në këtë ditë është se Zoti do të na përfshijë në mëshirën e Tij deri në muajin e ardhshëm të Ramazanit.
Kështu, ne kemi kuptuar festën e vërtetë. Lidhur me dhuratat e Bajramit është transmetuar se i Dërguari i Allahut (paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) se ka thënë: “Kur të jetë dita e parë e Shevalit, një thirrës do të thërrasë: O besimtarë, ejani te dhuratat tuaja. Pastaj tha: Dhuratat e Allahut nuk janë si dhuratat e mbretërve... Ai (Fitër Bajrami) është dita e dhuratave.” Kjo ditë kënaq shpirtërat dhe shëron zemrat që janë në kraharore.
Filozofia e Fitër Bajramit ka dimensione të shumëfishta dhe më të spikaturat janë: dimensioni shpirtëror, i cili lidhet me aspektin e adhurimit, dimensioni ekonomik, i cili përfaqësohet me dhënien e Zekatit të Fitrit dhe dimensioni social, i cili manifestohet me komunikimin dhe vizitat ndërmjet njerëzve.
Me këto dimensione të shumëfishta, Allahu i Madhëruar e ka bërë Bajramin festë për muslimanët. Kurse për Profetin Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) e ka bërë thesar, nderim, dinjitet dhe shtim të mirash.
Gëzimi i Bajramit nuk është gëzim për të vegjlit tanë pa të moshuarit, apo për të pasurit pa të varfërit tanë, por gëzimi i Bajramit është gëzim për të vegjlit dhe për të mëdhenjtë, për të pasurit dhe për të varfërit.
Kjo jetë na ka rënduar me hallet dhe shqetësimet e saj. Kështu që vjen Bajrami dhe na mbulon me gëzimin e tij, duke na bërë që të harrojmë hallet dhe shqetësimet e ashpra dhe të mëdhaja që kemi përjetuar.
Gëzimi i Bajramit lulëzon në zemrat tona ashtu siç lulëzon trëndafili në pranverë që përhap aromën e tij në çdo anë dhe e mbush stinën me aromën e tij specifike. Qielli ndriçon i zbukuruar dhe toka hijeshohet në këtë ditë. Të gjitha këto janë gëzim e hare për ardhjen e festës së Bajramit.
Falënderimi i takon Allahut për madhështinë e asaj që jep dhe që dhuron. Falënderimi i takon Allahut për festën dhe gëzimin e saj.
Le të jetë dita e Bajramit fillimi i një etape të re në jetën e çdo muslimani, një etapë e re në adhurim, në sjellje, në veprat e tij të mira dhe në afrimin me Krijuesin e tij të Madhëruar.
Urime muslimanëve për festën e tyre! Toka është stolisur për ata. Qielli është i gëzuar me lutjet e tyre dhe shpirtrat janë të buzëqeshur me paqen e tyre.
Gëzuar Fitër Bajramin! Gëzimi qoftë i përhershëm në zemrat dhe në shtëpitë tuaja!