Qeveria gjermane të premten mirëpriti vendimin e presidentit amerikan
Joe Biden, që edhe zyrtarisht të ndalë tërheqjen e paraparë të trupave amerikane nga Gjermania, duke thënë se vendosja e këtyre trupave në shtetin gjerman “është në interesin tonë të përbashkët”.
Vitin e kaluar, atëbotë presidenti amerikan, Donald Trump njoftoi se do të tërheqë rreth 9,500 trupa amerikane nga 34,500 sa janë gjithsej në Gjermani, por tërheqja e tyre nuk ndodhi asnjëherë.
Më 4 shkurt, Biden tha se plani për tërheqjen e trupave do të ndalohej derisa Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, të rishikonte praninë e trupave amerikane në mbarë botën.
“Qeveria gjermane e mirëpret këtë njoftim”, tha Steffen Seibert, zëdhënës i kancelares gjermane, Angela Merkel. Ai tha se “ne do të vazhdojmë të jemi në kontakt me administratën e re amerikane për të parë planet e saj të mëtejme”.
“Ne gjithmonë kemi qenë të bindur se stacionimi i trupave amerikane këtu në Gjermani i shërben sigurisë evropiane dhe trans-atlantike dhe prandaj është në interesin tonë të përbashkët”, tha Seibert.
I pyetur nëse Gjermania do të bëjë ndonjë ofertë konkrete për të bindur SHBA-në që të mos i tërheqë trupat, Seibert tha se Berlini do të ndjekë zhvillimet, por “se si këto rishikime do të shkojnë është çështje e brendshme e SHBA-së”.
SHBA-ja ka disa ndërtesa ushtarake në Gjermani, përfshirë edhe Bazën Ajrore Ramstein.