Papa: Të impenjohemi për vëllazërim, çdo ditë të vitit
Një ditë angazhimi global për vëllazërimin: është dita, e caktuar nga Kombet e Bashkuara e cila, duke nisur që sivjet, do të kremtohet çdo 4 shkurt.
Me kremtimet, nesër pasdite, do të bashkohet virtualisht edhe Papa. Njoftimi u dha në përfundim të audiencës së përgjithshme, njëherësh me inkurajimin e Françeskut për t’i mbështetur këto vlera me lutje e angazhim të përditshëm.
Nesër - kujtoi Papa në përfundim të audiencës së përgjithshme, mbajtur në Bibliotekën Apostolike - kremtohet Dita Ndërkombëtare e Vëllazërimit - sipas vendimit marrë më 21 dhjetorin e kaluar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara e cila, gjatë seancës plenare, vendosi që 4 shkurti i çdo viti t’i kushtohet Ditës ndërkombëtare të Vëllazërimit Njerëzor.
Duke adoptuar një rezolutë të tillë, Asambleja - lexohet në Komunikatën e OKB-së - i fton Shtetet anëtare ta kremtojnë këtë Ditë “për të promovuar dialogun ndërfetar e ndërkulturor”.
Ati i Shenjtë kujtoi, më pas, edhe takimin e 4 shkurtit 2019 në Abu Dabi, kur Ai, së bashku me Imanim e Madh të Al-Azhar, Ahmad Al-Tayyeb, nënshkruan Dokumentin mbi Vëllazërimin Njerëzor për paqen dhe bashkëjetesën paqësore:
“Jam shumë i kënaqur që Kombet e mbarë botës marrin pjesë në këtë kremtim, i cili synon të nxisë dialogun ndërfetar e ndërkulturor”.
Këtë theksoi Papa, për të njoftuar, më pas:
“Nesër pasdite do të marr pjesë në takimin virtual me Imamin e Madh të Al-Azhar, me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, zotin António Guterres dhe me personalitete të tjera”.
Françesku kujtoi edhe se Rezoluta e OKB-së e vlerëson lart kontributin e dialogut ndërmjet grupeve të ndryshme fetare, duke theksuar se ndikon fuqimisht në përmirësimin e vetëdijes e të mirëkuptimit të vlerave të përbashkëta të mbarë njerëzimit”
Në përfundim, urimi:
“Kjo qoftë sot lutja jonë, e edhe angazhimi ynë, në çdo ditë të vitit!”.
Burimi : Radio Vatikan