“Përhapën virusin që të fusin çipa në trupin e njeriut”- Bill Gates reagon për herë të parë për teoritë e konspiracionit.

Publikuar në Shk. 4, 2021, 4 a.m.

Bill Gates thotë se është befasuar nga teoritë e konspiracionit, që po qarkullojnë në lidhje me pandeminë COVID-19, ndërsa nuk ngurroi t’i quante ato “të çmendura dhe dashakeqe”.

Bashkëthemeluesi dhe filantropisti i Microsoft në një intervistë për ‘Reuters’ tha se mund të jenë krijuar “teori të çmendura konspiracioni” për të dhe epidemiologun e lartë amerikan, Anthony Fauci, pjesërisht nga ndikimi i asaj që ai e quajti ‘pandemi virale dhe mediat sociale’.

“Askush nuk mund ta kishte parashikuar që unë dhe Dr. Fauci do të ishim figura mbizotëruese në këto teori me të vërtetë dashakeqe”, tha Gates.

Miliarderi amerikan, i cili dha dorëheqjen si president i Microsoft në 2014, ka premtuar të dhurojë të paktën 1.75 miliardë dollarë përmes Fondacionit Bill dhe Melinda Gates për të trajtuar pandeminë e re të koronavirusit në të gjithë botën. Kjo ndihmë përfshin mbështetje për kompani të caktuara vaksinash, trajtime të mundshme dhe metoda diagnostikuese.

Një vit më parë, që kur filloi pandemia, miliona teori konspirative janë përhapur përmes internetit, duke nxitur dezinformata në lidhje me koronavirusin. Ata përmendin, ndër të tjera, se Fauci dhe Gates krijuan pandeminë në mënyrë që të kontrollonin njerëzit. Këto teori gjithashtu pretendojnë se të dy duan të përfitojnë nga përhapja e virusit dhe të përdorin vaksinat për të futur çipa në trupin e njeriut.

Sipas një raporti në faqen e internetit të Reuters, Gates lavdëroi Fauci dhe kreun e Institutit Kombëtar të Shëndetit të SHBA, Francis Collins, duke i quajtur ata “njerëz të zgjuar” dhe “njerëz të mrekullueshëm”. Ai shtoi se ishte duke pritur t’i shihte ata duke punuar në mënyrë efektive nën qeverinë e re të Presidentit Joe Biden.

Gates madje tha që gjatë menaxhimit të pandemisë nga presidenti i mëparshëm, Donald Trump, “ndonjëherë dukej sikur ata ishin të vetmit njerëz të matur në qeverinë amerikane”.



Burimi : Reuters