Papa, i pikëlluar për atentatet brutale dhe të pakuptimta

Publikuar në Jan. 23, 2021, 2:42 p.m.

Papa Françesku është “tejet i trishtuar” për atentatin e dyfishtë të paradites së sotme në Bagadad. Në një telegram, nënshkruar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, Ati i Shenjtë “shpreh keqardhje për këtë akt të pakuptimtë brutaliteti e lutet për viktimat dhe për familjet e tyre, për të plagosurit dhe për personelin që po i ndihmon. Duke besuar se të gjithë do të vazhdojnë të punojnë për ta kapërcyer dhunën me vëllazërim, solidaritet dhe paqe, Papa Françesku i kërkon Zotit të Tejetlartë bekime për kombin dhe popullin” irakian. Telegrami i drejtohet presidentit të Irakut, Barham Salih. Kujtojmë se Ati i Shenjtë ka programuar të shkojë në këtë vend nga 5 deri më 8 marsin e këtij viti.

Më se 35 viktima

Pas më se një viti me qetësi relative, kamikazet kthehen në Bagdad: dy terroristë u hodhën në erë sot paradite, në një treg të mbushur me njerëz, në sheshin Tayaran, duke vrarë më se 30 vetë e duke plagosur dhjetra të tjerë.

Ky është atentati i parë në kryeqytetin irakian që nga qershori 2019. Bilanci është ende i përkohshëm. Sipas Ministrisë së Brendshme, atentatori i parë u ankua se nuk ndihej mirë, duke tërhequr një turmë njerëzish rreth tij, para se të hidhej në erë. Shpërthimi krijoi panik: disa nxituan për të ndihmuar të plagosurit, ndërsa të tjerët u larguan. Në këtë çast, u hodh në erë edhe atentatori i dytë.

Gjendja në Irak, në prag të zgjedhjeve

Deri tani, askush nuk ka marrë përsipër sulmin. Grupet terroriste të lidhura me Shtetin Islamik u tërhoqën në vitin 2017, pasi arritën të kontrollonin një të tretën e Irakut. Që atëherë, sulmet janë pakësuar, duke u zhvendosur në shkretëtirë dhe në zonat malore, ku vënë në shënjestër infrastrukturën ushtarake dhe qeveritare. Atentatet në kryeqytetin irakian kanë qenë relativisht të rralla: i fundit, në qershor 2019, shkaktoi vetëm disa viktima. Sheshi Tayaran është i njohur për shpërthimin e një kamikazeje tjetër në janar 2018, që shkaktoi vdekjen e mbi 30 personave.

Iraku po përgatitet për zgjedhjet, që duhet të mbahen në qershor, megjithëse po bëhen përpjekje për t’i zhvendosur ato në tetor. Fatkeqësisht, zgjedhjet janë paraprirë gjithnjë nga një përshkallëzim i dhunës dhe i sulmeve.



Burimi : Radio Vatikan