Nis fushata e vaksinimit në Vatikan

Publikuar në Jan. 18, 2021, 1:03 a.m.

Pranë  Sallës së Palit VI, në Qytetin e Vatikanit, nisi sot fushata  e vaksinimit kundër Covid-19. E pohoi, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, drejtori i Sallës vatikanase të  Shtypit, Matteo Bruni.

Së pari - siç komunikoi Drejtoria e    Shëndetësisë dhe e Higjienës e Guvernatoratit - do të vaksinohen personeli shëndetësor dhe ai i sigurimit publik, të moshuarit dhe personeli në kontakt të ngushtë me publikun.

Do të vaksinohen qytetarët, punonjësit dhe pensionistët, por edhe familjarët e tyre, që kanë asistencën e FAS (Fondit të Asistencës Shëndetësore).

Fushata është me bazë plotësisht vullnetare. Tani për tani përjashtohen nga vaksinimi të miturit dhe të rinjtë deri në moshën 18 vjeç, sepse nuk janë bërë ende studime, që e përfshijnë edhe këtë brezni. 



Burimi : Radio Vatikan