Ekonomia sipas Papës: propozim që sfidon të ardhmen
Një mënyrë e re për ta kuptuar ekonominë, sipas frymës së Shën Françeskut të Asizit e të Enciklikës “Laudato si’” - “Lëvduar qofsh”. E krijimi i një lëvizjeje të ekonomistëve të rinj për ta realizuar në indin e përditshëm enciklikën “Fratelli tutti”.
Këto janë objektivat e “Economy of Francesco”, takim me ekonomistët e rinj, sipas dëshirës së Papës, në program për 19 e 21 nëntorin e ardhshëm. Në qendër të kësaj ngjarjeje ndërkombëtare janë temat vendimtare për jetën e njeriut, si puna, financa, edukimi, inteligjenca artificiale. Për shkak të emergjencës shëndetësore shkaktuar nga Covid-19, do të zhvillohet online, me transmetime të drejtpërdrejta dhe me lidhje streaming. Konfirmohet pjesëmarja “virtuale” e Papës Françesku.
Ndërmjet referuesve në dialog me këtë bashkesi speciale, do të jenë, ndërmjet tjerëve, Muhammad Yunus, ekonomist e Çmim Nobel për Paqen 2006; Vandana Shiva, anëtare e Forumit ndërkombëtar mbi globalizimin si dhe Stefano Zamagni, Kryetar i Akademisë Papnore të Shkencave Shoqërore.
Takimi i ardhshëm do të mbahet në vjeshtën e vitit 2021, në Asizi, pikërisht atje ku Shën Françesku u zhvesh nga çdo gjë, që e lidhte me botën, deri nga petkat, që ia mbulonin shtatin, për t’i zëvendësuar me zhgunin e vrazhdë françeskan e për të zgjedhur Zotin si yll polar të jetës së tij.
T’i jepet shpirt ekonomisë së nesërme
Të rinjtë, ekonomistët, sipërmarrësit dhe aktivistët e mbarë botës ftohen të reflektojnë së bashku për të vulosur një pakt ndërmjet breznive, për ta ndryshuar ekonominë aktuale e për t’i dhënë shpirt asaj të së nesërmes, që të jetë më e drejtë, më përfshirëse, më e qëndrueshme. Siç ka nënvizuar shumë herë Papa Françesku, “gjithçka lidhet ngushtë e mbrojtja e ambientit nuk mund të ndahet nga drejtësia për të vafërit e nga zgjidhja e problemeve strukturore të ekonomisë botërore”. E nevojshme, prandaj, të ndryshohen modelet e zhvillimit, që nuk e respektojnë njeriun, ambientin, dinjitetin e personit. Në Letrën drejtuar ekonomistëve të rinj, sipërmarrësve e sipërmarrseve të mbarë botës me rastin e “Economy of Francesco”, Papa tregon modelin e ekonomisë, që duhet ndërtuar: “Ekonomi e ndryshme: që të bën të jetosh e nuk të vret, që të përfshin e nuk të përjashton, që të bën njeri e nuk të çnjerëzon, që kujdeset për krijimin e nuk e plaçkit”. Një model ekonomik i ri, “fryt i kulturës së bashkimit, bazuar mbi vëllazërimin e drejtësinë. E ata që thirren për ta krijuar ekonominë e Françeskut janë të rinjtë, artizanë të së ardhmes!”.
Të rinjtë i përgjigjen thirrjes së Papës
Sekretaria e ngjarjes ka marrë 3000 kërkesa për pjesëmarrje nga ana e të rinjve të 120 vendeve të ndryshme, nga të pesë kontinentet. Janë të rinj, që merren me ekonominë, menaxhimin, filozofinë, sociologjinë, teologjinë, mbrojtjen e mjedisit, burimet natyrore, konsumin me përgjegjësi e stilet e jetës, prodhimin, inovacionin, punën, financën, investimin për zhvillim, varfërinë, barazinë dhe dinjitetin e njeriut, edukimin e breznive, inteligjencën artificiale, teknologjitë e reja. Të shumtë, ata që iu përgjigjen me entuziazëm thirrjes së Papës Françesku. Duan të marrin guximin për të nisur një rrugë të re, të rizbulojnë thelbin më të rëndësishëm të ekonomisë; “atë, që na krijon mundësinë të jetojmë së bashku në mënyrën më të mirë të mundshme. Që të nxit të ndërtosh një botë të re, ku pasuritë përdoren për të mirën e të gjithëve, e jo vetëm të disave”.
Burimi : Radio Vatikan