75-vjetori Kombeve tё Bashkuara Guterres, solidaritet e bashkёpunim para sfidave kolosale
Kombet e Bashkuara: Guterres (Sekretari i Përgjithshëm), “po përballemi me sfida kolosale. Me solidaritetin dhe bashkëpunimin global mund t'i kapërcejmë ato".
“Sot po përballemi me sfida kolosale. Me solidaritetin dhe bashkëpunimin global ne mund t'i kapërcejmë kёto sfida. Ky është edhe synimi kryesor i Kombeve të Bashkuara. Në këtë përvjetor, u kërkoj njerëzve kudo që të bashkohen”. Kёshtu pohoi Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, me rastin e 75 vjetorit të OKB-sё.
Duke kujtuar se ky përvjetor "bie në mesin e një pandemie globale", Guterres nënvizon se "misioni ynë origjinal është më vendimtar se kurrë. Promovimi i dinjitetit njerëzor. Mbrojtja e të drejtave tё njeriut. Respektimi i të drejtës ndërkombëtare. Shpëtimi u njerëzimit nga lufta".
"Më shpërthimin e pandemisë, kërkova një armëpushim global", kujton sekretari i përgjithshëm i Kombeve tё Bashkuar, duke theksuar se "sot në botë kemi një armik të përbashkët: Covid-19". “Tani është koha për t’i rritur përpjekjet për të paqësuar botën me një armëpushim global. Koha nuk nuk ndalet”, paralajmëron Guterres, duke nënvizuar nevojën e domosdoshme për“ të bërë paqe me planetin”.
E nëse "emergjenca klimatike kërcënon vetë jetën" atëherë "duhet të mobilizojmë të gjithë botën për të arritur neutralitetin e karbonit me emisione zero të gazeve serrë deri në vitin 2050".
"Duhet bërë më shumë në mbarë botën për t'i dhënë fund vuajtjeve njerëzore të shkaktuara nga varfëria, pabarazia, uria e urrejtja dhe për të luftuar diskriminimin bazuar mbi racën, fenë, gjininë ose ndonjë dallim tjetër," vazhdon sekretari i përgjithshëm i OKB-sё.
"Muajt e pandemisë kanë parë një rritje të frikshme të dhunës ndaj grave dhe vajzave", konfirmon Guterres, i bindur se " duhet të bashkëpunojmë për të përparuar nё kёtё drejtim. Është duke u zhvilluar një bashkëpunim i rëndësishëm global për një vaksinë të sigurt dhe të arritshme kundër Covid-19 për të gjithë”. "Qëllimet e zhvillimit të qëndrueshëm – vëren Guterres - na ofrojnë një udhëzues plotë frymëzim pёr tё punuar pёr një rimëkëmbje më të mirë pёr tё gjithё”.