Niveli arsimor-shkencor në Bashkësinë Islame të Kosovës (Pjesa e katërt)
Bashkësia Islame e Kosovës, pas luftës në Kosovë(1998-1999) përveç rindërtimit dhe ndërtimit të xhamive anekënd Kosovës, ka ndërtuar edhe ndërtesat e reja të medreseve në Prishtinë, Prizren, Gjilan si dhe Fakultetin e Studimeve Islame në Prishtinë. Të gjitha këto objekte janë të reja, solide të cilat sado kudo i plotësojnë nevojat e nxënëseve dhe studentëve që vijojnë mësimet në këto institucione arsimore fetare në Kosovë.
Gjatë 25 viteve të kaluara, qysh prej themelimit të Fakultetit të Studimeve Islame në Prishtinë në vitin 1992, hapjes së medreseve, gjegjësisht paraleleve të ndara në Prizren dhe Gjilan, dhe paraleleve për femra, në Prishtinë dhe Prizren dhe sivjet edhe në Gjilan, është mundësuar një numri të madh të të rinjve mysliman dhe rejave myslimane të interesuar kryesisht nga Kosova por edhe nga vendet tjera të ndjekin mësime dhe studime në këto institucione arsimore islame Gjatë këtyre 25 viteve kanë diplomuar në Medrese afro 2000 djem e 1000 vajza, ndërsa në Fakultetin e Studimeve Islame kanë diplomuar afro 380 studentë .
Si rrjedhojë e mungesës së kuadrove nëpër xhamia gjatë periudhës komuniste në të cilin ishte aktive vetëm një medrese në Kosovës, nga e cila nxënësit aftësoheshin për imam në xhamia, dhe prej të cilëve një numër i vogël i tyre kanë pasur mundësi për të vazhduar studimet a në botën islame dhe pas hapjes së Fakultetit të Studimeve Islame(1976) edhe në Sarajevë. Pas përfundimit të luftës tani situata është më e mirë, kemi një numër të madh të medresantëve dhe studentëve të diplomuar që janë punësuar në xhamitë anekënd Kosovës, por edhe të profesorëve dhe ligjëruesve në medrese dhe fakultet si dhe në institucione tjera të Bashkësisë Islame të Kosovës. Tani e tutje i mbetet Bashkësisë Islame të Kosovës gjatë periudhës së ardhshme të fokusohet në ngritjen e cilësisë dhe aftësisë së këtyre kuadrove konform trendeve më të reja arsimore shkencore, duke marrë parasysh se jemi duke jetuar shekullin e XXI-të, apo “shekullin e internetit” .
Për këtë së pari do të duhej e themeluar të një institut hulumtues shkencor brenda Bashkësisë Islame të Kosovës, pasi ekzistojnë të gjitha parakushtet dhe mundësit ideale në kuadër të Fakultetit të Studimeve Islame. Edhe pse ka kaluar një dekadë nga premtimi i dhënë i myftisë për themelimin e tij, kjo për fat të keq ka mbet vetëm si ide, dhe gjer më sot asgjë nuk është bërë në jetësimin e këtij instituti tejet të nevojshëm për ngritjen e cilësisë së nivelit arsimor e shkencor për ata që do të merreshin me studime dhe hulumtime shkencore në kuadër të Bashkësisë Islame të Kosovë. Kjo është nevojë parësore dhe imediate për momentin aktual për BIK-un.
Profesorët që japin mësim në medresetë duhet të jenë me të vërtetë të aftë, të ngritur dhe të merituar që të edukojnë dhe arsimojnë gjenerata të ardhshme të medresantëve në Kosovë të cilët do të mund të përballen me sukses me të gjitha sfidat me të cilët do të ballafaqohen gjatë punës së tyre me xhemate në Kosovë dhe jashtë saj. Nuk mjafton vetëm diploma e medresesë, fakultetit, masterit apo doktoraturës si kusht për punësim në xhami, medrese, fakultet, apo organet tjera të Bashkësisë Islame të Kosovës, por duhet lexim, mësim studim, të vazhdueshëm të tyre gjatë tërë jetës pa marr parasysh se çfarë detyrë ushtrojnë.
Nuk është mjaftueshme të kesh diplomën e masterit apo doktoraturës që të ligjërosh në fakultetin e studimeve islame, por ligjëruesi duhet të ketë së paku disa libra të botuara si dhe një varg punimesh shkencore të publikuara në revista dhe publikime të ndryshme shkencore vendore apo ndërkombëtare. Tani krahas saj, kemi dhjetëra portale të ndryshme në të cilët postohen dhe publikohen punimet shkencore. Përveç aftësisë së oratorisë, ligjëruesi posaçërisht duhet të posedojë aftësinë e të shkruarit, pasi që fjala e shqiptuar harrohet por fjala e shkruar mbetet përherë e shënuar.
Si shembull se si duhet të jetë tani e tutje, niveli i përgatitjes profesionale arsimore shkencore ,do të bëjë një krahasim në mes Fakultetit të Studimeve Islame në Prishtinë me ish Shkollën e lartë sheriatike-teologjike në Sarajevë e vitit 1937e cila në atë kohë ishte në rangun e Fakultetit të studimeve islame pasi që studiohej 4 vjet , e cila për fat të keq ekzistoi vetëm 8 vite pasi që në vitin 1945 u mbyll nga pushteti komunist . Edhe pse punoi një kohë të shkurtër, ajo arriti të nxjerr studentë të shkëlqyer që kanë lënë gjurmë të veçantë gjatë periudhës së kaluar 50 vjeçare me kontributin e tyre të çmuar fjalës së shkruar. Edhe pse kanë vijuar studimet 103 studentë në këtë shkollë të lartë në rang të fakultetit të studimeve islame ,gjatë kësaj periudhë të shkurtër kohore, shumica nuk arritën të përfundojnë studimet për shkak të mbylljes së saj nga pushteti komunist në vitin 1945, dhe vetëm 38 studentë arritën të diplomojnë , por këta kanë qenë shembull “per exellent” të cilët studentët e tanishëm të fakulteteve të studimeve islame duhet të marrin si mostër në fushën arsimore shkencore.
Një karakteristikë e veçantë e tyre ishte se prej 38 studentëve të diplomuar, 34 studentë(90%) prej tyre janë marrë aktivisht gjatë gjithë jetës së tyre me shkrime dhe punime shkencore që i kanë publikuara jo vetëm në revista fetare, por edhe në revista të fushave tjera shkencore. Këta 34 studentë të diplomuar në Sarajevë, para gati 80 vjet duhet të jenës mostër apo yrnek për të gjithë studentët e tanishëm të fakulteteve të studimeve islame si në Sarajevë, Novi Pazar, Prishtinë, Shkup e Tiranë .Vetëm në dy revista fetare të asaj kohe që botoheshin në Sarajevë, në Gllasnik dhe Takvim, këta studentë të “artë” kanë botuar mbi 500 punime gjatë periudhës kohore të sistemit monist, e me qindra tjerë në revista të fushave tjera shkencore. Do t’i ceki vetëm disa emra nga kjo gjeneratë e artë frytdhënëse shkencore që kanë kryer studimet në Sarajevë:Kasim Haxhiqi, Vehbija Hoxhiqi, Hazim Shabanoviqi, Mehmed Mujezinoviqi, Hivzija Hasandediqi, Ibrahim Hoxhiqi, Hasan Shkapuri, Adem Hanxhiqi, Muhamed Hukoviqi, Halid Haxhimulliqi,etj., një gjeneratë e artë e cila ka dhënë kontribut të çmuar në fushat e ndryshme shkencore, islame, orientalistikë, filozofi, letërsi, histori, publicistikë,etj.
Për dallim nga kjo shkollë e lartë, gjatë 25 vjetëve të ekzistimit të Fakultetit të Studimeve Islame në Prishtinë, gjer në fund të vitit 2017 kanë diplomuar gjithsejtë rreth 380 studentë. Një numër jashtëzakonisht i madh i të diplomuarve, por me një kontribut jashtëzakonisht të vogël në fjalën e shkruar. Nga ky numër prej 380 të diplomuarve kam hasur në 10 të tillë që shkruajnë shkrime dhe punime shkencore në revistat fetare , Edukata Islame dhe Takvim, që botohen nga Bashkësia Islame e Kosovës apo edhe në revista dhe publikime tjera shkencore, këta janë: Sadik Mehmeti, Orhan Bislimaj, Sedat Islami, Hatixhe Ahmedi, Desarta Vathaj, Refik Gërbeshi, Senad Makoviq, Burim Piraj, Flamur Sofiu, dhe Vedat Shabani. Kuptohet aty këtu ka edhe ndonjë emër tjetër që kohë pas kohe ka shkruar ndonjë shkrim apo punim, në Diturinë Islame, por edhe të tillë janë të paktë që merren me shkrime dhe punime shkencore nga gjithsejtë 380 studentët e diplomuar të Fakultetit të Studimeve Islame në Prishtinë.
Krahasimi është marramendës, prej 38 studentëve të diplomuar në Sarajevë para 80 vitesh në Shkollën e lartë sheriatike-teologjike, e cila ishte në rangun e Fakultetit të studimeve islame, 34(90%) prej tyre kanë vazhduar gjatë gjithë kohës të merren me shkrime dhe punime shkencore, përkundër saj, për momentin aktual prej 380 studentëve të tanishëm të diplomuar të Fakultetit të studimeve islame në Prishtinë, vetëm 5% prej tyre merren me shkrime dhe punime shkencore. Dallimi është sikurse nata me ditë. Realiteti i hidhur por i vërtetë për fat të keq. Ky është niveli aktual për momentin i nivelit arsimor shkencor të studentëve të diplomuar të Fakultetit të studimeve islame në fushën e fjalës së shkruar .
Do të përmbyll këtë pjesë të aktualitetit në Bashkësinë Islame të Kosovës me një thënie të imamit të shquar boshnjak, mulla Mustafa Basheskisë : “Çdo gjë që shënohet mbetet, çdo gjë që mbahet mend humbet” .
(vazhdon)