Çerek shekulli të Meshihatit të Bashkësisë Islame të Sanxhakut (Pjesa e tretë)

nga Faik Miftari | Publikuar në Nën. 10, 2018, 1:04 a.m.

Para ca ditësh, saktësisht me 30 tetor 2018 me një akademi solemne u shënua 25 vjetori i themelimit të Meshihatit të Bashkësisë Islame të Sanxhakut. Duhet të cek se gjer në vitin 1993  Sanxhaku ishte pjesë përbërëse e Bashkësisë Islame të Kosovës, Serbisë e Vojvodinës me seli në Prishtinë, gjatë periudhës së sistemit monist, me ç’rast  në atë periudhë  kohore nxënësit, imamët e ardhshëm nga Sanxhaku, medresenë e kryenin në Prishtinë,  në të cilin  ka vijuar mësimet fetare dhe ka kryer medresenë edhe kryetari i  aktual i Meshihatit të Bashkësisë Islame të Sanxhakut, myftiu i tanishëm  dr.Mevlud ef. Dudiqi.

“Iniciativa për themelimin e Meshihatit  të Bashkësisë Islame të Sanxhakut u morë me datë 9 shkurt 1992  në takimin e hoxhallarëve (imamëve) të Sanxhakut,  e cila u mbështet nga ana e Reisit të atëhershëm dhe  kryetarët e atëhershëm të Bashkësive Islame të Kosovës dhe Malit të Zi. Me datë 30 tetor 1993 u mbajt mbledhja konstitutive në të cilin janë themeluar organet më të larta të Meshihatit të Bashkësisë Islame të Sanxhakut, kuvendi dhe kryesia e saj. Për kryetarin e Kuvendit të Bashkësisë Islame të Sanxhakut në atë kohë u zgjodh Islam Avdiqi, ndërsa për kryetar të Meshihatit(kryesisë) së Bashkësisë Islame të Sanxhakut  myftiu, akademik  Muamer ef. Zukorliqi.”

Gjer në vitin 1993, gjersa   Sanxhaku   ishte pjesë përbërëse e Bashkësisë Islame të Kosovës,  “në Sanxhak gjithsejtë ishin vetëm 82 xhamia, prej tyre 17 në Novi Pazar, dhe vetëm 83 imam me medrese të kryer dhe 7 imam me fakultet të kryer. Që nga themelimi i saj, me 30 tetor 1993, Bashkësia Islame e Sanxhakut mori mbi vete detyrën e organizimit të jetës fetare në këtë hapësirë e cila ka rezultuar me krijimin e një bashkësie islame të fuqishme, të qëndrueshme  rreth së cilës janë bashkuar besimtarët mysliman të Sanxhakut.” Për 25 vjet ekzistimi  nga themelimi i saj e gjer në ditët  e sotshme , me një punë të palodhshme dhe me sakrificë të pamohueshme Meshihati i  Bashkësisë Islame të Sanxhakut ka arritur  rezultate shumë të mira për një periudhë të shkurtër kohore.

“Sot në Sanxhak janë 199 xhamitë ekzistuese, ndërsa plot xhami  tjera janë në fazën e ndërtimit, prej atyre  xhamive vetëm në Novi Pazar gjenden  64 xhamia, medreseja e  themeluar e Gazi Isa beut për meshkuj dhe vajza   me dy paralele të saja në Rozhajë dhe Preshevë, Fakulteti i Studimeve Islame, Universiteti Internacional (Ndërkombëtar) në Novi Pazar, Biblioteka, Shtëpia botuese El Kelimeh, institucionet parashkollore Revda dhe Vildan,  si dhe në të gjitha qytetet e Sanxhakut janë aktiv degët e shoqatës humanitare “Hajrat” dhe kuzhinat popullore   për të varfrit, shkolla për mësimin e Kur’anit, Qendra mediale në përbërje të së cilës është televizioni, radioja dhe revista Zëri Islam”etj. Për 25 vjet të ekzistimit dhe veprimit të saj, me një fjali, Bashkësia Islame e Sanxhakut e ka kompletuar sistemin arsimor-fetar që nga çerdhet e fëmijëve e gjer në Universitet.  Karakteristika e veçantë e Bashkësisë Islame të Sanxhakut është themelimi i Universitetit Internacional civil apo laik si vakëf(fondacion) i saj, dhe vendosmëria e arritur që imamët tani lirshëm në Sanxhak ecin, flasin, ligjërojnë  me dinjitet  dhe krenari   në këtë hapësirë.

Meritë e posaçme për këto rezultate të arritura të Bashkësisë Islame të Sanxhakut i takojnë ish myftiut të saj, akademik Muamer ef. Zukorliqi i cili për plot 20 vite e udhëhoqi me sukses atë nga themelimi i saj në vitin 1993 e gjer në vitin 2014 , e të cilin e trashëgoi  dhe e udhëheq tani poashtu me  sukses, myftiu i tanishëm i Meshihatit të Bashkësisë Islame të Sanxhakut, dr. Mevlud ef. Dudiqi. Guximi, sakrifica dhe puna e palodhshme gjatë periudhës 20 vjeçare të udhëheqjes së Meshihatit të Bashkësisë Islame të Sanxhakut nga ana e ish myftiut të saj, Muamer ef. Zukorliqi, një lider karizmatik, kanë bërë që  të arrihen të gjitha këto rezultatet të Bashkësisë Islame të Sanxhakut. Ish myftiu Muamer ef. Zukorliqi pas përfundimit të mandatit  në krye të Bashkësisë Islame të Sanxhakut,   themeloi partinë dhe u zgjodh deputet në Kuvendin e Serbisë,  i cili tani me aktivitetin e tij politik po angazhohet edhe për realizimin e drejtave politike dhe nacionale të boshnjakëve të Sanxhakut. Se sa do të jetë i suksesshëm dhe a do të arrijë rezultate të duhura edhe në aspektin politik të veprimit të tij  koha do të tregojë.

“Për të ndalur këto rezultatet dhe fuqizimin e Bashkësisë Islame të Sanxhakut nga qarqet e caktuara politike brenda në Sanxhak të përkrahura nga qarqet politike shtetërore  në Beograd, në vitin 2007 u bë një sulm ndaj saj, me ç’rast u themelua Rijaseti i Bashkësisë Islame të Serbisë me qendër në Beograd, me të cilën e u bë shkëputja e disa xhematëve të Sanxhakut dhe xhematëve të myftinisë së Beogradit dhe u përçanë një pjesë e myslimanëve duke u ndarë nga Meshihati i Sanxhakut dhe u vunë nën juridiksion të Rijasetit në Beograd”. Me këtë ndarje u tentua rrënimi i Bashkësisë Islame të Sanxhakut e cila nuk ishte në interes të Islamit në përgjithësi dhe të myslimanëve të Sanxhakut në veçanti.

“Sanxhaku si rajon autonom është themeluar me vendimin e Kongresit të Berlinit në vitin 1878, qysh atëherë ka pas një pozitë specifike në kuadër të Perandorisë Osmane dhe në raport me Perandorinë Habsburge. Në vitin 1912  Sanxhaku pushtohet dhe ndahet në mes Serbisë dhe Malit të Zi, pas humbjes  së Perandorisë Osmane në Luftën e parë  Ballkanike. Autonomia e Sanxhakut, në historinë më të re, themelohet më 20 nëntor 1943, në mbledhjen e Këshillit Antifashist Vendor të Sanxhakut (ZAVNOS) që u mbajt në Plevle të Malit të Zi, në të cilin morën pjesë 252 delegat në punimet e Këshillit, ku janë zgjedhur 62 anëtarë për Kuvend, si dhe ishte zgjedh edhe Këshilli Ekzekutiv i Sanxhakut prej 10 anëtarësh.  Në vitin 1945, pas suprimimit të autonomisë së Sanxhakut dhe ndarjes së tij përsëri në mes Serbisë dhe Malit të Zi, kryetari i Sanxhakut ka refuzuar të nënshkruaj aktin e ndarjes së Sanxhakut dhe suprimimin e autonomisë së Sanxhakut të themeluar në vitin 1943, me ç’rast ka qenë i përndjekur nga regjimi i atëhershëm komunist”.

Pas shpërbërjes së ish Jugosllavisë përsëri doli në shesh angazhimi dhe lufta politike për rikthimin e autonomisë së Sanxhakut, tani e udhëhequr nga myftiu i Sanxhakut, Zukorliq, por në një aspekt tjetër politik, atë të integrimeve evropiane dhe modeleve të Bashkimit Evropian për Sanxhakun, si një rajon autonom ndërkufitar  ndërmjet Serbisë dhe Malit të Zi. Lidhur me këtë motoja kryesore e akademik Zukorliqit  është: ” Në luftën politike për autonominë e Sanxhakut ndaj Beogradit dhe Podgoricës, si dhe angazhimi i tij për autonominë e Bashkësisë Islame të Sanxhakut ndaj Sarajevës dhe Ankarasë”. Ardhmërinë e Sanxhakut  Zukorliqi e sheh në konceptin e integrimeve evropiane si dhe zgjidhjes politike të rajonit autonom në bazë të rregullimit të modeleve që vet Bashkimit Evropian ka zbatuar për  rajone  të tilla ndërkufitare.

Bashkësia Islame e Sanxhakut me një popullatë prej  afër 250.000 mysliman ka arritur për një kohë të shkurtër,një  çerek shekulli, nga pavarësimi i saj prej Bashkësisë Islame të Kosovës, rezultate të jashtëzakonshme në punën dhe veprimtarinë e saj kundruall Bashkësisë Islame të Kosovës me një popullatë prej mbi 1 milion e gjysmë mysliman, e cila edhe pas 25 vitesh qëndron  pothuajse me ato institucione ekzistuese, pa shënuar ndonjë progres të duhur drejt arritjes së rezultateve me të cilët do të mund të lavdërohet, përveç se në restaurimin, rindërtimin dhe ndërtimin e xhamive të reja anekënd Kosovës e cila është evidente. Se sa mund të jetë i qëndrueshëm një krahasim në mes të Bashkësisë Islame të Sanxhaku dhe Bashkësisë Islame të Kosovës në veprimtarin dhe rezultatet e arritura do të lërë lexuesve të vlerësojnë më së miri.

Do ta përmbylli këtë pjesë të elaborimit , me një vlerësim timin, se derisa para 25 vitesh nxënësit vinin nga Sanxhaku dhe kryenin medresenë në Prishtinë, në mesin e të cilëve ishte edhe myftiu i tanishëm i Sanxhakut dr. Mevlud ef. Dudiqi, tani pas 25 vite themelimit të Bashkësisë Islame të Sanxhakut,  studentët tanë nga Kosova që kanë kryer Fakultetin e Studimeve Islame në Prishtinë po shkojnë dhe po doktorojnë në Fakultetin e Studimeve Islame dhe në Universitetin Internacional në Novi Pazar të Sanxhakut.

(vazhdon)