Vehabizmi, ISIS-i dhe dualiteti saudit: një hulumtim mbi zanafillën historike (pjesa I)

  • None
nga Alastair Crooke | Publikuar në Tet. 7, 2014, mesnatë

Hyrja dramatike e ISIS-it në skenën irakiane ka lënë të tronditur shumë në Perëndim. Shumë janë të habitur dhe të tmerruar nga dhuna e këtij grupi e nga forca për ta tërhequr rininë sunnite. Por përtej kësaj, mëdyshja dhe paqartësia e Arabisë Saudite duket shumë e pakëndshme dhe e pashpjegueshme, duke i bërë shumë sosh të mendojnë se mos vallë sauditët nuk e kanë të qartë se ISIS i kërcënon edhe ata vetë.
Duket se, edhe tani madje, elita udhëheqëse e Arabisë Saudite është e ndarë në këtë pikë. Disa e duartrokasin mënyrën se si ISIS i kundërvihet “zjarrit” shiit iranian me një “zjarr” sunnit dhe si po trajtësohet një shtet i ri sunnit në një tokë që e konsiderojnë historikisht sunnite. Dhe kuptohet, ata i tërheq ideologjia selefiste e ISIS-it.
Por disa të tjerë në mesin e sauditëve janë më të druajtur dhe e kujtojnë vazhdimisht revoltën kundër Abd’ul-Azizit nga Ikhvan-i vehabist (SHËNIM: ky Ikhvan nuk ka të bëjë me Vëllazërinë Muslimane të Egjiptit. Në vijim të tekstit, ky emërtim do të përdoret përIkhvan-in vehabist dhe jo për Vëllazërinë Muslimane të Egjiptit) i cili thuajse e rrënoi Vehabizmin dhe Derën e Saudëve në vitet e njëzeta të shekullit të kaluar.
Sidoqoftë, shumë sauditëve u pengojnë doktrinat radikale të ISIS-it dhe ata tashmë kanë nisur t’i vënë në pyetje disa aspekte të drejtimit dhe të pozitës  së Arabisë Saudite.

Dualiteti saudit
Mospajtimet dhe tensionet e brendshme të Arabisë Saudite lidhur me ISIS-in mund të kuptohen vetëm duke e kuptuar më mirë atë dualitetit të brendshëm (dhe të vazhdueshëm) që fshihet në bërthamën e përbërjes doktrinale të Mbretërisë e në zanafillën e saj historike.
Njëra anë e këtij dualiteti lidhet drejtpërdrejt me Muhammed ibn Abdu’l-Vehhabin (themeluesin e Vehabizmit) dhe mënyrën se si Ibn Saudi e praktikoi puritanizmin e tij radikal, që i përjashtonte nga Islami të gjithë të tjerët. Asokohe, ky i fundit nuk ishte veçse një udhëheqës i parëndësishëm, një nga shumë të tjerë në mesin e fiseve luftarake dhe plaçkitëse beduine në shkretërirën e nxehtë të Nexhd-it.
Ana tjetër e këtij dualiteti të koklavitur është e ndërlidhur pikërisht me zhvendosjen politike të mbretit Abdu’l-Aziz drejt shtetkrijimit në vitet e njëzeta, me shtypjen prej tij, të dhunës së Ikhvan-it (për të patur një qëndrim diplomatik e shtetëror para Britanisë dhe SHBA-ve), me institucionalizimin e impulsit zanafillor vehabist dhe, më pas, me shfrytëzimin oportunist të rrjedhës së petrodollarëve në vitet e shtatëdhjeta, për ta kanalizuar rrymën jostabile ikhvaniste larg vendit dhe për ta orientuar së jashtmi – duke u përpjekur kështu për një revolucion kulturor dhe jo të dhunshëm gjithandej në botën islame.
Por ky “revolucion kulturor” nuk do të ishte një reformizëm i butë e i lehtë. Ishte një revolucion i mbështetur në urrejtjen thuajse jakobinike të Abdu’l-Vehhabit ndaj devijimit dhe shkatërrimit që ai e shihte gjithkund përreth vetes e prej nga buronte edhe thirrja e tij për ta pastruar Islamin nga të gjitha herezitë dhe idhujtaritë.

Mashtruesit muslimanë
Autori dhe gazetari amerikan, Steven Coll, shkruan ky dishepull i thjeshtë dhe i ashpër në kritikë i dijetarit të shekullit të katërmbëdhjetë Ibn Tejmijje, e urrente”atë aristokraci osmane dhe egjiptiane, të stolisur e sqimatare, merakli të duhanit e të hashashit, teksa udhëtonte nëpër Arabi për t’u lutur në Mekke”.
Në pikëpamjen e Abdu’l-Vehhabit, këta nuk ishin muslimanë por thjesht mashtrues të maskuar si muslimanë. Por as sjelljet e fiseve lokale të arabëve beduinë nuk i shihte më mirë. Ata e zemëronin Abdu’l-Vehhabin me madhërimin e shenjtorëve, me vendosjen e gurëve mbi varr ose me “bestytnitë” e tyre (duke i respektuar varrezat e shenjtorëve ose vendet që konsideroheshin se kishin një bekim të veçantë hyjnor).
Gjithë këtë, Abdu’l-Vehhabi e dënonte si një bida, që është e ndaluar nga Zoti. Njësoj si Ibn Tejmijje para tij, Abdu’l-Vehhabi besonte se periudha e qëndrimit të Profetit në Medine duhej të ishte ideali i shoqërisë muslimane (“më e mira e kohëve”), gjegjësisht shembulli që duhej ta ndiqnin të gjithë muslimanët. Në thelb, ky është mësimi selefist.
Ibn Tejmijje i kishte shpallur luftë shiizmit, sufizmit dhe filozofisë greke. Ai e kundërshtonte edhe vizitën e varrit të Profetit dhe festimin e ditëlindjes së tij, duke shpallur se të gjitha këto sjellje nuk ishte tjetër veçse imitime të mënyrës se si të krishterët e adhuronin Jezusin si zot (pra idhujtari). Abdu’l-Vehhabi e asimiloi këtë brenda mësimeve të veta, duke thënë se “çdo dyshim ose mëdyshje” e besimtarit në të respektuarit e këtij interpretimi specifik të Islamit mjafton si arsyetim “për t’ia marrë atij pronat dhe jetën”.
Një nga shtyllat e doktrinës së Abdu’l-Vehhabit u bë ideja kyçe e tekfir-it. Me doktrinën tekfiriste, Abdu’l-Vehhabi dhe ndjekësit e tij kishin të drejtë t’i shpallnin jobesimtarë vëllezërit e tyre muslimanë, nëse këta përfshiheshin në aktivitete, të cilat në një mënyrë ose një tjetër, do ta kërcënonin sundimin e Autoritetit absolut (pra të Mbretit). Abdu’l-Vehhabi i dënonte të gjithë muslimanët që i respektonin dhe madhëronin të vdekurit, shenjtorët ose ëngjëjt. Ai ishte i mendimit se gjërat e tilla e largonin njeriun nga ndjenja e nënshtrimit të plotë që duhej të ndiente vetëm karshi Zotit dhe askujt tjetër. Si pasojë, Islami vehabist e ndalon çdo lloj lutjeje për shenjtorët ose për të afërmit e vdekur, vizitën e varrezave ose xhamive të veçanta, festat fetare për të përkujtuar shenjtorë të caktuar, festimin e ditëlindjes së profetit Muhammed dhe madje edhe përdorimin e gurëve të varrit pas varrosjes së një të vdekuri.

Abdu’l-Vehhabi kërkonte përshtatje, një përshtatje që do të demonstrohej në mënyra fizike e të prekshme.  Ai thoshte se të gjithë muslimanët duhet t’ia shprehnin besnikërinë një udhëheqësi të vetëm musliman (pra Kalifit, nëse ekzistonte një i tillë). Ata që nuk pajtohen më këtë duhet të vriten, gratë e bijat e tyre të zihen rob dhe pronat t’u konfiskohen. Lista e njerëzve të dalë nga feja, të cilët e meritonin vdekjen, i përfshinte shiitët, sufinjtë dhe grupet e tjera muslimane, të cilët Abdu’l-Vehhabi nuk i konsideronte fare muslimanë.
Deri këtu nuk ka asgjë që e ndan vehabizmin nga ISIS-i. Ndarja do të shfaqej më vonë dhe pikërisht nga institucionalizimi i mëpasëm i doktrinës “një sundues, një autoritet, një xhami” i Abdu’l-Vehhabit, me ç’rast këta tre epitete do të nënkuptonin mbretin saudit, në cilësinë e autoritetit zyrtar të vehabizmit, dhe kontrollin e ideologjisë vehabiste mbi “fjalën” (gjegjësisht mbi xhamitë).
 Pikërisht kjo ndarje -  pra mohimi i këtyre tri shtyllave mbi të cilat mbështetet i tërë autoriteti i sotëm sunnit- e bën ISIS-in, i cili në çdo aspekt tjetër përshtatet me vehabizmin, një kërcënim serioz për Arabinë Saudite.


Një histori e shkurtër: 1741-1818
Përhapja e ideve të tilla skajshmërisht radikale, në mënyrë të pashmangshme bëri që Abdu’l-Vehhabi të dëbohej nga qyteza e tij. Më vonë, pasi u end për një kohë, gjeti strehë nën mbrojtjen e Ibn Saudit dhe të fisit të tij. Ajo që Ibn Saudi shquajti në mësimet e reja të Abdu’l-Vehhabit ishte mënyra për ta kthyer përmbys traditën arabe. Ishte kjo një mënyrë për ta marrë në dorë pushtetin.
Fisi i Ibn Saudit, duke u mbështetur në doktrinën e Abdu’l-Vehhabit, tani kishte mundësi ta bënte atë që e kishte bërë përherë, pra plaçkitjen e katundeve fqinje. Por kësaj rradhe, ata do ta bënin të njejtën jo brenda kornizave të traditës arabe, por nën flamurin e xhihadit. Ibn Saudi dhe Abdu’l-Vehhabi e ringjallën sërish idenë e martirizimit në emër të xhihadit, si një gjë që i lejonte dëshmorit të hynte menjëherë në parajsë.
Në fillim, ata pushtuan disa komunitete lokale dhe ua imponuan atyre sundimin e vet. Banorët e vendeve të pushtuara nuk kishin shumë zgjedhje: ose do të konvertoheshin në vehhabizëm ose do të vdisnin. Në vitin 1790, kjo aleancë e kontrollonte tashmë pjesën më të madhe të Gadishullit Arabik dhe rregullisht i plaçkiste Medinen, Sirinë dhe Irakun.
Strategjia, njësoj si ajo e ISIS-it sot, ishte që të nënshtroheshin e të detyroheshin të bindeshin njerëzit nën sundimin e tyre. Ata kishin për qëllim t’ua fusnin frikën njerëzve. Në vitin 1801, kjo aleancë e sulmoi qytetin e shenjtë të Qerbelasë në Irak. Ata masakruan mijëra shiitë, duke përfshirë gra edhe fëmijë. Shumë tyrbe shiite u shkatërruan, duke përfshirë edhe atë të Imam Husejnit, nipit të vrarë të Profetit Muhammed.
Një zyrtar britanik, toger Francis Warden, duke e vëzhguar situatën e atëhershme, shkruan: “Ata e plaçkitën të tërë Qerbelanë dhe tyrben e Husejnit...duke vrarë gjatë procesit, shpeshherë në një mënyrë veçanërisht të dhunshme, mbi pesë mijë banorë...”
 Osman ibn Bishr Nexhdi, historiani i shtetit të parë saudit, shkroi se Ibn Saudi bëri një masakër në Qerbela në vitin 1801. Ai me shumë nder e dokumentonte këtë masakër, duke thënë: “Ne e morëm Qerbelanë, i masakruam dhe i zumë robër banorët e saj. Lëvdatat janë për Zotin! Ne nuk kërkojmë ndjesë për këtë dhe themi: kështu do ta pësojnë jobesimtarët.”
Në vitin 1803, Abdu’l-Azizi hyri në qytetin e shenjtë të Mekkes, që u dorëzua nën shtypjen e frikës dhe të panikut (fati i njejtë do ta gjente edhe Medinen). Ndjekësit e Abdu’l-Vehhabit i shkatërruan të gjithë monumentet historike dhe tyrbet e varrezat përreth. Më në fund, ata kishin shkatërruar shekuj të tërë të arkitekturës islame në rrethinat e  Xhamisë së Shenjtë.
Por në nëntor të vitit 1803, një atentator shiit e vrau Mbretin Abdu’l-Aziz (si hakmarrje për masakrën e Qerbelasë). Djali i tij, Saud bin Abdu’l-Azizi, e trashëgoi atë dhe vazhdoi me pushtimin e Arabisë. Sunduesit osmanë, ndërkaq, më nuk mund të rrinin e të vështronin se si shkatërrohej perandoria e tyre copë pas cope. Më 1812, ushtria osmane, e përbërë kryesisht nga egjiptianët, e dëboi aleancën saudite nga Medineja, Xhiddeja dhe Mekkeja. Në vitin 1814, Saud bin Abdu’l-Azizi vdiq nga ethet, ndërsa djali i tij fatkeq, Abdullah ibn Saudi, u mor nga osmanët në Stamboll, ku u ekzekutua në mënyrë të tmerrshme. Një vizitor i Stambollit përcjell se si ai u poshtërsua nëpër rrugët e Stambollit për tri ditë me rradhë, para se të varej e t’i pritej koka. Më pas, koka e tij e prerë u fut në fytin e një topi dhe u gjuajt, zemra e tij u nxorr dhe trypi iu shpua me një dru.
Në vitin 1815, forcat vahabiste u shtypën nga egjiptianët (në emër të osmanëve) në një betejë vendimtare. Më 1818, osmanët e pushtuan dhe e shkatërruan kryeqytetin vehabitDarija. Kështu u shkatërrua shteti i parë saudit. Vehabistët e paktë që mbetën, u tërhoqën në shkretëtirë për t’u riorganizuar dhe qëndruan atje, ku ndenjën në qetësi gjatë shumicës së shekullit të nëntëmbëdhjetë.


Historia rikthehet me ISIS-in
Nuk është vështirë të kuptohet se si jehon themelimi i Shtetit Islam nga ISIS-i në Irakun e sotëm tek ata që e rikujtojnë këtë histori. Dhe vërtet, etosi i vehhabizmit të shekullit të tetëmbëdhjetë nuk u shua në Nexhd por u ringjall kur Perandoria Osmane u shpërbë në mes të kaosit të Luftës së Parë Botërore.
Saudët, në këtë renesansë të shekullit të njëzetë, udhëhiqeshin nga Abdu’l-Azizi fjalëpak por politikisht i zgjuar, i cili, me t’i bashkuar fiset e përçara beduine, u bë nismëtar i Ikhvan-it saudit, në shembullin e misionarëve të mëparshëm luftëtarë të Abdu’l-Vehhabit e të Ibn Saudit.
Ky Ikhvan ishte një ringjallje e lëvizjes së mëparshme, të ashpër e gjysëm të pavarur të “moralistëve” vehabistë, të cilët kishin arritur ta pushtonin Arabinë në vitet e para të shekullit të nëntëmbëdhjetë. Njësoj si më parë, edhe kësaj rradhe Ikhvani arriti ta pushtonte Mekken, Medinen dhe Xhidden ndërmjet viteve 1914 dhe 1926. Abdu’l-Azizi, megjithatë, filloi të shihte se interesi i tij i përgjithshëm kërcënohej nga “jakobinizmi” revolucionar i Ikhvan-it. Ikhvanistët u rebeluan- duke nisur një luftë civile që do të zgjaste deri në vitet e tridhjeta të shekullit të njëzetë- kur mbreti më në fund arriti t’i shtypte, duke u mbështetur në fuqinë e pushkëve automatike.
Për këtë mbret (nënkuptohet Abdu’l-Azizi), realitetet e thjeshta të dekadave të kaluara po shkatërroheshin. Nafta po zbulohej nëpër gadishull, ndërsa Britania dhe SHBA-të “flirtonin” me Abdu’l-Azizin, ndonëse ende ishin të prirë për ta përkrahur Sherif Hussejnin si sunduesin e vetëm legjitim të Arabisë. Sauditët kuptuan se duhej të zhvillonin një qëndrim më të sofistikuar diplomatik.
Si pasojë, vehabizmi ndryshoi nga një lëvizje e xhihadizmit revolucionar dhe e spastrimit teologjik tekfirist, drejt një lëvizjeje të dave-s (thirrjes) konservative shoqërore, politike, teologjike e fetare, e cila do ta arsyetonte institucionin që do ta ruante besnikërinë ndaj familjes mbretërore saudite dhe fuqisë absolute të mbretit.

Pasuria e naftës e përhapi vehabizmin
Me fillimin e çmendurisë së naftës, siç shkruan dijetari francez Giles Kepel, qëllimi saudit u bë që vehabizmi të dilte e të përhapej në gjithë botën muslimane, për ta “vehabizuar” Islamin dhe për t’i reduktuar zërat e shumtë brenda fesë në një “doktrinë të vetme”, nëpërmjet një lëvizjeje që do t’i tejkalonte ndasitë kombëtare. Miliarda dollarë u derdhën dhe vazhdojnë të derdhen në këtë manifestim të “fuqisë së butë” (ang. soft power)
Ishte pikërisht kjo përzierje fuqisë së butë dehëse prej miliarda dollarësh me dëshirën saudite për ta sunduar Islamin sunnit - si për t’i zhvilluar interesat amerikane, ashtu edhe për ta rrënjosur vehabizmin në sferën arsimore, shoqërore dhe kulturore anembanë tokave të Islamit - që krijoi një varësi politike të perëndimit nga Arabia Saudite. Një varësi, kjo, e cila nisi nga takimi i Abdu’l-Azizit  me Roosvelt-in në një luftanije amerikane (teksa ky i fundit po kthehej nga Konferenca e Jaltës) dhe vazhdon deri sot.
Perëndimorët e vështruan mbretërinë dhe ajo që panë ishte pasuria e saj, modernizimi në dukje dhe pretendimi për udhëheqësi të botës islame. Ata zgjodhën të besonin se mbretëria po u përshtatej tashmë kërkesave të jetës  moderne dhe se sundimi mbi Islamin sunnit do ta lëvizte edhe vetë mbretërinë saudite drejt jetës moderne.

Por pikëpamjet e Ikhvan-it saudit nuk vdiqën në vitet e tridhjeta. Ikhvani u tërhoq por vazhdoi të kishte pushtet mbi disa pjesë të sistemit, prej nga buron edhe dualiteti, me të cilin përballemi sot në qëndrimin saudit ndaj ISIS-it.
Në njërën anë, ISISi është thellësisht vehabist. Por në anën tjetër, ky grup është skajshmërisht radikal në një mënyrë krejt tjetër. Në të vërtetë, ISIS mund të shihet si një lëvizje korigjuese për vehabizmin e sotëm.
ISIS është një lëvizje “post-medinase”: ajo i merr për shembull veprimet e dy Kalifëve të parë më shumë se vetë Profetin Muhammed dhe, ndërkaq, me ngulm e mohon autoritetin e sauditëve për të sunduar.
E ndërsa monarkia lulëzonte në epokën e naftës drejt një institucioni gjithë më të ngritur, tërheqësia e porosisë ikhvaniste rritej gjithashtu (edhe përkundër përpjekjeve të Mbretit Faisal për modernizim). “Qasja ikhvaniste” gëzonte dhe gëzon akoma përkrahjen e shumë personave të rëndësishëm. Në një mënyrë, Osama Bin Laden ishte një përfaqësues pikërisht i kësaj qasjeje ikhvaniste.
Sot, (në këto qarqe) mohimi i autoritetit saudit nga ana e ISIS-it nuk shihet si diçka problematike, por më tepër si një rikthim drejt zanafillës së projektit saudito-vehabist.
Në menaxhimin e përbashkët të rajonit nga ana e sauditëve dhe perëndimorëve, gjatë procesit të realizimit të shumë projekteve të Perëndimit (si: përballja me socializmin, ba’athizmin, nasserizmin, ndikimin sovjetik e ndikimin iranian), politikanët perëndimorë zgjodhën përherë ta nxirrnin në pah imazhin që ata e shihnin tek Arabia Saudite (pasuri, modernizim dhe ndikim), duke e shpërfillur krejtësisht impulsin vehabist.
Në fund të fundit, lëvizjet më radikale islamiste konsideroheshin nga shërbimet sekrete perëndimore më efektive në rrënimin e pushtetit sovjetik në Afganistan dhe në luftimin e shteteve dhe udhëheqësve të padëshiruar në Lindjen e Mesme.
Përse duhet të habitemi atëherë, kur shohim se nga “mandati” saudito-perëndimor i dhënë Princ Bandarit për ta administruar kryengritjen siriane kundër presidentit Essad, doli një lëvizje e dhunshme e frikëndjellëse neo-ikhvaniste siç është ISIS? Dhe përse të habitemi – duke e njohur pakëz vehabizmin – se kryengritësit “e moderuar” në Siri tashmë nuk janë tjetër veçse një “figurë mitike”?  Si mund të prisnim që vehabizmi radikal të krijonte kryengritës të moderuar? Si mund të paramendonim se doktrina “një prijës, një autoritet, një xhami: binduni ose do të vriteni” do të mund të krijonte një lëvizje të moderuar ose tolerancë?
Por mbase edhe kurrë nuk paramenduam një gjë të tillë...

Shenim: Autori është diplomat britanik, i cili ka shërbyer në poste të rëndësishme edhe në shërbimin informativ të Britanisë (MI6) por dhe si diplomat i Bashkimit Evropian. Është autor i veprës Rezistenca: thelbi i revolucionit islamist (Resistance: The Essence of the Islamist Revolution)

VAZHDON


Burimi : Mendimi Alternativ

Alastair Crooke

Autori është diplomat britanik, i cili ka shërbyer në poste të rëndësishme edhe në shërbimin ...