Vakëfet e Gazi Mehmet pashës (Pjesa e katërtë)
Gazi Mehmet pasha është vakëflënësi i tretë në Prizren i cili ka ndërtuar një kompleks fetaro-arsimor gjatë shek.XVI-të në kuadër të së cilës gjenden xhamia, medreseja, ders-hanja, kytbyhanja, mejtepi, hamami dhe turbeja. Edhe pse gjer më tani nuk kemi pas njohuri se kush ishte Mehmet pasha dhe çfarë prejardhje kishte, tani në saje të hulumtimeve të historianes serbe nga Beogradi Tatjana Katiqi del se ai ishte me prejardhje shqiptare të familjes së njohur të Dukagjinasve e cila para ardhjes së osmanlinjëve kishte në posedim feude të mëdha në rrafshin e Dukagjinit dhe se ishte i njohur me noftën Dukagjinzade, që do të thotë princ i familjes së Dukagjinit.
Në saje të kësaj të tri xhamitë e ndërtuara që janë perla të qytetit të Prizrenit, xhamia e Gazi Mehmed Pashës, Sofi Sinan Pashës dhe Emin pashës janë ndërtuar nga pashallarët osman me prejardhje shqiptare të cilët i kanë lënë vakëf që të shërbejnë për nevojat e besimtarëve mysliman të Prizrenit gjer sa të ekzistojë bota.
Hasan Kaleshi hulumtuesi më i madh i periudhës osmane, ka cek se Mehmet pashë Jahja pasha( këtu mbiemrin e cek të gabuar) ka ndërtuar xhaminë më të bukur në Prizren së bashku me hamamin e madh të cilët janë ekzistues edhe në ditët e sotshme. Poashtu ka ndërtuar edhe medresenë e cila ka qen aktiv gati 400 vite në të cilin kanë mësuar dhe janë edukuar gjenerata të shumta të nxënësve nga viset e ndryshme, poashtu pranë medresesë ka ndërtuar edhe bibliotekën me një numër të konsideruar të librava në gjuhët arabe, perse dhe osmane, sikurse dhe konviktin e nxënëseve në të cilët kanë banuar talebet gjatë ndjekjes së mësimeve në medrese. Pagat e profesorëve, imamëve, mirëmbjatja e xhamisë dhe medresesë janë siguruar nga vakëfet e lëna të Gazi Mehmed pashës si dhe vakëfeve tjerë të prizrenasve gjatë kohës.[i]
Edhe Mehmet Tahir efendiu, kronisti, myderrizi, myftiu, prizrenas i shquar i shek. XIX-të, në kronikën e tij me titull Menakib, ka shkruar për Mehmet pashën, por duke e përshkruar gabimisht prejardhjen e tij, se kishte qenë djali i Bali beut të birit të Mallkoç beut, të cilët nuk janë të vërteta, pasi nga burimet të shkruara osmane kemi të dhëna të sakta për Mehmet pashën dhe prejardhjen e tij shqiptare:
“Do t’i përmendim paksa vakëflënësit, sipas asaj që kanë treguar paraardhësit e paraardhësve tanë. Pushtuesi i Budimit pat ndërtuar xhaminë më impozante, që i shembëllen Bejt-ul-Kudsit, na i ngazëllen zemrat tona. Në kohën e pushtimit të Budimit ka qenë bej i nderuar, pastaj është bërë vezir në mesin tone. Thonë se Mehmedi i Balit ka sunduar në të gjitha viset rreth nesh deri në Budim. Ka ndërtuar dhe një medrese pranë xhamisë së vet, dhe e ka gjallëruar me shumë vakëfe në vendin tonë.[ii]
Studjuesja dhe hulumtuesja serbe nga Beogradi Tatjana Katiqi në saj të hulumtimit të dokumenteve arkivore të periudhës osmane ka konfirmuar prejardhjen shqiptare të Mehmet Pashës si dhe meritën e tij të çmuar në transformimin e qytetit mesjetar krishter të Prizrenit në një qytet islam oriental dhe pikërisht këtë kulminacion në gjysmën e shek.të XVI-të e arriti në saje të ndërtimit të kompleksit fetaro-arsimior të Mehmet bej Dukagjinzades( më vonë e merr titullin e pashës në saje të fitoreve të shumta të arritura në fushëbetejat e ndryshme osmane, në të cilët në njërën nga betejat bie edhe dëshmor (diku në Hungari ku edhe është varrosur).[iii]
Mehmet bej Dukagjinzade(sanxhakbeu i Shkodrës gjatë viteve 1570-1571), ishte biri i Ahmet bej Dukagjinzade, i cili ishte nipi i shquar i principatës së Dukagjinasëve, si i ri ka shkuar në Stamboll me ç’rast aty ka pranuar Islamin dhe ka hyrë në shërbim të oborrit të sulltanit. Ka arritë në pozita të larta gjer te posti i vezirit të madh(kryeministër) gjatë viteve 1514-1515, dhe i cili në Prizren në atë kohë e ka ndërtuar xhaminë e tij, që quhet xhamia e Ahmet beut apo në popull njihet si xhamia e Tabakhanes.[iv]
Mehmed pasha ka ndërtuar gjatë viteve 1571-1574 xhaminë, më pas edhe medresenë e hamamin, poashtu në kuadër të vakëfeve të t’ia hjynë edhe mejtebi, biblioteka dhe tyrbeja për ndërtuesin.[v]
Mehmed pasha në vitin 1571 ka lënë vakëf shumën e parave prej 340.000 akçash për ndërtimin e mesxhidit(xhamisë) dhe medresesë e cila shumë i është dorëzuar mytevelisë dhe është regjistruar në sixhilin(regjistrit) e atëhershëm.[vi]
Nga tërë komplesi i dikurshëm fetaro-arsimor i Gazi Mehmed pashë, tani vetëm xhamia e Gazi Mehmed pashës është aktive në të cilën kryhet të gjitha aktivitetet fetare për besimtarët mysliman të qytetit të Prizrenit. Medreseja e Gazi Mehmet Pashës ka punuar pandërprerë deri në vitin 1947 kur u mbyll dhe e ka ndërprerë procesin edukativo arsimor nga pushteti i atëhershëm komunist.
Mbi derën hyrëse të xhamisë qëndron mbishkrimi në gjuhën osmane, ku përveç tjerash shkruan: “Kjo xhami është ngritur në vitin 981 hixhri, nga ana e Gazi Mehmed Pashës i cili nuk e ka ngritur këtë xhami për shyhret (bukuri), por për emër të Allahut, t’i shërbejë qytetit të Prizrenit”.[vii]
Në popull xhamia e Gazi Mehmed pashës është e njohur me emrin xhamia e Bajraklisë, pasi që nga ditët të para të nisjes së ritualeve fetare, është ngritur flamuri në maje të minares për nderë të ditëve festive dhe festave të Bajramit, traditë e cila vazhdon edhe në ditët e sotshme gjatë ditëve festive fetare ngritet flamuri në maje të minares së xhamisë së Gazi Mehmet pashës(Bajraklisë).
Kompleksi i xhamisë së Gazi Mehmet Pashës në kuadër të cilit hynë medreseja(tani muzeu i Lidhjes së Prizrenit), ders-hanja(tani shtëpia e Lidhjes së Prizrenit), tyrbeja(tani biblioteka e librave orientale islame), konvikti (tani galeria e Lidhjes së Prizrenit) mejtepi (tani ndërtesa e Këshillit të Bashkësisë Islame të Prizrenit), paraqet me të vërtet një “per exellens” apo shembull i xhamisë më të rregulluar dhe të mirëmbajtur jo vetëm në Prizren por edhe në Kosovë dhe mund të krahasohet si i tillë vetëm me kompleksin e xhamisë së Gazi Husrevbeut në Sarajevë të Bosnjës.[viii]
Roli i Gazi Mehmed pashës në dhurimin e vakëfeve të tija në saje të cilit ishte ngritur kompleksi fetaro-arsimor i cili i ka shërbyer gati plot 4 shekuj dhe do të mbetet i shënuar përherë në historinë e periudhës osmane të qytetit të Prizrenit si një periudhë e rëndësishme e historisë së trojeve tona shqitare dhe të njerëzve të ndritur shqiptar të saaj kohe që kanë dhënë një kontribut të çmuar gjatë asaj kohe të periudhës osmane gjatë shek. XVI-të në trojet shqiptare në përgjithësi e për qytetin e Prizrenit në veçanti.
[i] Hasan Kaleshi, Prizreni si qendër kulturore gjatë periudhës turke,Hikmet nr.10, Instituti për shkencat humane ”Ibni Sina”, Prishtinë, 2015, fq.12
[ii] Nehat Krasnqi, Kronika(Menakib) e Tahir efendiut, burimi i rëndësishëm për historinë e kulturës në Prizren gjatë periudhës turko-osmane, Edukata Islame nr.57, Kryesia e shoqatës së ylemave të Kosovës, Prishtinë, 1995, fq.80.
[iii] Tatjana Katiq, Osmanizimi i qytetit mesjetar të Prizrenit në shek.XV-të dhe XVI-të, Haikmet nr.11, Instituti për shkenca humane”Ibni Sina”, Prishtinë, 2015, fq.189-190.
4 Po aty, fq.177
5 Po aty, fq.177
6 Tatjana Katić“Opširni popis prizrenskog sanđaka iz 1571 godine“, Istorijski institut, Beograd, 2010, fq.553.
7 Raif Vırmiça, ’’Prizren Camileri’, TDB Yayınları, Prizren, 1996, fq.38
[viii] Faik Miftari, Publicistika e apsolventit, Prizren, 2016, fq.327