Përgjegjësia e BIK-ut ndaj trashëgimisë kulturore osmane islame (Pjesa e gjashtë)
Objektet e trashëgimisë kulturore osmane islame në Kosovë datojnë qysh nga fundi i shek. XIV-të e gjer në përfundimin e sundimit të Perandorisë Osmane në fillim të shek. XX-të, një periudhe kohore mbi 500 vjeçare në Kosovë. Gjatë kësaj periudhe , jo vetëm në Kosovë, por gjithandej trojeve shqiptare të përfshira në kuadër të Perandorisë Osmane janë ndërtuar shumë xhami, mejtepe, medrese, teqe, biblioteka, hamame, ura, bezistane, hane, karvan saraje, etj. Pas largimit të Perandorisë Osmane nga Ballkani në vitin 1912, dhe okupimit të trojeve shqiptare nga sllavët , serbët, malazezët, grekët dhe bullgarët, shumë nga këto objekte të trashëgimisë kulturore osmane islame janë shkatërruar , një pjesë e saj me kalimin e kohës për shkak të mos mirëmbajtjes janë rrënuar, ndërsa një pjesë tjetër për shkak të neglizhencës së qytetarëve janë tretur. Nga kjo trashëgimi e pasur kulturore osmane islame, në ditët e sotshme janë ruajtur një pjesë e konsideruar në Kosovë, me theks të posaçëm në Prizren e Gjakovë.
Bashkësia Islame e Kosovës duhet trajtuar me kujdes të duhur pjesën e trashëgimisë kulturore osmane islame që e posedon dhe menaxhon. Këtë kur e them , kam parasysh objekte siç janë xhamit, medresetë, bibliotekat dhe vakëfet tjera që janë në kuadër të BIK-ut. Duke u nisur që nga xhamia e parë më e vjetër në Kosovë, xhamisë së Çarshisë(sulltan Bajezidit) në Prishtinë, themelet e së cilës janë vënë në vitin 1389, e tek një varg objektesh tjera të trashëgimisë osmane islame ekzistuese në Prishtinë, Prizren, Gjakovë, Pejë, Vushtrri , Mitrovicë, etj.
Gjatë 15 viteve, Republika e Turqisë, gjegjësisht nëpërmes agjencisë shtetërore qeveritare të saj, TIKA, ka bërë një punë jashtëzakonisht të madhe në restaurimin e një pjesë të madhe të trashëgimisë së saj të dikurshme të periudhës osmane në Ballkan, duke u nis nga Bosnja e Hercegovina, Sanxhaku, Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Bullgaria. Krahas tyre në këto shtete ka ndërtuar edhe një varg xhamish të reja, medrese, biblioteka, konvikte dhe objekte tjera. Roli i TIKËS ka qenë primar jo vetëm në ruajtjen e trashëgimisë osmane por edhe në ndërtimin e objekteve të reja, pa ndihmën e së cilës bashkësitë islame ekzistuese në këto shtete do të mbeteshin të mangëta në sfondin e objekteve fetare për organizimin dhe mbarëvajtjen e jetës fetare në tërësi në Ballkan
Këtu do të ceki vetëm disa objekte të trashëgimisë osmane islame, që janë restauruar dhe rindërtuar nga Republika e Turqisë, nëpërmjet TIKA-së, në Kosovë. Në Prishtinë TIKA ka restauruar xhaminë e Madhe(sulltan Fatihut), xhaminë e Jashar Pashës, ndërsa tani do të restaurojë edhe xhaminë më të vjetër në Kosovë, xhaminë e Çarshisë(sulltan Bajazidit) si dhe hamamin e sulltan Fatihut. Në Prizren TIKA ka restauruar xhamin e Sinan Pashës, Emin Pashës dhe së shpejti pritet të restaurojë edhe xhaminë e Mehmet Pashës(Bajraklisë) dhe të rindërtojë ruzhdijen(gjimnazin) , në Gjakovë mejtepin, medresenë e vogël, bibliotekën në xhaminë e Hadumit, xhaminë e Mahmut Pashës, xhaminë e Sefës, xhaminë e Kusarëve, xhaminë e mulla Jusufit , xhaminë e Murat pashës në Janjevë, dhe një varg objektesh tjera në Kosovë.
Bashkësisë Islame të Kosovës, këto objekte të trashëgimisë osmane islame të restauruara , tani i mbesin që t’ i mirëmbajë dhe t’ju kushtoj kujdes të duhur gjatë periudhës së ardhshme kohore. Pasi që gjer tani , jo vetëm se nuk është investuar në restaurimin e tyre, por as që është kujdesur sa duhet për këto objekte “per exellent” të trashëgimisë osmane islame. Këtë kur e them e marr për bazë si shembull moskujdesjen dhe anashkalimin nga ana e Këshillit të Bashkësisë Islame në Prizren, të këtyre objekteve. Edhe pse duke ditur rëndësinë e madhe që e ka xhamia e Mehmet Pashës(Bajraklisë) jo vetëm në aspektin e trashëgimisë kulturore islame por edhe për karakterin politik të saj që ka pas, pasi në të është mbajtur kuvendi i Lidhjes së Prizrenit, dhe si e tillë është e përfshirë edhe në Kompleksin e saj, oborri i xhamisë së Bajraklisë është shndërruar në vend parkim të veturave , ashtu që mund të rastis ndonjëherë edhe mbi 10 vetura të parkuara, si rezultat i së cilës kalldrëmi në oborrin e saj të bukur ka nisur të prishet dhe shumë gurë janë thyer. Edhe pse është parashtruar kërkesa me kohë nga ana e Këshillit të xhamisë së Bajraklisë për të mos lejuar parkimin e veturave në xhami, pasi që paraqet një njollë dhe një shëmtim direkt në trashëgiminë e saj kulturore islame, kjo kërkesë fare nuk u përfill në dy mandatet e kaluara nga ana e Këshillit dhe kryetarit të saj, e poashtu edhe në mandatin aktual të Këshillit të tanishëm me kryetarin aktual. Mbesë me shpresë se pasi që TIKA do të kryej restaurimin e xhamisë , atëherë ndoshta do të mbushen mendtë krerët e Bashkësisë Islame në Prizren dhe do të kthjellen, pasi është non sens i llojit të vet kur ata nuk përfillin trashëgiminë kulturore osmane islame, ndërsa për dallim prej tyre xhemati i xhamisë me kohë kërkon të respektohet dhe të ruhet trashëgimia. Lere që oborri i brendshëm nuk ju ka mjaftuar për parking , pas saj kanë ndërmarr hapin tjetër dhe e kanë rrethuar me shtylla të hekurit dhe zinxhir edhe pjesën e përparme para xhamisë, duke bllokuar dhe pamundësuar parkingun normal të veturave jo vetëm të banorëve të lagjes por edhe të ndonjë besimtari që vjen me veturë për të falur ndonjë namaz në xhami. Qoftë kjo edhe prej Këshillit të Bashkësisë Islame të Prizrenit e tepërt është!
Me këtë shkrim ë do të përmbyll ciklin e shkrimeve për aktualitetin e tanishëm në Bashkësinë Islame të Kosovës me shpresë se në të ardhmen do të këndellen dhe do të punojnë sa duhet dhe si duhet konform amanetit që e kanë marr mbi vete, për udhëheqje dhe mbarëvajtje të jetës fetare në Kosovë. Dora gjithnjë është e zgjatur për bashkëpunim nga pjesëtarët e xhematit të cilët e duan atë dhe janë të gatshëm të ndihmojnë në të gjitha fushat e mundshme për mbarëvajtjen sa më të suksesshme të saj, por për fat të keq kjo dorë e zgjatur neglizhohet dhe anashkalohet si nga niveli lokal ashtu edhe nga niveli qendror . Kjo tani ju mbetet në duart e saja të vendos a dëshiron në të vërtet të jetë Bashkësia Islame e Kosovës, apo do të vazhdoj edhe më tutje si është , Bashkësia e Hoxhallarëve të Kosovës. Por, në ditën kur do të dalim në llogaridhënie para Krijuesit Fuqiplotë në Ahiret, nuk do të mund të arsyetohen para Zotit se nuk kanë ditur më mirë të udhëheqin me kapacitetet ekzistuese të tyre, pasi kanë pasur në disponim resurset të profileve të ndryshme nga ana xhematit në Kosovë, por nuk kanë dashur të shfrytëzojnë, pse dhe për çfarë arsye ata më së miri vet e dinë.
Në fund do të përmbyll këtë qasje që kishte të bëjë me trashëgimin kulturore osmane islame nga ana e Bashkësisë Islame të Kosovës me një thënie të bukur të historianit anglez Noel Malcolmit, studiues i historisë shqiptare : “Trashëgimia osmane, duke përfshirë edhe trashëgiminë e islamit është diçka që u takon popujve të tërë Ballkanit, të hedhësh poshtë atë si të “huaj” është historikisht po aq absurde sa do të ishte absurde për irlandezët të flakin gjuhën angleze si të huaj”.