50 vjetori i portretit të Skënderbeut tek Ura e Fshenjtë
Në vazhdën e përvjetorëve të shënuar nga historia jonë kombëtare, sivjet
shënuam 550 vjetorin e vdekjes së Skënderbeut, 140 vjetorin e Lidhjes së Prizrenit, 110 vjetorin e Kongresit të Manastirit, kësaj unë do të kisha shtuar edhe 50 vjetorin e portretit të Skënderbeut të vizatuar në shkëmb tek Ura e Fshenjtë në lumin Drini i Bardhë, nga poeti, shkrimtari, studiuesi, hulumtuesi Mexhid Yvejsi nga Gjakova.
Mexhid Yvejsi në atë kohë sapo i kishte mbushur 18 vjet, i frymëzuar qysh nga fëmijëria me ndjenja të thella kombëtare e fetare, me rastin e 500 vjetorit të
vdekjes së Skënderbeut, 90 vjetorit të Lidhjes së Prizrenit dhe 60 vjetorit të
Kongresit të Manastirit ,në vitin 1968 i cili ishte viti i shfaqjes publike të ndjenjave kombëtare shqiptare, të ngritjes së flamurit kombëtar, të demonstratave të para për ngritjen e statusit të shqiptarëve të Kosovës në ish Jugosllavi, Mexhid Yvejsit krahas shpërndarjes së trakteve në Gjakovë në atë kohë, i rrodhi idea që të vizatoj Skënderbeun në një shkëmb pranë lumit Drini i Bardhë tek Ura e Fshenjtë, afër Gjakovës.
Portretin e Skënderbeut e kemi parë në fotografi, piktura, skulptura, film,
por të vizatuar në një shkëmb, gjer atëherë kjo nuk ishte parë, ishte diç e veçantë, që ndodhi në Kosovë, në vazhdën e aktiviteteve tjera të ngritjes kombëtare shqiptare në vitin 1968. Ne, shqiptarët e Kosovës në atë kohë, nëpërmes figurës së Skënderbeut pajiseshim, frymëzoheshin dhe inspiroheshim për ngritjen e vetëdijes kombëtare shqiptare, edhe pse rrjedhat historike dhe kauza për të cilën ka luftuar dhe ka bërë rezistencë Skënderbeu, në kontestin e atëhershëm kohor kanë qenë të llojit dhe natyrës tjetër.
Më vonë gjatë viteve shtatëdhjeta e tetëdhjeta të shekullit XX-të, nën
ndikimin dhe propagandimin e ideve marksiste leniniste në Kosovë nga Lëvizja Popullore e Kosovës, krahas figurës së Skënderbeut, në ilegalitet madhërohej, dhe ngritej figura e diktatorit Enver Hoxha, i cili në atë kohë prezantohej si një figurë e ndritshme politike, kombëtare, megalomane shqiptare, si burimi apo frymëzim i ngritjes së mëtutjeshme kombëtare shqiptare në Kosovë. Ne me të vërtet e kemi dashtë nënën Shqipëri, e duam dhe përherë do ta duam, e imagjinonim nënën Shqipëri si një parajsë, përkundër sistemit të egër diktatorial të xhaxhit Enver, ne atë e kishim në zemër dhe ai për neve ishte sinonim i të qenit shqiptar, dhe slogani më i përfolur në atë kohë ishte” xhaxhi Enver, jemi gati kurdoherë”. Vdekja e xhaxhit Enver në vitin 1984 ka qenë një ngjarje që ka lënë gjurmë edhe në Kosovë. Atëkohë isha në vitin e dytë të studimeve dhe banoja në konviktin e studentëve në Mitrovicë,. Prej ditës së marrjes së lajmit e gjer tek varrimi i xhaxhit Enver, plot 4 ditë ka mbretëruar qetësi absolute në konvikt, 4 ditë zie të pashpallur. Gjatë asaj kohe nuk ka guxuar dikush prej studentëve të lëshojë radion apo televizionin e lere më të dëgjojë muzikë, 4 ditë në stadiumin prapa konviktit nuk ka mundur të shkel këmbën ndonjëri student të luaj futboll. Nëpërmes radio Tiranës në mënyrë sekrete e përcillnim lajmet për figurën dhe rolin e xhaxhit Enver. Pas varrimit të xhaxhit Enver, jeta studentore u kthye normales në konviktin e studentëve në Mitrovicë, pasi që përfunduan 4 ditë të pashpallur zie në atë kohë, për vdekjen e xhaxhit Enver.
E njoh Mexhid Yvejsin si poet, shkrimtar, studiues, hulumtues, besimtar,
atdhetar, fetar, kombëtar, por të ketë prirje në moshën rinore edhe për pikturë, kurrë nuk kisha besuar, gjersa doli në shesh pas plot 40 vitesh se pikërisht Mexhid Yvejsi qenka autor i portretit të Skenderbeut në shkëmb tek Ura e Fshejtë në vitin 1968. “Qëllimi i këtij pikturimi ishte për të ngritur vetëdijen kombëtare te rinia shqiptare”, thekson poeti e shkrimtari, atdhetari e besimtari Mexhid Yvejsi nga Gjakova. Saktësisht në natën e 9 qershor të vitit 1968, në vigjilje të 90 vjetorit të Lidhjes së Prizrenit, Mexhid Yvejsi së bashke me tre shokët e tij, Muslim Dobruna, Fatmir Rudi dhe Halit Kumnova, nga Gjakova, shkuan me biçikleta nga Gjakova gjer tek Ura e Fshenjtë, ku Mexhid Yvejsi e vizatoi me ngjyrë portretin e Skënderbeut në shkëmbin pran Urës së Fshenjtë në lumin Drini i Bardhë, ndërsa tre shokët e tij asistuan dhe i ndihmuan atij. Njëri nga protagonistët e kësaj ngjarjeje pas 40 vitesh, Muslim Dobruna, pat thënë :“Ne vetëm i kemi i ndihmuar Mexhidit, ndërsa ai e ka pikturuar. Ai ka pasur prirje për pikturim”. Këtë punë që e bënë katër shokë nga Gjakova në atë kohë ishin pajtuar që të mos tregonin askujt, nga kureshtja , ashtu që ka mbet plot 41 vite pa u ditur autori i vizatimit në shkëmb të portretit të Skënderbeut tek Ura e Fshenjtë.
Tek pas 41 vjet, u bë publike, se autori i këtij portreti të Skënderbeut qenka poeti, shkrimtari, studiuesi dhe hulumtuesi Mexhid Yvejsi nga Gjakova, në saje të korrespondentit Gazmend Doli i cili bëri një shkrim enkas për këtë në gazetën Koha Ditore të datës 30.12.2009 - 2.01.2010 me titull” Portreti i Skënderbeut në shkëmb”. Nuk e di se Mexhid Yvejsi a ka pikturuar apo vizatur edhe punime tjera në fushën e artit të vizatimit, porse në rast se ky portret i Skënderbeut ka qenë i vetmi portret që ka vizatuar apo pikturuar, kjo me të vërtet e bën të veçantë Mexhid Yvejsin edhe për kontributin e tij të dhënë në fushën e pikturës dhe lirisht mund të thuhet se qoftë e vetmja kjo pikturë e tij, ajo në të vërtet është kryevepra e
tij në fushën e artit të vizatimit apo pikturimit.
Gjatë gjithë kohës që prej pushtimit të Kosovës nga Serbia në vitin 1912 e
gjer në çlirimin e saj në vitin 1999, individë të shumtë nga gjeneratat e kaluara që nga viti 1912 e gjer më sot kanë dhënë një kontribut të çmuar në forma të ndryshme të veprimit të tyre në ngritjen e vetëdijes kombëtare që nga inspirimi, frymëzimi, shpërndarje e trakteve, shkrimit të parullave, organizimit të protestave dhe demonstratave, rezistencës paqësore dhe kulminacioni i gjithë kësaj përpjekjeje gati një shekullore ishte rezistenca e armatosur e UÇK-së, dhe pas dështimit të Konferencës së Rambujesë dhe mos pranimit të marrëveshje së saj nga Serbia, si rrjedhojë pati bombardimin 77 ditor të NATO-së në vitin 1999, rezultat i së cilës ishte largimi i forcave policore dhe ushtarake serbe nga Kosova.
E në kuadër të atyre që dhanë një kontribut të çmuar në Kosovë është edhe poeti, shkrimtari, studiuesi, hulumtuesi, besimtari, atdhetari, fetari dhe kombëtari, Mexhid Yvejsi nga Gjakova, në formën e tij të veçantë të veprimit të tij për çështjen kombëtare shqiptare.
Do të përmbyll këtë shënim të përvjetorit të 50-të vizatimit të portretit të
Skënderbeut tek Ura e Fshenjtë, me një thënie të veçantë të patriotit tonë kombëtar e fetar Hafiz Ali Korça, e që ka të bëjë edhe me autorin e portretit të Skënderbeut tek Ura e Fshenjtë, Mexhid Yvejsin nga Gjakova, “Atdhetar jam, por edhe fetar si duhet. Atdhetari përse turp të ketë tek thotë e dua me shpirt fenë e vet”.