Radikalizmi nuk mund të luftohet me fashizëm

nga Olsi Jazexhi | Publikuar në Dhj. 4, 2016, 4:51 a.m.

1.
Në datën 22 nëntor 2016 në një librari lagjeje në Tiranë, të quajtur në anglisht Tirana Times Book House, Albert Rakipi me Institutin e tij shqiptar për studime ndërkombëtare, organizoi një tryezë mbi “Radikalizmin dhe ekstremizmin fetar në Ballkan”. Tryeza të cilën Zëri i Amerikës e quajti “konferencë rajonale mbi radikalizmin dhe ekstremizmin fetar në Ballkanin Perëndimor” ishte një takim studiuesish nëse mund ti quajmë kështu, të cilët paguhen nga agjensitë amerikane, për të sugjeruar sesi duhet që amerikanët të policojnë dhe nënshtrojnë muslimanët e Ballkanit.

 

Tryeza sponsorizohej nga organizata militariste e NATO-s. Aty prezantuan Enri Hide për Shqipërinë, Sanjin Hamidicevic për Bosnjën, Filip Stojkovski për Maqedoninë, Skërnder Përteshi për Kosovën dhe Hamdi Firat Buyuk për Turqinë. Prezantuesit ishin të niveleve të ndryshme. Pati prezantues sikur Filip Stojkovski, Skënder Përteshi dhe Sanjin Hamidicevic që prezantuan të dhëna dhe analiza domethënëse. Siç mund të kuptohet, edhe pse tryeza e quajtur konferencë do fliste mbi “Radikalizmin dhe ekstremizmin fetar në Ballkan”, feja e cila ishte tabelë qitje ishte Islami dhe muslimanët. Në tryezë askush nga pjesëmarrësit nuk analizoi fjala bie ekstremizmin dhe radikalizmin ortodoks në Ballkan i cili bëri masakra në Bosnje dhe Kosovë. Nuk u analizua as ekstremizmi katolik i cili ka bërë masakra kundër muslimanëve dhe serbëve në Bosnjë. Nuk u përmend asnjë prift katolik sikur fjala bie Don Anton Kqira që ka bërë thirrje për zhdukjen e 3 milion muslimanëve shqiptarë, apo askush nga 38 martirët që Kisha Katolike ka dekoruar së fundmi në Shqipëri, por që shumë prej tyre ishin kuislingë të fashizmit dhe nazizmit dhe mbështetën ideologjikisht holokaustin kundër çifutëve.

Tryeza ishte organizuar për të sulmuar, apo nëse do përdorim nocionet orientaliste të Eduard Saidit, për të “studiuar, dominuar dhe kontrolluar” muslimanët. Megjithatë, disa nga prezantuesit në këtë tryezë arritën që të dalin përtej axhendës së NATO-s, e cila synonte të kuptojë muslimanët ballkanas që kanë përfunduar në xhihad në Siri. Filip Stojkovski psh. që trajtoi rastin e Maqedonisë devijoi nga tema kur tregoi sesi shteti maqedon ndërsa përndjek dhe burgos muslimanët shqiptarë që kanë shkuar të luftojnë në Siri, nuk merr asnjë masë kundër të krishterëve maqedonë që luftojnë në mënyrë ilegale në Ukrainë. Edhe Skënder Përteshi nga Kosova vuri në pah që luftëtarët kosovarë që përfunduan në Siri, e bën këtë pasi u nxitën nga pushtetarët e Kosovës, sikur ministri i jashtëm Enver Hoxhaj etj që të “ndihmojnë” popullin e Sirisë. Përteshi fajtoi edhe politikën kosovare, izolimin, korrupsionin etj si disa prej faktorëve që kanë çuar rininë kosovare në Siri.

Por ndërsa prezantimet e të ftuarëve nga Bosnja, Kosova dhe Maqedonia ishin për tu lavdëruar, prezantuesi turk ishte shumë i vakët, ndërsa shqiptari Enri Hide ishte surpriza më e madhe e tryezës. Në prezantimin e tij, Hideja i zhveshi të gjithë maskat që NATO dhe administrata amerikane mban kur merret me Islamin në botë. Hideja sulmoi Islamin si fe që nxit terrorizëm, tha se në Shqipëri ekziston radikalizëm Islam, që Islami radikal është i lidhur me krimin e organizuar dhe për më tepër që muslimanët po mundohen të organizojnë parti politike në vend – siç bën një përpjekje në 2007 – por që Komuniteti Musliman e refuzoi. Lushnjari Enri Hide i cili në tezën e tij të doktoratës që ka mbrojtur me Henri Çilin dhe Ferit Dukën ka bërë gabime trashanike kur ka plagjarizuar, dhe merr si referencë ekstremistin protestant Christopher Deliso, akuzoi edhe Komunitetin Musliman si të paaftë të kontrolloj xhamitë, ndërsa predikoi që radikalizmi islamik do të vijojë dhe Shqipëria është në rrezik të sulmeve terroriste. Hideja nuk mori mundimin, ndoshta edhe nga padija, që të ndaj Islamin nga Vehabizmi Saudit, apo që të vërë në pah sesi muslimanët që shkuan në Siri u nxitën nga vetë shteti shqiptar, apo të vërë në pah sesi shteti shqiptar sot strehon organizatën terroriste të Muxhahedinëve Iranianë. Pas prezantimit amator dhe islamofobik, Enri dha një intervistë për Zërin e Amerikës dhe më pas shkoi në takim me kryeministrin, ndërsa vendin e tij e zuri një tjetër këshilltar i kryeministrit Rama i cili u deklaroi zyrtarëve të NATO-s se qeveria e Rilindjes po krijon një zyrë të veçantë për tu përballur me radikalizmin dhe ekstremizmin fetar në vend.

2.
Si ndjekës i kësaj tryeze dhe person që i njoh mirë punët e muslimanëve në Shqipëri, pas prezantimit të Hides unë e komentova prezantimin si shumë islamofob, gjeneralizues dhe jo-shkencor. Prezantimi veçonte Islamin dhe muslimanët si armiq të Shqipërisë dhe nuk analizonte faktet gjeopolitike të cilat indoktrinuan muslimanët injorantë që të luftojnë për NATO-n në Siri. Fakti që Hideja përveç sulmit ndaj fesë Islame, sulmonte edhe të drejtën demokratike të qytetare muslimanë shqiptarë që të kenë parti politike në një kohë që katoliket dhe grupet e tjera kristjane kanë mbi 7 parti, të linte përshtypje të hidhur. A nuk janë edhe muslimanët shqiptarë qytetarë me të drejta të plota në Shqipëri? A nuk kanë edhe ata të drejta organizimi politik sikur kanë të krishterët? Apo mos vallë ofensiva e NATO-s kundër xhihadistëve në Lindjen e Mesme, do i kthejë vendet tona në fashizëm dhe muslimanët nuk do kenë më liri demokratike dhe politike?

Në komentin tim unë vura në pah arrestimet masive të muslimanëve gjatë ndeshjes me Izraelin, rrahjen e disa prej të ndaluarëve dhe vura në pah që këto masa tregojnë që në Shqipëri ka një Islamofobi shtetërore në lidhje me Islamin dhe qeveria jonë po adapton metoda fashiste kundër muslimanëve. Vura në pah që metoda të tilla ekstremiste, vetëm se i radikalizojnë muslimanët, pasi ata ndjehen të alienuar dhe nën sulm.

Komenti im e shqetësoi Albert Rakipin dhe Alba Celën të cilët u vunë në mbrojtje të tezave fashiste të Hides dhe qeverisë Rama. Rakipi tha psh. që partitë kristjane nuk mund të krahasohen dot me partitë islamike, pasi sipas komentit të Rakipit të jepej ideja sikur muslimanët kur zënë politikën me dorë bëjnë namin, ndërsa të krishterët janë të mirë dhe qytetëruar. Pra ideja që u përçua nga organizatorët ishte që muslimanët janë egërsira që duhen mbajtur nën hu, ndërsa të krishterët janë lule dhe mund të bëjnë çfarë të duan.

3.
Tryeza e njëanshme e NATO-s në lidhje me Islamin është ndjekur në ditët në vijim me një sërë zhvillimesh të tjera islamofobike në qytetet shqiptare. Në Kosovë mediat filokatolike sikur gazeta Express e Berat Buzhalës në datë 27 nëntor transmetoi emisionin “Haraçi Turk”. Duke përdorur termat orientalistë të dhunës osmane kundër kristjanëve, stafi i Expressit i tregonte qytetarëve kosovarë që privatizimet që Turqia po bën në Kosovë janë sikur haraçi legjendar që sulltanët i vinin të krishterëve në Ballkan. Emisioni i Haraçit Turk u vijua në ditën në vijim, në 28 nëntor me një sulm terrorist kundër konsullatës turke në Prizren. Disa ekstremistë anti-muslimanë sulmuan me bombë Molotov konsulatën turke. Por Gjykata Themelore e Prizrenit terroristët anti-muslimanë që i arrestoi në të njëjtën ditë nuk i akuzoi për sulm terrorist, por u mjaftua me akuzën ‘shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’. Ndryshe nga muslimanët që u arrestuan në masë dhe u rrahën në Shqipëri me rastin e ndeshjes me Izraelin vetëm për faktin pse ishin muslimanë paqësorë dhe emrat e tyre janë në listat policore që regjimi Rama ka ndërtuar, jo-muslimanët edhe kur bëjnë akte terroriste marrin trajtim special në shtetet shqiptare.

Ideja që muslimanët janë të këqijtë e duhen shtypur u pa edhe në një letër përgjigje që kryeministri i Kosovës i bëri organizatës “Simon Uiesenthal” e cila i ishte ankuar qeverisë kosovare për librat antisemitë në Panairin e Librit në Prishtinë. Hashim Thaçi në vend që ti sqaronte izraelitëve që libra sikur Mein Kampfi etj në Shqipëri dhe Kosovë nuk botohen nga muslimanët, por nga shtëpi botuese laike – u thoshte që qeveria e tij ka arrestuar shumë persona dhe imamë për nxitje të urrejtjes dhe promovim të ekstremizmit dhe ideologjisë radikale. Pra me pak fjalë, edhe për botimin e Mein Kampfit akuzoheshin muslimanët.

Në anën tjetër gazeta Express, pasi nxiti urrejtje kundër turqve me emisionin “Haraçi Turk” vazhdoi propagandën urrejtjenxitëse në datën 1 dhjetor duke botuar shkrimin “A duhet të kemi frikë nga islami?” të egjiptianit Hamed Abdel Samad. Në këtë shkrim Hamedi i apelon botës që të ketë frikë nga Islami pasi sipas tij Islami është fe fashiste.

4.
Sulmet ekstremiste kundër muslimanëve, Islamit dhe Turqisë vazhdojnë pa ndërprerje në mediat në Kosovë dhe Shqipëri. Në datën 28 nëntor në Prizren ekstremistët anti-muslimanë sikur të mos mjaftoheshin me bombardimin e konsullatës turke, grisën edhe flamuj turq nëpër qytet. Në datën 30 nëntor në gazetën shqip, Fadil Lepaja sulmonte Turqinë dhe qytetarët turq që ngrejnë flamuj turq në qytetin multietnik të Prizrenit, dhe kështu mesazhet ekstremiste kundër turqve dhe muslimanëve mbushin ngado e kudo internetin.

I vetmi zë i arsyeshëm në këtë ofensivë dhune dhe islamofobie kundër muslimanëve erdhi nga Fatos Lubonja dhe Andi Bushati në emisionin “Të Paekspozuarit”. Lubonja dhe Bushati denoncuan si fashiste arrestimet masive që qeveria Rama i bëri muslimanëve me rastin e ndeshjes me Izraelin. Lubonja vuri në pah hipokrizinë e OJQ-ve që merren me të drejtat e njeriut në Shqipëri të cilat kur muslimanët abuzohen, nuk flasin asnjë fjalë:

“U burgosën mbi 150 muslimanë në mënyre fashiste nga qeveria Rama dhe asnjë shoqatë e të drejtave të njeriut nuk foli në mbrojtje të tyre, ndërkohë në Itali vetëm një musliman u burgos e shpërtheu debati ne mbrojtje të tij. Ndaj ky lloj fashizmi nesër mund te ushtrohet edhe ndaj aktivistëve të Organizatës Politike duke i etiketuar ata si terrorist” – deklaroi ai.

5.
Ofensiva mediatike, politike, ushtarake dhe “shkencore” që bëhet sot kundër muslimanëve në Ballkan është pjesë e luftës së madhe që fuqitë imperialiste perëndimore me në krye NATO-n janë duke bërë kundër shteteve muslimane në Lindjen e Mesme. Bota ku ne jetojmë sot është një botë shumë e frikshme. Në Lindjen e Mesme organizata terroriste sikur Nusra, ISIS etj luftojnë me shtete militariste dhe organizma imperialiste sikur NATO etj. Zjarri i luftës së Lindjes së Mesme i ka hedhur flakët edhe në Ballkan. Ne vetë ishim dëshmimtar në vitet 2012-2014 kur qeveritë dhe mediat perëndimore dhe satelitët e tyre muslimanë, radikalizuan me mijëra muslimanë ballkanas të cilët përfunduan si xhihadistë në Siri. Por tani kur perëndimi ka ndryshuar planet e tija të luftës, haraçin për xhihadizmin e disa muslimanëve është duke e paguar i gjithë komuniteti i muslimanëve në Ballkan.

Në këtë zallamahi konflikti dhe tensioni rajonal, organizata sikur Instituti Shqiptar për Studime Ndërkombëtare i Albert Rakipit dhe sponsorët e tij militaristë shpesh i hedhin benzinë zjarrit kot. Këto institute tregojnë hipokrizinë e tyre kur nuk merren me studimin e radikalizmit anti-musliman në Ballkan. Sulmi i terrorist i datës 28 nëntor ndaj konsullatës turke në Prizren dëshmon qartë faktin që ndërsa mediat dhe OJQ-të e sponsorizuara nga perëndimi lehin “muslimani, muslimani”, fashistët anti-muslimanë kryejnë akte të hapura terrorizmi.

Organizata sikur Instituti Shqiptar për Studime Ndërkombëtare i Albert Rakipit për mendimin tim do të bënin mirë që të bëheshin më seriozë në studimet e tyre. Serioziteti i tyre do të niste nëse ata do të distancoheshin nga organizatat e dhunshme dhe militariste sikur NATO. Më pas këto organizata duhet të vënë si mision të tyre shkencën, drejtësinë, paqen, multikulturalizmin dhe mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve pa dallim feje dhe ideje.

Pasi ta lënë jashtë axhendës së tyre shërbimin ndaj organizatave të dhunshme dhe militariste, këto organizata do të bëheshin më serioze dhe shkencore. Ndërsa unë jam dakort që ISHSN-ja bën mirë që mundohet të studiojë proçesin e radikalizmit dhe ekstremizmit në Ballkan, ajo do të bëntë mirë që sferën e saj studimore mos ta përqëndrojë vetëm te muslimanët, por të studiojë edhe komunitetet e tjera që na rrethojnë. ISHSN-ja duhet të studiojë faktorët që çojnë qytetarët kosovarë që të bombardojnë konsullatën turke në Prizren, apo arsyet pse priftërij sikur Don Anton Kqira kërkojnë zhdukjen e 3 milion muslimanëve në Ballkan, apo pse ekstremistët katolikë lezhian sulmojnë dhe shkatërrojnë trashëgiminë osmane në kalanë e Lezhës.

Në anën tjetër, Albert Rakipi si drejtues i ISHSN-së duhet ti këshillojë punëtorët e tij, që muslimanë shqiptarë janë qytetarë me të drejta të plota në Republikën e Shqipërisë. Ata kanë të drejtë të besojnë çfarë të duan, të falen në xhamitë që ata duan, të ndjekin apo rezufojnë xhamitë që ata duan, të kenë organizime politike dhe fetare konform ligjit. Ashtu sikur katolikët e Mirditës kanë të drejtë të bëjnë partitë e tyre demokristiane, edhe muslimanët gëzojnë të njëjtat të drejta me bashkëkombësit e tyre të krishterë. Pretendimet sikur ato të Enri Hides që Islami është fe radikale, që muslimanët nuk duhet të kenë partitë e tyre politike etj, e diskreditojnë Institutin Shqiptar për Studime Ndërkombëtare dhe tregojnë anësinë e tij Islamofobike dhe anti-muslimane. Institute që kërkojnë kufizimin e lirive fetare dhe politike të grupeve të caktuara në shoqërinë shqiptare, mund të quhen Institute Fashiste për Studime Ndërkombëtare, por jo shqiptare. Pasi në Shqipëri, qytetarë të saj janë edhe muslimanët, dhe askush nuk mundet që tu mohojë atyre të drejtën për të qenë qytetarë të lirë që gëzojnë të drejta të plota demokratike përpara ligjit. Këtë gjë duhet të fiksojë mirë në mendje Enri Hide, Albert Rakipi dhe kushdo tjetër që merret me punët e muslimanëve në Shqipëri



Burimi : Gazeta İmpakt