Hamid Dabashi: Falë Gazës është ekspozuar falimentimi moral i filozofisë evropiane

nga Hamid Dabashi | Publikuar në Shk. 7, 2024, 12:35 a.m.

Duke filluar me Immanuel Kant dhe Georg Wilhelm Friedrich Hegel dhe duke vazhduar me Emmanuel Levinas dhe Slavoj Zizek, ne jemi thjesht objekte kuriozitetesh, gjërash dhe informacionesh që orientalistët kanë për detyrë t'i deshifrojnë. Prandaj, vrasja e dhjetëra mijëra prej nesh nga Izraeli apo Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tij europianë nuk shkakton as edhe një hezitim më të vogël në mendjen e filozofëve evropianë.

Imagjinoni sikur Irani, Siria, Libani apo Turqia, të mbështetura plotësisht, të armatosura dhe të mbrojtura diplomatikisht nga Rusia dhe Kina, të kenë vullnetin dhe fuqinë për të bombarduar Tel Avivin ditë e natë për tre muaj, duke vrarë dhjetëra mijëra izraelitë, duke i gjymtuar, duke lënë miliona të pastrehë dhe duke e kthyer qytetin në një grumbull rrënojash të pabanueshme siq është Gaza sot.

Imagjinoni për një moment sikur Irani dhe aleatët e tij të shenjëstrojnë qëllimisht zonat e mbushura me njerëz të Tel Avivit, duke përfshirë spitalet, sinagogat, shkollat, universitetet dhe bibliotekat, për të shkaktuar viktima maksimale civile. Dhe supozoni sikur ata i thonë botës se kanë në shënjestër vetëm kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe kabinetin e tij të luftës.

Pyesni veten se çfarë do të bënin SHBA-ja, Anglia, BE-ja, Kanadaja, Australia dhe Gjermania brenda 24 orëve nga sulmi në këtë skenar imagjinar.

Tani kthehuni në realitet dhe kujtoni se që nga 7 Tetori e deri më tani(dhe për dekada para kësaj date), aleatët perëndimorë të Tel Avivit jo vetëm që ishin dëshmitarë për atë që Izraeli po i bënte popullit palestinez; por gjithashtu ofruan pajisje ushtarake, bomba, municione dhe mbështetje diplomatike, dhe media amerikane ofroi justifikime ideologjike për gjenocidin e palestinezëve.

Skenari imagjinar i përmendur më sipër nuk do të tolerohej nga rendi aktual botëror as për një ditë. Ndërkohë që dhuna ushtarake e SHBA-së, Evropës, Australisë dhe Kanadasë qëndron plotësisht pas Izraelit, ne, njerëzit e tjerë të pafuqishëm të botës, ashtu si palestinezët, nuk konsiderohemi qenie njerëzore. Ky nuk është vetëm një realitet politik; në të njëjtën kohë, ka të bëjë edhe me imagjinatën morale dhe universin filozofik të asaj që e quan veten "Perëndim".

Ata prej nesh të cilët kanë mbetur jashtë imagjinatës morale të Evropës, nuk ekzistojnë në universin e tyre filozofik. Ne arabët, iranianët dhe muslimanët; apo populli në Azi, Afrikë dhe Amerikën Latine – nuk kemi ndonjë realitet ontologjik për filozofët evropianë përveçse të qenit një kërcënim metafizik që duhet pushtuar dhe heshtur.

Duke filluar me Immanuel Kant dhe Georg Wilhelm Friedrich Hegel dhe duke vazhduar me Emmanuel Levinas dhe Slavoj Zizek, ne jemi thjesht objekte kuriozitetesh, gjërash dhe informacionesh që orientalistët kanë për detyrë t'i deshifrojnë. Prandaj, vrasja e dhjetëra mijëra prej nesh nga Izraeli apo Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tij europianë nuk shkakton as edhe një hezitim më të vogël në mendjen e filozofëve evropianë.

Shikuesit evropianë fisnorë

Nëse dyshoni për këtë, mjafton t'i hidhini një sy tekstit në të cilin një nga filozofët kryesorë të Evropës, Jurgen Habermas, dhe disa nga kolegët e tij tregojnë me vrazhdësi të habitshme mbështetjen e tyre për masakrën e Izraelit ndaj palestinezëve. Pyetja nuk është më se çfarë të mendohet për 94-vjeçarin Habermas si qenie njerëzore. Pyetja e vërtetë është se çfarë mund të mendojmë për të si një shkencëtar social, filozof dhe mendimtar kritik. A ka ende rëndësi për botën se çfarë mendon ai? Sigurisht, nëse ka pasur më parë.

Bota po bën pyetje të ngjashme edhe për një filozof tjetër të rëndësishëm gjerman, Martin Heidegger, në dritën e marrëdhënieve të tij të rrezikshme me nazizmin. Sipas mendimit tim, tani duhet të bëjmë pyetje të ngjashme edhe rreth asaj se çfarë të mendojmë për sionizmin e dhunshëm të Habermasit dhe gjithë projektin e tij filozofik.

Nëse nuk ka asnjë grimcë vend për njerëz si palestinezët në imagjinatën morale të Habermasit, a na mbetet arsye të mendojmë se i gjithë projekti i tij filozofik është në ndonjë mënyrë relevante për pjesën tjetër të njerëzimit - përtej audiencës së tij fisnore evropiane?

Në një letër të hapur drejtuar Habermasit, sociologu i shquar iranian Asef Bayat tha se Habermas "kundërshton idetë e tij" kur bëhet fjalë për situatën në Gaza. Me gjithë respektin për të, më duhet të them se nuk jam dakord. Unë besoj se injorimi i Habermasit ndaj jetës së palestinezëve është plotësisht në përputhje me sionizmin e tij. Kjo ide është plotësisht në përputhje me botëkuptimin se jo-evropianët nuk janë "plotësisht njerëz" ose janë "kafshë humanoide", siç deklaroi hapur Ministri izraelit i Mbrojtjes Yoav Gallant.

Sionizmi i Habermasit u artikulua në nazizmin e Heidegger-it duke shpërfillur jetën e palestinezëve.

Kjo shpërfillje e plotë për palestinezët ka rrënjë të thella në imagjinatën filozofike gjermane dhe evropiane. Sipas besimit popullor, gjermanët kanë zhvilluar një besnikëri të palëkundur ndaj Izraelit nga ndjenja e fajit të krijuar nga Holokausti. Por për pjesën tjetër të botës, ekziston një përputhje e përsosur midis asaj që bëri Gjermania gjatë periudhës naziste dhe asaj që bën tani gjatë periudhës sioniste, siç dëshmohet edhe nga dokumenti i mrekullueshëm i paraqitur nga Afrika e Jugut në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Unë besoj se qëndrimi i Habermasit është në përputhje me politikën shtetërore gjermane, e cila është bashkëpunëtore në vrasjen e palestinezëve nga sionistët. Ky qëndrim, në të njëjtën kohë, ishte në përputhje me atë që u quajt "e majta gjermane", me urrejtjen e tyre po aq raciste, islamofobike dhe ksenofobike ndaj arabëve dhe muslimanëve, dhe mbështetjen e tyre të plotë për aktet gjenocidale të kolonisë së kolonëve izraelitë.

Mund të justifikohemi nëse mendojmë se Gjermania ndjen nostalgji gjenocidi sot, në vend të fajit të Holokaustit, sepse shikoi Izraelin të masakron palestinezët në shekullin e kaluar (jo vetëm në 100 ditët e fundit).

Varësia morale

Akuza për eurocentrizmin, e cila është ngritur vazhdimisht në perceptimin botëror të filozofëve evropianë, nuk bazohet vetëm në një të metë epistemike në mendimet e tyre. Kjo është gjithashtu një shenjë konsistente e varësisë morale. Shumë herë në të kaluarën kam tërhequr vëmendjen për racizmin e pashërueshëm në zemër të mendimit filozofik evropian dhe përfaqësuesve të tij më të famshëm sot.

Kjo varësi morale nuk është thjesht një gabim politik apo një pikë qorre ideologjike. Është skalitur thellë në imagjinatën e tyre filozofike, e cila mbetet pakorigjueshme.

Këtu, është e dobishme të përsërisim fjalët e famshme të poetit të famshëm Martinik, Aime Cesaire:" Po, është e dobishme të shqyrtohen hapat e ndërmarrë nga Hitleri dhe Hitlerizmi në detaje klinike dhe të zbulohej se borgjezia 'shumë elitare, shumë humaniste, shumë e krishterë' e shekullit të 20-të, në mënyrë të pavetëdijshme mbante një Hitler brenda vetes, se Hitleri ishte djalli i tyre dhe se ata nuk ishin konsistent në kundërshtimin e tij. Ajo që ata nuk mund të falin për Hitlerin nuk është vetë krimi, krimet e kryera kundër njerëzimit. Është krimi i tij kundër të bardhëve dhe poshtërimi i të bardhëve. Kjo sepse ai përdori teknika koloniale kundër Evropës, të cilat deri atëherë ishin zbatuar vetëm ndaj popullit arabë, indianë dhe afrikanë."

Palestina sot është një zgjatim i brutalitetit kolonial që Cesaire përmend në këtë pasazh. Habermas duket se nuk është në dijeni se miratimi i tij për masakrën e palestinezëve është plotësisht në përputhje me atë që bënë paraardhësit e tij gjatë gjenocidit Herero dhe Namaqua në Namibi. Ashtu si strucët e famshëm, filozofët gjermanë kanë ngulur kokën në ëndrrat e tyre evropiane dhe mendojnë se bota nuk i sheh!

Si përfundim, sipas mendimit tim, Habermas nuk ka thënë apo bërë asgjë befasuese apo kontradiktore; e vërteta është krejt e kundërta. Ai veproi plotësisht në përputhje me tribalizmin e pakorrigjueshëm të origjinës së tij filozofike, e cila gabimisht mendohet se është universale.

Bota tani ka shpëtuar nga ky perceptim i rremë i universalitetit. Filozofë të tillë si VY Mudimbe i Republikës Demokratike të Kongos, Walter Mignolo ose Enrique Dussel i Argjentinës apo Kojin Karatani i Japonisë kanë pretendime shumë më legjitime për universalitetin sesa Habermas dhe të ngjashmit e tij.

Sipas mendimit tim, falimentimi moral i rrëfimit të Habermasit për Palestinën shënon një pikë kthese në marrëdhëniet koloniale midis filozofisë evropiane dhe pjesës tjetër të botës. Bota është zgjuar nga gjumi i rremë i etno-filozofisë evropiane. Sot ia detyrojmë këtë çlirim vuajtjeve globale të popujve si palestinezët, heroizmi dhe sakrifica e gjatë historike e të cilëve më në fund ka ekspozuar barbarinë e zhveshur në thelbin e "qytetërimit perëndimor".

Dabashi, një profesor i Studimeve Iraniane dhe Letërsisë Krahasuese në Universitetin Kolumbia në Nju Jork, ka shumë libra dhe artikuj të vlerësuar nga kritika mbi Iranin, Islamin mesjetar dhe bashkëkohor, letërsinë krahasuese, kinemanë botërore dhe filozofinë e artit. Veprat kryesore të Dabashit janë këto: Autoriteti në Islam nga Ardhja e Profetit deri te Rregulli Emevi (Njeriu, 1995), Theology of Discontent (2005, Teologjia e pakënaqësisë), Truth and Narrative (1999, E vërteta dhe rrëfimi), Kinemaja Iraniane (Agora, 2004). Dabashi gjithashtu ka redaktuar librin Dreams of a Nation: On Palestinian Cinema (2006, Ëndrrat e një kombi: mbi kinemanë palestineze) dhe librat dhe artikujt e tij janë përkthyer në shumë gjuhë. Autori, i cili është një nga zërat kryesorë të opozitës në SHBA dhe shpesh jep konferenca dhe leksione në mbarë botën, jeton në Nju Jork me bashkëshorten e saj iranio-suedeze, Golbarg Bashi, një figurë e njohur e lëvizjes feministe.



Burimi : middleeasteye.net