Me rastin e 110 vjetorit të ” Kongresit të Manastirit” - 14 - 22 nëntor 1908
Që me themelimin e Lidhjes së Prizrenit, (1878) u ndje më shumë se kurdoherë nevoja e ngutshme për të caktuar alfabetin e njësuar të gjuhës shqipe dhe për t’i dhënë fund anarkisë që sundonte në këtë fushë.
Po ashtu, tani u ndje më shumë se më parë nevoja e ngutshme për të formuar një organizatë qendrore ose, siç thuhej atëherë, një shoqëri kulturore, e cila të merrte përsipër barrën e drejtimit e të organizimit të përpjekjeve për të ngritur shkolla shqipe në gjithë vendin dhe për të zhvilluar me ritme më të shpejta letërsinë shqiptare, duke botuar tekste shkollore, vepra letrare, broshura shkencore e organe periodike shqipe.
Nismën për zgjidhjet e këtyre dy detyrave e mori drejtpërdrejt Komiteti i Stambollit. Për këtë qëllim ai formoi qysh në fillim të vjeshtës së vitit 1878 një komision të gjerë prej 25 vetash, i cili ngarkoi një komision të ngushtë me 7 anëtarë (Sami Frashëri, Jani Vreto, Pashko Vasa, Hoxha Tahsini, Koto Hoxhi, Ibrahim Bërzeshta, Said Toptani), për të zgjidhur çështjen e alfabetit të përbashkët. Çështja e alfabetit të përbashkët u zgjidhë pas 30 vitesh !
Me 27 gusht 1908, me nisjativën e Klubit Shqiptar “Bashkimi” në Manastir, i cili kryesohej nga Fehmi Bej Zavalani, por me kërkesën e Mid’had Frashërit, u vendos të thirrej një Kongres për Alfabetin e gjuhës shqipe, i cili do të zhvillonte punimet me 14 nëntor 1908.
Me 14 nëntor 2008, ishte ditë me borë, në Manastir filloi punimet Kongresi i Manastirit apo Kongresi i Alfabetit…
Punimet e këtij kongresi zgjatën tetë ditë, u ndoqën nga 50 përfaqësues të 26 qyteteve, klubeve dhe shoqatave, prej të cilëve vetëm 32 përfaqësues kishin të drejtë vote.
Kryetar i Kongresit të Manastirit u zgjodh Mid’had Frashëri, edhe pse nuk ishte i pranishëm aty, sepse ende nuk kishte arritur në Manastir, kur filluan punimet me 14 nëntor 1908. Pse u zgjodhë Mid’had Frashëri?
U zgjodh jo pse ishte biri i Abdyl Frashërit, nip i Naimit, Samiut, Mehmetit, Tosumit, Kasemit, por pse ishte një emër i nderuar, një atdhetar, publicist, shkrimtar i dëshmuar, mbi të gjitha, sepse ishte ideator i këtij Kongresit, atëherë ky atdhetar ishte 28 vjeçar dhe përfaqësonte Alfabetin e Stambollit…
Në dy ditët e para të Kongresit të Manastirit, që i priu nënkryetari, Gjergj Qiriazi, protestant, deri sa erdhi kryetari, Mid’had Frashëri, u diskutue se cilin prej tre alfabeteve duhet të përcaktohet për gjuhën shqipe: Alfabeti i Stambollit, më i përhapuri, apo alfabetet e shoqërive “Agimi” që e përfaqësonte Dom Ndre Mjeda apo të shoqërisë “Bashkimi” që e përfaqësonte At Gjergj Fishta, të dy shoqëritë nga Shkodra, të dy klerikë katolik, por njeri i përkiste urdhërit (rendit) Jezuit, tjetri rendit apo urdhërit Françeskan, por që kishin fërkime e kundërshtime…
Në ditën e tretë të punimeve, meqë fërkimet, kundërshtimet arritën kulmin, u zgjodhë Komisioni i Alfabetit prej 11 vetësh, të cilin e kryesoi At gjergj Fishta, i cili e përfaqësonte Alfabetin e “Bashkimit”….
”Komisioni i Alfabetit”
"Kongresi i Manastirit” i dha fuqi të plotë ”Komisionit të Alfabetit” për të vendosur për çështjen e alfabetit të gjuhës shqipe…
Anëtarët e Komisionit të Alfabetit, pas tri ditë diskutimesh, sikurse thuhej në vendimin e Kongresit të Manasirit:
"Të shtyrë edhe nga disa shkaqe të përjashtme e pranuem “Alfabetin e Stambollit, e bashkë edhe një abece thjeshtë latine, që të mësoheshin bashkarisht në mes të shqiptarëve…”
Kush ishin anëtarët e Komisionit të Alfabetit?
1- Kryetar: At Gjergj Fishta
2- Mid’had Frashëri
3- Luigj Gurakuqi
4- Gjergj Qiriazi, protestant
5- Dom Ndre Mjeda
6- Grigor Cilka, protestant
7- Taqi Buda
8- Shahin Kolonja
9- Sotir Peci
10- Bajo Topulli
11- Nysret Vrioni, jo Nuzihet Vrioni
12- Fineas Kenedi, protestante, vëzhguese amerikane.
Pra, ky ishte Komisioni i Alfabetit prej 11 anëtarësh dhe një vëzhguese amerikane. Në bazë të emrave dallohen anëtarët myslimanë, orthodoksë dhe katolikë, i shënuam vetëm anëtarët e besimit protestantë, sepse vazhdimisht injorohet besimi i tyre…
A ka rëndësi kjo? A ka rëndësi besimi? Po . Pse?
Sepse, besimi ka qenë tema kryesore gjatë gjithë historisë botërore…