Xhemal Ali Pazari
Xhemal Ali Pazari (1864-1955)
Prejardhja familjare
Xhemal Ali Pazari rrjedh
nga një familje fetare - atdhetare, një familje me prejardhje nga Shkodra, ku
jetuan tri brezni, ndërsa dhjetë brezni të tjera, që nga viti 1600, jetuan në
Tiranë, që i përkasin tarikatit Halveti me këtë prejardhje:
Sheh Mehmet ef Rumi Serezi (Pazari) Shkodër Halveti
Sheh Osman ef. Rumi Serezi (Pazari)
Sheh Hasan ef. Rumi Serezi (Pazari)
(Sheh Ali Pazari (1581-1615)
(Shkodrani)- Azizi i Tiranës,
themeluesi i Teqesë
Halvetiane në Tiranë.)
Sheh Hasan (Plaku) Pazari (1607-1719)
Sheh Ali Pazari (1660-1745)
Sheh Ahmet Pazari (1678-1779)
Sheh Mahmut Pazari (1716-1803)
Sheh Hysejn Pazari (1743-1835)
Sheh Hasan Pazari
(1787-1874)
Sheh Ali Pazari (1815-1876)
Sheh Ahmet Pazari (1864-1931)
Sheh Ali Pazari (1890-1981)
Sheh Muamer Pazari (1929-2003)
Sheh Ali Pazari (i Riu)
Lindja, shkollimi dhe shërbimi
Xhemal Ali Pazari, djali i shejh Ali Pazarit (1815-1876), vëllai i shejh Ahmet Pazarit, lindi më 17 Qeshor 1864 në Tiranë, ku kreu mësimet fillestare dhe medresenë, kurse studimet i vazhdoi në Kajro, Egjipt, ku diplomoi në Filozofi e Teologji, në Universitetin Al-Az’har.
Pas diplomimit, në shenjë respekti, për diturinë, urtësinë, moralin e tij, edhe pse ishte i ri, të gjithë e thërrisnin Xhemal Efendi.
Xhemal Efendiu, përveç
veprimtarisë edukative-fetare, ishte i dalluar edhe në shërbim të çështjes
kombëtare. Ishte ndër përkrahësit kryesor në përhapjen e arsimit në gjuhën
shqipe, të shkollës shqipe, në një kohë kur ajo ishte e ndaluar...Për këtë
veprimtari atdhetare, siç shkruan Hafiz Ibrahim Dalliu (1878-1951), në kujtimet
e tij “Patriotizma në Tiranë”, Xhemal Ali Pazari u keqtrajtuar disa herë, madje
edhe u burgos dy herë në vitet 1909 -1910 bashkë me 27 atdhetarë tjerë, ndër ta
ishte edhe Hafizi Ibrahim Dalliu, Fuad Bej Toptani, Musa Maçi etj.
E përkujtojmë këtu një ngjarje të shënuar, e cila nuk duhet harruar, se Xhemal
Ali Pazari së bashku me vëllezërit e tij, Shejh Ahmet Pazarin dhe Hamdi
Pazarin, së bashku me disa atdhetarë të tjerë tiranas, dhanë kontributin e tyre
madhor, për ngritjen e flamurit kombëtar në Tiranë, më 26 Nëntor 1912.
Më 26 nëntor 1912, në Tiranë, ishte shejh Ahmet Pazari, ai që ngriti flamurin kombëtar, kurse vëllai i tij, Xhemal Ali Pazari mbajti fjalimin e rastit në gjuhën shqipe, bëri një lutje, e bekoi flamurin, ku ndër të tjera tha: “O Zot i gjithësisë, shyqyr që na shpëtove dhe i solle çlirimin Shqipërisë...!”
Krahas veprimtarisë kombëtare, Xhemal Ali Pazari ishte këshilltar dhe bashkëpuntor kryesor në veprimtarinë fetare në drejtimin e Teqesë Halvetiane të Tiranës, e cila udhëheqej nga vëllai i tij, shejh Ahmet Pazari, gjithashtu, ka shërbye në forumet e Bashkësisë Islame të Shqipërisë, kur ende nuk ishte Komuniteti, gjatë vitetve 1912-1920, kurse gjatë viteve 1922-1924, Xhemal Ali Pazari ishte anëtar i Këshillit Bashkiat të Tiranës, gjatë vitit 1924 ishte zëvendës kryetar i Bashkisë së Tiranës...
Vuajtjet, dënimet dhe vlerësimet
Me gjithë këtë veprimtari, me ardhjen e komunistëve në pushtet në nëntor 1944, për Xhemal Ali Pazarin, familjen e tij, si edhe për shumicën e shqiptarëve fetarë, dijetarë e atdhetar, filluan vuajtjet, dënimet, pushkatimet, një terrorr i paparë....
Në vitin 1945, kur
komunistët e morën pushtetin, i pushkatojnë djalin e madh, Besimin, varri i
tij, si edhe i shumë të tjerëve, ende nuk dihet, më vonë i pushkatojnë edhe
nipin, Faikun, i cili kishte 18 vjeç, në atë kohë ishte ushtar, kurse fetarin,
dijetarin, atdhetarin, Xhemal Ali Pazarin, në moshën 83-vjeçare, e arrestojnë
nën akuzën për agjitacion e propagandë, duke e mbajtur në burg nga viti 1947
deri 1950. Ndërkohë, i konfiskojnë gjithë pasurinë, si dhe e nxjerrin nga
shtëpia, duke e dërguar në një bodrum në Rrugën e Elbasanit, bashkë me djalin e
dytë, të renë dhe katër mbesat e tij. Në këtë bodrum, më 17 nëntor 1955, vdes
në kushte shumë të vështira jetese, kurse djali dhe familja e tij u persekutua,
gjatë gjithë kohës së regjimit komunist...
Nathali Clayer, një studiuese e huaj për fetë dhe rendet islame, në librin e
saj “L’ALBANIE, PAYS DES DERVICHES (1912-1967), kur flet për themelimin dhe
ekzistencën e teqeve halvetiane në Shqipëri, përmend edhe personalitete të
shquara botërore që lanë shënime lidhur me këto kulte fetare, si dhe për
udhëheqësit e tyre shpirtërorë. Clayer pasqyron opinionin e At Cordignanos, të
nxjerrë nga një artikull i këtij studiuesi italian botuar në revistën “Il
pensiero Missionario”. Aty flitet për këtë teqe dhe për Xhemal Pazarin. Ja
ç’shkruan Clayer: “Burimi i dytë (për teqenë e Pazarëve; shenimi im, I.G.)
është një artikull i At F. Kordignano-s, i cili takon rreth vitit 1931 në
Tiranë Ahmet Pazarin dhe vëllain e tij, Xhemal Pazarin, në teqen e tyre
halvetiane”. Siç shkruan Clayer, At Cordignano, në kërkim për të patur
shpjegime të hollësishme për Islamin dhe rendet, pas takimit me sheh Ahmetin, :
“… ai tek vëllai i tij, Xhemali, që ishte
profesor i Filozofisë Religjioze, gjeti bashkëbiseduesin më të mirë për një
diskutim metafizik”.
Me shembjen e regjimit komunist, me ardhjen e demokracisë, Xhemal Ali Pazari u
vlerësue, u dekorua me medaljen “Për veprimtari patriotike” nga Presidenti
Berisha në vitin 1995, me motivacionin:
“Ka kontribuar në luftën për çlirim kombëtar e pavarësinë e vendit. Është shquar në përhapjen e arsimit shqip”.