Në përkujtim, me rastin e 10-të vjetorit n’Amshim Mulla Jakup Hasipi

  • None
nga Mexhid Yvejsi | Publikuar në Jan. 7, 2016, 1 a.m.

(1951-2006)

Mulla Jakup Hasipi ishte një hoxhë dijetar,
një burrë atdhetar, një trim luftëtar;
një shembulltyrë për besimtarë, 
një pasqyrë për çdo shqiptarë!


Mulla Jakup Hasipi lindi më 2 Shkurt 1951, në katundin Sllupçan të Likovës, në rrethin e Kumanovës.  Rrjedh prej një familje fshatare, bujqësore, por besimtare e punëtore…
Shkollën fillore e kreu në vendlindje dhe posa e kreu, në vend të librit, i mbeti shati në dorë, ishte dëshira e babës që djali të bëhët punëtor…! 
Të bëhët punëtor, të bëhët krah i tij, në punë të ndryshme në bujqësi…Ndërsa, Jakup Hasipi, djal’i ri, punoi për disa vite me shati n’dorë, por mendjën nuk e kishte tek bujqësia, prej së cilës mvarej shtëpija, por gjithnjë mendonte tek libri, dituria…
Kështu, një ditë, kur Mulla Jakupi ishte në shtëpi, siç kishte dëshirë, i ndodhi një “mrekulli” e mirë. E zgjoi babën nga gjumi dhe i kërkoi do pare, për  në Austri me shkue, për me punue. Por, babai i tij, sapo u zgjue i tha: “Jo biro, ti s’ke nevojë të shkosh në Austri me punue, por do të shkosh në Sham (Siri) për me mësue, kjo asht ma mirë, kështu edhe zemra ka dëshirë!”
Nga këto fjalë, Mulla Jakupi jo vetëm që u gëzue, por edhe më shumë u befasue, qysh në këtë mënyrë dëshira iu plotësue…! Më vonë, nana i kishte tregue, se: “ Kur e ke zgjue babën prej gjumit, ai sapo e kishte pa në andërr Pejgamberin (a.s.), i cili i kishte thanë: “ Po, pse ore nuk po e lejon djalin m’i vazhdue mësimet që i ka në zemër!?”   
Në vitin 1975,  në moshën 24 vjeçare, shkoi në Damask, Siri, regjistrohet në Medresenë “El-Furkan”, ku diplomoi në vitin 1980. 
Posa e kreu medresenë në Damask, Mulla Jakupi shkoi në Kairo, Egjipt, për të vazhdue studimet e larta në teologji, ku regjistrohet në Universitetin e famshëm “El-Az’har”, ku diplomoi në vitin 1985.
Pas diplomimit në Kairo të Egjiptit nuk kthehet në vendlindje, por shkoi në Gjermani, në qytetin Leverkuzen, ku shërbeu pranë mërgimtarëve, kryesisht, shqiptarë, në xhaminë e qytetit. Shërbeu  me përkushtim, me devotshmëri, deri në vitin 1990, si imam, predikues e mësues.
Në vitin 1990, pas 15 viteve shkollim e shërbim në mërgim,
kthehet në vendlindje plotë përmallim. Menjëherë, në katundin e tij, e filloi punën në xhami.
Në xhami të katundit Sllupçan të Likovës, me punë vetëmohuese, Mulla Jakupit i doli zani  në çdo anë të Kosovës. Zani i tij u përhapë nëpër Maqedoni, u përhapë me shpejtësi edhe në Shqipni… Si ndodhi kjo?
Në fillim të vitit 1994 në Kumanovë u hapë radioja e parë, me emërin” Radio “Zëri i Kumanovës”, ku Mulla Jakupi mbante predikime, fjalime, të cilat dëgjoheshin me vëmendje.
Jo vetëm që dëgjoheshin me vëmendje e kënaqësi, hytbet, predikimet, fjalimet e tij, por ato regjistroheshin nëpër kaseta dhe u përhapeshin si raketa, u përhapeshin me shpejtësi nëpër Kosovë, Maqedoni e Shqipni…
Mulla Jakupi ka ligjërue, ka predikue, ka mbajtur mbi 5000 fjalime, me përmbajtje fetare-atdhetare, në të gjitha trojet shqiptare, në një kohë kur armiqët donin të na shkulnin fare…Kudo që shkonte – kudo frymëzonte…
Frymëzonte nëpër xhami, nëpër salla të kinemave, nëpër pallate të kulturës, nëpër halla të sporteve dhe asnjëherë mundi nuk i shkoi kot, sepse nga gëzimi e frymëzimi kishte edhe lotë, në sallat e mbushura përplotë…!   
Kur me 22 Janar 2001 krisi pushka e lirisë në Tearcë të Tetovës dhe pas dy muajve u përhapë edhe në anën e Likovës,
në katundin Sllupçan u vendos Komandanti i lavdishëm, Fadil Nimani – Tigri, me bashkëluftëtarët e tij dhe pikërisht në shtëpinë e Mulla Jakupit. 
Në këtë shtëpi u themelue Shtabi i UÇK-së për komunën e Likovës, ku Mulla Jakupi jo vetëm që mori pjesë në luftë, por ishte ndër luftëtarët më të dalluar, ndër trimat më të shquar…
Pas luftës nuk shërbeu më në xhaminë e Sllupçanit të Likovës, sepse zgjedhet Myfti i Kumanovës…
Me 7 janar 2006 në rrugën Shkup-Kumanovë, Mulla Jakup
Hasipi, që luftoi ditë e natë aq trimërisht, humbi jetën, për një çast, tragjikisht… !
Siç ishte i madh në jetën e tij, në shërbim të Zotit, në shërbim të popullit, një jetë me plotë përpjekje, po aq i madh ishte edhe në vdekje. Në varrimin e tij, në katundin Sllupçan, ku iu bënë shërbimet fetare e kombëtare, morën pjesë mijëra qytetarë nga të gjitha trojet shqiptare…
Mulla Jakupin e kam takuar disa herë, para e pas luftës, se qysh ishte ky hoxhë, ky dijetar, ky trim, ky luftëtar, se qysh ishte ky njeri e ka ka përshkrue poeti, Burhanudin Fili, në këtë poezi…:        
           
Mulla Jakup Sllupçani
Kuj don Allahu i jep hidajet
E udhëzon, e mëson si don Vet.
Me mirësinë e Tij gjithkah e shetit,
Me nurin e Tij rrugën ia ndritë.
Në jetë shumë raste i përjetojmë
Mulla Jakupin këtu e kujtojmë
Hoxhë Jakupi i Sllupçanit
Brum shqiptari, fryt Imanit.
Le t’a njohim vlla Jakupin:
Me davet e ngarkoi supin.
I la arat, e la shatin,
E la familjen edhe fshatin;
Kumanovë e Vilajet,
U nisë rrugës për gurbet;
Për tixharet ai asht nisë
Jo për marka, as devizë…
Por me dritë t’Zotit m’u pajisë.
Mbas shumë rrugë n’Sham arritë
Për t’marrë dije, që asht dritë.
Ndej në sofër të burrnisë, 
Në terbjet të Muhamedisë.  
Ditë e natë atje mësoi…
Për ma lart në Misir shkoi;
Se atje, vlla, asht Ez-heri
Qe për dije asht muteberi.
E prej luleve t’diturisë,
Mori nektarin e mirësisë;
Edhe u kthye në Vilajet,
Punës ju vu, ai, për davet…
N’krah janxhikun, n’dorë qitapin,
N’rrugë t’davetit shtrini hapin:
Në Sllupçan e Gjermani,
Në Kosovë, ma vonë n’Shqipni.
Kudo që shkoi e ke takoi,
Me davet, ai, i frymëzoi.
Allahu i dha dije dhe zell,
Që Islamin me këndell.
Allahu vet, ate, e nderoi,
Që fjala e tij n’zemra t’përshkoi…
Dituni, besë e bujari,
Gërshetu bashkë me trimni,
Në mejdan t’jetës i nxorri
Kush qe i zoti, prej tyre mori.
Porse të vehten ban exheli:
Kur t’i vijë dikuj apeli,
Nuk ka shtek për pa u nisë…
Se kështu Allahu e ka ujdisë.
Me shumë nderime u përciell
Shumë xhemat aty u mbledh:
Vilajet, Kosovë, Shqipni,
Prej vendeve tjera e Turqi.
Fort me mall e përcollën,
Deri n’mjekrra lottët rrodhën.
Por, prej Allahut t’gjithë jemi,
E te Ai, sërish kthehemi!
Vepra e tij kurr s’harrohet,
Pema matet mbasi t’rrxohet,
E kush donë atë me nderu
Veprën e tij me vazhdu.
Rahmet past Jakup Sllupçani,
Në Xhennet iu baft Mekami!

Mexhid YVEJSI, Gjakovë