Në përkujtim, në 30-të vjetorin e kalimit n’Amshim Imam Beqir Maloki 1892-1985)
Imam Beqir Maloki lindi në vitin 1892, në mahallën e “Haxhi Ymerit”, e cila ndodhët në zemër të Gjakovës. Rrjedh prej një familje zejtare, por që ishte arsimdashëse, atdhetare dhe fetare.
Mësimet fillestare i ndoqi në mejtepin e xhamisë, të cilin e kishte pranë shtëpisë, është fjala për mejtepin e Xhamisë së “Haxhi Ymerit”, i cili ka qenë ndër mejtpet më të bukura, më madhështore, të Gjakovës. Mejtepi ende e ruan pamjen, bukurinë, madhështinë…
Imam Beqir Maloki, pasi e kreu mejtepin dhe shkollën “Ruzhdie” në Gjakovë, mësimet e larta i vazhdoi në Shkup, në shkollën e njohur “Dar-ul Mualiminë”.
Gjatë shkollimit në Shkup gjeti shumë shqiptarë, disa ishin nga Gjakova, disa të tjerë erdhën më vonë, por të gjithë e kryen dhe shërbyen me devotshmëri, në Gjakovë, nëpër Kosovë dhe Shqipëri.
Këtu vlen të përmenden me nderim arsimtarët, atdhetarët, hoxhallarët, baballarët, si Ibrahim Fehmiu, Nimon Ferizi, Mulla Sadik Brovina, Baba Qazim Bakalli etj.
Beqir Maloki e përjetoi tërheqjen e Turqisë, pushtimin e Sërbisë, por edhe Pavarësinë e Shqipërisë…
Në vitet 1913-1914, si shumë shqiptarë nga Kosova, dikush më herët, dikush më vonë, ishin larguar nga zullumi i Sërbisë në Shqipëri, ndër ta edhe Beqir Maloki, i cili atëherë ishte djalë i ri, njëzetedyvjeçar, i gjatë, i bukur, trim e guximtar…
Në kohën e Princ Widit, në Durrës, kishte shërbye në Gardën Shqiptare, madje ishte në radhën e parë në çdo paradë ushtarake që bëhej për raste të ndryshme, si ajo e përditëshme, në çdo mëngjes, kur zgjohej Princ Widi, javore, mujore…
Gjatë Mbretërisë së ish-Jugosllavisë, (1918-1941), e cila në fillim quhej Mbetëria Sërbo-Kroate-Sllovene, Beqir Maloki përveç detyrave zyrtare në Gjakovë, është marrë edhe me veprimtari shoqërore-kulturore.
Ka qenë themeluesi i Bibliotekës në Gjakovë, ndërsa librat e revistat në gjuhën shqipe, të botueme në Shqipëri, të cilat ishin të ndalueme, iu jepte vetëm lexuesve të besueshëm dhe ato libra e revista i mbante në fshehtësi në një shtëpi…
Ka qenë një nga themeluesit dhe udhëheqës i shoqatës bamirëse-kulturore “Gajret”, e cila ishte e regjistruar si degë e Sarajevës, por që zhvilloi një veprimtari, me shumë dobi, duke qenë në pushtim, në robëri…
Gjatë viteve 1941-1944, kur Mbretëria e ish-Jugosllavisë u shkatërrue, por Kosova me Shqipëri, kryesisht u bashkue, u lirue, edhe pse nën Italinë fashiste deri më 8 shtator 1943 e pastaj nën Gjermaninë naziste, Beqir Maloki u përpoq të shpëtonte çka mund të shpëtohet…
Të shpëtohet rinia, të arsimohet të edukohet, të frymëzohet si nga ana fetare, po ashtu edhe nga ajo kombëtare…
Kjo partizanëve, komunistëve iu pengonte, sepse për partizanët, për komunistët feja, atdheu, Zoti apo Perëndia ishte komunizmi, Lenini, Stalini, Moska, Rusia… !
Në prill të vitit 1942, udhëheqësit komunistë të Gjakovës organizuen një atentat kundër Beqir Malokit në qendër të Gjakovës… Pas atentatit, të cilin e kryen gjashtë komunistë të njohur të Gjakovës, nga largësia prej pesë-gjashtë metrash, nga plema-kulmi i një shtëpie, Beqir Maloki i përgjakur u shtri për dhe…Komunistët menjëherë me afishe njoftuen popullin se: “Beqir Maloki, tradhëtari…u likuidue!”
Në të vërtetë, Beqir Maloki me gjashtë plumba në trup, siç thoshte vetë, me ndihmën e Zotit, që na ka krijue, kishte shpëtue…Mbas gjashtë muejve të qëndrimit, shërimit, në spital në Tiranë, Beqir Maloki sërish u çue në kambë…!
U çue në kambë, filloi me punue në Gjakovë, Prizren e sipas nevojës edhe në Tiranë e Shkodër…Kudo që shkonte, prej frikës, komunistët iknin, sikur toka t’i lëshonte…!
Në nëntor të vitit 1944, kur komunistët e morrën pushtetin, si shumë nacionalistë, atdhetarë, anti-komunistë edhe Beqir Maloki u largue nga vendlindja, Atdheu…
Një kohë jetoi në Austri, Gjermani, Itali, në Egjipt, Liban, Siri dhe Turqi, ku punoi si sekretar pranë një avokati të njohur… Më vonë, në vitin 1958, nga Turqia kaloi në Itali, ku u vendos në kryeqytet, në Rromë, Itali.
Në kryeqytetin e Italisë, në Rromë, në vitin 1971, për herë të parë e takova Beqir Malokin, jo vetëm që e takova, por në njëren prej dy dhomave që kishte, u strehova dhe aty qëndrova, jetova një vit, derisa shkova në Amerikë…!
Beqir Maloki në Rromë ka shërbye si Imam. Me disa miqë shqiptarë kishte themelue shoqatën: “Unione Islamico in Occidente” (Bashkimi Islamik në Perëndim) me qendër në Rromë, ku shërbente si Imam, ndërsa kryetar ishte Dr. Mentor Çoku, atdhetar i njohur…
Përveç veprimtarisë fetare-atdhetare, që e kryente me përkushtim, me devotshmëri, Imam Beqir Maloki është marrë edhe me krijimtari. Ka shkrue, ka botue disa punime, të cilat janë publikue në shtypin e mërgimit, rreth çështjeve historike dhe në vitet e fundit të jetës ka botue edhe dy libra.
Ka botue librin me kujtime, me titullin: “Kujtim brezit të ri”, botue në Rromë, 1978, ndërsa në vitin 1982, botoi librin: “Disa ajete të Kur’anit me shpjegime”…
Imam Beqir Maloki ishte një personalitet i nderuar, jo vetëm nga shqiptarët, por edhe nga të huajt, të cilët e çmonin e respektonin e vizitonin në vazhdimësi, duke kërkuar edhe këshilla prej tij…!
Prej shqiptarëve që e çmonin dallohej Dr.Mentor Çoku, Dr.Ismail Vërlaci, Prof. Namik Resuli, por edhe Prof. Ernest Koliqi, Prof. Martin Camaj etj. E çmonin, e vizitonin edhe disa shqiptarë të njohur nga Amerika, si Dr. Rexhep Krasniqi, që banonte në NewYork, Ing. Xhafer I. Deva, i cili jetonte në Kaliforni dhe Hafiz Tahir Kolgjini, që jetonte në Turqi…
Imam Beqir Maloki ndrroi jetë me 6 janar 1985, në Rromë, në moshën 93 vjeçare dhe u varros me nderime në Varrezat Muslimane në Porta Pia të Rromës, të cilat vetë i kishte përurue në vitin 1965, për nevojat e besimtarëve muslimanë, për të gjitha kombet që jetonin në Rromë…!