Në përkujtim, me rastin 110-të vjetorit të lindjes Myderriz Hasan ef. Nahi

  • Myderriz Hasan ef. Nahi
nga Mexhid Yvejsi | Publikuar në Korrik 8, 2015, mesnatë

                     “Gjakova s’e harron, Gjakova e di,

                      O nur arsimi, Hasan Efendi…

                      Do të jetojë Kosovë e vjetër,

                      Djep i shenjtë i shqiptarisë

                      Do të jetojë me kurora të lavdisë…”

                                             -Rexhep Hoxha

 

                                      

                        

Prejardhja familjare

Myderriz Hasan Efendi Nahi ishte njëri prej hoxhallarëve, dijetarëve dhe atdhetarëve më të mëdhenj jo vetëm të Gjakovës, por të mbarë Kosovës. Është një nga personalitetet e shquara të historisë dhe kulturës islame-shqiptare me një veprimtari të pasur  fetare, atdhetare, shoqërore, edukative, arsimore e  kulturore.

Rruga jetësore e myderriz Hasan ef. Nahit është e karakterizuar nga një përpjekje serioze, e vazhdueshme, e përkushtueshme për Fe e Atdhe. Ai ka lënë një trashëgimi me vlerë të gjithanshme, e cila ka shërbyer për edukimin islam të rinisë, për të mbarën e gjithë shqiptarisë...

Rrjedh prej një familje të shquar gjakovare, e cila i përket fisit Krasniq, që dha personalitete të njohura jo vetëm në përmasa kombëtare, por edhe ndërkombëtare, siç ishin babai i tij, Myderriz Islam ef. Nahi, dhe vëllai i tij,  pedagog, akademik, Hafiz Tevfik Nahi (1917-2006).             

Hasan ef. Nahi është djali i madh i myderrizit të madh, Islam efendi Nahi, dijetarit të shquar të Medresesë së Madhe të Gjakovës, që i dha dritë krejt Kosovës.

Myderriz Islam efendi Nahi është djali Mulla Jahja efendiut, një burrë i respektuar në Gjakovë e Malësi, i cili në pleqëri shkoi në haxhillëk, në Qabe, dhe duke u kthyer në vendlindje ka ndrrue jetë në Siri, ku është varrosur. Ai kishte katër djem: Salihu, Islami,  Ahmeti dhe Sadiku. Prej tyre,  i madhi dhe i vogli, Salihu dhe Sadiku kanë qenë terzi (rrobaqepës) Ahmeti është marrë me tregëti, ndërsa Islami me dituri.

Islami, babai i Hasan ef. Nahit, mbasi kreu mësimet fillestare dhe Medresenë në Gjakovë, vazhdoi studimet në Stamboll dhe pas diplomimit kthehet në Gjakovë, ku shërbeu si myderriz në Medresën e Madhe të Gjakovës. Meqë ishte i përkushtuar ndaj sintaksës së gjuhës arabe, nxënësit, më vonë edhe hoxhallarët, filluan ta thërrasin myderrizi i Nahit, hoxha i Nahit, kështu, Nahi i mbeti edhe mbiemri...

Nëna e Hasan ef. Nahit quhej Xhemile, një zonjë e devotshme, e ditur, e ndritur, këndonte bukur Kur’anin, e dinte gati të tërin përmendësh, ka shërbye si hoxheshë, ishte një nga gratë më të ditura në Gjakovë....Nënë Xhemilja është motra e Mulla Hamdi Dolit ( 1897-1994), nëna Xhemile,  është bija e Mulla Bajram Dolit.

Mulla Bajram Doli, sipas myderrizëve të vjetër, tregohej se ka qenë një kaligraf i shquar i literaturës së vjetër orientale. Librat e rrallë dhe ndonjë që ishte unikat, sipas porosive të ylemave të Gjakovës, të Kosovës e përtej,  Mulla Bajrami i përshkruante me shkrim artistik, i lidhte, i qepte dhe i bënte kopertinat, duke ndjerë kënaqësi të veçantë!   Kjo dëshmon sa ai ka qenë dashamir i librit, i diturisë, sikur ishin ylematë që bënin porosi të vazhdueshme. Kjo tregon se në Gjakovë ka pasur respekt për librin, për diturinë…

Kështu edhe daja i Hasan ef. Nahit, Mulla Hamdi Efendi Doli e kaloi jetën mbi libra, duke i pastruar, faqe për faqe, duke i paluar, duke i lidhur me një pasion të veçantë! Dhe më në fund , kur libri ishte gati, askush nuk besonte se ishte libri i tij! I thonin: “Mulla Hamdi , librin e paske zbukurue, e paske bo si nuse!”

Daja i Hasan Ef. Nahit, Mulla Hamdi Doli më tepër ka qenë i njohur  për zanatin që praktikonte në shtëpinë e tij, ishte libërlidhës. Këtë profesion të rrallë e trashëgoi nga i ati, Mulla Bajrami.

Mulla Hamdiu, daja i Hasan ef.Nahit, ishte mjeshtër i madh si libralidhës, i vetmi në Gjakovë. Veglat me të cilat punonte ishin të vjetra dhe shumë interesante t’i shihje… Interesante ishte edhe jeta e Mulla Hamdiut; ishte tepër modest, dukej dhe jetonte si asket! Kështu jetoi deri sa i mbylli sytë më 20 dhjetor 1994, në Gjakovë, në moshën 97 vjeçare.

Lindja, shkollimi, udhëtimi

Me pak fjalë, kjo ishte prejardhja familjare e Hasan ef. Nahit, i cili  lindi më 12 mars 1905, në mahallën e Hadumit, në zemër të Gjakovës, përballë furrës së njohur të Fetah Ushit. Mësimet fillestare i kreu në mejtepin e “Halil Efendisë”, në mahallën e Gecës, në Gjakovë. Po në Gjakovë vazhdoi mësimet  në Medresën e Madhe, ku ishte ndër nxënësit  më të dalluar dhe pas diplomimit, po në  atë Medrese, për tri vjet ligjëroi Sintaksën e Gjuhës Arabe, duke e zëvendsuar babain, Myderriz Islam ef.Nahin.

Në muajin shtator 1930, me dy shokë, Mulla Tahir Brovinën dhe Mulla Asllan Cërmjanin, Hasan efendi Nahi së bashku me shokën e përmendur, u nisën këmbë nga Gjakova nëpër Qafë të Morinës deri në Shkodër e nga Shkodra në Durrës, ku arritën pas dy javësh…

Qëllimi i këtij udhëtimi ishte shkollimi, shkollimi në Kairo, Egjipt. Nga Durrësi i Shqipnisë me anije u nisën për në Pirea të Greqisë, pastaj në Aleksandri dhe më në fund në Kairo, të Egjiptit, ku u regjistrue në Fakultetin “Kismi Ali” (Shkalla Superiore). Si student i zgjuar që ishte, Hasan Efendiu, brenda katër vitesh e kreu me rezultat të shkëlqyeshëm fakultetin dhe diplomoi me kohë në Universitetin Al-Az-har. 

Diplomimi dhe shërbimi

Myderriz Hasan Efendi Nahi, mbasi diplomoi në Kairo të Egjiptit, në vitin 1934, u kthye menjëherë në Gjakovë, por shërbeu më shumë nëpër Kosovë, si në Ferizaj, Prizren, Gjakovë dhe më në fund në Prishtinë.

Në vitin 1935 caktohet Myderriz në Medresen e Ferizajt, ku mbante ligjërata në gjuhën shqipe, n’atë kohë gjuha shqipe ishte e ndaluar, por predikoi, here pas here,  edhe nëpër shumë lokalitete të tjera të Kosovës.

Një kohë ka qenë drejtor i Medresesë “Mehmed Pasha” të Prizrenit, në vitin 1943, po në Prizren ka shërbye edhe si kryemyfti i Rrafshit të Dukagjinit. Pas vitit 1945, shërbeu si imam në Gjakovë, por për shkak të veprimtarisë fetare-atdhetare, për disa vite pushtetit komunist ia ndalon veprimtarinë  në  Gjakovë…

 

 

 

Hasan Efendi Nahi për njëzet vjet (1958-1978) ishte profesor në Medresenë “Alauddin” të Prishtinës, derisa doli në pension me nder!

Në pension nuk pushoi, por punoi në përkthimin e Kur’anit të Shenjtë nga gjuha arabe në gjuhën shqipe, i cili u botua në vitin 1988, në Prishtinë, në tirazh prej 5.000 kopjesh, më vonë u ribotua  disa herë, në Prishtinë, Prizren, Tiranë.

Në dokumentet sekrete të Beogradit, të publikuara nga historiani, Dr. Hakif Bajrami, prej të gjithë ylemave të Kosovës, Myderriz Hasan Efendi Nahi i Gjakovës ishte cilësuar si ”ideologu më i rrezikshëm”, ngaqë nuk lejonte kurrsesi që shqiptarët të shpërnguleshin nga Gjakova, nga Kosova…

Kanë mbetur të paharruara fjalët e Myderriz Hasan Efendi Nahit, që ua kishte thënë me guxim të paparë pushtetmbajtësve komunistë, më 1956 , kur tentuan ta mbyllën Gjimnazin e Gjakovës:

“Ma mirë kallni krejt Gjakovën, se sa ta mbyllni Gjimnazin…”

Poeti, Rexhep Hoxha, për këtë ngjarje, që ka pasë jehonë të madhe, në një poezi shumë të bukur, e ka përjetësuar hoxhën, Hasan Efendinë, ku, ndër të tjera, shkruen:

       

                    Gjakova nuk bën pa gjimnaz

                    Gjakova për shkollë luftoi

                    E paturpësia zyrtare,

                    Një hijenë e mallkuar

                    Kur pa zemërimin e yjeve,

                    Guximin e së drejtës së amshuar,

                    U hap qielli nga një fjalë e prerë,

                    Shkëlqyen yje, mijëra të tjerë.

                    Do të jetojë Kosovë e vjetër,

                    Djep i shenjtë i shqiptarisë

                    Do të jetojë me kurora të lavdisë…

Në ballë të Ylemave të Gjakovës ishin dy Hasanat, Hasan efendi Dashi dhe Hasan efendi Nahi, por myderriz Hasan ef. Nahi, ishte cilësuar si ”ideologu më i rrezikshëm”, prej të gjithë ylemave të Gjakovës, prej të gjithë ylemave të Kosovës, ngaqë nuk lejonte kurrsesi që shqiptarët të shpërnguleshin nga Gjakova, nga Kosova…

Hasan ef. Nahi, nuk ishte vetëm frymëzues, por ishte edhe shembull si mësues, hoxhë, myfti, myderriz, pedagog, i cili kurrë nuk e hoqi  nga trupi uniformen fetare, as nga mendja e zemra nuk i hoqi idealet kombëtare… 

Një ditë të muajit qershor të vitit 1956 në Gjakovë u përhapë fjala se në “Gjimnazin e Gjakovës po bahet kijameti”…Në sallën e madhe të fiskulturës të Gjimnazit ishin mbledhur anëtarët e Komitetit të Partisë Komuniste, në krye me Sekretarin e tyre dhe shumë Udbashë, bashkë me shefin e UDB-s. Ishin tubuar që të shpallin vendimin për mbylljen e Gjimnazit të Gjakovës me arsyetimin se “ i ka dalë boja, është shkollë borgjeze”, ndërsa “shoqëria e re socialiste” ka nevojë për shkolla tjera profesionale, moderne, për përgatitjen e puntorëve profesionalë, të cilët do të punësohen në fabrikat që do të ndërtohen, sipas planit pesëvjeçar…”

Në  sallën e mbushur përplotë, me qytetarë, prindër, pushtetar, kundër këtij vendimi e arsyetim për mbylljen e Gjimnazit të Gjakovës i pari ishte ngritur Myderriz Hasan ef. Nahi, i cili në fillim kishte kundërshtue me urtësi e argumente mbylljen e Gjimnazit, por pushtetarët komunistë me përbuzje, me kërcnime përpiqeshin t’i hudhnin poshtë argumentet e tij bindëse…

Më në fund, pas polemikave të rrepta, Hasan efendi Nahi, me gishtin e tij plotë zemrim, me trimëri e plotë guxim ju drejtue pushtetarëve komunistë, ku, ndër të tjera, tha:

“Fabrika ma e mirë asht gjimnazi, i cili prodhon njerëz të ditun, të mençëm…” “Përndryshe, ma mirë kallni krejt Gjakovën, se sa ta mbyllni Gjimnazin…”

Këto fjalë, për atë kohë,  as që mund të paramendoheshin, por qe ndodhën dhe vlera e tyre ende qëndron, ende jeton ende frymëzon... !

Të përshkruash vlera për një njeri, siç ishte Hasan ef.Nahi, është përgjegjësi, por të vlerësosh  vlera tek ky njeri, përherë është vlerë.  Mjerisht, në kohën tonë dhe në vendin tonë, vlerat njerëzore janë të rralla. Ndërsa, vlerat njerëzore tek Hasan ef. Nahi,  janë të shënuara, të dëshmuara, por kanë nevojë  të  promovohen apo të përurohen,  që brezat e rinjë të frymëzohen…

Pak njerëz në këtë dunja mund t’i shpëtojnë instiktit të egoizmit. Hasan ef. Nahi  e fitojë këtë përballje  të vështirë jetësore. Dhe këtë mund ta bëjë vetëm ai që ka besim, vetëm ai që që ka një vetëdije të tillë, vetëm ai që e njeh të kaluarën historike, politike, fetare-kulturore, arsimore  të popullit të vet, vetëm ai që e jeton me popullin e vet dhe për popullin e vet. Ky ishte Hasan efendi Nahi.

Hasan efendi Nahi, mbi të gjitha, ishte një mësuesi i mirë, një mësues i madh. Shpesh herë e përsëriste mendimin se mësues i mirë, mësuesi i madh i madh, është ai që nxjerr nxënës më të mirë se vetvetja dhe ai vetë ishte shembull i përkushtimit në orën e mësimit. Këtu vlenë të përmendet, si dëshmi, se një nga nxënësit e tij, ishte dr.Feti Mehtiu, akademik, përkthyes i parë i Kur’anit në gjuhën shqipe, 1985, pra tri vjet para mësuesit e botoi Kur’anin në gjuhën shqipe!

Personalitetin e tij e ka dalluar nga të tjerët dëshira për t’u marrë kryesisht me çështjet  edukative-arsimore, fetare-kombëtare. Në karakterin e tij nuk ndjehej dëshira për të arritur te ndonjë privilegj apo pozitë nga e cila do të përfitonte materialisht për interesat e dunjas.

 

 

Hasan ef. Nahin e kam njohur personalisht, ishte mik i babait tim, Hafiz Selimit, gjyshi im, Mulla Abdurrahimi, kishte miqësi, me babain e tij, myderriz Islam Efendinë, stërgjyshi im, Myderriz Muhmedi Efendiu, kishte miqësi me gjyshin e tij, Mulla Jahja Efendinë, sikur që kisha unë me djalin e Hasan Efendisë, prof.Nexhat Nahin, katër-pesë brezni në miqësi, thënë shkurt: ai ishte modest, i buzëqeshur, i denjë intelektualisht, i pashëm fizikisht, i madh shpirtërisht.       

Veprat e tij në shërbim të fesë, kombit dhe atdheut janë të shumta. Mjerisht, për ato pak është shkruar, mos t’i lëmë për t’u harruar…!

Myderriz Hasan Efendi Nahi ndërroi jetë në banesën e tij në qetësi , në lagjen “Ulpiana” në Prishtinë, pasdite më 5 shkurt 1991, në moshën 86 vjeçare. Me 6 shkurt 1991 në shtëpinë e motrës së tij, Litafete Nahi Grezda, në mahallën e “Haxhi Ymerit” në Gjakovë, në rrugën ku banoj edhe unë, u kryen shërbimet fetare, ndërsa namazi i xhenazës u falë Xhaminë e Hadumit, e cila ishte mbushur përplot, të ardhur nga mbarë Kosova për ta nderuar këtë hoxhë, dijetar dhe atdhetar …

U varrosë me 6 shkurt 1991, pasdite, në varrezat e reja të Gjakovës,  pranë lumit Ereniku, ku për herë të fundit u drejtue me lutje, para varrit të tij, Drejtori i Medresesë “Alauddin”, në Prishtinë, z.Resul ef. Rexhepi, i cili, ndër të tjera, tha:

“Të tubuar para varrit tënd, i drejtohemi dhe lusim të Madhin Allah që të shpërblejë me Xhennetin të cilin ua premtoi të dashurve të tij….”

“ O Zot i Gjithmëshirshëm, myderrizin tonë të dashur rradhite në radhën me pajgamberët, të drejtët, dëshmorët dhe më të mirët…”

Ndërsa, historiani nga Gjakova, dr.Zekeria Cana (1934-2009), ndër të tjera, tha:

“E kam për nder që të falem me ty duke të quajtur baba, ishe dhe mbete baba i djelmënisë shqiptare të Kosovës dhe viseve të tjera…

Qëndrove gjithë jetën i papërkulur. Qëndrove i pamposhtur edhe në kohët më të vështira… Na kujtohet se me ç’vendosmëri e kundështove  mbylljen e Gjimnazit të Gjakovës, që në atë kohë ishte i vlefshmëm sa një universitet. Dhe kjo forcë e jote buronte nga mësimet fetare dhe nga shembulli i Hoxha Kadri Prishtinës dhe i Asim Efendi Luzhës dhe tjerëve…”